Varësia
Shërimi nëpërmjet Shpëtimtarit – Programi për Riaftësimin nga Varësitë: Zgjedhja e një Garanti


“Shërimi nëpërmjet Shpëtimtarit – Programi për Riaftësimin nga Varësitë: Zgjedhja e një Garanti”, Programi për Riaftësimin nga Varësitë: Zgjedhja e një Garanti (2022)

“Zgjedhja e një Garanti”, Programi për Riaftësimin nga Varësitë: Zgjedhja e një Garanti

Pamja
gra duke ngushëlluar njëra‑tjetrën

Shërimi nëpërmjet Shpëtimtarit

Zgjedhja e një Garanti

Programi për Riaftësimin nga Varësitë

Puna me një garant mund ta përmirësojë riaftësimin tuaj. Një garant mund t’ju përkrahë në rritjen dhe vendosmërinë tuaj për t’i kapërcyer sfidat, varësitë ose sjelljet varësuese me të cilat po përballeni. Në rrugëtimin tuaj të riaftësimit, nuk jeni vetëm, garantët janë njerëz që mund të jenë “të gatshëm … të ngushëllo[jnë] ata që kanë nevojë të ngushëllohen dhe të qëndro[jnë] si dëshmitarë” (Mosia 18:9). Ju lutem, merrni parasysh të punoni me një garant sa më shpejt të jetë e mundur.

Çfarë Është një Garant?

Një garant është dikush që është riaftësuar duke punuar me 12 hapat. Ai ose ajo mund t’i kuptojë sfidat e caktuara të lidhura me riaftësimin edhe kur ju mund të mos jeni në dijeni për to. Një garant është atje për t’ju ndihmuar që ta vendosni “[jetën] në perspektivë dhe të shmangni ekzagjerimin ose zvogëlimin e përgjegjshmërisë [suaj]” (A Guide to Addiction Recovery and Healing [Një Udhërrëfyes për Riaftësimin dhe Shërimin nga Varësitë], f. 29). Një garant nuk ka për qëllim të jetë miku juaj më i mirë ose profesionisti juaj i shëndetit mendor. Roli i një garanti është t’ju ndihmojë të punoni përgjatë hapave të riaftësimit.

Gjetja e një Garanti

Në Programin e Kishës për Riaftësimin nga Varësitë, nuk ju caktohet një garant specifik. Çdo anëtar/e mund t’i qaset sistemit të garantëve në një mënyrë që i shkon për shtat përvojës, nevojave dhe personalitetit individual të tij ose të saj. Pasja e një garanti është një vendim që e merrni së bashku ju, garanti dhe Zoti.

Gjetja e një garanti mund t’ju duket druajtëse, por të tjerët mund t’ju ndihmojnë. Mënyra më e mirë për të gjetur një garant, është të frekuentoni mbledhjet e riaftësimit. Njerëzit me sfida të ngjashme shpesh kanë një aftësi më të madhe për të pasur ndjeshmëri ndaj mundimit tuaj. Idetë vijuese mund të jenë të dobishme për marrjen e vendimit mbi një garant të përshtatshëm:

  1. Kërkoni udhërrëfim shpirtëror nga Ati Qiellor nëpërmjet lutjes dhe agjërimit rreth faktit se kush mund të jetë një garant për ju.

  2. Merrni parasysh të zgjidhni dikë që ka kaluar kohë të konsiderueshme në riaftësim dhe ka punuar me 12 hapat.

  3. Dëgjoni ndërsa njerëzit tregojnë përvojat e tyre në riaftësim dhe merrni parasysh se me kë mund të gjeni të përbashkëta.

  4. Udhëheqësit dhe ndërmjetësit e grupeve mund t’ju njohin me kandidatë të përshtatshëm dhe të gatshëm.

  5. Kërkoni dikë që e ndieni se është i kualifikuar.

  6. Duhet të zgjidhni një garant të së njëjtës gjini (nëse nuk keni lidhje familjare).

  7. Ndërsa e filloni procesin e ndryshimit, mund të jeni i/e cenueshëm/me fizikisht, emocionalisht dhe shpirtërisht. Kini kujdes që të mos zhvilloni marrëdhënie varësie me një garant.

  8. Mundeni gjithnjë t’i kërkoni dikujt të bëhet garanti juaj përkohësisht. Mundeni t’i ndërroni garantët në çdo kohë.

Të Qenit një Garant i Efektshëm

Të bëheni garant është një vepër e shkëlqyer shërbimi ndërsa tregoni përvojën, besimin dhe shpresën vetjake që keni gjetur duke punuar me 12 hapat e riaftësimit dhe shërimit nëpërmjet Shpëtimtarit Jezu Krisht. Garantët bëjnë pyetje të menduara, i drejtojnë njerëzit te burimet, japin ndihmë praktike mbi mënyrën se si punohet me hapat dhe i nxitin ata të cilëve u bëhen garantë, që të frekuentojnë mbledhjet. Një garant e kupton se të tjerë njerëz mund të luajnë një rol në riaftësimin e një personi dhe nuk do të fyhet nëse ai ose ajo, të cilit/ës i është bërë garant, kërkon përkrahje nga të tjerët ose zgjedh të ndryshojë garantët. Më poshtë janë disa parime se si të jeni një garant i efektshëm:

  1. Jepini përparësi Perëndisë mbi gjithçka tjetër. Kujtojeni vazhdimisht Perëndinë dhe ndihmojini ata të cilëve u jeni bërë garant, që të mbështeten tek Ai. Kujdesuni që të mos i lejoni ata të cilëve u jeni bërë garant, që të bëhen tepër të varur nga ju. Përgjegjësia juaj si garant është t’i nxitni të tjerët t’i drejtohen Atit Qiellor dhe Shpëtimtarit për udhërrëfim dhe fuqi. Roli juaj është të tregoni përvojat tuaja të besimit dhe shpresës për ta ndihmuar personin që përkrahni, të ndiejë dashuri dhe përkrahje nga hiri i Perëndisë.

