Doktrina e Besëlidhje është një mbledhje e zbulesave hyjnore dhe deklaratave të frymëzuara të dhëna për ngritjen dhe rregullimin e mbretërisë së Perëndisë në tokë në ditët e fundit. Megjithëse shumica e seksioneve u drejtohen anëtarëve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, mesazhet, paralajmërimet dhe këshillimet janë për të mirën e gjithë njerëzimit dhe përmbajnë një ftesë për gjithë njerëzit kudo, që të dëgjojnë zërin e Zotit Jezu Krisht, duke u folur për mirëqenien e tyre tokësore dhe për shpëtimin e tyre të përjetshëm.

 Shumica e zbulesave në këtë përmbledhje u mor nëpërmjet Joseph Smith të Riut, profetit dhe presidentit të parë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Të tjerat u dhanë nëpërmjet disa prej pasuesve të tij në Presidenci (shih kretë e seksioneve 135, 136 e 138 dhe Deklaratat Zyrtare 1 e 2).

 Libri i Doktrina e Besëlidhjeve është një nga veprat standarde të Kishës, së bashku me Biblën, Librin e Mormonit dhe Perlën me Vlerë të Madhe. Megjithatë, Doktrina e Besëlidhje është e pashoqe pasi nuk është një përkthim i një dokumenti të lashtë, por ka origjinë bashkëkohore dhe u dha nga Perëndia përmes profetëve të tij të zgjedhur për rivendosjen e veprës së tij të shenjtë dhe ngritjen e mbretërisë së Perëndisë në tokë në këto ditë. Në zbulesat, lexuesi dëgjon zërin e butë, por të prerë, të Zotit Jezu Krisht, duke folur përsëri në këtë periudhë të plotësisë së kohëve; dhe vepra që fillohet në të është përgatitore për ardhjen e tij të dytë, në përmbushjen e fjalëve të të gjithë profetëve të shenjtë që kur filloi bota dhe në përputhje me to.

 Joseph Smith i Riu u lind më 23 dhjetor 1805 në Sharon, kontea e Windsor-it, Vermont. Gjatë vegjëlisë së tij, ai u zhvendos me familjen e tij për në Manchester, në New York-un perëndimor. Ishte ndërsa po jetonte pranë Manchester-it në pranverën e 1820-ës, kur ishte katërmbëdhjetë vjeç, që pati vegimin e tij të parë, në të cilin ai u vizitua personalisht nga Perëndia, Ati i Përjetshëm, dhe Biri i tij, Jezu Krishti. Atij iu tha në këtë vegim se kisha e vërtetë e Jezu Krishtit, që ishte ngritur në kohën e Dhjatës së Re dhe që kishte administruar plotësinë e ungjillit, nuk ishte më në tokë. Manifestime të tjera hyjnore pasuan, në të cilat ai u mësua nga shumë engjëj; atij iu tregua se Perëndia kishte për të një punë të veçantë për të bërë në tokë dhe se nëpërmjet tij Kisha e Jezu Krishtit do të rivendosej në tokë.

 Pas pak kohe, Joseph Smith-i me anë të ndihmës hyjnore ishte në gjendje të përkthente dhe botonte Librin e Mormonit. Ndërkohë, ai dhe Oliver Cowdery u shuguruan në Priftërinë Aarone nga Gjon Pagëzori në maj 1829 (shih DeB 13) dhe pak pas kësaj, ata gjithashtu u shuguruan në Priftërinë Melkizedeke nga apostujt e lashtë: Pjetri, Jakobi dhe Gjoni (shih DeB 27:12). Shugurime të tjera pasuan, në të cilat çelësat e priftërisë iu dhanë atyre nga Moisiu, Elija, Eliasi dhe shumë profetë të lashtë (shih DeB 110; 128:18, 21). Këto shugurime ishin në fakt, një rivendosje e autoritetit hyjnor të njerëzve në tokë. Më 6 prill 1830, nën drejtimin qiellor, Profeti Joseph Smith organizoi Kishën dhe kështu, Kisha e vërtetë e Jezu Krishtit është edhe një herë vepruese si një institucion mes njerëzve, me autoritet për t'u mësuar ungjillin dhe për të administruar ordinancat e shpëtimit. (Shih Perla me Vlerë të Madhe, Historia e Joseph Smith-it 1:1–75 dhe DeB 20.)

