Seksioni 88

Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit, në Kirtland, Ohio, më 27 dhjetor 1832 (History of the Church, 1:302–312). Ajo u skicua nga Profeti si “gjethja e ullirit... e këputur nga Pema e Parajsës, mesazhi i paqes i Zotit për ne” (History of the Church, 1:316). Mësohet nga dokumenta historikë se pjesë të kësaj zbulese u morën më 27 dhe 28 dhjetor 1832 dhe më 3 janar 1833.

1–5, Shenjtorët besnikë marrin atë Ngushëllues i cili është premtimi i jetës së përjetshme; 6–13, Gjithë gjërat kontrollohen dhe qeverisen nga Drita e Krishtit; 14–16, Ringjallja vjen nëpërmjet Shëlbimit; 17–31, Bindja ndaj ligjit çelestial, terrestrial ose telestial i përgatit njerëzit për mbretëritë dhe lavditë e tyre përkatëse; 32–35, Ata që dëshirojnë të qëndrojnë në mëkat, vazhdojnë të mbeten të fëlliqur; 36–41, Të gjitha mbretëritë qeverisen me anë të ligjit; 42–45, Perëndia ka dhënë një ligj për gjithçka; 46–50, Njeriu do ta kuptojë edhe Perëndinë; 51–61, Shëmbëlltyra e njeriut që i dërgon shërbëtorët në fushë dhe i viziton ata me radhë; 62–73, Afrohuni pranë Zotit dhe ju do ta shihni fytyrën e tij; 74–80, Shenjtëroni veten tuaj dhe i mësoni njëri-tjetrit doktrinat e mbretërisë; 81–85, Cilido që është paralajmëruar, duhet të paralajmërojë të afërmin e tij; 86–94, Shenjat, trazirat e elementëve dhe engjëjt përgatisin udhën për ardhjen e Zotit; 95–102, Boritë engjëllore u bëjnë thirrje të vdekurve sipas rendit të tyre; 103–116, Boritë engjëllore shpallin rivendosjen e ungjillit, rënien e Babilonisë dhe betejën e Perëndisë së madhërishëm; 117–126, Kërkoni të mësoni, ngrini një shtëpi të Perëndisë (një tempull) dhe vishuni me lidhjen e dashurisë hyjnore; 127–141, Organizimi i Shkollës së Profetëve paraqitet, duke përfshirë ordinancën e larjes së këmbëve.

  NË të vërtetë, kështu ju thotë Zoti juve që jeni mbledhur së bashku për të marrë vullnetin e tij lidhur me ju:

  Vini re, kjo është e kënaqshme për zotin tuaj dhe engjëjt gëzohen për ju; lëmoshat e lutjeve tuaja kanë ardhur në veshët e Zotit të Sabaothit dhe janë shënuar në librin e emrave të të shenjtëruarve, madje të atyre të botës çelestiale.

  Si rrjedhim, unë ju dërgoj juve tani një tjetër Ngushëllues, madje mbi ju miqtë e mi, që ai të mund të banojë në zemrat tuaja, madje Shpirtin e Shenjtë të premtimit; Ngushëllues tjetër i cili është po ai që ua premtova dishepujve të mi, siç shënohet në dëshminë e Gjonit.

  Ky Ngushëllues është premtimi i jetës së përjetshme, që unë ju jap juve, madje i lavdisë së mbretërisë çelestiale;

  Lavdi e cila është ajo e kishës së të Parëlindurit, madje e Perëndisë, më të shenjtit të të gjithëve, nëpërmjet Jezu Krishtit, Birit të tij—

  Ai që u ngjit lart, sikurse ai zbriti nën gjithçka, në atë që ai i kupton të gjitha gjërat, që ai mund të jetë në të gjitha dhe përmes të gjitha gjërave, drita e së vërtetës;

  E vërtetë e cila shkëlqen. Kjo është drita e Krishtit. Po ashtu siç është ai në diellin dhe në dritën e diellit dhe në fuqinë e tij, me anë të së cilës ai u bë.

