Seksioni 99

Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit John Murdock-ut, në gusht 1832, në Hiram, Ohio. Edhe pse botimet e Doktrina e Besëlidhje, duke filluar me 1876, e kanë paraqitur këtë zbulesë si në Kirtland, në gusht 1833, botimet më të hershme dhe dokumenta të tjera historike vërtetojnë informacionin e saktë.

1–8, John Murdock-u thirret për të shpallur ungjillin dhe ata që e pranojnë atë, do të pranojnë Zotin dhe do të fitojnë mëshirë.

  VINI re, kështu i thotë Zoti shërbëtorit tim John Murdock—ti thirresh për të shkuar në vendet e lindjes shtëpi më shtëpi, fshat më fshat dhe qytet më qytet, për t’ua shpallur ungjillin tim të përjetshëm banorëve të tyre, në mes të përndjekjes dhe ligësisë.

  Dhe ata që të pranojnë ty, më pranojnë mua; dhe ti do të kesh fuqi për ta shpallur fjalën time në shfaqjen e Shpirtit tim të Shenjtë.

  Dhe kushdo që më pranon si një fëmijë i vogël, pranon mbretërinë time; dhe bekuar qofshin ata, sepse do të fitojnë mëshirë.

  Dhe kushdo që nuk ju pranon, s’do të pranohet nga Ati im dhe shtëpia e tij; dhe ti do t’i pastrosh këmbët e tua në vendet e fshehta përgjatë rrugës, për dëshmi kundër tyre.

  Dhe vër re dhe shih, unë vij shpejt për gjykim, për t’i bindur të gjithë për veprimet e tyre të paperëndishme të cilat i kanë kryer kundër meje, siç shkruhet për mua në vëllimin e librit.

  Dhe tani, në të vërtetë unë ju them se nuk është e domosdoshme për mua që ti duhet të shkosh, derisa të sigurohet për fëmijët e tu dhe derisa ata të dërgohen me mirësi te peshkopi i Sionit.

  Dhe pas pak vitesh, në qoftë se dëshiron prej meje, ti mund të shkosh gjithashtu në tokën e mirë, për të zotëruar trashëgiminë tënde;

  Përndryshe ti duhet të vazhdosh të shpallësh ungjillin tim derisa të merresh. Amen.