Seksioni 89

Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit, në Kirtland, Ohio, më 27 shkurt 1833 (History of the Church, 1:327–329). Si pasojë e përdorimit të duhanit nga vëllezërit e hershëm në mbledhjet e tyre, Profeti u udhëhoq të përsiaste lidhur me çështjen; si pasojë, ai i kërkoi Zotit lidhur me të. Kjo zbulesë, e njohur si Fjala e Urtësisë, ishte përfundimi. Tre vargjet e para u shkruan në origjinal si një hyrje dhe një përshkrim i frymëzuar nga Profeti.

1–9, Përdormi i verës, pijeve të forta, duhanit dhe pijeve të nxehta ndalohet; 10–17, Barishtet, frutat, mishi dhe drithërat shugurohen për përdorimin e njeriut dhe të kafshëve; 18–21, Bindja ndaj ligjit të ungjillit, duke përfshirë Fjalën e Urtësisë, sjell bekime trupore dhe shpirtërore.

  NJË Fjalë Urtësie, për përfitimin e këshillit të priftërinjve të lartë, të mbledhur në Kirtland, dhe të kishës e gjithashtu të shenjtorëve në Sion—

  Për t’u dërguar si përshëndetje; jo me anë të urdhërimit apo detyrimit, por me anë të zbulesës dhe fjalës së urtësisë, duke treguar rregullin dhe vullnetin e Perëndisë për shpëtimin e përkohshëm të gjithë shenjtorëve në ditët e fundit—

  E dhënë për një parim me premtim, e përshtatur me aftësinë e të dobtëve dhe më të dobtëve të gjithë shenjtorëve, të cilët janë ose mund të thirren shenjtorë.

  Vini re, në të vërtetë, kështu ju thotë Zoti: Si pasojë e djallëzive dhe planeve që ekzistojnë dhe do të ekzistojnë në zemrat e njerëzve komplotues në ditët e fundit, unë ju kam lajmëruar dhe paralajmëruar, duke jua dhënë këtë fjalë të urtësisë me anë të zbulesës—

  Që për aq sa një njeri pi verë ose pije të forta mes jush, vini re nuk është mirë, as e përshtatshme në sytë e Atit tuaj, vetëm në mbledhjen së bashku për të ofruar sakramentet tuaja përpara tij.

  Dhe, vini re, kjo duhet të jetë verë, po, verë e pastër e rrushit të vreshtit, e bërë nga ju vetë.

  Dhe përsëri, pijet e forta nuk janë për barkun, por për larjen e trupave tuaj.

  Dhe përsëri, duhani nuk është për trupin, as për barkun, dhe nuk është i mirë për njeriun, por është një bimë për plagët dhe gjithë kafshët e sëmura, për t’u përdorur me gjykim dhe aftësi.

  Dhe përsëri, pijet e nxehta nuk janë për trupin apo barkun.

  10 Dhe përsëri, në të vërtetë unë ju them, të gjitha bimët e shëndetshme Perëndia i ka shuguruar për ndërtimin, natyrën dhe përdorimin e njeriut—

  11 Çdo bimë në stinën e saj dhe çdo frut në stinën e tij; të gjitha për t’u përdorur me maturi dhe falënderim.

  12 Po, gjithashtu mishin e kafshëve dhe të shpendëve të ajrit, unë, Zoti, e kam shuguruar për përdorimin e njeriut me falënderim; megjithatë ato duhet të përdoren me pakicë;

  13 Dhe është e kënaqshme për mua që ato nuk duhet të përdoren, vetëm në kohë dimri ose të ftohti, ose urie.

  14 Gjithë drithi shugurohet për përdorimin e njeriut dhe të kafshëve, për t’u bërë burim jete, jo vetëm për njeriun, por për kafshët e fushës dhe shpendët e qiellit, dhe gjithë kafshët e egra që vrapojnë e zvarriten mbi tokë;

  15 Dhe këto i ka bërë Perëndia për përdorimin e njeriut vetëm në kohë zije buke dhe shtimi të urisë.

  16 Gjithë drithi është i mirë për ushqimin e njeriut; po ashtu sikurse fruti i vreshtit; ai që prodhon frut, qoftë në tokë ose mbi tokë—

  17 Megjithatë, gruri për njeriun dhe misri për kaun, dhe tërshëra për kalin, dhe thekra për shpendët e për derrin dhe për të gjitha kafshët e fushës, dhe elbi për gjithë kafshët e dobishme dhe për pijet e buta, si edhe drithëra të tjera.

  18 Dhe gjithë shenjtorët të cilët kujtohen t’i zbatojnë dhe t’i bëjnë këto thënie, duke ecur me bindje ndaj urdhërimeve, do të marrin shëndet në kërthizën e tyre dhe palcë në kockat e tyre;

  19 Dhe do të gjejnë urtësi dhe thesare të mëdha diturie, madje thesare të fshehura;

  20 Dhe do të vrapojnë e nuk do të lodhen, dhe do të ecin e nuk do të këputen.

  21 Dhe unë, Zoti, u jap atyre një premtim se engjëlli shkatërrues do të kalojë pranë tyre, sikurse me fëmijët e Izraelit, dhe nuk do t’i vrasë. Amen.