Historia e Kishës
Libri i Mormonit dhe Studimet e ADN‑së


Pamja
strukturë e ADN‑së

Libri i Mormonit dhe Studimet e ADN‑së

Vështrim i Përgjithshëm

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme pohon se Libri i Mormonit është një vëllim shkrimesh të shenjta i krahasueshëm me Biblën. Ai përmban një anal të marrëdhënieve të Perëndisë me tri grupe njerëzish që u shpërngulën nga Lindja e Afërt ose Azia Perëndimore drejt kontinentit amerikan, qindra vjet përpara mbërritjes së europianëve.1

Edhe pse qëllimi kryesor i Librit të Mormonit është më shumë shpirtëror sesa historik, disa njerëz kanë vrarë mendjen a janë në përputhje me studimet shkencore mbi Amerikën e lashtë shpërnguljet që ai përshkruan. Diskutimi është përqendruar në fushën e gjenetikës së popullatave dhe të zhvillimeve në shkencën e ADN-së. Disa kanë bërë debat se shpërnguljet që përmenden në Librin e Mormonit, nuk kanë ndodhur, për shkak se shumica e ADN-së së identifikuar deri tani te popujt vendas të kohës së sotme i ngjason më së tepërmi asaj të popullatave të Azisë Lindore.2

Parimet bazë të gjenetikës së popullatave sugjerojnë nevojën për një qasje më të kujdesshme ndaj të dhënave. Përfundimet e gjenetikës, si ato të çfarëdo shkence, janë joshteruese dhe mbetet shumë punë për t’u bërë që të kuptohet plotësisht origjina e popullatave vendase të kontinentit amerikan. Asgjë nuk dihet për ADN‑në e popujve të Librit të Mormonit dhe, edhe nëse do të njihej profili i tyre gjenetik, ka arsye shkencore të forta që ajo mund të mbetet e pazbuluar. Për po të njëjtat arsye, argumentet që përdorin disa mbrojtës të Librit të Mormonit, bazuar në studimet e ADN-së, janë gjithashtu spekulative. Me pak fjalë, studimet e ADN‑së nuk mund të përdoren në mënyrë bindëse as për të pohuar, as për të mohuar vërtetësinë historike të Librit të Mormonit.

Paraardhësit e Indianëve të Amerikës

Provat e mbledhura deri më sot sugjerojnë se pjesa më e madhe e amerikanëve vendas mbartin kryesisht ADN‑në aziatike.3 Shkencëtarët teorizojnë se, në epokën që u parapriu rrëfimeve të Librit të Mormonit, një grup relativisht i vogël njerëzish emigruan nga Azia Verilindore për në kontinentin amerikan nëpërmjet një ure tokësore që lidhte Siberinë me Alaskën.4 Këta njerëz, thonë shkencëtarët, u përhapën shpejt sa mbushën Amerikën Veriore dhe Jugore dhe ka gjasë të jenë paraardhësit e parë të indianëve të kohës së sotme në Amerikë.5

Libri i Mormonit jep informacion të pakët, të drejtpërdrejtë mbi kontaktet kulturore midis popujve që përshkruan ai dhe popujve të tjerë që mund të kenë jetuar aty pranë. Për pasojë, shumica e shenjtorëve të hershëm të ditëve të mëvonshme hamendësuan se banorët e Lindjes së Afërt ose Azisë Perëndimore si Jaredi, Lehi, Muleku dhe shokët e tyre, ishin grupet e para apo më të mëdha ose madje të vetmet grupe që e kolonizuan kontinentin amerikan. Duke u bazuar në këtë hamendësim, kritikët këmbëngulin se Libri i Mormonit nuk lë vend për praninë e popullatave të tjera të mëdha në kontinentin amerikan dhe se, rrjedhimisht, ADN-ja e Lindjes së Afërt duhet të jetë lehtësisht e përcaktueshme midis grupeve vendase të kohës së sotme.

