Seksioni 84

Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit, në Kirtland, Ohio, më 22 dhe 23 shtator 1832 (History of the Church, 1:286–295). Gjatë muajit të shtatorit, pleqtë kishin filluar të ktheheshin nga misionet e tyre në shtetet e lindjes dhe të jepnin raporte për punët e tyre. Ishte ndërsa ata ishin së bashku në këtë stinë gëzimi, që komunikimi i mëposhtëm u mor. Profeti e përcaktoi atë si zbulesë për priftërinë.

1–5, Jeruzalemi i Ri dhe tempulli do të ndërtohen në Missouri; 6–17, Linja e priftërisë nga Moisiu deri tek Adami jepet; 18–25, Priftëria më e lartë mban çelësin e diturisë së Perëndisë; 26–32, Priftëria më e ulët mban çelësin e shërbesës së engjëjve dhe të ungjillit përgatitor; 33–44, Burrat fitojnë jetë të përjetshme nëpërmjet betimit dhe besëlidhjes së priftërisë; 45–53, Shpirti i Krishtit i ndriçon njerëzit dhe bota prehet në mëkat; 54–61, Shenjtorët duhet të dëshmojnë për ato gjëra që kanë marrë; 62–76, Ata duhet të predikojnë ungjillin dhe shenja do të pasojnë; 77–91, Pleqtë duhet të shkojnë pa çantë ose trastë dhe Zoti do të kujdeset për nevojat e tyre; 92–97, Plagë dhe mallkime i presin ata që nuk e pranojnë ungjillin; 98–102, Kënga e re e shëlbimit të Sionit jepet; 103–110, Çdo njeri duhet të qëndrojë në detyrën e tij dhe të punojë në thirrjen e tij; 111–120, Shërbëtorët e Zotit duhet të shpallin neverinë e shkatërrimit të ditëve të fundit.

  NJË zbulesë e Jezu Krishtit për shërbëtorin e tij Joseph Smith të Riun dhe gjashtë pleq, ndërsa ata i bashkuan zemrat dhe i ngritën zërat e tyre lart.

  Po, fjala e Zotit lidhur me kishën e tij, të ngritur në ditët e fundit për rivendosjen e popullit të tij, ashtu siç ka folur ai nëpërmjet gojës së profetëve të tij, dhe për mbledhjen e shenjtorëve të tij për të qëndruar mbi malin Sion, i cili do të jetë qyteti i Jeruzalemit të Ri.

  Qytet i cili do të ndërtohet, duke filluar te vendi i tempullit, i cili është caktuar nëpërmjet gishtit të Zotit, në kufijtë perëndimorë të shtetit të Missouri-t dhe është përkushtuar nëpërmjet dorës së Joseph Smith të Riut dhe të tjerëve me të cilët Zoti ishte mjaft i kënaqur.

  Me të vërtetë kjo është fjala e Zotit, se qyteti i Jeruzalemit të Ri duhet të ndërtohet nëpërmjet mbledhjes së shenjtorëve, duke filluar në këtë vend, madje në vendin e tempullit, tempull i cili do të ngrihet në këtë brez.

  Sepse në të vërtetë ky brez nuk do të kalojë i tëri, derisa një shtëpi do t’i ngrihet Zotit dhe një re do të qëndrojë mbi të, re e cila do të jetë madje lavdia e Zotit, që do ta mbushë shtëpinë.

  Dhe bijtë e Moisiut, sipas Priftërisë së Lartë që ai e mori nga dora e vjehrrit të tij, Jethro;

  Dhe Jethro e mori atë nga dora e Kalebit;

  Dhe Kalebi e mori atë nga dora e Elihut;

  Dhe Elihu nga dora e Jeremias;

  10 Dhe Jeremia nga dora e Gadit;

  11 Dhe Gadi nga dora e Esaias;

  12 Dhe Esaia e mori atë nga dora e Perëndisë.

  13 Esaia gjithashtu jetoi në ditët e Abrahamit dhe u bekua prej tij—

  14 Abrahami, i cili e mori priftërinë nga Melkizedeku, i cili e mori atë nëpërmjet linjës së etërve të tij, madje deri te Noeu;

  15 Dhe nga Noeu deri te Enoku, nëpërmjet linjës së etërve të tyre;

  16 Dhe nga Enoku tek Abeli që u vra nëpërmjet komplotit të vëllait të tij, i cili e mori priftërinë nëpërmjet urdhërimeve të Perëndisë, nga dora e atit të tij, Adamit, që ishte njeriu i parë —

  17 Priftëri e cila vazhdon në kishën e Perëndisë në të gjitha brezat dhe nuk ka fillim të ditëve apo fund të viteve.

  18 Dhe Zoti dha një priftëri gjithashtu mbi Aaronin dhe farën e tij, në të gjithë brezat e tyre, priftëri e cila gjithashtu vazhdon dhe qëndron përgjithmonë me priftërinë që është sipas urdhërit më të shenjtë të Perëndisë.

