Seksioni 77

Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit, në Hiram, Ohio, mars 1832 (History of the Church, 1:253–255). Profeti shkroi: “Në lidhje me përkthimin e Shkrimeve të Shenjta, unë mora shpjegimin e mëposhtëm të Zbulesës së Shën Gjonit” (History of the Church, 1:253).

1–4, Bishat kanë shpirtra dhe do të banojnë në lumturi të përjetshme në një tokë të pavdekshme; 6–7, Kjo tokë ka një ekzistencë të përkohshme prej 7.000 vjetësh; 8–10, Engjëj të ndryshëm rivendosin ungjillin dhe shërbejnë në tokë; 11, Vulosja e 144.000 vetëve; 12–14, Krishti do të vijë në fillim të njëmijëvjetëshit të shtatë; 15, Dy profetë do të ngrihen nga kombi Izraelit.

  PYETJE: Cili është deti i qelqtë për të cilin flet Gjoni në kapitullin e 4-t dhe vargun e 6-të të Zbulesës? Përgjigje: Është toka, në gjendjen e saj të shenjtëruar, të pavdekshme dhe të përjetshme.

  Pyetje: Çfarë duhet të kuptojmë ne me katër bishat, për të cilat flitet në të njëjtin varg? Përgjigje: Ato janë shprehje figurative, të përdorura nga Zbuluesi, Gjoni, në përshkrimin e qiellit, të parajsës së Perëndisë, të lumturisë së njeriut dhe të bishave, dhe të zvarranikëve, dhe të shpendëve të ajrit; të asaj që është shpirtërore, duke qenë në ngjashmërinë e asaj që është tokësore; dhe të asaj që është tokësore, në ngjashmërinë e asaj që është shpirtërore; shpirtit të njeriut në ngjashmërinë e vetes së tij, po ashtu sikurse shpirti i bishës dhe i çdo krijese tjetër që Perëndia ka krijuar.

  Pyetje: A kufizohen të katër bishat në bisha të veçanta apo përfaqësojnë klasa ose rende? Përgjigje: Ato kufizohen në katër bisha të veçanta, të cilat iu treguan Gjonit, që përfaqësojnë lavdinë e klasave të qenieve në rendin ose sferën e tyre të destinuar të krijimit, në kënaqësinë e lumturisë së tyre të përjetshme.

  Pyetje: Çfarë duhet të kuptojmë ne me anë të syve dhe krahëve që kishin bishat? Përgjigje: Sytë e tyre përfaqësojnë dritë dhe dituri, që është, ato janë plot dituri; dhe krahët e tyre përfaqësojnë fuqi për të lëvizur, për të vepruar, etj.

  Pyetje: Çfarë duhet të kuptojmë nëpërmjet katër dhe njëzet pleqve, të thënë nga Gjoni? Përgjigje: Ne duhet të kuptojmë se këta pleq që Gjoni pa, ishin pleq që kishin qenë besnikë në punën e shërbesës dhe kishin vdekur, të cilët u përkisnin të shtatë kishave dhe ishin në atë kohë në parajsën e Perëndisë.

  Pyetje: Çfarë duhet të kuptojmë nëpërmjet librit që Gjoni pa, i cili ishte i vulosur nga pas me shtatë vula? Përgjigje: Ne duhet të kuptojmë se ai përmban vullnetin, misteret dhe punën e zbuluar të Perëndisë; gjërat e fshehura të ekonomisë së tij lidhur me këtë tokë gjatë shtatë mijë vjetëve të vazhdimësisë së saj apo të ekzistencës së përkohshme të saj.

  Pyetje: Çfarë duhet të kuptojmë ne nëpërmjet shtatë vulave me të cilat ai ishte vulosur? Përgjigje: Ne duhet të kuptojmë se vula e parë përmban gjërat e një mijë vjetëve të para dhe e dyta gjithashtu të një mijë vjetëve të dyta e kështu me radhë deri tek e shtata.

  Pyetje: Çfarë duhet të kuptojmë nëpërmjet katër engjëjve, të thënë në kapitullin e 7-të dhe vargun e 1-rë të Zbulesës? Përgjigje: Ne duhet të kuptojmë se ata janë katër engjëj të dërguar nga Perëndia, të cilëve u është dhënë fuqi mbi katër pjesët e tokës, për të shpëtuar jetë dhe për të shkatërruar; këta janë ata që kanë ungjillin e përjetshëm për t’ia dhënë çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli; duke patur fuqi për të mbyllur qiejt, për të vulosur në jetë ose për të flakur në krahinat e errësirës.