Vetë Libri i Mormonit, megjithatë, nuk pohon se popujt që ai përshkruan, ishin ose banorët mbizotërues ose të vetmit banorë të tokave që zunë ata. Në fakt, të dhënat kulturore dhe demografike në tekstin e tij, të lënë të kuptosh për praninë e grupeve të tjera.6 Në konferencën e përgjithshme të prillit 1929, Presidenti Entoni W. Ajvins, i Presidencës së Parë, paralajmëroi: “Ne duhet të jemi të kujdesshëm në përfundimet që arrijmë. Libri i Mormonit … nuk na thotë se nuk ishte askush tjetër këtu përpara tyre [popujve që ai përshkruan]. Ai nuk na thotë se nuk erdhën popuj të tjerë më pas.”7

Jozef Smithi duket se ka qenë i hapur ndaj idesë së shpërnguljeve të tjera përveç atyre që përshkruhen në Librin e Mormonit8, dhe shumë udhëheqës dhe studiues shenjtorë të ditëve të mëvonshme përgjatë shekullit të kaluar kanë zbuluar se rrëfimi në Librin e Mormonit është në përputhje të plotë me praninë e popullatave të tjera të vendosura atje.9 Parathënia e përditësuar në vitin 2006 e Librit të Mormonit e pasqyron këtë kuptueshmëri duke pohuar se popujt e Librit të Mormonit ishin “midis paraardhësve të indianëve të Amerikës”10.

Asgjë nuk dihet për shtrirjen e martesave të përziera dhe përzierjet gjenetike midis popujve të Librit të Mormonit ose pasardhësve të tyre dhe banorëve të tjerë të kontinentit amerikan, ndonëse disa përzierje shfaqen dukshëm, madje gjatë periudhës që trajtohet në tekstin e librit.11 Ajo që duket e qartë, është se ADN-ja e popujve të Librit të Mormonit me gjasë përfaqësonte vetëm një pjesëz të të gjithë ADN-së në Amerikën e lashtë. Gjetja dhe identifikimi me qartësi i ADN-së së tyre sot mund të kërkojë më shumë informacion nga shkenca e gjenetikës së popullatave sesa është në gjendje të japë ajo.

Kuptimi i Provave Gjenetike

Një rishikim i shkurtër i parimeve bazë të gjenetikës do të ndihmojë për të shpjeguar mënyrën se si shkencëtarët e përdorin ADN-në për të studiuar popullatat e lashta. Ai gjithashtu do të nënvizojë vështirësinë e nxjerrjes së përfundimeve për Librin e Mormonit nga studimi i gjenetikës.

ADN-ja – kompleti i udhëzimeve për ndërtimin dhe mbështetjen e jetës – gjendet në bërthamën e pothuajse çdo qelize njerëzore. Ajo është e organizuar në 46 njësi që quhen kromozome – 23 merren nga secili prind. Këto kromozome përmbajnë rreth 3,2 miliardë udhëzime. Çdo dy individë kanë të përbashkët përafërsisht 99.9 % nga përbërja e tyre gjenetike, por mijëra dallime të vogla janë përgjegjëse për ndryshimin e jashtëzakonshëm mes njerëzve.

Ndryshimet gjenetike vijnë nëpërmjet asaj që specialistët e gjenetikës e quajnë mutacion rastësor. Mutacionet janë gabime që ndodhin ndërsa kopjohet ADN-ja gjatë formimit të qelizave riprodhuese. Këto mutacione grumbullohen me kalimin e kohës ndërsa kalohen nga brezi në brez, duke çuar në profile gjenetike të pashoqe. Modeli i trashëgimisë së 22 çifteve të para të kromozomeve (të quajtura autozome) karakterizohet nga përzierja e vazhdueshme: gjysma e ADN-së edhe nga babai edhe nga nëna ndërthuren sërish për të formuar ADN-në e fëmijëve të tyre. Çifti i 23-të i kromozomeve përcakton gjininë e një fëmije (XY për një mashkull, XX për një femër). Për shkak se vetëm meshkujt e kanë kromozomin Y, djali e trashëgon këtë kromozom thuajse të pacenuar nga babai i vet.