  19 Dhe kjo priftëri më e madhe administron ungjillin dhe mban çelësin e mistereve të mbretërisë, madje çelësin e diturisë së Perëndisë.

  20 Si rrjedhim, në ordinancat e saj, fuqia e perëndishmërisë manifestohet.

  21 Dhe pa ordinancat e saj dhe pa autoritetin e priftërisë, fuqia e perëndishmërisë nuk u manifestohet njerëzve në mish;

  22 Sepse pa këtë, askush nuk mund të shohë fytyrën e Perëndisë, madje Atit, dhe të jetojë.

  23 Tani këtë Moisiu ua mësoi qartë fëmijëve të Izraelit në shkretëtirë dhe kërkoi me zell ta shenjtëronte popullin e tij, që ata të mund të shihnin fytyrën e Perëndisë;

  24 Por ata i ngurtësuan zemrat dhe nuk mund ta duronin praninë e tij; si rrjedhim, Zoti në inatin e tij, sepse zemërimi i tij u ndez kundër tyre, u betua që ata nuk do të hynin në prehjen e tij, ndërsa ishin në shkretëtirë, prehje e cila është plotësia e lavdisë së tij.

  25 Si rrjedhim, ai e largoi Moisiun nga mesi i tyre dhe Priftërinë e Shenjtë gjithashtu;

  26 Dhe priftëria më e ulët vazhdoi, priftëri e cila mban çelësin e shërbesës së engjëjve dhe të ungjillit përgatitor;

  27 Ungjill i cili është ungjilli i pendimit dhe i pagëzimit, dhe i heqjes së mëkateve, dhe i ligjit të urdhërimeve të mishit, të cilin Zoti në zemërimin e tij bëri që të vazhdonte me shtëpinë e Aaronit, mes fëmijëve të Izraelit, deri te Gjoni, të cilin Perëndia e ngriti, të mbushur me Frymën e Shenjtë nga barku i nënës së tij.

  28 Sepse ai u pagëzua ndërsa ishte ende fëmijë dhe u shugurua në këtë fuqi nga engjëlli i Perëndisë në kohën që ishte tetë ditë, për t’i dhënë fund mbretërisë së Judenjve dhe për ta drejtuar udhën e Zotit përpara fytyrës së njerëzve të tij, për t’i përgatitur ata për ardhjen e Zotit, në dorë të të cilit jepet gjithë fuqia.

  29 Dhe përsëri, detyrat e plakut dhe të peshkopit janë shtesa të nevojshme që i përkasin priftërisë së lartë.

  30 Dhe përsëri, detyrat e mësuesit dhe të dhjakut janë shtesa të nevojshme që i përkasin priftërisë më të ulët, priftëri e cila u dha mbi Aaronin dhe bijtë e tij.

  31 Si rrjedhim, siç thashë lidhur me bijtë e Moisiut—sepse bijtë e Moisiut dhe gjithashtu bijtë e Aaronit do të ofrojnë një flijim dhe një sakrificë të pranueshme në shtëpinë e Zotit, shtëpi e cila do t’i ndërtohet Zotit në këtë brez, mbi vendin e përkushtuar, siç e kam caktuar unë—

  32 Dhe bijtë e Moisiut dhe të Aaronit do të mbushen me lavdinë e Zotit, mbi malin Sion në shtëpinë e Zotit, bijtë e të cilëve jeni ju; dhe gjithashtu shumë vetë që i kam thirrur dhe i kam dërguar për të ngritur kishën time.

  33 Sepse cilëtdo që janë besnikë në marrjen e këtyre dy priftërive për të cilat kam folur, dhe në lartësimin e thirrjes së tyre, shenjtërohen me anë të Shpirtit në ripërtëritjen e trupave të tyre.