  2. Jini një pjesëmarrës aktiv në riaftësim. Një garant nevojitet të jetë në riaftësim për një periudhë të konsiderueshme kohore përpara se të bëhet garant për dikë (përgjithësisht 12 muaj ose më shumë) dhe duhet të jetë i angazhuar në mënyrë aktive në zbatimin dhe studimin e parimeve të riaftësimit. Mund të ndieni trysni më të madhe në vetë riaftësimin tuaj kur filloni të bëheni garant për dikë tjetër. Kini kujdes që të mos e rrezikoni riaftësimin tuaj duke u bërë garant për dikë tjetër. Një garant ushtron kujdesin për veten dhe kërkon ndihmë ose përkrahje kur është nevoja.

  3. Jini i përulur. Materiali A Guide to Addiction Recovery and Healing [Një Udhërrëfyes për Riaftësimin dhe Shërimin nga Varësitë] shpjegon: “Ndërsa u shërbeni të tjerëve, do të ruani përulësinë duke u përqendruar te parimet dhe praktikat e ungjillit që keni mësuar” (f. 71). Aty më tej thuhet se “nuk ka vend në jetën tuaj të re për ego apo ndonjë ndjesi tjetër epërsie” (f. 72). Roli juaj si garant është t’i përdorni pikat tuaja të forta për të ofruar përkrahje dhe udhërrëfim.

  4. Respektojeni lirinë e zgjedhjes të të tjerëve dhe ushtroni durim. Të qenit një garant i efektshëm vjen “nëpërmjet bindjes, nëpërmjet durimit, nëpërmjet mirësjelljes e zemërbutësisë dhe nëpërmjet dashurisë së pashtirur; nëpërmjet mirësisë dhe diturisë së pastër” (Doktrina e Besëlidhje 121:41–42). Shmangeni dhënien e këshillave ose përpjekjen për t’i ndrequr të tjerët në çfarëdo mënyre. Ndihmojini të tjerët t’i marrin parasysh parimet dhe praktikat dhe më pas përkrahini ndërsa marrin vetë vendimet e tyre. Respektojeni lirinë e tyre të zgjedhjes dhe kini shpresë se Zoti do t’i ndihmojë ndërsa ata i drejtohen Atij. Personi që po ndihmoni, mund të mos jetë ende gati për të bërë përpara. Ai ose ajo mund të përsëritë sjellje të pashëndetshme ose të jetë i/e ngadaltë në përvetësimin e parimeve dhe praktikave të ndryshimeve të sinqerta. Një garant duhet të jetë i duruar me të tjerët ndërsa ata udhëtojnë drejt riaftësimit.

  5. Shërbeni me vetëmohim. Për shërbimin vetëmohues kërkohet dhënie pa pritur asgjë në këmbim. Një garant duhet të ketë një aftësi të madhe për të mirëkuptuar dhe gatishmërinë për t’i kushtuar kohë dhe përpjekje atij ose asaj që i bëhet garant. Shmangeni kërkimin e lavdërimeve, admirimit, besnikërisë ose shpërblimeve të tjera emocionale nga ata të cilëve u bëheni garant.

  6. Respektojini zotimet tuaja vetjake. Bërja garant nuk do të thotë se ata të cilëve u bëheni garant, duhet të kenë qasje të pakufizuar në kohën dhe burimet tuaja. Mund të jepni shembull për rëndësinë e kufijve të shëndetshëm duke respektuar zotimet e tjera tuajat, përfshirë ato ndaj familjes suaj, Kishës, karrierës dhe kohës për veten. Mbajeni mend këshillën e dhënë te Mosia 4:27: “Dhe shikoni, që të gjitha këto gjëra të jenë bërë në urtësi dhe rregull; pasi nuk është e nevojshme që një njeri duhet të vrapojë më shpejt sesa ai ka fuqi”.

  7. Jini plot lutje. Çdo herë që zgjidhni të bëheni garant për dikë, kërkoni udhërrëfimin e Zotit për të ditur se cilat parime ose praktika do të jenë më të dobishme për nevojat aktuale të atij individi. Jini plot lutje ndërsa merrni parasysh mënyra për të shërbyer, duke u përpjekur gjithnjë që të udhëhiqeni nga Shpirti.

  8. Dëshmoni për të vërtetën. Mund të ndieni nxitjen për të treguar përvoja që t’ua bëni të ditur të tjerëve se mund ta kuptoni gjendjen e tyre. Mund të jepni gjithashtu dëshmi për Shpëtimtarin dhe fuqinë e Tij shëruese. E vërteta se Perëndia është një Perëndi mrekullish është kyç (shihni te Moroni 7:29). Dhënia e dëshmisë suaj për mëshirën e Tij dhe për hirin e Tij mund të jetë një nga shërbimet më të rëndësishme që mund të ofroni.

  9. Ruajeni konfidencialitetin. Si një garant, keni përgjegjësinë ta mbroni privatësinë e të tjerëve. Anonimati dhe konfidencialiteti janë parime thelbësore për forcimin e aftësisë suaj për të qenë garant dhe për t’i ndihmuar të tjerët.