Seksioni 74

Zbulesë dhënë Joseph Smith Profetit, në Hiram, Ohio, në janar 1832 (History of the Church, 1:242). Profeti shkruan: “Me të marrë fjalën paraprirëse të Zotit [D&C 73], unë rekomandova përkthimin e Shkrimeve të Shenjta dhe punova me zell deri përpara konferencës, e cila do të mblidhej më 25 janar. Gjatë kësaj periudhe unë gjithashtu mora sa vijon, si një shpjegim për Letrën e Parë drejtuar Korintasve, kapitulli 7, vargu 14” (History of the Church, 1:242).

1–5, Pali këshillon Kishën e kohës së tij që të mos zbatojë ligjin e Moisiut; 6–7, Fëmijët e vegjël janë të shenjtë dhe shenjtërohen nëpërmjet shlyerjes.

  SEPSE burri jobesimtar shenjtërohet me anë të gruas dhe gruaja jobesimtare shenjtërohet me anë të burrit; përndryshe fëmijët tuaj do të ishin të papastër, por tani janë të shenjtë.

  Tani, në ditët e apostujve, ligji i rrethprerjes praktikohej mes gjithë Judenjve që nuk besonin në ungjillin e Jezu Krishtit.

  Dhe ndodhi që u shtua një grindje e madhe mes njerëzve, sepse burri jobesimtar kishte dëshirë që fëmijët e tij të rrethpriteshin dhe t’i nënshtroheshin ligjit të Moisiut, ligj i cili ishte përmbushur.

  Dhe ndodhi që fëmijët, duke u rritur të nënshtruar ndaj ligjit të Moisiut, ndoqën traditën e etërve të tyre dhe nuk e besuan ungjillin e Krishtit, kështu që u bënë të pashenjtë.

  Prandaj, për këtë shkak apostulli i shkroi kishës, duke u dhënë atyre një urdhërim, jo nga Zoti, por nga vetja, që një besimtar nuk duhet të lidhet me një jobesimtar; në qoftë se ligji i Moisiut nuk do të zbatohej mes tyre,

  Që fëmijët e tyre të mund të mbeten pa rrethprerje; dhe që të mund të ndërpritet tradita, e cila thotë se fëmijët e vegjël nuk janë të shenjtë; sepse ajo është ruajtur mes Judenjve;

  Por fëmijët e vegjël janë të shenjtë, duke qenë të shenjtëruar nëpërmjet shlyerjes së Jezu Krishtit; dhe kjo është çfarë duan të thonë shkrimet e shenjta.