2018
Shpreheni që Ju Tregoni Përkujdesje
Parimet e Dhënies së Shërbesës, Dhjetor 2018


Pamja
ministering

Parimet e Dhënies së Shërbesës, Dhjetor 2018

Shpreheni që Ju Tregoni Përkujdesje

Ka kaq shumë mënyra se si mund të tregojmë përkujdesje, veçanërisht në kohën e Krishtlindjes. Ne mund ta shprehim me fjalë, me mesazh në celular, me shkrim, me dhënie, me shpërndarje, me lutje, me ëmbëlsira, me këngë, me përqafim, me lojë, me mbjellje lulesh ose me pastrim. Thjesht provojeni.

Shfaqja e dashurisë për të tjerët është thelbi i vërtetë i dhënies së shërbesës. Presidentja e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, Xhin B. Binghami, tha: “Dhënia e vërtetë e shërbesës arrihet një e nga një, me dashurinë si shtysë. … Me dashurinë si shtysë, do të ndodhin mrekulli, dhe ne do të gjejmë mënyra për t’i sjellë motrat dhe vëllezërit e ‘humbur’ në përqafimin gjithëpërfshirës të ungjillit të Jezu Krishtit.”1

T’i lëmë të tjerët ta dinë se ne tregojmë përkujdesje, është një element thelbësor i zhvillimit të marrëdhënieve vetjake. Por njerëz të ndryshëm e marrin mesazhin në mënyra të ndryshme. Pra, si mund ta shprehim siç duhet dashurinë tonë për të tjerët në mënyra që ata do t’i kuptojnë dhe vlerësojnë? Ja disa mënyra se si ta shprehim se tregojmë përkujdesje, së bashku me disa ide që ju të filloni ta mendoni vetë.

Thuajeni Atë

Nganjëherë nuk ka gjë që mund ta zëvendësojë shprehjen me fjalë të asaj që ndieni për dikë. Ndërkohë që kjo mund të nënkuptojë që t’i thoni dikujt se e doni, ajo gjithashtu përfshin shprehjen me fjalë se për çfarë i admironi ose bërjen e një përgëzimi të çiltër. Ky lloj pohimi ndihmon që të forcohen marrëdhëniet. (Shih Efesianëve 4:29.)

  • Gjeni një mundësi për t’ia bërë të ditur personit se sa shumë e admironi një prej anëve të tij ose të saj të forta.

  • Shkoni për vizitë, merreni në telefon ose dërgojini një letër me postë elektronike, mesazh në celular apo kartolinë që t’i tregoni individit se po mendoni për të.

Shkoni për Vizitë

Gjetja e kohës për të folur me dikë dhe për ta dëgjuar atë është një mënyrë e fuqishme për të treguar se sa e vlerësoni atë. Qoftë nëse e vizitoni në shtëpi, i flisni në kishë apo kudo tjetër, ka shumë njerëz që kanë nevojë për dikë me të cilin të mund të flasin. (Shih Mosia 4:26; DeB 20:47.)

  • Në përputhje me nevojat e individit, programoni një vizitë. Harxhoni kohë që t’i dëgjoni e kuptoni vërtet rrethanat e tij ose të saj.

  • Atje ku mund të jetë e vështirë për vizita në shtëpi për shkak të largësisë, normave kulturore ose rrethanave të tjera, merreni parasysh të gjeni kohë së bashku pas mbledhjeve të Kishës.

Shërbeni me Qëllim

Jini të vetëdijshëm për atë që ka nevojë individi ose familja. Dhënia e shërbimit domethënës është shprehje që ju tregoni përkujdesje. Ajo e ndërthur dhuratën e çmuar të kohës me dhuratën e përpjekjes plot vëmendje. “Veprime të thjeshta të shërbimit mund të kenë një ndikim të thellë tek të tjerët”, tha Motra Bingham.2

  • Ofroni shërbim që i forcon individët ose familjet e tyre, të tilla si të kujdeseni për fëmijët që prindërit të mund të shkojnë në tempull.

  • Kërkoni mënyra që t’ua lehtësoni barrët kur jeta bëhet dërrmuese, të tilla si larja e dritareve, shëtitja e qenit ose ndihma për oborrin e shtëpisë.

Bëni Gjëra së Bashku

Ka individë që nuk lidhen me të tjerët nëpërmjet bashkëbisedimeve të thella. Për disa njerëz, lidhjet bëhen duke gjetur interesa të përbashkëta dhe duke kaluar kohë së bashku për t’i bërë ato gjëra. Zoti na nxiti që të “je[mi] me ta dhe t’i forcoj[më]” (DeB 20:53) vëllezërit e motrat tona.