Qelizat njerëzore kanë ADN edhe në një varg pjesësh qelizore që quhen mitokondri. ADN-ja mitokondriale është relativisht e vogël – përmban afërsisht 17 000 udhëzime – dhe trashëgohet kryesisht e pacenuar nga nëna. ADN-ja mitokondriale e nënës kalohet tek të gjithë fëmijët e saj, por vetëm bijat e saj do ta kalojnë ADN-në e tyre mitokondriale te brezi i ardhshëm.

ADN-ja mitokondriale ishte lloji i parë i ADN-së që është analizuar, dhe si rrjedhim, ishte e para që përdorën specialistët e gjenetikës për të studiuar popullatat. Ndërsa teknologjia është përmirësuar, analiza e ADN-së autozomale i ka lejuar specialistët e gjenetikës të kryejnë studime të ndërlikuara që përfshijnë kombinimin e shënuesve të shumëfishtë gjenetikë.

Specialistët e gjenetikës për popullatat përpiqen të rikrijojnë origjinën, shpërnguljet dhe marrëdhëniet e popullatave duke përdorur mostra të ADN-ve bashkëkohore dhe të lashta. Duke i shqyrtuar të dhënat e vëna në dispozicion, shkencëtarët kanë përcaktuar kombinimet e mutacioneve që janë karakteristike për popullatat në rajone të ndryshme të botës. ADN-ja mitokondriale e pashoqe dhe profilet e kromozomit Y quhen haplogrupe.12 Shkencëtarët i emërtojnë këto haplogrupe me shkronjat e alfabetit.13

Në kohën e sotme, marrëveshja e përgjithshme shkencore mbron tezën se pjesa dërrmuese e amerikanëve vendas u përkasin nëndegëve të haplogrupeve C dhe Q14 të kromozomit Y dhe haplogrupeve A, B, C, D dhe X të ADN-së mitokondriale, të cilët që të gjithë duket se kanë ardhur në kontinentin amerikan nëpërmjet shpërnguljeve nga Azia Lindore.15 Studimet e vazhdueshme vazhdojnë të sigurojnë ide të reja që edhe i sfidojnë edhe i konfirmojnë përfundimet e mëparshme.16 Për shembull, një studim i vitit 2014 tregon se përafërsisht një e treta e ADN-së së amerikanëve vendas mund ta ketë pasur fillesën në lashtësi nga Europa ose Azia Perëndimore. Nga kjo provë, shkencëtarët arrijnë në përfundimin se disa europianë ose aziatikë perëndimorë u shpërngulën drejt lindjes nëpër Azi, duke u përzier me një grup që u shpërngulën përfundimisht në kontinentin amerikan mijëvjeçarë përpara ngjarjeve të përshkruara në Librin e Mormonit.17

Shënues shtesë të ADN-së nga Europa, Azia Perëndimore dhe Afrika ekzistojnë në ADN-në e popullatave vendase të kohës së sotme, por është e vështirë të përcaktohet nëse ato janë pasojë e shpërnguljeve që i paraprinë Kolombit, të tilla si ato që përshkruhen në Librin e Mormonit, apo nëse ato rrjedhin nga përzierja gjenetike që ndodhi pas pushtimit prej europianëve.18 Kjo ndodh pjesërisht për shkak të faktit se “ora molekulare” që përdoret nga shkencëtarët për të datuar kromozomin Y dhe shënuesit e ADN-së mitokondriale, nuk është gjithnjë mjaftueshëm e saktë sa të përcaktojë me përpikëri kohën e shpërnguljeve që ndodhën disa qindra ose madje disa mijëra vite më parë.19 Për më tepër, asnjë orë molekulare nuk është në dispozicion aktualisht për gjenomet e plota.