  Po ashtu siç është ai në hënën dhe është drita e hënës dhe fuqia e saj, me anë të së cilës ajo u bë;

  Po ashtu si drita e yjeve dhe fuqia e tyre, me anë të së cilës ata u bënë;

  10 Dhe toka gjithashtu dhe fuqia e saj, madje toka mbi të cilën ju qëndroni.

  11 Dhe drita që shkëlqen, që ju jep dritë, është prej atij që i ndriçon sytë tuaj, që është e njëjta dritë që e përshpejton të kuptuarin tuaj;

  12 Dritë e cila vjen nga prania e Perëndisë për të mbushur pafundësinë e hapësirës—

  13 Dritë e cila është në gjithçka, që i jep jetë gjithçkaje, që është ligji me anë të të cilit gjithë gjërat qeverisen, madje fuqia e Perëndisë që qëndron i ulur në fronin e tij, i cili është në kraharor të përjetësisë, i cili është në mes të gjithçkaje.

  14 Tani, në të vërtetë unë ju them se nëpërmjet shlyerjes që bëhet për ju, sillet ringjallja e të vdekurve.

  15 Dhe fryma e trupi janë shpirti i njeriut.

  16 Dhe ringjallja e të vdekurve është shëlbimi i shpirtit.

  17 Dhe shëlbimi i shpirtit është nëpërmjet tij, që gjallëron gjithçka, në kraharorin e të cilit shpallet se të varfërit dhe zemërbutët e tokës do ta trashëgojnë atë.

  18 Si rrjedhim, ajo duhet patjetër të shenjtërohet nga gjithë padrejtësia, që të mund të përgatitet për lavdinë çelestiale.

  19 Sepse, pasi ta ketë përmbushur qëllimin e krijimit të saj, ajo do të kurorëzohet me lavdi, madje me praninë e Perëndisë, Atit;

  20 Me qëllim që trupat të cilët janë të mbretërisë çelestiale, të mund ta zotërojnë atë përherë e përgjithmonë; sepse, për këtë qëllim u bë e u krijua ajo dhe për këtë qëllim shenjtërohen ata.

  21 Dhe ata që nuk shenjtërohen nëpërmjet ligjit që ju kam dhënë, madje ligjit të Krishtit, duhet të trashëgojnë një mbretëri tjetër, madje atë që është një mbretëri terrestriale ose atë që është një mbretëri telestiale.

  22 Sepse ai që nuk është në gjendje t’i qëndrojë ligjit të një mbretërie çelestiale, nuk mund të durojë një lavdi çelestiale.

  23 Dhe ai që nuk është në gjendje t’i qëndrojë ligjit të një mbretërie terrestriale, nuk mund të durojë një lavdi terrestriale.

  24 Dhe ai që nuk është në gjendje t’i qëndrojë ligjit të një mbretërie telestiale, nuk mund të durojë një lavdi telestiale; si rrjedhim, ai nuk është i përshtatshëm për një mbretëri lavdie. Si rrjedhim ai duhet të durojë një mbretëri që nuk është një mbretëri lavdie.

  25 Dhe përsëri, në të vërtetë unë ju them, toka i qëndron ligjit të një mbretërie çelestiale, sepse ajo plotëson qëllimin e krijimit të saj dhe nuk e shkel ligjin—

  26 Si rrjedhim, ajo do të shenjtërohet; po, pavarësisht se do të vdesë, ajo do të gjallërohet përsëri dhe do t’i bëjë ballë fuqisë me të cilën gjallërohet, dhe të drejtët do ta trashëgojnë atë.

  27 Sepse, pavarësisht se vdesin, ata gjithashtu do të ngrihen përsëri, trupa shpirtërorë.

  28 Ata që janë të një shpirti çelestial, do të marrin të njëjtin trup që ishte një trup natyror; madje ju do të merrni trupat tuaj dhe lavdia juaj do të jetë ajo lavdi me anë të së cilës trupat tuaj gjallërohen.

  29 Ju që gjallëroheni nga një pjesë e lavdisë çelestiale, do të merrni më pas nga e njëjta, madje një plotësi.

  30 Dhe ata që gjallërohen nga një pjesë e lavdisë terrestriale, do të marrin më pas nga e njëjta, madje një plotësi.

  31 Dhe gjithashtu ata që gjallërohen nga një pjesë e lavdisë telestiale, do të marrin më pas nga e njëjta, madje një plotësi.

  32 Dhe ata që mbeten, gjithashtu do të gjallërohen; megjithatë, ata do të kthehen përsëri në vendin e tyre, për të gëzuar atë që janë të gatshëm të marrin, sepse ata nuk ishin të gatshëm të gëzonin atë që mund të kishin marrë.

  33 Sepse çfarë dobie ka një njeri, nëse një dhuratë i jepet atij dhe ai nuk e pranon dhuratën? Vini re, ai nuk gëzohet në atë që i jepet, as nuk gëzohet në atë që është dhënësi i dhuratës.

