Seksioni 70

Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit, në Kirtland, Ohio, më 12 nëntor 1831 (History of the Church, 1:235–237). Historia e shkruar nga Profeti thotë se katër konferenca të veçanta u mbajtën nga 1 deri më 12 nëntor. Në kuvendin e fundit të këtyre kuvendeve, rëndësia e madhe e Librit të Urdhërimeve, më vonë i quajtur Doktrina e Besëlidhje, u mor në konsideratë; dhe Profeti i referohet atij si “themeli i Kishës në këto ditë të fundit dhe një përfitim për botën, duke treguar që çelësat e mistereve të mbretërisë së Shpëtimtarit tonë përsëri i janë besuar njeriut” (History of the Church, 1:235).

1–5, Kujdestarë caktohen për të botuar zbulesat; 6–13, Ata që punojnë në gjëra shpirtërore, janë të denjë për shpërblimin e tyre; 14–18, Shenjtorët duhet të jenë të barabartë në gjëra tokësore.

  VINI re e dëgjoni, O ju banorë të Sionit dhe gjithë ju njerëz të kishës sime që jeni larg, dhe dëgjoni fjalën e Zotit, që unë ia jap shërbëtorit tim Jozef Smith të Riut dhe gjithashtu shërbëtorit tim Martin Harris, dhe gjithashtu shërbëtorit tim Oliver Cowdery, dhe gjithashtu shërbëtorit tim John Whitmer, dhe gjithashtu shërbëtorit tim Sidney Rigdon, dhe gjithashtu shërbëtorit tim William W. Phelps, sipas mënyrës së urdhërimit për ta.

  Sepse unë iu jap atyre një urdhërim; prandaj, vini vesh e dëgjoni, sepse kështu u thotë Zoti atyre—

  Unë, Zoti, i kam caktuar dhe i kam shuguruar të jenë kujdestarë mbi zbulesat dhe urdhërimet që u kam dhënë dhe që do t’ua jap më pas;

  Dhe një llogari të kësaj kujdestarie do t’ua kërkoj atyre në ditën e gjykimit.

  Prandaj ua kam caktuar atyre dhe kjo është detyra e tyre në kishën e Perëndisë, për t’i mbikqyrur ato dhe çështjet e lidhura me to, po, përfitimet e tyre.

  Si rrjedhim, një urdhërim unë u jap që ata nuk do t’ia japin këto gjëra kishës, as botës;

  Megjithatë, për aq sa ata marrin më shumë se ç’është e nevojshme për nevojat e tyre dhe dëshirat e tyre, ajo mund të jepet në shtëpinë time të ruajtjes.

  Dhe përfitimet duhet t’u përkushtohen banorëve të Sionit dhe brezave të tyre, për aq sa ata të bëhen trashëgimtarë sipas ligjeve të mbretërisë.

  Vini re, kjo është çfarë Zoti kërkon nga çdo njeri në kujdestarinë e tij, madje ashtu si unë, Zoti, ia kam caktuar ose do t’ia caktoj më pas çdo njeriu.

  10 Dhe vini re, nuk përjashtohet nga ky ligj askush që i përket kishës së Perëndisë së gjallë;

  11 Po, as peshkopi, as përfaqësuesi që mban shtëpinë e ruajtjes së Zotit, as ai që caktohet në një kujdestari mbi gjëra tokësore.

  12 Ai që caktohet për të administruar gjëra shpirtërore, po ai është i denjë për shpërblimin e tij, sikurse ata që caktohen në një kujdestari për të administruar në gjëra tokësore;

  13 Po, madje më me begati, begati e cila shumohet për ta nëpërmjet manifestimeve të Shpirtit.

  14 Megjithatë, në gjërat tuaja tokësore ju duhet të jini të barabartë dhe kjo jo kundër dëshirës, përndryshe begatia e manifestimeve të Shpirtit do të jetë fshehur.

  15 Tani, këtë urdhërim ua jap shërbëtorëve të mi për të mirën e tyre, ndërsa ata mbesin, për një manifestim të bekimeve të mia mbi kokat e tyre dhe për një shpërblim të zellit të tyre dhe për sigurinë e tyre;

  16 Për ushqim e për veshje, për një trashëgim, për shtëpitë e për tokat, në çfarëdo rrethanash unë, Zoti, do t’i vendos ata dhe kudo që unë, Zoti, do t’i dërgoj.

  17 Sepse ata kanë qenë besnikë mbi shumë gjëra dhe kanë bërë mirë për aq sa nuk kanë mëkatuar.

  18 Vini re, unë, Zoti, jam i mëshirshëm e do t’i bekoj dhe ata do të hyjnë në gëzimin e këtyre gjërave. Madje kështu. Amen.