  34 Ata bëhen bijtë e Moisiut dhe të Aaronit dhe fara e Abrahamit, dhe kisha e mbretëria, dhe të zgjedhurit e Perëndisë.

  35 Dhe gjithashtu gjithë ata që e pranojnë këtë priftëri, më pranojnë mua, thotë Zoti;

  36 Sepse ai që pranon shërbëtorët e mi, më pranon mua;

  37 Dhe ai që më pranon mua, pranon Atin tim;

  38 Dhe ai që pranon Atin tim, pranon mbretërinë e Atit tim; si rrjedhim, gjithçka që Ati im ka, do t’i jepet atij.

  39 Dhe kjo është sipas betimit dhe besëlidhjes të cilat i përkasin priftërisë.

  40 Si rrjedhim, gjithë ata që e pranojnë priftërinë, pranojnë këtë betim dhe besëlidhje nga Ati im, që ai nuk mund ta thyejë, ajo as nuk mund të ndryshohet.

  41 Por kushdo që e thyen këtë besëlidhje pasi e ka pranuar atë, dhe tërësisht largohet prej saj, nuk do të ketë falje të mëkateve në këtë botë, as në botën që vjen.

  42 Dhe mjerë gjithë ata që nuk vijnë në këtë priftëri që ju e keni pranuar, të cilën unë tani e konfirmoj mbi ju që jeni të pranishëm këtë ditë, me anë të zërit tim nga qiejt; dhe madje u kam dhënë banorëve qiellorë dhe engjëjve të mi përgjegjësi lidhur me ju.

  43 Dhe unë tani ju jap një urdhërim të hapni sytë për veten tuaj, t’u vini veshin me zell fjalëve të jetës së përjetshme.

  44 Sepse ju do të jetoni me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë.

  45 Sepse fjala e Zotit është e vërtetë dhe çfarëdo që është e vërtetë, është dritë, dhe çfarëdo që është dritë, është Shpirt, madje Shpirti i Jezu Krishtit.

  46 Dhe Shpirti i jep dritë çdo njeriu që vjen në botë; dhe Shpirti ndriçon çdo njeri në botë, që i bindet zërit të Shpirtit.

  47 Dhe kushdo që i bindet zërit të Shpirtit, vjen te Perëndia, madje Ati.

  48 Dhe Ati i mëson atij besëlidhjen që ai e ka ripërtërirë dhe dhënë mbi ju, që është dhënë mbi ju për hirin tuaj dhe jo vetëm për hirin tuaj, por për hir të të gjithë botës.

  49 Dhe gjithë bota prehet në mëkat dhe rënkon nën errësirë dhe nën skllavërinë e mëkatit.

  50 Dhe nëpërmjet kësaj ju mund të dini se ata janë nën skllavërinë e mëkatit, ngaqë ata nuk vijnë tek unë.

  51 Sepse kushdo që nuk vjen tek unë, është nën skllavërinë e mëkatit.

  52 Dhe kushdo që nuk e pranon zërin tim, nuk e njeh zërin tim dhe nuk është i imi.

  53 Dhe nëpërmjet kësaj ju mund të njihni të drejtët nga të ligjtë dhe se e tërë bota rënkon nën mëkat dhe errësirë edhe tani.

  54 Dhe mendjet tuaja në të shkuarën janë errësuar për shkak të mosbesimit dhe ngaqë i keni trajtuar me lehtësi gjërat që keni marrë.

  55 Kotësi dhe mosbesim të cilat e kanë sjellë tërë kishën nën dënim.

  56 Dhe ky dënim qëndron mbi fëmijët e Sionit, madje të gjithë.

  57 Dhe ata do të mbeten nën këtë dënim derisa të pendohen dhe të kujtojnë besëlidhjen e re, madje Librin e Mormonit dhe urdhërimet e mëparshme që iu kam dhënë, jo vetëm për t’i thënë, por për të vepruar sipas asaj që kam shkruar—

  58 Që ata të mund të sjellin fryte të përshtatshme për mbretërinë e Atit të tyre; përndryshe aty ngelet një ndëshkim dhe gjykim për t’u derdhur mbi fëmijët e Sionit.

  59 Sepse a do ta ndotin fëmijët e mbretërisë tokën time të shenjtë? Në të vërtetë, unë ju them, Jo.

  60 Në të vërtetë, në të vërtetë, unë ju them juve që i dëgjoni tani fjalët e mia, që janë zëri im, bekuar qofshi për aq sa i pranoni këto gjëra;

  61 Sepse unë do t’jua fal të gjitha mëkatet me këtë urdhërim—që ju të mbeteni të qëndrueshëm në mendjet tuaja në solemnitet dhe në shpirtin e lutjes, në dhënien e dëshmisë për gjithë botën për ato gjëra që ju janë komunikuar.