  34 Dhe përsëri, në të vërtetë unë ju them se, çfarë qeveriset nga ligji, gjithashtu ruhet nga ligji dhe përsoset e shenjtërohet nga po ai.

  35 Çfarë thyen një ligj dhe nuk përputhet me ligjin, por kërkon të bëhet ligj në vetvete dhe është i gatshëm të qëndrojë në mëkat e tërësisht qëndron në mëkat, nuk mund të shenjtërohet me anë të ligjit, as me anë të mëshirës, drejtësisë, as gjykimit. Si rrjedhim, ata duhet të vazhdojnë të mbeten të fëlliqur.

  36 Të gjitha mbretëritë e kanë një ligj të dhënë;

  37 Dhe ka shumë mbretëri; sepse nuk ka hapësirë në të cilën nuk ka mbretëri; dhe nuk ka mbretëri në të cilën nuk ka hapësirë, as një mbretëri më të madhe apo më të vogël.

  38 Dhe çdo mbretërie i jepet një ligj; dhe në çdo ligj ka kufizime dhe gjithashtu kushte të caktuara.

  39 Të gjitha qeniet që nuk iu binden dot atyre kushteve, nuk shfajësohen.

  40 Sepse inteligjenca kapet pas inteligjencës; urtësia pranon urtësi; e vërteta përqafon të vërtetën, virtyti e dashuron virtytin; drita kapet pas dritës; mëshira ka dhembshuri në mëshirën dhe i kërkon të vetët; drejtësia vazhdon rrugën e saj dhe i kërkon të vetët; gjykimi ecën përpara fytyrës së atij që ulet në fron dhe qeveris e realizon gjithçka.

  41 Ai i kupton të gjitha gjërat dhe të gjitha gjërat janë përpara tij, dhe të gjitha gjërat janë përreth tij; dhe ai është mbi të gjitha gjërat, dhe në të gjitha gjërat, dhe është përmes të gjitha gjërave, dhe është përreth të gjitha gjërave; dhe të gjitha gjërat janë nëpërmjet tij dhe prej tij, madje Perëndisë, përherë e përgjithmonë.

  42 Dhe përsëri, në të vërtetë unë ju them, ai ka dhënë një ligj për të gjitha gjërat, me anë të të cilit ato lëvizin në kohën e tyre dhe në stinën e tyre;

  43 Dhe udhët e tyre janë caktuar, madje udhët e qiejve dhe të tokës, që përfshijnë tokën dhe gjithë planetet.

  44 Dhe ata i japin dritë njëri-tjetrit në kohët e tyre dhe në stinët e tyre, në minutat e tyre, në orët e tyre, në ditët e tyre, në javët e tyre, në muajt e tyre, në vitet e tyre—gjithë këto janë si një vit për Perëndinë, por jo për njeriun.

  45 Toka rrotullohet me krahët e saj dhe dielli e jep dritën e tij ditën, dhe hëna jep dritën e saj natën, dhe yjet gjithashtu japin dritën e tyre, ndërsa rrotullohen me krahët e tyre në lavdinë e tyre, në mes të fuqisë së Perëndisë.

  46 Me çfarë t’i krahasoj këto mbretëri, që ju të mund të kuptoni

  47 Vini re, të gjitha këto janë mbretëri dhe kushdo që ka parë ndonjërën ose më të voglën e këtyre, ka parë Perëndinë duke lëvizur në madhështinë dhe fuqinë e tij.

  48 Unë ju them, ai e ka parë atë; megjithatë, ai që erdhi tek të vetët, nuk u kuptua.

  49 Drita shkëlqen në errësirë dhe errësira nuk e kupton atë; megjithatë, dita do të vijë kur ju do ta kuptoni edhe Perëndinë, duke marrë jetë në të dhe prej tij.

  50 Atëherë do ta dini se më keni parë mua, se unë jam dhe se unë jam drita e vërtetë që është në ju, dhe se ju jeni në mua; përndryshe ju nuk mund të përparoni.

  51 Vini re, unë do t’i krahasoj këto mbretëri me një njeri që kishte një fushë dhe ai i dërgoi shërbëtorët e tij në fushë për ta gërmuar fushën.

  52 Dhe ai i tha të parit: Shko dhe puno në fushë dhe në orën e parë unë do të vij te ti e ti do të shohësh gëzim në fytyrën time.