Shkencëtarët nuk e përjashtojnë mundësinë e shpërnguljeve të tjera me shkallë të vogël për në kontinentin amerikan.20 Për shembull, një analizë gjenetike e vitit 2010 e një trupi 4 000‑vjeçar të një eskimezi të ruajtur mirë të periudhës së Paleolitit në Groenlandë, i bëri shkencëtarët të shtronin hipotezën se një grup njerëzish, përveç atyre nga Azia Lindore, ishin shpërngulur në kontinentin amerikan.21 Duke komentuar për këtë studim, specialisti i gjenetikës për popullatat, Markus Feldmen nga Universiteti i Stenfordit, tha: “Modelet që sugjerojnë shpërngulje që janë bërë një herë të vetme, përgjithësisht konsiderohen si sisteme ideale. … Mund të ketë pasur shpërngulje në grupe të vogla që kanë vazhduar gjatë mijëra vjetëve.”22

Efekti i Themeluesit

Një arsye përse është e vështirë të përdoren provat e ADN-së për të nxjerrë konkluzione të përcaktuara rreth popujve në Librin e Mormonit është se nuk dihet asgjë rreth ADN-së që Lehi, Saria, Ishmaeli dhe të tjerët sollën në kontinentin amerikan. Edhe nëse specialistët e gjenetikës do të kishin një bazë të dhënash për ADN-në që ekziston tani midis të gjitha grupeve të ditëve të sotme të indianëve të Amerikës, do të ishte e pamundur ta dinim saktësisht se çfarë të kërkojmë. Është e mundur që secili anëtar i palëve emigruese që përshkruhen në Librin e Mormonit, të kishte ADN-në tipike të Lindjes së Afërt, por është gjithashtu e mundur që disa prej tyre të mbartnin ADN më karakteristike për rajone të tjera. Në këtë rast, pasardhësit e tyre mund të trashëgonin një profil gjenetik që do të ishte i papritur, duke pasur parasysh vendin e origjinës së familjes së tyre. Kjo dukuri quhet efekti i themeluesit.

Merreni parasysh rastin e dr. Ugo A. Peregos, një specialist i gjenetikës për popullatat, shenjtor i ditëve të mëvonshme. Gjenealogjia e tij pohon se ai është italian prej shumë brezash, por ADN-ja e linjës së tij gjenetike atërore, është nga një degë e haplogrupit C të aziatikëve/amerikanëve vendas. Kjo me gjasë do të thotë se, diku përgjatë linjës, një ngjarje shtegtuese nga Azia në Europë çoi në futjen e një ADN-je që nuk është tipike e vendit të origjinës së Peregos.23 Nëse Perego dhe familja e tij do të kolonizonin një tokë të izoluar, specialistët e ardhshëm të gjenetikës që do të kryenin një studim për kromozomet Y të pasardhësve të tij, mund të arrinin në përfundimin se kolonizatorët e parë të asaj toke ishin nga Azia në vend që të ishin nga Italia. Kjo histori e hamendësuar tregon se përfundimet rreth gjenetikës së një popullate duhet ta marrin informacionin nga një kuptim i qartë i ADN-së së themeluesve të popullatës. Në rastin e Librit të Mormonit, nuk ka informacion të qartë të këtij lloji.

Rrallimi i Popullatës dhe Zhvendosja Gjenetike

Vështirësitë nuk mbarojnë me efektin e themeluesit. Edhe po të dihej me një shkallë të lartë sigurie se emigrantët që përshkruhen në Librin e Mormonit, kishin atë që mund të konsiderohet ADN‑në tipike të Lindjes së Afërt, ka shumë mundësi që shënuesit e tyre të ADN-së nuk u mbijetuan shekujve pasardhës. Parimet e mirënjohura nga shkencëtarët, përfshirë rrallimi i popullatës dhe zhvendosja gjenetike, shpesh çojnë në humbjen e shënuesve gjenetikë ose i bëjnë ata shënues thuajse të pamundur për t’u zbuluar.

Rrallimi i Popullatës

Rrallimi i popullatës është humbja e varietetit gjenetik që ndodh kur një fatkeqësi natyrore, sëmundje epidemike, luftë masive ose një katastrofë tjetër çon në vdekjen e një pjese të konsiderueshme të një popullate. Këto ngjarje mund t’i pakësojnë shumë ose t’i zhdukin plotësisht disa profile gjenetike. Në të tilla raste, një popullatë mund të rifitojë larmi gjenetike nëpërmjet mutacionit me kalimin e kohës, por shumë prej larmisë që ekzistonte më parë, ka humbur në mënyrë të pakthyeshme.

