Shkrimet e Shenjta
1 Nefi 5


Kapitulli 5

Saria ankohet kundër Lehit—Të dy gëzohen për kthimin e të bijve—Ata ofrojnë flijime—Fletët e tunxhit përmbajnë shkrime të Moisiut dhe të profetëve—Fletët e identifikojnë Lehin si një pasardhës të Jozefit—Lehi profetizon në lidhje me farën e tij dhe ruajtjen e fletëve. Rreth 600–592 para K.

1 Dhe ndodhi që pasi ne kishim zbritur në vendin e shkretë tek ati ynë, vini re, ai ishte mbushur me gëzim dhe gjithashtu nëna ime Saria ishte jashtëzakonisht e gëzuar, sepse ajo me të vërtetë kishte vajtuar për shkakun tonë.

2 Pasi ajo kishte kujtuar se kishim mbaruar në vendin e shkretë; dhe gjithashtu ishte ankuar kundër atit tim, duke i thënë se ai ishte një njeri vegimtar, duke thënë: Vër re, ti na nxore nga toka e trashëgimit tonë dhe bijtë e mi nuk janë më dhe ne mbarojmë në vendin e shkretë.

3 Dhe, me këtë gjuhë ishte ankuar nëna ime kundër atit tim.

4 Dhe kishte ndodhur që ati im i foli asaj, duke thënë: Unë e di se jam një njeri vegimtar, pasi nëse nuk do të kisha parë gjërat e Perëndisë në një vegim, nuk do ta kisha njohur mirësinë e Perëndisë, por do të kisha qëndruar në Jeruzalem dhe do të kisha mbaruar me vëllezërit e mi.

5 Por vër re, unë mora një tokë të premtimit, në gjërat e së cilës unë gëzohem; po, dhe e di se Zoti do t’i shpëtojë djemtë e mi nga duart e Labanit dhe do t’i sjellë ata përsëri te ne, në vendin e shkretë.

6 Dhe me këtë gjuhë, ati im, Lehi, e ngushëlloi nënën time, Sarian, në lidhje me ne, ndërsa ne udhëtonim në vendin e shkretë për në tokën e Jeruzalemit, që të merrnim analin e Judenjve.

7 Dhe kur ne u kthyem në çadrën e atit tim, vini re gëzimi i tyre ishte i plotë dhe nëna ime u qetësua.

8 Dhe ajo foli duke thënë: Tani unë e di me siguri se Zoti e ka urdhëruar burrin tim të largohej në vendin e shkretë; po, gjithashtu unë e di me siguri se Zoti ka mbrojtur bijtë e mi dhe i ka shpëtuar nga duart e Labanit dhe u ka dhënë fuqi me anë të së cilës ata mund të plotësonin gjënë që Zoti i ka urdhëruar. Dhe, me këtë gjuhë foli ajo.

9 Dhe ndodhi që ata u gëzuan jashtëzakonisht dhe ofruan flijime dhe olokauste ndaj Zotit; dhe i dhanë falënderime Perëndisë së Izraelit.

10 Dhe pasi falënderuan Perëndinë e Izraelit, ati im, Lehi, mori analet që ishin gdhendur në fletët e tunxhit dhe i shqyrtoi ato që nga fillimi.

11 Dhe ai vuri re se ato përmbanin pesë librat e Moisiut, që jepnin një rrëfim të krijimit të botës dhe gjithashtu të Adamit dhe të Evës, të cilët qenë prindërit tanë të parë;

12 Dhe gjithashtu një anal të Judenjve që nga fillimi, madje që nga fillimi i mbretërimit të Zedekias, mbretit të Judesë;

13 Dhe gjithashtu profecitë e profetëve të shenjtë që nga fillimi, madje që nga fillimi i mbretërimit të Zedekias; si dhe shumë profeci që janë thënë nga goja e Jeremisë.

14 Dhe ndodhi që ati im, Lehi, gjeti gjithashtu në fletët e tunxhit një gjenealogji të etërve të tij; kështu që ai e dinte se ishte pasardhës i Jozefit; po, madje i të njëjtit Jozef që ishte biri i Jakobit që u shit në Egjipt, dhe që u ruajt nga dora e Zotit, që ai të mund të ruante atin e tij, Jakobin, dhe gjithë familjen e tij, që të mos mbaronin nga uria.

15 Dhe ata gjithashtu u nxorën nga robëria dhe toka e Egjiptit, nga i njëjti Perëndi që i kishte ruajtur ata.

16 Dhe kështu, ati im, Lehi, zbuloi gjenealogjinë e etërve të tij. Dhe Labani gjithashtu ishte pasardhës i Jozefit, kështu që, ai dhe etërit e tij kishin mbajtur analet.

17 Dhe tani, kur ati im i pa të gjitha këto gjëra, ai u mbush me Shpirtin dhe filloi të profetizonte në lidhje me farën e tij—

18 Që këto fletë prej tunxhi duhej të shkonin në të gjitha kombet, fiset, gjuhët dhe popujt që ishin të farës së tij.

19 Kështu që, ai tha se këto fletë prej tunxhi nuk do të shkatërroheshin kurrë; as nuk do të veniteshin më me kalimin e kohës. Dhe ai profetizoi edhe shumë gjëra në lidhje me farën e tij.

20 Dhe ndodhi që deri atëherë, unë dhe ati im kishim zbatuar urdhërimet, me të cilat Zoti na kishte urdhëruar.

21 Dhe ne kishim marrë analet, të cilat Zoti na kishte urdhëruar t’i merrnim, dhe i shqyrtuam dhe gjetëm se ato ishin të dëshirueshme; po, madje me një vlerë të madhe për ne, saqë ne të mund t’i ruanim urdhërimet e Perëndisë te fëmijët tanë.

22 Kështu që ishte urtësia e Zotit, që ne duhet t’i merrnim ato me vete, ndërsa udhëtonim në vendin e shkretë, drejt tokës së premtimit.