  53 Dhe ai i tha të dytit: Shko edhe ti në fushë dhe në orën e dytë unë do të të vizitoj me gëzim në fytyrën time.

  54 Dhe gjithashtu të tretit, duke i thënë: Unë do të të vizitoj;

  55 Dhe të katërtit e kështu me radhë deri të dymbëdhjetit.

  56 Dhe i zoti i fushës shkoi tek i pari në orën e parë dhe qëndroi me të gjatë gjithë asaj ore dhe ai u gëzua prej dritës së fytyrës së zotit të tij.

  57 Dhe atëherë ai u largua nga i pari, që të mund të vizitonte të dytin gjithashtu, dhe të tretin, dhe të katërtin, dhe kështu me radhë deri të dymbëdhjetin.

  58 Dhe kështu ata të gjithë morën dritën e fytyrës së zotit të tyre, çdonjëri në orën e tij dhe në kohën e tij, dhe në stinën e tij—

  59 Duke filluar me të parin dhe kështu me radhë deri tek i fundit dhe nga i fundit tek i pari e nga i pari tek i fundit;

  60 Çdonjëri në rendin e vet, derisa ora e tij mbaroi, madje sipas asaj që zoti i tij e kishte urdhëruar, që zoti i tij të mund të përlëvdohej në të dhe ai në zotin e tij, që ata të gjithë të mund të përlëvdoheshin.

  61 Si rrjedhim, me këtë shëmbëlltyrë unë do t’i krahasoj gjithë këto mbretëri dhe banorët e tyre—çdo mbretëri në orën e saj dhe në kohën e saj, dhe në stinën e saj, madje sipas dekretit që Perëndia ka bërë.

  62 Dhe përsëri, në të vërtetë unë ju them, miqtë e mi, unë ua lë këto thënie që t’i përsiatni në zemrat tuaja, me këtë urdhërim që ju jap, që ju të më thërrisni ndërsa jam pranë—

  63 M’u afroni pranë dhe unë do të afrohem pranë jush; kërkoni me zell dhe do të më gjeni; lypni dhe do të merrni; trokisni dhe do t’ju çelet.

  64 Çfarëdo që i kërkoni Atit në emrin tim, do t’ju jepet, ajo që është e domosdoshme për ju;

  65 Dhe nëse kërkoni diçka që nuk është e domosdoshme për ju, ajo do të kthehet për dënimin tuaj.

  66 Vini re, atë që e dëgjoni, është si zëri i dikujt duke thirrur në shkretëtirë—në shkretëtirë, sepse ju nuk mund ta shihni—zërin tim, sepse zëri im është Shpirt; Shpirti im është e vërteta; e vërteta duron dhe nuk ka fund; dhe nëse do të jetë në ju, ajo do të përparojë.

  67 Dhe nëse syri juaj drejtohet te lavdia ime, tërë trupat tuaj do të mbushen me dritë dhe nuk do të ketë errësirë në ju; dhe ai trup që mbushet me dritë, kupton gjithçka.

  68 Si rrjedhim, shenjtërojeni veten tuaj, që mendjet tuaja t’i përkushtohen tërësisht Perëndisë dhe ditët do të vijnë që ju do ta shihni atë; sepse ai do t’jua zbulojë juve fytyrën e tij dhe do të jetë në vetë kohën e tij dhe në vetë mënyrën e tij, dhe sipas vetë vullnetit të tij.

  69 Kujtoni premtimin e madh dhe të fundit që ju kam bërë; flakini larg prej jush mendimet tuaja të padobishme dhe teprinë e së qeshurës.

  70 Qëndroni ju, qëndroni ju në këtë vend dhe thërrisni një kuvend solemn, madje të atyre që janë punëtorët e parë në këtë mbretëri të fundit.

  71 Dhe ata që janë paralajmëruar në udhëtimin e tyre, duhet t’i thërrasin Zotit dhe ta përsiatin në zemrat e tyre paralajmërimin që kanë marrë, për një stinë të shkurtër.

  72 Vini re dhe shihni, unë do të kujdesem për tufat tuaja dhe do të ngre pleq e do t’i dërgoj ata.

  73 Vini re, unë do ta përshpejtoj veprën time në këtë kohë.

  74 Dhe unë ju jap juve, që jeni punëtorët e parë në këtë mbretëri të fundit, një urdhërim që të mblidheni së bashku dhe të organizoheni, dhe të përgatiteni, dhe të shenjtëroheni; po, pastroni zemrat tuaja dhe pastroni duart e këmbët tuaja përpara meje, që unë të mund t’ju bëj të pastër;

  75 Që unë të mund t’i dëshmoj Atit tuaj dhe Perëndisë tuaj e Perëndisë tim se ju jeni të pastruar nga gjaku i këtij brezi të lig; që unë të mund ta përmbush këtë premtim, këtë premtim të madh dhe të fundit, të cilin jua kam bërë, kur të dua unë.