  Pyetje: Çfarë duhet të kuptojmë me anë të engjëllit që zbriti nga lindja, Zbulesa, kapitulli i 7-të dhe vargu i 2-të? Përgjigje: Ne duhet të kuptojmë se engjëlli që zbriti nga lindja është ai të cilit i jepet vula e Perëndisë së gjallë mbi dymbëdhjetë fiset e Izraelit; prandaj ai u thërret katër engjëjve që kanë ungjillin e përjetshëm, duke u thënë: Mos e dëmtoni dheun, as detin, as pemët, derisa t’i kemi vulosur në ballë shërbëtorët e Perëndisë tonë. Dhe, nëse do ta pranoni atë, ky është Eliasi që do të vinte për të mbledhur së bashku fiset e Izraelit dhe për të rivendosur çdo gjë.

  10  Pyetje: Në çfarë kohe do të përmbushen gjërat për të cilat flitet në këtë kapitull? Përgjigje: Ato do të përmbushen në njëmijëvjetëshin e gjashtë, ose në hapjen e vulës së gjashtë.

  11  Pyetje: Çfarë duhet të kuptojmë nëpërmjet vulosjes së njëqind e dyzet e katër mijëve, nga të gjitha fiset e Izraelit—dymbëdhjetë mijë nga secili fis? Përgjigje: Ne duhet të kuptojmë se ata që vulosen janë priftërinj të lartë, të shuguruar në urdhërin e shenjtë të Perëndisë, për të administruar ungjillin e përjetshëm; sepse ata janë ata që shugurohen nga çdo komb, fis, gjuhë dhe popull, me anë të engjëjve të cilëve u jepet fuqi mbi kombet e tokës, për të sjellë aq sa do të vijnë në kishën e të Parëlindurit.

  12  Pyetje: Çfarë duhet të kuptojmë nëpërmjet rënies së borive, të përmendur në kapitullin e 8-të të Zbulesës? Përgjigje: Ne duhet të kuptojmë se, ashtu si Perëndia e bëri botën në gjashtë ditë dhe në ditën e shtatë ai e mbaroi punën e tij dhe e shenjtëroi atë, dhe gjithashtu formoi njeriun nga pluhuri i tokës, madje kështu, në fillimin e njëmijëvjetëshit të shtatë Zoti Perëndi do ta shenjtërojë tokën dhe do të plotësojë shpëtimin e njeriut, dhe do të gjykojë gjithçka, dhe do të shëlbejë gjithçka, përveç asaj që ai nuk e ka vënë nën fuqinë e tij, kur do t’i ketë vulosur të gjitha gjërat, për qëllimin e të gjitha gjërave; dhe rënia e borive të të shtatë engjëjve është përgatitja dhe mbarimi i kësaj pune, në fillimin e njëmijëvjetëshit të shtatë—përgatitja e udhës përpara kohës së ardhjes së tij.

  13  Pyetje: Kur do të kryhen gjërat që shkruhen në kapitullin e 9-të të Zbulesës? Përgjigje: Ato do të kryhen pas hapjes së vulës së shtatë, përpara ardhjes së Krishtit.

  14  Pyetje: Çfarë duhet të kuptojmë nëpërmjet librit të vogël që Gjoni hëngri, siç përmendet në kapitullin e 10-të të Zbulesës? Përgjigje: Ne duhet të kuptojmë se ishte një mision dhe një ordinancë për të, për të mbledhur fiset e Izraelit; vini re, ky është Eliasi, i cili, siç është shkruar, duhet të vijë e të rivendosë gjithçka.

  15  Pyetje: Çfarë duhet të kuptojmë me dy dëshmitarët në kapitullin e njëmbëdhjetë të Zbulesës? Përgjigje: Ata janë dy profetë që do të ngrihen nga kombi Izraelit në ditët e fundit, në kohën e rivendosjes, dhe do t’u profetizojnë Izraelitëve, pasi ata të mblidhen dhe të kenë ndërtuar qytetin e Jeruzalemit në tokën e etërve të tyre.