Seksioni 95

Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit, në Kirtland, Ohio, më 1 qershor 1833 (History of the Church, 1:350–352). Kjo zbulesë është një vazhdimësi e udhëzimeve hyjnore për të ndërtuar shtëpi për adhurim dhe udhëzim, veçanërisht shtëpinë e Zotit (shih seksionin 88:119–136 dhe seksionin 94).

1–6, Shenjtorët ndëshkohen për dështimin e tyre në ndërtimin e shtëpisë së Zotit; 7–10, Zoti dëshiron ta përdorë shtëpinë e tij për t’i dhuruar popullit të tij fuqi nga lart; 11–17, Shtëpia duhet të përkushtohet si një vend adhurimi dhe për shkollën e Apostujve.

  NË të vërtetë, kështu ju thotë Zoti juve që ju dua, dhe ata që unë i dua, gjithashtu i ndëshkoj që mëkatet e tyre të mund t’u falen, sepse me ndëshkimin unë përgatis një udhë për çlirimin e tyre nga të gjitha gjërat e tundimit, dhe unë ju kam dashur—

  Prandaj, ju duhet patjetër të ndëshkoheni dhe të mbeteni të qortuar përpara fytyrës sime;

  Sepse keni mëkatuar kundër meje me një mëkat tepër të rëndë, në atë që nuk e keni marrë parasysh urdhërimin e madh në të gjitha gjërat, që unë jua kam dhënë lidhur me ndërtimin e shtëpisë sime;

  Për përgatitjen me të cilën kam ndërmend t’i përgatis apostujt e mi për të krasitur vreshtin për herë të fundit, që unë të mund të shkaktoj veprën time të mahnitshme, që unë të mund të derdh Shpirtin tim mbi gjithë mishin—

  Por vini re, në të vërtetë unë ju them se ka shumë vetë që janë shuguruar mes jush, të cilët unë i kam thirrur, por pak prej tyre zgjidhen.

  Ata që nuk zgjidhen, kanë mëkatuar me një mëkat shumë të rëndë, në atë që ata po ecin në errësirë në mes të ditës.

  Dhe për këtë shkak unë ju dhashë një urdhërim që ju duhet ta thërrisni kuvendin tuaj solemn, që agjërimet dhe vajtimi juaj të mund të vijnë në veshët e Zotit të Sabaothit, i cili, i përkthyer, është krijuesi i ditës së parë, fillimi dhe mbarimi.

  Po, në të vërtetë unë ju them, unë ju dhashë një urdhërim që ju duhet të ndërtoni një shtëpi, shtëpi në të cilën unë planifikoj t’u dhuroj atyre që i kam zgjedhur me fuqi nga lart;

  Sepse ky është premtimi i Atit për ju; si rrjedhim, unë ju urdhëroj të qëndroni, madje si apostujt e mi në Jeruzalem.

  10 Megjithatë, shërbëtorët e mi kanë mëkatuar me një mëkat të rëndë; dhe grindje filluan në shkollën e profetëve, të cilat ishin shumë të rënda për mua, thotë Zoti juaj; si rrjedhim, unë i dërgoj ata për t’u ndëshkuar.

  11 Në të vërtetë unë ju them, është vullneti im që ju duhet të ndërtoni një shtëpi. Në qoftë se i mbani urdhërimet e mia, ju do të keni fuqi për ta ndërtuar atë.

  12 Në qoftë se nuk i mbani urdhërimet e mia, dashuria e Atit nuk do të vazhdojë me ju, si rrjedhim, ju do të ecni në errësirë.

  13 Tani, këtu është urtësia dhe mendja e Zotit—shtëpia duhet të ndërtohet, jo sipas mënyrës së botës, sepse unë nuk ju jap të jetoni sipas mënyrës së botës;

  14 Si rrjedhim, ajo duhet të ndërtohet sipas mënyrës që unë do t’ia tregoj tre prej jush, të cilët ju do t’i caktoni dhe shuguroni në këtë fuqi.

  15 Dhe madhësia e saj do të jetë shtatëmbëdhjetë metra në gjerësi dhe njëzet metra në gjatësi, në oborrin e brendshëm të saj.

  16 Dhe niveli i ulët i oborrit të brendshëm duhet të më përkushtohet mua për dhurimin e sakramentit tuaj dhe për predikimin tuaj, dhe për agjërimin tuaj, dhe për lutjen tuaj, dhe ofrimin e dëshirave tuaja më të shenjta për mua, thotë Zoti juaj.

  17 Dhe niveli më i lartë i oborrit të brendshëm duhet të më përkushtohet mua për shkollën e apostujve të mi, thotë Biri Ahman ose, me fjalë të tjera, Alphus; ose, me fjalë të tjera, Omegus; madje Jezu Krishti, Zoti juaj. Amen.