Pjesë e shkëputur nga përkthimi i Biblës siç iu zbulua Joseph Smith Profetit, qershor 1830--shkurt 1831.

Kapitulli 1

(Qershor 1830)

Perëndia i zbulohet Moisiut—Moisiu shpërfytyrohet—Ai përballet me Satanin—Moisiu sheh shumë botë të banuara—Botë pa numër u krijuan nga Biri—Vepra dhe lavdia e Perëndisë është të bëjë të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut.

  FJALËT e Perëndisë, të cilat ai ia tha Moisiut në një kohë kur Moisiu u çua në një mal tepër të lartë,

  Dhe ai pa Perëndinë ballë për ballë e foli me të dhe lavdia e Perëndisë ishte mbi Moisiun; prandaj Moisiu mundi ta duronte praninë e tij.

  Dhe Perëndia i foli Moisiut, duke thënë: Vër re, unë jam Zoti, Perëndia i Plotfuqishëm, dhe i Pafundëm është emri im; sepse unë jam pa fillim të ditëve ose fund të viteve; dhe a nuk është kjo e pafundme

  Dhe, vër re, ti je biri im; si rrjedhim, shih dhe unë do të të tregoj punën e duarve të mia; por jo të gjithën, sepse veprat e mia janë pa fund dhe gjithashtu fjalët e mia, sepse ato kurrë s'pushojnë.

  Si rrjedhim, askush nuk mund t'i shohë të gjitha veprat e mia, përveç atij që sheh të gjithë lavdinë time; dhe askush nuk mund ta shohë të gjithë lavdinë time dhe më pas të mbetet në mish mbi tokë.

  Dhe unë kam një punë për ty, Moisi, biri im; dhe ti je në ngjashmërinë e të Vetëmlindurit tim; dhe i Vetëmlinduri im është dhe do të jetë Shpëtimtari, sepse ai është plot hir dhe të vërtetë; por nuk ka Perëndi përveç meje dhe të gjitha gjërat janë të pranishme në mua, sepse unë i di të gjitha ato.

  7 Dhe tani, vër re, këtë gjë të vetme unë të tregoj ty, Moisi, biri im, sepse ti je në botë dhe tani unë ta tregoj atë ty.

  Dhe ndodhi që Moisiu pa dhe vuri re botën në të cilën ai u krijua; dhe Moisiu vuri re botën dhe skajet e saj dhe gjithë fëmijët e njerëzve që janë e që u krijuan; për këtë ai u mahnit dhe u çudit shumë.

  Dhe prania e Perëndisë u largua nga Moisiu, kështu që lavdia e tij nuk ishte mbi Moisiun; dhe Moisiu u la vetëm. Dhe ndërsa u la vetëm, ai ra përtokë.

  10 Dhe ndodhi që ishte për hapësirën e shumë orëve përpara se Moisiu mori përsëri forcën e tij natyrore të një njeriu; dhe ai tha me vete: Tani, për këtë shkak, unë e di se njeriu është një hiç, gjë të cilën kurrë nuk e kisha menduar më parë.

  11 Por tani sytë e mi kanë parë Perëndinë; por jo sytë e mi natyrorë, por sytë e mi shpirtërorë, sepse sytë e mi natyrorë nuk mund të kishin parë; sepse do të isha tharë dhe do të kisha vdekur në prani të tij; por lavdia e tij ishte mbi mua; dhe unë pashë fytyrën e tij, sepse isha shpërfytyruar përpara tij.

  12 Dhe ndodhi që kur Moisiu i kishte thënë këto fjalë, vini re, Satani erdhi ta tundonte, duke thënë: Moisi, biri i njeriut, adhuromë mua.

  13 Dhe ndodhi që Moisiu hodhi vështrimin mbi Satanin dhe tha: Kush je ti? Sepse, vër re, unë jam një bir i Perëndisë, në ngjashmërinë e të Vetëmlindurit të tij; dhe ku është lavdia jote, që unë të të adhuroj ty

  14 Sepse vër re, unë nuk mund ta hidhja vështrimin mbi Perëndinë, veç nëse lavdia e tij të vinte mbi mua dhe unë të shpërfytyrohesha përpara tij. Por unë mund të të shoh ty në njeriun e natyrshëm. Nuk është kështu, sigurisht

  15 Bekuar qoftë emri i Perëndisë tim, sepse Shpirti i tij nuk është larguar tërësisht prej meje, ose përndryshe ku është lavdia jote, sepse ajo është errësirë për mua? Dhe unë mund të gjykoj midis teje dhe Perëndisë; sepse Perëndia më tha: Adhuro Perëndinë, sepse vetëm atij do t'i shërbesh.

  16 Largohu këtej, Satan; mos më mashtro; sepse Perëndia më tha: Ti je sipas ngjashmërisë së të Vetëmlindurit tim.

  17 Dhe ai gjithashtu më dha urdhërime, kur më thirri prej shkurres që digjej, duke thënë: Thirri Perëndisë në emër të të Vetëmlindurit tim dhe adhuromë mua.

  18 Dhe përsëri Moisiu tha: Unë nuk do të pushoj së thirruri Perëndisë, kam gjëra të tjera për t'i kërkuar atij: sepse lavdia e tij ka qenë mbi mua, prandaj unë mund të gjykoj midis tij dhe teje. Ik që këtu, Satan.

  19 Dhe tani, kur Moisiu i kishte thënë këto fjalë, Satani bërtiti me zë të lartë e ulëriu mbi tokë dhe urdhëroi, duke thënë: Unë jam i Vetëmlinduri, adhuromë mua.