  76 Gjithashtu, unë ju jap urdhërim që ju duhet të vazhdoni në lutje dhe agjërim që nga kjo kohë.

  77 Dhe unë ju jap urdhërim që ju duhet t’ia mësoni njëri-tjetrit doktrinën e mbretërisë.

  78 I mësoni me zell dhe hiri im do të jetë me ju, që ju të udhëzoheni në mënyrë më të përsosur në teori, në parim, në doktrinë, në ligjin e ungjillit, në të gjitha gjërat që lidhet me mbretërinë e Perëndisë, të cilat janë të dobishme për ju për t’i kuptuar;

  79 Për gjërat si në qiell, edhe në tokë dhe nën tokë; gjërat që kanë qenë, gjërat që janë, gjërat që duhet të ndodhin së shpejti, gjërat që janë në vendin tuaj, gjërat që janë jashtë; luftërat dhe ngatërresat e kombeve dhe gjykimet që janë mbi tokën; dhe një dije gjithashtu për vendet dhe për mbretëritë—

  80 Me qëllim që ju të mund të përgatiteni në gjithçka, kur unë t’ju dërgoj përsëri për të lartësuar thirrjen në të cilën ju kam thirrur dhe misionin me të cilin ju kam ngarkuar.

  81 Vini re, unë ju dërgoj që t’u dëshmoni njerëzve e t’i paralajmëroni ata dhe të bëhet që, kushdo që është paralajmëruar, të paralajmërojë të afërmin e tij.

  82 Si rrjedhim, ata lihen pa shfajësim dhe mëkatet e tyre janë mbi vetë kokat e tyre.

  83 Ai që më kërkon me kujdes, do të më gjejë dhe nuk do të braktiset.

  84 Si rrjedhim, qëndroni dhe punoni me zell, që ju të mund të përsoseni në shërbesën tuaj për të shkuar mes Johebrenjve për herë të fundit, të gjithë ata që goja e Zotit do t’i përmendë, për të lidhur ligjin e për të vulosur dëshminë dhe për t’i përgatitur shenjtorët për orën e gjykimit që do të vijë;

  85 Që shpirtrat e tyre të mund t’i shpëtojnë zemërimit të Perëndisë, shkatërrimit të neverisë që i pret të ligjtë, si në këtë botë, edhe në botën që vjen. Në të vërtetë, unë ju them, ata që nuk janë pleqtë e parë, duhet të vazhdojnë në vresht derisa goja e Zotit do t’i thërrasë, sepse koha e tyre s’ka ardhur ende; rrobat e tyre nuk janë pastruar nga gjaku i këtij brezi.

  86 Qëndroni në lirinë me të cilën jeni bërë të lirë; mos u përzieni në mëkat, por duart tuaja duhet të mbeten të pastra, derisa Zoti të vijë.

  87 Sepse jo shumë ditë nga sot dhe toka do të dridhet dhe do të lëkundet lart e poshtë si një i dehur; dhe dielli do ta fshehë fytyrën e tij dhe nuk do të pranojë të japë dritë; dhe hëna do të lahet në gjak; dhe yjet do të zemërohen së tepërmi dhe do të hidhen poshtë si një fik që bie nga pema.

  88 Dhe pas dëshmisë suaj vjen zemërim dhe indinjatë mbi njerëzit.

  89 Sepse pas dëshmisë suaj vjen dëshmia e tërmeteve, që do të shkaktojnë rënkime mes saj dhe njerëzit do të bien përtokë e nuk do të jenë në gjendje të qëndrojnë më këmbë.

  90 Dhe gjithashtu vjen dëshmia e zërit të bubullimave dhe e zërit të vetëtimave, dhe e zërit të stuhive, dhe e zërit të valëve të detit të fryra përtej kufijve të tyre.

  91 Dhe gjithë gjërat do të jenë në rrëmujë; dhe, sigurisht, zemrat e njerëzve do të mpaken; sepse frikë do të vijë mbi gjithë njerëzit.

