Shkrimet e Shenjta
Doktrina e Besëlidhje 68


Seksioni 68

Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit, në Hiram, Ohio, në nëntor 1831, me kërkesën e Orson Hyde-it, Luke S. Johnson-it, Lyman E. Johnson-it dhe William E. McLellin-it (History of the Church, 1:227–22). Edhe pse kjo zbulesë u dha në përgjigje të përgjërimit që mendja e Zotit të bëhej e njohur lidhur me pleqtë e përmendur, një pjesë e mirë e përmbajtjes i përket tërë Kishës.

1–5, Fjalët e pleqve, kur nxiten nga Fryma e Shenjtë, janë shkrime të shenjta; 6–12, Pleqtë duhet të predikojnë e të pagëzojnë dhe shenja do t’i ndjekin besimtarët e vërtetë; 13–24, I parëlinduri mes bijve të Aaronit mund të shërbejë si Peshkopi Kryesues (që është të mbajë çelësat e kryesimit si peshkop) nën drejtimin e Presidencisë së Parë; 25–28, Prindërit urdhërohen t’u mësojnë ungjillin fëmijëve të tyre; 29–35, Shenjtorët duhet ta respektojnë Shabatin, të punojnë me zell dhe të luten.

1 Shërbëtori im, Orson Hyde, u thirr me anë të shugurimit të tij për të shpallur ungjillin e përjetshëm, me anë të Shpirtit të Perëndisë së gjallë, nga populli në popull e nga vendi në vend, në grumbullimet e të ligjve, në sinagogat e tyre, duke arsyetuar me ta dhe duke u shpjeguar atyre gjithë shkrimet e shenjta.

2 Dhe, vini re dhe shihni, ky është një model për të gjithë ata që u shuguruan në këtë priftëri, misioni i së cilës u caktohet atyre për të shkuar—

3 Dhe ky është modeli për ta, që ata duhet të flasin, ashtu siç nxiten nga Fryma e Shenjtë.

4 Dhe çfarëdo që ata do të flasin kur nxiten nga Fryma e Shenjtë, do të jetë shkrim i shenjtë, do të jetë vullneti i Zotit, do të jetë mendja e Zotit, do të jetë fjala e Zotit, do të jetë zëri i Zotit dhe fuqia e Perëndisë për shpëtim.

5 Vini re, ky është premtimi i Zotit për ju, O ju shërbëtorët e mi.

6 Prandaj, merrni zemër dhe mos u frikësoni, sepse unë, Zoti, jam me ju dhe do t’ju qëndroj përkrah; dhe ju do të jepni dëshmi për mua, madje Jezu Krishtin, që jam Biri i Perëndisë së gjallë, që isha, që jam dhe që do të vij.

7 Kjo është fjala e Zotit për ty, shërbëtori im Orson Hyde, dhe gjithashtu për shërbëtorin tim Luke Johnson, dhe për shërbëtorin tim Lyman Johnson, dhe për shërbëtorin tim William E. McLellin, dhe për gjithë pleqtë besnikë të kishës sime—

8 Shkoni ju në të tërë botën, i predikoni ungjillin çdo krijese, duke vepruar me autoritetin që jua kam dhënë, duke pagëzuar në emër të Atit dhe të Birit dhe të Frymës së Shenjtë.

9 Dhe ai që beson e pagëzohet, do të shpëtohet dhe ai që nuk beson, do të mallkohet.

10 Dhe ai që beson, do të bekohet me shenja që e shoqërojnë, madje siç është shkruar.

11 Dhe juve do t’ju jepet të dini shenjat e kohërave dhe shenjat e ardhjes së Birit të Njeriut;

12 Dhe për aq vetë sa Ati do të japë dëshmi, juve do t’ju jepet fuqi t’i vulosni ata në jetë të përjetshme. Amen.

13 Dhe tani, lidhur me çështjet përveç besëlidhjeve dhe urdhërimeve, ato janë këto—

14 Ka më pas, në kohën e duhur të Zotit, peshkopë të tjerë për t’u veçuar në kishë, për të shërbyer madje si edhe i pari;

15 Prandaj ata duhet të jenë priftërinj të lartë, që janë të denjë dhe ata do të caktohen nga Presidencia e Parë e Priftërisë Melkizedeke, në qoftë se ata nuk janë pasardhës të drejtpërdrejtë të Aaronit;

16 Dhe nëse janë pasardhës të drejtpërdrejtë të Aaronit, ata kanë të drejtë të ligjshme në detyrën e peshkopit, në qoftë se janë të parëlindurit mes bijve të Aaronit;

17 Sepse i parëlinduri mban të drejtën e kryesimit mbi këtë priftëri dhe çelësat ose autoritetin e saj.

18 Askush nuk ka të drejtë të ligjshme në këtë detyrë, për të mbajtur çelësat e kësaj priftërie, përveç atij që është një pasardhës i drejtpërdrejtë dhe i parëlinduri i Aaronit.

