Seksioni 9

Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit Oliver Cowdery-t, në Harmony, Pennsylvania, prill 1829 (History of the Church, 1: 37–38). Oliveri qortohet që të jetë i duruar dhe nxitet të jetë i kënaqur të shkruajë, për momentin, sipas diktimit të përkthyesit, më shumë se sa të përpiqet të përkthejë.

1–6, Anale të tjera të lashta janë akoma për t'u përkthyer; 7–14, Libri i Mormonit përkthehet me anë të studimit dhe me anë të pohimit shpirtëror.

  VËR re, unë të them ty, biri im, se ngaqë ti nuk përktheve sipas asaj që dëshirove prej meje dhe vërtet fillove përsëri të shkruash për shërbëtorin tim, Joseph Smith i Riu, po kështu unë dëshiroj që ti duhet të vazhdosh derisa të kesh mbaruar këtë anal, të cilin ia kam besuar atij.

  Dhe atëherë, vër re, anale të tjera kam unë, që do të të jap fuqi ty të mund të ndihmosh për t'i përkthyer.

  Ji i duruar, biri im, sepse është urtësi në mua dhe nuk është e nevojshme që ti të përkthesh në këtë kohë të tanishme.

  Vër re, puna që ti je thirrur të bësh, është të shkruash për shërbëtorin tim Joseph.

  Dhe, vër re, është ngaqë ti nuk vazhdove siç fillove, kur fillove të përkthesh, që unë e kam hequr këtë privilegj nga ty.

  Mos mërmërit, biri im, sepse është urtësi në mua, që unë kam vepruar me ty në këtë mënyrë.

  Vër re, ti nuk ke kuptuar; ke menduar se do të ta jap atë, kur ti nuk e more mundimin as për të më pyetur.

  Por, vër re, unë të them se ti duhet ta studiosh atë tërësisht në mendjen tënde; më pas ti duhet të më pyesësh nëse është e drejtë dhe nëse është e drejtë, unë do të bëj që kraharori yt do të digjet përbrenda; si rrjedhim, do ta ndiesh që është e drejtë.

  Por nëse nuk është e drejtë, ti nuk do të kesh ndjenja të tilla, por do të kesh një mpirje të mendimit që do të të bëjë ta harrosh gjënë që është e gabuar; si rrjedhim, ti nuk mund ta shkruash atë që është e shenjtë, veçse nëse të jepet nga unë.

  10 Tani, po ta kishe ditur këtë, ti mund të kishe përkthyer; megjithatë, nuk është e nevojshme që ti të përkthesh tani.

  11 Vër re, ishte e nevojshme kur ti fillove; por pate frikë dhe koha shkoi dhe nuk është e nevojshme tani;

  12 Sepse, a nuk e vë re që unë i kam dhënë shërbëtorit tim Joseph, forcë të mjaftueshme, me anë të së cilës ajo kompensohet? Dhe asnjërin prej jush nuk e kam dënuar.

  13 Bëj këtë gjë që unë të kam urdhëruar dhe ti do të përparosh. Ji besnik dhe mos iu dorëzo asnjë tundimi.

  14 Qëndro i palëkundur në punën për të cilën të kam thirrur dhe asnjë fije floku e kokës tënde nuk do të të humbasë dhe ti do të ngrihesh në ditën e fundit. Amen.