  92 Dhe engjëjt do të fluturojnë në mes të qiellit, duke thirrur me zë të lartë, duke i rënë borisë së Perëndisë, duke thënë: Përgatituni ju, përgatituni ju, O banorë të tokës; sepse gjykimi i Perëndisë tonë po vjen. Vini re dhe shihni, Dhëndri po vjen; dilni për ta takuar atë.

  93 Dhe menjëherë do të shfaqet një shenjë e madhe në qiell dhe gjithë njerëzit do ta shohin së bashku.

  94 Dhe një engjëll tjetër do t’i bjerë borisë së tij, duke thënë: Ajo kishë e madhe, nëna e neverive, që i bëri të gjitha kombet të pijnë nga vera e zemërimit të lavirësisë së saj, që i përndjek shenjtorët e Perëndisë, që derdh gjakun e tyre—ajo që qëndron mbi shumë ujëra dhe mbi ishujt e detit—vini re, ajo është egjrat e tokës; ajo lidhet në duaj; lidhjet e saj bëhen të forta, askush nuk mund t’i zgjidhë ato; si rrjedhim, ajo është gati për t’u djegur. Dhe ai do t’i bjerë borisë së tij gjatë e fort dhe gjithë kombet do ta dëgjojnë atë.

  95 Dhe do të ketë heshtje në qiell për hapësirën e një gjysmë ore; dhe menjëherë pas kësaj, perdja e qiellit do të shpaloset, si një pergamenë shpaloset pasi është mbështjellë rrotull, dhe fytyra e Zotit do të zbulohet;

  96 Dhe shenjtorët që janë mbi tokë, të cilët janë gjallë, do të gjallërohen dhe rrëmbehen lart për ta takuar atë.

  97 Dhe ata që kanë fjetur në varret e tyre, do të dalin, sepse varret e tyre do të hapen; dhe ata gjithashtu do të rrëmbehen lart për ta takuar atë në mes të shtyllës së qiellit—

  98 Ata janë të Krishtit, frytet e para, ata që do të zbresin të parët me të dhe ata që janë në tokë e në varret e tyre, të cilët rrëmbehen të parët për t’u takuar me të; dhe gjithë kjo me anë të zërit të tingullit të borisë së engjëllit të Perëndisë.

  99 Dhe pas kësaj një engjëll tjetër do t’i bjerë, që është boria e dytë; dhe atëherë vjen shëlbimi i atyre që janë të Krishtit në ardhjen e tij; të cilët e kanë marrë pjesën e tyre në atë burg që përgatitet për ta, që ata të mund ta pranojnë ungjillin dhe të gjykohen sipas njerëzve në mish.

  100 Dhe përsëri, një tjetër bori do të bjerë, që është boria e tretë; dhe atëherë vijnë shpirtrat e njerëzve që duhet të gjykohen dhe gjenden nën dënim;

  101 Dhe këta janë pjesa e mbetur e të vdekurve; dhe ata nuk jetojnë përsëri, derisa një mijë vjetët të mbarojnë, kurrë më, deri në fund të tokës.

  102 Dhe një tjetër bori do të bjerë, që është boria e katërt, duke thënë: Ka midis atyre që do të mbeten, deri në atë ditë të madhe dhe të fundit, madje mbarimin, të cilët do të mbeten akoma të fëlliqur.

  103 Dhe një bori tjetër do të bjerë, që është boria e pestë, që është engjëlli i pestë i cili ka ungjillin e përjetshëm—duke fluturuar në mes të qiellit, drejt gjithë kombeve, fiseve, gjuhëve dhe popujve;

  104 Dhe ky do të jetë tingulli i borisë së tij, duke u thënë të gjithë njerëzve, si në qiell, edhe në tokë dhe që janë nën tokë—sepse çdo vesh do ta dëgjojë atë dhe çdo gju do të përkulet e çdo gjuhë do të rrëfejë, ndërsa e dëgjojnë tingullin e borisë, duke thënë: Druani Perëndinë dhe i jepni lavdi atij që ulet në fron, përherë e përgjithmonë; sepse ora e gjykimit të tij ka ardhur.

  105 Dhe përsëri, një engjëll tjetër do t’i bjerë borisë së tij, i cili është engjëlli i gjashtë, duke thënë: Ka rënë ajo që i bëri gjithë kombet të pijnë nga vera e zemërimit të lavirësisë së saj; ajo ka rënë, ka rënë!

  106 Dhe përsëri, një tjetër engjëll do t’i bjerë borisë së tij, i cili është engjëlli i shtatë, duke thënë: Mbaroi; mbaroi! Qengji i Perëndisë e ka kapërcyer dhe e ka shkelur presën e verës së egërsisë së zemërimit të Perëndisë të Plotfuqishëm.