19 Por, ngaqë një prift i lartë i Priftërisë Melkizedeke ka autoritet të kryejë të gjitha detyrat më të vogla, ai mund ta kryejë detyrën e peshkopit, kur asnjë pasardhës i drejtpërdrejtë i Aaronit nuk mund të gjendet, me kusht që ai të thirret dhe të veçohet e shugurohet në këtë fuqi, nën duart e Presidencisë së parë të Priftërisë Melkizedeke.

20 Dhe një pasardhës i drejtpërdrejtë i Aaronit, gjithashtu, duhet të caktohet nga kjo Presidenci dhe të gjendet i denjë, dhe të vajoset, dhe të shugurohet nën duart e kësaj Presidencie, përndryshe ata nuk autorizohen ligjërisht për të vepruar në priftërinë e tyre.

21 Por, për arsye të dekretit lidhur me të drejtën e tyre të priftërisë, duke zbritur nga ati te biri, ata mund ta kërkojnë vajosjen e tyre, në qoftë se në çdo kohë mund të provojnë prejardhjen e tyre ose e vërtetojnë atë me anë të zbulesës nga Zoti, nën duart e presidencisë së lartpërmendur.

22 Dhe përsëri, asnjë peshkop apo prift i lartë që do të veçohet për këtë shërbesë, nuk do të gjykohet ose dënohet për ndonjë krim, përveçse përpara Presidencisë së Parë të kishës;

23 Dhe për aq sa gjendet fajtor përpara kësaj Presidencie, me anë të dëshmisë që nuk mund të vihet në dyshim, ai do të dënohet;

24 Dhe nëse pendohet, ai do të falet, në përputhje me besëlidhjet dhe urdhërimet e kishës.

25 Dhe përsëri, për aq sa prindërit kanë fëmijë në Sion ose në ndonjë nga kunjat e tij që organizohen, të cilët nuk i mësojnë të kuptojnë doktrinën e pendimit, të besimit në Krishtin, Birin e Perëndisë së gjallë, dhe të pagëzimit e të dhuratës së Frymës së Shenjtë me anë të vënies së duarve, kur janë tetë vjeç, mëkati qoftë mbi kokat e prindërve.

26 Sepse ky do të jetë një ligj për banorët e Sionit, ose në ndonjë nga kunjat e tij, që organizohen.

27 Dhe fëmijët e tyre do të pagëzohen për heqjen e mëkateve të tyre, kur të bëhen tetë vjeç dhe do të marrin vendosjen e duarve.

28 Dhe ata gjithashtu duhet t’i mësojnë fëmijët e tyre të luten dhe të ecin drejt përpara Zotit.

29 Dhe banorët e Sionit duhet gjithashtu të respektojnë ditën e Shabatit për ta mbajtur atë të shenjtë.

30 Dhe banorët e Sionit gjithashtu duhet të kujtojnë punët e tyre, për aq sa janë caktuar të punojnë, plot besnikëri; sepse dembeli do të mbahet në kujtesë përpara Zotit.

31 Tani, unë, Zoti, nuk jam i kënaqur me banorët e Sionit, sepse ka dembelë mes tyre; dhe fëmijët e tyre gjithashtu rriten në ligësi; ata gjithashtu nuk i kërkojnë me zell pasuritë e përjetësisë, por sytë e tyre janë plot lakmi.

32 Këto gjëra nuk duhet të jenë dhe duhet të hiqen nga mesi i tyre; prandaj shërbëtori im Oliver Cowdery duhet t’i çojë këto thënie në tokën e Sionit.

33 Dhe një urdhërim u jap unë atyre—se ai që nuk i kryen lutjet e tij përpara Zotit në stinën e tyre, ai duhet të mbahet në kujtesë përpara gjykatësit të popullit tim.

34 Këto thënie janë të vërteta dhe besimtare; si rrjedhim, mos i shkelni ato as mos hiqni prej tyre.

35 Vini re, unë jam Alfa dhe Omega dhe unë vij shpejt. Amen.