  62 Si rrjedhim, shkoni në të gjithë botën; dhe në çfarëdo vendi që nuk mund të shkoni, duhet të dërgoni, që dëshmia të mund t’i shkojë nga ju gjithë botës, çdo krijese.

  63 Dhe siç u thashë apostujve të mi, madje kështu ju them juve, sepse ju jeni apostujt e mi, madje priftërinjtë e lartë të Perëndisë; ju jeni ata që Ati im m’i ka dhënë; ju jeni miqtë e mi;

  64 Si rrjedhim, siç u thashë apostujve të mi, unë ju them juve përsëri se çdo shpirt që beson në fjalët tuaja dhe pagëzohet me ujë për heqjen e mëkateve, do të marrë Frymën e Shenjtë.

  65 Dhe këto shenja do t’i ndjekin ata që besojnë—

  66 Në emrin tim ata do të bëjnë shumë vepra të mrekullueshme;

  67 Në emrin tim ata do të dëbojnë demonë;

  68 Në emrin tim ata do të shërojnë të sëmurë;

  69 Në emrin tim ata do të hapin sytë e të vërbërve dhe do të bëjnë të vijnë veshët e të shurdhërve;

  70 Dhe gjuhët e memecëve do të flasin;

  71 Dhe nëse ndokush do t’u japë helm, ai nuk do t’i lëndojë;

  72 Dhe helmi i një gjarpri nuk do të ketë fuqi për t’i dëmtuar ata.

  73 Por një urdhërim unë iu jap atyre, që ata nuk duhet të mburren për këto gjëra as t’i thonë ato përpara botës; sepse këto gjëra ju jepen juve për përfitimin tuaj dhe për shpëtim.

  74 Në të vërtetë, në të vërtetë, unë ju them, ata që nuk i besojnë këto fjalë dhe nuk pagëzohen në ujë në emrin tim, për heqjen e mëkateve të tyre, që ata të mund të marrin Frymën e Shenjë, do të mallkohen dhe nuk do të vijnë në mbretërinë e Atit tim, ku Ati im dhe unë jemi.

  75 Dhe kjo zbulesë për ju, dhe urdhërim, është në veprim pikërisht që nga ky çast mbi të gjithë botën dhe ungjilli është mbi gjithë ata që nuk e kanë marrë atë.

  76 Por, në të vërtetë unë u them të gjithë atyre të cilëve u është dhënë mbretëria—prej jush ai duhet t’u predikohet atyre, që ata të pendohen për veprat e tyre të mëparshme të liga; sepse ata duhet të qortohen për zemrat e tyre të liga të mosbesimit dhe vëllezërit tuaj në Sion për rebelimin e tyre ndaj jush në kohën kur unë ju dërgova.

  77 Dhe përsëri unë ju them, miqtë e mi, sepse që tani e tutje unë do t’ju thërras miq, është e domosdoshme që unë t’jua jap këtë urdhërim, që ju të bëheni si miqtë e mi në ditët kur unë isha me ta, duke udhëtuar për të predikuar ungjillin me fuqi;

  78 Sepse unë i bëra ata të mos kishin as çantë apo trastë, as dy tunika.

  79 Vini re, unë ju dërgoj ta vini në provë botën dhe punëtori është i denjë për shpërblimin e tij.

  80 Dhe kushdo që do të shkojë e do të predikojë këtë ungjill të mbretërisë dhe nuk dështon në qenien besnik në gjithçka, nuk do të jetë i këputur, as i ngrysur në mendje, as në trup, gjymtyrë, as kyçe; dhe asnjë fije floku nga koka e tij nuk do të bjerë përtokë pa u vënë re. Dhe ata nuk do të shkojnë të uritur, as të etur.

  81 Si rrjedhim, mos mendoni aspak për nesër, për çfarë do të hani apo çfarë do të pini, apo me çfarë do të visheni.

  82 Sepse, merrni parasysh zambakët e fushës, si rriten ata, ata nuk punojnë as nuk tjerrin; dhe mbretëritë e botës, me gjithë lavdinë e tyre, nuk janë veshur si asnjë nga këta.