  107 Dhe atëherë engjëjt do të kurorëzohen me lavdinë e fuqisë së tij dhe shenjtorët do të mbushen me lavdinë e tij, dhe do të marrin trashëgiminë e tyre, dhe do të bëhen të barabartë me të.

  108 Dhe atëherë engjëlli i parë do t’i bjerë përsëri borisë së tij në veshët e gjithë të gjallëve dhe do të zbulojë veprimet e fshehta të njerëzve dhe veprat e fuqishme të Perëndisë në një mijë vjetët e parë.

  109 Dhe atëherë engjëlli i dytë do t’i bjerë borisë së tij dhe do të zbulojë veprimet e fshehta të njerëzve, dhe mendimet e qëllimet e zemrave të tyre, dhe veprat e fuqishme të Perëndisë në një mijë vjetët e dytë—

  110 Dhe kështu me radhë, derisa engjëlli i shtatë do t’i bjerë borisë së tij; dhe ai do të qëndrojë më këmbë mbi tokë e mbi det dhe do të betohet në emër të atij që ulet në fron, se nuk do të ketë më kohë; dhe Satani do të lidhet, ai gjarpër i lashtë, i cili quhet djall, dhe nuk do të zgjidhet më për hapësirën e një mijë vjetëve.

  111 Dhe atëherë ai do të zgjidhet për një stinë të vogël, që ai të mund të mbledhë së bashku ushtritë e tij.

  112 Dhe Mikaeli, engjëlli i shtatë, madje kryeengjëlli, do të mbledhë së bashku ushtritë e tij, madje ushtritë e qiellit.

  113 Dhe djalli do të mbledhë së bashku ushtritë e tij; madje ushtritë e ferrit, dhe do të vijë në betejë kundër Mikaelit dhe ushtrive të tij.

  114 Dhe atëherë vjen beteja e Perëndisë së madh; dhe djalli dhe ushtritë e tij do të flaken në vendin e tyre, që ata të mos kenë më fuqi aspak mbi shenjtorët.

  115 Sepse Mikaeli do ta luftojë betejën e tyre dhe do ta mposhtë atë që kërkon fronin e atij që ulet në fron, madje Qengjit.

  116 Kjo është lavdia e Perëndisë dhe e të shenjtëruarve; dhe ata nuk do të shohin më vdekje.

  117 Si rrjedhim, në të vërtetë unë ju them, miqtë e mi, thirreni kuvendin tuaj solemn, sikurse ju kam urdhëruar.

  118 Dhe ngaqë jo të gjithë kanë besim, kërkoni me zell dhe i mësoni njëri-tjetrit fjalë urtësie; po, kërkoni nga librat më të mirë fjalët e urtësisë; kërkoni të mësoni, madje me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit.

  119 Organizoni veten tuaj; përgatisni çdo gjë të nevojshme; dhe ngrini një shtëpi, madje një shtëpi lutjeje, një shtëpi agjërimi, një shtëpi besimi, një shtëpi mësimi, një shtëpi lavdie, një shtëpi rregulli, një shtëpi të Perëndisë;

  120 Që hyrjet tuaja të mund të jenë në emër të Zotit; që daljet tuaja të mund të jenë në emër të Zotit; që gjithë përshëndetjet tuaja të mund të jenë në emër të Zotit, me duar të ngritura drejt Më të Lartit.

  121 Si rrjedhim, largohuni nga gjithë e folura e juaj e padobishme, nga gjithë e qeshura, nga gjithë dëshirat tuaja epshore, nga gjithë krenaria e mendjelehtësia juaj dhe nga gjithë punët tuaja të liga.

  122 Caktoni mes jush një mësues dhe mos jini të gjithë zëdhënës në të njëjtën kohë; por njëri duhet të flasë në një kohë dhe të gjithë të dëgjojnë thëniet e tij, që kur të gjithë të kenë folur, të gjithë të jenë lartësuar prej gjithçkaje dhe që cilido të ketë një privilegj të barabartë.

  123 Kujdesuni që ta doni njëri-tjetrin; pushoni së qeni lakmitarë; mësoni t’i jepni njëri-tjetrit siç e kërkon ungjilli.

  124 Pushoni së qenuri përtacë; pushoni së qenuri të papastër; pushoni së gjeturi faj njëri me tjetrin; pushoni së fjeturi më gjatë se ç’është e nevojshme; shkoni në shtrat herët, që të mos jini të lodhur; ngrihuni herët, që trupat tuaja dhe mendjet tuaja të mund të fuqizohen.