  • Dilni për një shëtitje, planifikoni një natë lojërash ose caktoni një kohë të rregullt që të ushtroheni së bashku fizikisht.

  • Shërbeni së bashku në një projekt komuniteti ose Kishe.

Jepni një Dhuratë

Nganjëherë koha ose mundësitë për të vepruar së bashku mund të jenë të kufizuara. Në shumë kultura, dhënia e dhuratave është shenjë e përkujdesjes dhe dashamirësisë. Edhe një dhuratë e thjeshtë herë pas here mund të shprehë interesin tuaj për të ngritur një marrëdhënie më të mirë. (Shih Fjalët e Urta 21:14.)

  • Çojuni një ushqim që e pëlqejnë.

  • U jepni një citim, shkrim të shenjtë ose mesazh tjetër që e ndieni se mund t’u sjellë dobi.

Një Punë Dashurie

Ndërkohë që arrini t’i njihni ata të cilëve u jepni shërbesë dhe për të cilët kërkoni frymëzim, ju do të mësoni në mënyrë më të posaçme se si ta shprehni dashurinë dhe përkujdesjen tuaj për ta individualisht.

Kimberli Sejbolti nga Oregoni në SHBA tregon historinë e kërkimit të frymëzimit dhe dhënies së dhuratave për të shfaqur dashuri:

“Kur shoh se jeta po më rrëzon përtokë, ngrihem dhe bëj bukë me kungulleshka, zakonisht rreth tetë bukë. Përbërësi im i veçantë është një lutje e heshtur që e bëj teksa i pjek, që ta di se kush ka nevojë për ato bukë. Kam arritur të jem në gjendje që t’i njoh më mirë fqinjët që jetojnë përreth meje, pasi buka e ngrohtë me kungulleshka ka qenë ftesa ime në shtëpitë dhe jetën e tyre.

Një ditë të ngrohtë vere e ndalova makinën pranë një familjeje që po shiste manaferra në anë të rrugës. Nuk kisha nevojë për manaferra, por djali i vogël, i dobët te tezga u gëzua kur më pa, duke menduar se isha klientja e tij e radhës. Bleva ca manaferra, por gjithashtu kisha një dhuratë për të. I dhashë djalit dy bukë. Ai u kthye nga babai i tij për miratim, pastaj tha: ‘Shih, babi, tani kemi diçka që ta hamë sot’. U mbusha me mirënjohje për këtë mundësi që të shfaqja dashuri në një mënyrë të thjeshtë.”

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na u lut “që çdo burrë e çdo grua – dhe të rinjtë e të rejat tona më të rritura – do të [jenë] … të zotuar më thellësisht për një përkujdesje të përzemërt ndaj njëri‑tjetrit, të shtyrë vetëm nga dashuria e pastër e Krishtit për ta bërë këtë gjë. … Punofshim krah për krah me Zotin e vreshtit, për t’i dhënë Perëndisë dhe Atit tonë një dorë ndihmuese në këtë detyrë shumë kërkuese të Tij për t’iu përgjigjur lutjeve, për të dhënë ngushëllim, për të tharë lot dhe për të forcuar gjunjët e këputur.”3

Jezu Krishti Tregon Përkujdesje

Pasi Jezusi Krishti e ngriti Llazarin së vdekuri, “Jezusi qau.

Atëherë Judenjtë thanë: ‘Shih, sa e donte!’” (Gjoni 11:35–36).

“Kam dhembshuri për ju”, u tha Krishti nefitëve. Më pas Ai u kërkoi të sillnin të sëmurët e fatkeqët, të çalët e të verbrit dhe “ai i shëroi” (shih 3 Nefi 17:7–9).

Shpëtimtari dha shembullin për ne kur Ai u përkujdes për të tjerët. Ai na mësoi:

“Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.

Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi.

Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten’” (Mateu 22:37–39).

Kush ka nevojë për përkujdesjen tuaj? Si mund t’u tregoni atyre se ju përkujdeseni për ta?

Shënime

  1. Xhin B. Bingham, “Dhënia e Shërbesës Ashtu siç e Jep Shpëtimtari”, Liahona, maj 2018, f. 106.

  2. Xhin B. Bingham, “Dhënia e Shërbesës Ashtu Siç e Jep Shpëtimtari”, f. 104.

  3. Xhefri R. Holland, “Jini me Ta e Forcojini Ata”, Liahona, maj 2018, f. 103.