Pamja
Ilustrim i rrallimit të popullatës

Ilustrim i rrallimit të popullatës. Për shkak të një zvogëlimi dramatik të popullatës, disa profile gjenetike (të paraqitura këtu me rrathë me ngjyrë të verdhë, portokalli, të gjelbër dhe vjollcë), kanë humbur. Brezat pasues trashëgojnë vetëm ADN-në e të mbijetuarve.

Përveç luftës katastrofike në fund të Librit të Mormonit, pushtimi i kontinentit amerikan nga europianët në shekujt e 15‑të dhe të 16‑të shkaktoi pikërisht një seri të tillë ngjarjesh kataklizmike. Si pasojë e luftës dhe përhapjes së sëmundjeve, shumë grupe amerikanësh vendas përjetuan humbje rrënuese të popullatës.24 Një antropolog molekular vërejti se pushtimi “e tkurri të gjithë popullatën ameriko-indiane përmes një rrallimi gjenetik”. Ai përfundoi: “Ky zvogëlim i popullatës e ka ndryshuar përgjithmonë gjenetikën e grupeve që mbijetuan, duke e ndërlikuar në këtë mënyrë çdo përpjekje për rindërtimin e strukturës gjenetike parakolombiane për pjesën më të madhe të grupeve të Botës së Re”25.

Zhvendosja Gjenetike

Zhvendosja gjenetike është humbja graduale e shënuesve gjenetikë te popullatat e vogla për shkak të ngjarjeve rastësore. Për ta dhënë mësim këtë koncept shpesh përdoret një ilustrim i thjeshtë:

Mbusheni një kavanoz me 20 toptha – 10 të kuq, 10 blu. Kavanozi përfaqëson një popullatë dhe topthat përfaqësojnë njerëz me profile të ndryshme gjenetike. Nxirrni një topth çfarëdo nga kjo popullatë, shënojeni ngjyrën e tij dhe vendoseni sërish në kavanoz. Çdo nxjerrje përfaqëson lindjen e një fëmije. Bëjeni këtë 20 herë për të simuluar një brez të ri brenda popullatës. Brezi i dytë mund të ketë një numër të njëjtë me secilën ngjyrë, por ka më tepër gjasë që të ketë një numër të pabarabartë të të dyja ngjyrave.

Përpara se të nxirrni një brez të tretë, përshtateni përpjesëtimin e çdo ngjyre në kavanoz që të pasqyrojë përzierjen e re të profileve gjenetike në përbërjen gjenetike. Ndërsa vazhdoni të nxirrni toptha, përzierja tani e pabarabartë do të bëjë që të nxirrni gjithnjë e më shpesh toptha me ngjyrën mbizotëruese. Përgjatë disa brezave, kjo “zhvendosje” drejt një ngjyre, do të sjellë thuajse me siguri zhdukjen e ngjyrës tjetër.

Pamja
Ilustrimi i zhvendosjes gjenetike

Ilustrimi i zhvendosjes gjenetike duke përdorur toptha me ngjyra.

Ky ushtrim ilustron modelin e trashëgimisë të materialit gjenetik përgjatë rrjedhës së disa brezave dhe tregon se si zhvendosja mund të sjellë humbjen e profileve gjenetike. Efekti i zhvendosjes është veçanërisht i theksuar te popullatat e vogla e të izoluara ose në rastet kur një grup i vogël që mbart një profil gjenetik të dallueshëm, përzihet me një popullatë shumë më të madhe me një prejardhje të ndryshme.

Një studim në Islandë që ndërthur si të dhënat gjenetike, ashtu edhe ato gjenealogjike, tregon se shumica e njerëzve që jetojnë në atë vend sot, e trashëguan ADN-në mitokondriale vetëm nga një përqindje e vogël e njerëzve që jetuan atje vetëm 300 vjet më parë.26 ADN-ja mitokondriale e pjesës më të madhe të islandezëve që jetonin në atë kohë, thjesht nuk u mbijetoi efekteve rastësore të zhvendosjes. Është e mundur që shumica e ADN-së së popujve të Librit të Mormonit nuk mbijetoi për të njëjtën arsye.