  83 Sepse Ati juaj, që është në qiell, e di se ju keni nevojë për gjithë këto gjëra.

  84 Si rrjedhim, e nesërmja duhet të kujdeset vetë për gjërat e saj.

  85 As mos u shqetësoni që më parë se çfarë do të thoni; por mblidhni vazhdimisht si thesar në mendjet tuaja fjalët e jetës dhe do t’ju jepet në çastin e duhur ajo pjesë që do t’i shpërndahet çdo njeriu.

  86 Si rrjedhim, askush mes jush, sepse ky urdhërim është për të gjithë besnikët që thirren nga Perëndia në kishë për shërbesën, nga ky çast të mos marrë çantë apo trastë, askush që shkon për të shpallur këtë ungjill të mbretërisë.

  87 Vini re, unë ju dërgoj për ta qortuar botën për gjithë veprimet e padrejta të tyre dhe për t’i mësuar ata për një gjykim që do të vijë.

  88 Dhe kushdo që ju pranon ju, atje do të jem unë gjithashtu, sepse unë do të shkoj përpara fytyrës suaj. Unë do të jem në të djathtën e në të majtën tuaj dhe Shpirti im do të jetë në zemrat tuaja e engjëjt e mi përreth jush, për t’ju ngritur lart.

  89 Kushdo që ju pranon ju, më pranon mua; dhe po ai do t’ju ushqejë e do t’ju veshë dhe do t’ju japë para.

  90 Dhe ai që ju ushqen apo ju vesh, apo ju jep para, nuk do ta humbasë kurrë shpërblimin e tij.

  91 Dhe ai që nuk i bën këto gjëra, nuk është dishepulli im; në këtë mënyrë ju mund t’i njihni dishepujt e mi.

  92 Ai që nuk ju pranon, largohuni prej tij krejtësisht vetëm dhe pastrojini këmbët madje me ujë, me ujë të pastër, qoftë në të nxehtë apo në të ftohtë, dhe i jepni dëshmi për atë Atit tuaj që është në qiell e mos u ktheni më tek ai njeri.

  93 Dhe në çfarëdo fshat apo qytet të hyni, veproni njësoj.

  94 Megjithatë, kërkoni me zell dhe mos u kurseni; dhe mjerë ajo shtëpi ose ai fshat apo qytet që s’ju pranon ju apo fjalët tuaja, apo dëshminë tuaj lidhur me mua.

  95 Mjerë, them përsëri, ajo shtëpi ose ai fshat apo qytet që s’ju pranon ju apo fjalët tuaja, apo dëshminë tuaj për mua;

  96 Sepse unë, i Plotfuqishmi, i kam shtrirë duart e mia mbi kombet, për t’i fshikulluar ata për ligësinë e tyre.

  97 Dhe plagë do të përhapen, dhe ato nuk do të merren nga toka derisa unë ta kem përfunduar veprën time, e cila do të përshpejtohet në drejtësi—

  98 Derisa do të më njohin të gjithë ç’mbeten, madje nga më i vogli te më i madhi, dhe do të mbushen me diturinë e Zotit e do të shohin sy për sy, dhe do ta ngrenë zërin e tyre e njëzëri do të këndojnë së bashku këtë këngë të re, duke thënë:

  99  Zoti e ka sjellë përsëri Sionin; Zoti e ka shëlbyer popullin e tij, Izraelin, Sipas zgjedhjes së hirit, Që u plotësua nëpërmjet besimit Dhe besëlidhjes së etërve të tyre.

  100  Zoti e ka shëlbyer popullin e tij; Dhe Satani lidhet dhe koha s’është më. Zoti ka mbledhur gjithçka në një. Zoti ka zbritur Sionin nga lart. Zoti ka ngritur Sionin nga poshtë.

  101  Toka ka vuajtur dhe nxori forcën e saj Dhe e vërteta është ngritur nga thellësia e saj; Dhe qiejt buzëqeshën mbi të; Dhe ajo është veshur me lavdinë e Perëndisë së saj; Sepse ai qëndron mes popullit të tij.

  102  Lavdi dhe nder, dhe pushtet, dhe fuqi, Iu dhëntë Perëndisë tonë; sepse ai është plot mëshirë, Drejtësi, hir dhe të vërtetë, dhe paqe, Përherë e përgjithmonë, Amen.