  20 Dhe ndodhi që Moisiu filloi të ketë shumë frikë; dhe ndërsa filloi të kishte frikë, ai pa hidhësinë e ferrit. Megjithatë, duke i bërë thirrje Perëndisë, ai mori forcë dhe urdhëroi, duke thënë: Largohu prej meje, Satan, sepse vetëm këtë Perëndi unë do ta adhuroj, i cili është Perëndia i lavdisë.

  21 Dhe tani Satani filloi të dridhej dhe toka u tund; dhe Moisiu mori forcë dhe i thirri Perëndisë, duke thënë: Në emër të të Vetëmlindurit, largohu prej këtej, Satan.

  22 Dhe ndodhi që Satani bërtiti me zë të lartë, me kuje dhe duke vajtuar e duke kërcëllitur dhëmbët; dhe ai u largua prej andej, madje nga prania e Moisiut, sa ai nuk e pa më.

  23 Dhe tani, për këtë gjë Moisiu dha dëshmi; por për shkak të ligësisë ajo nuk është patur mes fëmijëve të njerëzve.

  24 Dhe ndodhi që, kur Satani ishte larguar nga prania e Moisiut, Moisiu ngriti sytë drejt qiellit, duke qenë i mbushur me Frymën e Shenjtë, e cila jep dëshmi për Atin dhe Birin;

  25 Dhe duke thirrur emrin e Perëndisë, ai vuri re lavdinë e tij përsëri, sepse ajo ishte mbi të; dhe ai dëgjoi një zë, duke thënë: Bekuar je ti, Moisi, sepse unë, i Plotfuqishmi, të kam zgjedhur dhe ti do të bëhesh më i fortë se shumë ujëra; sepse ato do t'i binden urdhërit tënd sikur ti të ishe Perëndia.

  26 Dhe ja, unë jam me ty, madje deri në fund të ditëve të tua; sepse ti do ta çlirosh popullin tim nga skllavëria, madje Izraelin, të zgjedhurin tim.

  27 Dhe ndodhi që, ndërsa zëri po fliste akoma, Moisiu hodhi sytë e pa tokën, po, madje të gjithën; dhe nuk kishte asnjë pjesëz të saj që ai s'e pa, duke e dalluar atë me anë të Shpirtit të Perëndisë.

  28 Dhe ai vuri re gjithashtu banorët e saj, dhe nuk pati asnjë shpirt që ai s'e pa; dhe ai i dalloi ata me anë të Shpirtit të Perëndisë; dhe moritë e tyre ishin të shumta, madje të panumërueshme, sikurse rëra në breg të detit.

  29 Dhe ai pa shumë vende; dhe secili vend u quajt tokë dhe pati banorë mbi faqen e saj.

  30 Dhe ndodhi që Moisiu i thirri Perëndisë, duke thënë: Më trego, të lutem, përse këto gjëra janë kështu dhe me çfarë i bëre ato

  31 Dhe vini re, lavdia e Zotit ishte mbi Moisiun, kështu që Moisiu qëndroi në praninë e Perëndisë dhe foli me të ballë për ballë. Dhe Zoti Perëndi i tha Moisiut: Për qëllimin tim i kam bërë këto gjëra. Këtu është urtësia dhe ajo mbetet në mua.

  32 Dhe me anë të fjalës së fuqisë sime, i kam krijuar ato, që është Biri im i Vetëmlindur, që është plot hir dhe të vërtetë.

  33 Dhe botë pa numër kam krijuar; dhe unë gjithashtu i krijova ato për qëllimin tim; dhe me anë të Birit i krijova ato, që është i Vetëmlinduri im.

  34 Dhe njeriun e parë të të gjithë njerëzve e kam quajtur Adam, që është shumë.

  35 Por vetëm një rrëfim të kësaj toke dhe të banorëve të saj, të jap ty. Sepse, vër re, ka shumë botë që janë shkatërruar me anë të fjalës së fuqisë sime. Dhe ka shumë që qëndrojnë tani, dhe të panumërueshme janë ato për njeriun; por të gjitha gjërat numërohen prej meje, sepse ato janë të miat dhe unë i njoh ato.

  36 Dhe ndodhi që Moisiu i foli Zotit, duke thënë: Ji i mëshirshëm për shërbëtorin tënd, O Perëndi, dhe më trego lidhur me këtë tokë dhe banorët e saj, dhe gjithashtu qiejt, dhe atëherë shërbëtori yt do të jetë i kënaqur.

  37 Dhe Zoti Perëndi i foli Moisiut, duke thënë: Qiejt, ata janë shumë dhe nuk mund të numërohen prej njeriut; por ata numërohen prej meje, sepse janë të mitë.

  38 Dhe ndërsa një tokë do të shkatërrohet dhe qiejt e saj, madje kështu do të vijë një tjetër; dhe nuk ka fund për veprat e mia, as për fjalët e mia.

  39 Sepse, vër re, kjo është vepra ime dhe lavdia ime—të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut.

  40 Dhe tani, Moisi, biri im, unë do të të flas lidhur me këtë tokë mbi të cilën ti qëndron; dhe ti do t'i shkruash gjërat që unë do të flas.

  41 Dhe në një ditë kur fëmijët e njerëzve do t'i vlerësojnë fjalët e mia si hiç dhe t’i heqin shumë prej tyre nga libri që ti do të shkruash, vër re, unë do të ngre një tjetër si ty; dhe ato do të kihen përsëri mes fëmijëve të njerëzve—mes gjithë atyre që do të besojnë.

  42 (Këto fjalë iu thanë Moisiut në mal, emri i të cilit nuk do të bëhet i njohur mes fëmijëve të njerëzve. Dhe tani ato ju fliten juve. Mos ia tregoni askujt ato, përveç atyre që besojnë. Madje kështu. Amen.)