Seksioni 7

Zbulesë dhënë Joseph Smith Profetit dhe Oliver Cowdery-t, në Harmony, Pennsylvania, prill 1829, kur ata kërkuan nëpërmjet Urimit dhe Thumimit lidhur me nëse Gjoni, dishepulli i dashur, mbeti në mish apo kishte vdekur. Zbulesa është një version i përkthyer i analit të bërë në pergamen nga Gjoni dhe të fshehur mirë prej tij (History of the Church, 1:35–36).

1–3, Gjoni i Dashuri do të jetojë derisa Zoti të vijë; 4–8, Pjetri, Jakobi dhe Gjoni mbajnë çelësat e ungjillit.

  DHE Zoti më tha mua: Gjon, i dashuri im, çfarë dëshiron? Pasi nëse do të kërkosh atë që dëshiron, ajo do të të jepet.

  Dhe unë i thashë atij: Zot, më jep fuqi mbi vdekjen, që të mund të jetoj e të sjell shpirtra te ti.

  Dhe Zoti më tha: Në të vërtetë, në të vërtetë, unë të them ty, ngaqë e dëshiron këtë, ti do të mbetesh deri sa unë të vij në lavdinë time dhe do të profetizosh përpara kombeve, fiseve, gjuhëve dhe popujve.

  Dhe për këtë arsye Zoti i tha Pjetrit: Nëse dua që ai të mbetet deri sa unë të vij, ç'të duhet ty? Sepse ai dëshiroi nga unë që të mund të sjellë shpirtra tek unë, por ti dëshiron që të mund të vish me të shpejtë tek unë, në mbretërinë time.

  Unë të them ty, Pjetër, kjo ishte dëshirë e mirë; por i dashuri im ka dëshiruar që të mund të bëjë më shumë ose një punë më të madhe, ende midis njerëzve, sesa ajo që ai ka bërë më parë.

  Po, ai ka ndërmarrë një punë më të madhe; si rrjedhim, unë do ta bëj atë si zjarr flakërues dhe një engjëll shërbestar; ai do të shërbejë për ata që do të jenë trashëgimtarë të shpëtimit, të cilët banojnë në tokë.

  Dhe unë do të të bëj t'i shërbesh atij dhe vëllait tënd, Jakobit; dhe mbi ju të tre unë do ta jap këtë fuqi dhe çelësat e kësaj shërbese deri sa unë të vij.

  Në të vërtetë unë ju them: Ju, që të dy, do të keni sipas dëshirave tuaja, sepse ju, që të dy, gëzoheni në atë që keni dëshiruar.