  103 Dhe përsëri, në të vërtetë, në të vërtetë, unë ju them, është e domosdoshme që çdo njeri që shkon për ta shpallur ungjillin tim të përjetshëm, që për aq sa ata kanë familje dhe marrin para si dhuratë, që ata duhet t’ua dërgojnë ato atyre ose t’i përdorin ato në dobi të tyre, ashtu siç i drejton Zoti, sepse kështu më duket mirë mua.

  104 Dhe të gjithë ata që nuk kanë familje, të cilët marrin para, duhet t’ia dërgojnë ato peshkopit në Sion ose peshkopit në Ohio, që ato të mund të përkushtohen për nxjerrjen e zbulesave dhe shtypjen e tyre dhe për ngritjen e Sionit.

  105 Dhe nëse dikush ju jep ndonjë pallto apo kostum, merreni të vjetrin dhe jepuani të varfërve dhe vazhdoni udhën tuaj të gëzuar.

  106 Dhe nëse ndonjë mes jush është i fortë në Shpirt, le të marrë me vete atë që është i dobët, që ai të lartësohet në zemërbutësi, që ai të mund të forcohet gjithashtu.

  107 Si rrjedhim, merrni me vete ata që shugurohen në priftërinë më të ulët dhe i dërgoni përpara jush, që të caktojnë takime e të përgatisin udhën dhe të bëjnë takimet që ju vetë nuk jeni në gjendje t’i bëni.

  108 Vini re, kjo është mënyra se si apostujt e mi, në kohët e lashta, ngritën kishën time për mua.

  109 Si rrjedhim, çdo njeri duhet të qëndrojë në detyrën e tij dhe të punojë në thirrjen e tij; dhe koka të mos u thotë këmbëve se nuk ka nevojë për këmbët; sepse pa këmbët si do të jetë në gjendje të qëndrojë trupi

  110 Gjithashtu trupi ka nevojë për çdo pjesë, që që të gjitha të mund të lartësohen së bashku, që sistemi të mund të mbahet i përsosur.

  111 Dhe vini re, priftërinjtë e lartë duhet të udhëtojnë dhe gjithashtu pleqtë e gjithashtu priftërinjtë më të ulët; por dhjakët dhe mësuesit duhet të caktohen për të vëzhguar mbi kishën, për të qenë shërbestarë që qëndrojnë në kishë.

  112 Dhe peshkopi, Newel K. Whitney, gjithashtu duhet të udhëtojë përreth dhe mes gjithë kishave, duke kërkuar të varfërit, për t’u shërbyer dëshirave të tyre duke përulur të pasurit dhe krenarët.

  113 Ai duhet gjithashtu të punësojë një përfaqësues për të patur në ngarkim dhe për të kryer biznesin e tij tokësor, ashtu siç do ta drejtojë ai.

  114 Megjithatë, peshkopi duhet të shkojë në qytetin e New York-ut, gjithashtu në qytetin e Albany-së e gjithashtu në qytetin e Boston-it dhe t’i paralajmërojë njerëzit në ato qytete me zërin e ungjillit, me zë të lartë, lidhur me shkatërrimin dhe prishjen e plotë që i pret ata, në qoftë se vërtet i mohojnë këto gjëra.

  115 Sepse, nëse ata i mohojnë këto gjëra, ora e gjykimit të tyre është pranë dhe shtëpia e tyre do t’u lihet atyre e shkretë.

  116 Ai duhet të ketë besim tek unë dhe nuk do të ngatërrohet; dhe asnjë fije nga koka e tij nuk do të bjerë përtokë pa u vënë re.

  117 Dhe në të vërtetë unë ju them juve, pjesës që mbetet të shërbëtorëve të mi, shkoni siç do t’jua lejojnë rrethanat, në thirrjet tuaja të ndryshme, në qytetet e fshatrat e mëdha e të dukshme, duke e qortuar botën me drejtësi për gjithë veprimet e tyre të padrejta dhe të paperëndishme, duke vendosur qartë dhe në mënyrë të kuptueshme shkatërrimin e neverisë në ditët e fundit.

  118 Sepse, me ju, thotë Zoti i Plotfuqishmi, unë do t’i shqyej mbretëritë e tyre; unë jo vetëm do ta tund tokën, por edhe qiejt plot yje do të dridhen.

  119 Sepse unë, Zoti, kam shtrirë dorën time për të ushtruar fuqitë e qiellit; ju s’mund ta shihni atë tani, por, ja, dhe pak e do ta shihni dhe do të dini se unë jam dhe se unë do të vij e do të mbretëroj me popullin tim.

  120 Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe fundi. Amen.