  125 Mbi të gjitha, vishuni me lidhjen e dashurisë hyjnore, si me një mantel, që është lidhja e përsosmërisë dhe e paqes.

  126 Lutuni gjithmonë, që të mos dorëzoheni, derisa unë të vij. Vini re dhe shihni, unë do të vij shpejt dhe do t’ju marr pranë meje. Amen.

  127 Dhe përsëri, rregulli i shtëpisë së përgatitur për presidencinë e shkollës së profetëve, të ngritur për udhëzimin e tyre në të gjitha gjërat që janë të domosdoshme për ta, madje për gjithë drejtuesit e kishës ose, me fjalë të tjera, ata që thirren për shërbesë në kishë, duke filluar me priftërinjtë e lartë, madje deri te dhjakët—

  128 Dhe ky do të jetë rregulli në shtëpinë e presidencisë së shkollës: Ai që caktohet për të qenë president ose mësues, do të gjendet duke qëndruar në vendin e tij, në shtëpinë që do të përgatitet për të.

  129 Si rrjedhim, ai do të jetë i pari në shtëpinë e Perëndisë, në një vend që grumbullimi në shtëpi të mund t’i dëgjojë fjalët e tij me kujdes dhe qartë, pa folur me zë të lartë.

  130 Dhe kur ai të hyjë në shtëpinë e Perëndisë, sepse ai do të jetë i pari në shtëpi—vini re, kjo është e mrekullueshme, që ai të mund të jetë një shembull—

  131 Ai duhet ta ofrojë veten në lutje në gjunjë përpara Perëndisë, si shenjë ose në kujtim të besëlidhjes së përjetshme.

  132 Dhe kur dikush të hyjë pas tij, mësuesi duhet të ngrihet dhe, me duar të ngritura drejt qiellit, po, madje drejt lart, të përshëndesë vëllanë ose vëllezërit e tij me këto fjalë:

  133 A je ti vëlla apo vëllezër? Unë të përshëndes në emër të Zotit Jezu Krisht, si shenjë ose kujtim i besëlidhjes së përjetshme, besëlidhje në të cilën unë të pranoj në shoqërim, me një vendosmëri që është e palëkundshme, e palëvizshme dhe e pandryshueshme, për të qenë miku dhe vëllai juaj, nëpërmjet hirit të Perëndisë, në lidhjet e dashurisë, për të ecur i panjollë në të gjitha urdhërimet e Perëndisë, duke dhënë falënderime, përherë e përgjithmonë. Amen.

  134 Dhe ai që gjendet i padenjë për këtë përshëndetje, nuk do të ketë vend mes jush; sepse ju nuk do të lejoni që shtëpia ime të ndotet prej tij.

  135 Dhe ai që hyn e është besnik përpara meje dhe është vëlla ose, nëse janë vëllezër, ata do ta përshëndesin presidentin ose mësuesin me duar të ngritura lart drejt qiellit, me po këtë lutje dhe besëlidhje ose duke thënë Amen, si shenjë për të njëjtën gjë.

  136 Vini re, në të vërtetë, unë ju them, ky është një shembull për ju për një përshëndetje me njëri-tjetrin në shtëpinë e Perëndisë, në shkollën e profetëve.

  137 Dhe ju thirreni ta bëni këtë me anë të lutjes dhe falënderimit, ashtu si Shpirti do t’ju japë të shpreheni lidhur me gjithë punët tuaja në shtëpinë e Zotit, në shkollën e profetëve, që ajo të mund të bëhet një shenjtërore, një tabernakull i Shpirtit të Shenjtë për lartësimin tuaj.

  138 Dhe ju nuk do të pranoni dikë mes jush në këtë shkollë, veç nëse ai është i pastruar nga gjaku i këtij brezi;

  139 Dhe ai do të pranohet nëpërmjet ordinancës së larjes së këmbëve, sepse për këtë qëllim u krijua ordinanca e larjes së këmbëve.

  140 Dhe përsëri, ordinanca e larjes së këmbëve duhet të administrohet nga presidenti ose plaku kryesues i kishës.

  141 Ajo duhet të fillohet me lutje; dhe pas marrjes së bukës dhe të verës, ai duhet ta mbështjellë vetveten sipas modelit të dhënë në kapitullin e trembëdhjetë të dëshmisë së Gjonit lidhur me mua. Amen.