 Këto zbulesa të shenjta u morën në përgjigje të lutjes, në kohët e nevojës dhe rodhën nga situata të vërteta jetësore duke përfshirë njerëz realë. Profeti dhe bashkëpunëtorët e tij kërkuan udhërrëfim hyjnor dhe këto zbulesa vërtetojnë se ata e morën atë. Në zbulesat lexuesi sheh rivendosjen dhe shpalosjen e ungjillit të Jezu Krishtit, dhe shpalljen e periudhës së plotësisë së kohëve. Zhvendosja e Kishës drejt perëndimit, nga New York-u e Pennsylvania drejt Ohio-s, drejt Missouri-t, drejt Illinois-it dhe, së fundi, drejt Bazenit të madh të Amerikës perëndimore dhe ndeshjet e fuqishme të Satanit, ndërsa përpiqeshin të ndërtonin Sionin në tokë në kohët moderne, gjithashtu shfaqen në këto zbulesa.

 Disa prej seksioneve të para përfshijnë çështje lidhur me përkthimin dhe botimin e Librit të Mormonit (shih seksionet 3, 5, 10, 17 dhe 19). Disa seksione të mëvonshme pasqyrojnë punën e Profetit Joseph Smith ndërsa bëri një përkthim të frymëzuar të Biblës, gjatë të cilit u morën shumë nga seksionet e mëdha doktrinore (shih, për shembull, seksionet 37, 45, 73, 76, 77, 86, 91 dhe 132, secili prej të cilëve ka disa lidhje të drejtpërdrejta me përkthimin e Biblës).

 Në zbulesat, doktrinat e ungjillit paraqiten me shpjegime rreth çështjeve themelore të tilla si: natyra e Hyjnisë, origjina e njeriut, realiteti i Satanit, qëllimi i vdekshmërisë, domosdoshmëria për bindjen, nevoja për pendim, veprimet e Fuqisë së Shenjtë, ordinancat dhe kryerjet që çojnë në shpëtim, fati i tokës, gjendjet e ardhshme të njeriut pas Ringjalljes dhe Gjykimit, përjetësia e lidhjes së martesës dhe natyra e përjetshme e familjes. Në të njëjtën mënyrë, shpalosja shkallë-shkallë e strukturës administrative të kishës tregohet me thirrjen e peshkopëve, të Presidencisë së Parë, të Këshillit të të Dymbëdhjetëve, të të Shtatëdhjetëve dhe ngritjen e detyrave dhe kuorumeve të tjerë kryesuese. Së fundi, dëshmia që jepet për Jezu Krishtin—hyjninë e tij, madhështinë e tij, përsosjen e tij, dashurinë e tij dhe fuqinë e tij shëlbuese—e bën këtë libër me vlerë të madhe për familjen njerëzore dhe me më shumë vlerë se sa pasuritë e gjithë tokës.

 Një numër zbulesash u botuan në Sion (Independence), Missouri, më 1833, nën titullin “A Book of Commandments for the Government of the Church of Christ” (Një Libër Urdhërimesh për Qeverisjen e Kishës së Krishtit). Lidhur me këtë botim pleqtë e Kishës dhanë dëshmi solemne se Zoti u kishte dëshmuar shpirtrave të tyre se këto zbulesa ishin të vërteta. Ndërsa Zoti vazhdoi të komunikonte me shërbëtorët e tij, një përmbledhje më e zgjeruar u botua dy vjet më vonë në Kirtland, Ohio, me titullin “Doctrine and Covenants of the Church of the Latter-day Saints”. (Doktrina e Besëlidhje të Kishës së Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme). Këtij botimi më 1835, iu bashkëngjit dëshmia e shkruar e Dymbëdhjetë Apostujve, si vijon:

DËSHMIA E DYMBËDHJETË APOSTUJVE PËR TË VËRTETËN E LIBRIT TË DOKTRINA E BESËLIDHJEVE

 Dëshmia e Dëshmitarëve të Librit të Urdhërimeve të Zotit, urdhërime të cilat Ai ia dha Kishës së Tij nëpërmjet Joseph Smith, të Riut, i cili u caktua me anë të zërit të Kishës për këtë qëllim:

 Ne, si rrjedhim, ndihemi të gatshëm t'i japim dëshmi gjithë botës së njerëzimit, çdo krijese mbi faqen e dheut, që Zoti u ka dëshmuar shpirtrave tanë, nëpërmjet Frymës së Shenjtë të derdhur mbi ne, se këto urdhërime u dhanë me anë të frymëzimit të Perëndisë dhe janë të dobishme për gjithë njerëzit dhe janë me të vërtetë të vërteta.

 Ne ia japim këtë dëshmi botës, Zoti duke qenë ndihmuesi ynë; dhe është nëpërmjet hirit të Perëndisë, Atit, dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit, që lejohemi ta kemi këtë privilegj të dhënies së kësaj dëshmie botës, me të cilin ne gëzohemi së tepërmi, duke iu lutur gjithmonë Zotit që fëmijët e njerëzve të mund të përfitojnë prej saj.

 Emrat e të Dymbëdhjetëve ishin:

 

Thomas B. Marsh
David W. Patten
Brigham Young
Heber C. Kimball
Orson Hyde
Wm. E. McLellin
Parley P. Pratt
Luke S. Johnson
William Smith
Orson Pratt
John F. Boynton
Lyman E. Johnson

 Në botimet e mëpasshme të Doktrina e Besëlidhje, zbulesa shtesë ose çështje të tjera për t'u shënuar janë shtuar, siç u morën dhe siç u pranuan nga kuvendet ose konferencat e përshtatshme të Kishës.

 Duke filluar me botimin e 1835-ës, gjithashtu u përfshi një seri prej shtatë mësimesh teologjike; këto u titulluan “Lectures on Faith” (Leksione mbi Besimin). Këto ishin përgatitur për t'u përdorur në Shkollën e Profetëve në Kirtland, Ohio, nga 1834-a deri në 1835-ën. Edhe pse të dobishme për doktrinë dhe udhëzim, këto leksione janë hequr nga Doktrina e Besëlidhje që prej botimit të 1921-shit, sepse ato nuk u dhanë ose nuk u paraqitën si zbulesa për tërë Kishën.

 Është e dukshme që disa gabime janë përfshirë në botimet e mëvonshme të botuara në anglisht, veçanërisht në pjesët historike të krerëve të seksioneve. Si pasojë, ky botim përmban korrigjime të datave dhe emrave të vendeve e gjithashtu pak korrigjime të tjera të vogla kurdo që u duk e përshtatshme. Këto ndryshime janë bërë që ta bëjnë materialin të përputhet me dokumentat historike. Tipare të tjera të veçanta të këtij botimi më të fundit përfshijnë përmirësime në referencat-kryq, në kretë e seksioneve dhe në përmbledhjet e temave-çështjeve, që të gjitha të cilat kanë si qëllim t'i ndihmojnë lexuesit të kuptojnë mesazhin e Zotit siç jepet në Doktrina e Besëlidhje dhe të gëzohen me të.

 Hyrjet në seksionet e botimit anglisht të Doktrina e Besëlidhje përmbajnë referencat në History of the Church (Historinë e Kishës). History of the Church është një rrëfim historik me shtatë vëllime për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nga 1820-a deri më 1848-ën. Ngaqë këto vëllime nuk janë përkthyer dhe janë në dispozicion vetëm në anglisht, citimet e burimeve nga History of the Church në hyrjet e seksioneve të këtij botimi të Doktrina e Besëlidhje iu referohen vëllimeve në anglisht të kësaj historie.