Zhvendosja gjenetike ndikon veçanërisht në ADN-në mitokondriale dhe ADN-në e kromozomit Y, por gjithashtu çon në humbje të varietetit në ADN-në autozomale. Kur një popullatë e vogël përzihet me një të madhe, kombinimet e shënuesve autozomalë tipikë të grupit më të vogël, me shpejtësi mposhten ose shuhen nga ato të popullatës më të madhe. Shënuesit e grupit më të vogël shpejt rrallohen te popullata e ndërthurur dhe mund të zhduken për shkak të efekteve të zhvendosjes dhe rrallimit gjenetik siç u përshkrua më sipër. Për më tepër, përzierja dhe rikombinimi i ADN-së autozomale nga brezi në brez prodhon kombinime të reja të shënuesve në të cilët materiali gjenetik mbizotërues vjen nga popullata fillestare më e madhe. Kjo mund t’i bëjë kombinimet e shënuesve karakteristikë të grupit më të vogël kaq të dobët, saqë ato nuk mund të identifikohen në mënyrë të besueshme.

Autorët e një kërkimi shkencor të vitit 2008 në American Journal of Physical Anthropology [Revistën Amerikane të Antropologjisë Fizike] e përmblodhën shkurt dhe qartë ndikimin e këtyre forcave: “Zhvendosja gjenetike ka qenë një forcë domethënëse [në gjenetikën e amerikanëve vendas] dhe bashkë me zvogëlimin e madh të popullatës pas kontaktit me europianët, kanë ndryshuar shpeshtësinë e haplogrupeve dhe kanë shkaktuar humbjen e shumë haplotipeve”27. Profilet gjenetike mund të humbasin plotësisht dhe kombinimet që ekzistonin dikur, mund të bëhen aq të dobëta, saqë të jetë e vështirë të zbulohen. Si rrjedhim, pjesë të një popullate mund të lidhen në fakt nga ana gjenealogjike me një individ ose grup, por nuk kanë ADN që mund të identifikohet se u përket atyre paraardhësve. Me fjalë të tjera, amerikanët vendas, paraardhësit e të cilëve përfshijnë popujt në Librin e Mormonit, mund të mos jenë në gjendje ta pohojnë atë lidhje duke përdorur ADN‑në e tyre.28

Përfundimi

Edhe pse kritikët dhe mbrojtësit e Librit të Mormonit do të donin t’i përdornin studimet e ADN-së për t’i mbështetur pikëpamjet e tyre, provat janë thjesht jopërfundimtare. Asgjë nuk dihet për ADN-në e popujve në Librin e Mormonit. Edhe nëse do të dihej një informacion i tillë, procese të tilla si rrallimi i popullatës, zhvendosja gjenetike dhe imigrimi pas kohës së Kolombit nga Euroazia Perëndimore e bëjnë të pamundur që ADN-ja e tyre të mund të zbulohet sot. Siç vërejti Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Është pozicioni ynë që provat jofetare nuk munden as ta vërtetojnë, as ta hedhin poshtë vërtetësinë e Librit të Mormonit”29.

Mbajtësit e analit të Librit të Mormonit ishin kryesisht të interesuar që të përçonin të vërtetat fetare dhe të ruanin trashëgiminë shpirtërore të popullit të tyre. Ata u lutën që, pavarësisht nga shkatërrimi i profetizuar i shumicës së njerëzve të tyre, anali i tyre do të ruhej dhe një ditë do të ndihmonte në rivendosjen e njohurisë për plotësinë e ungjillitJezu Krishtit. Premtimi i tyre për të gjithë ata që e studiojnë librin “me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke pasur besim në Krisht”, është se Perëndia “do t’ju tregojë të vërtetën, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë”30. Për individë të panumërt që e kanë vënë në zbatim këtë provë për vërtetësinë e librit, Libri i Mormonit qëndron si një vëllim i shkrimeve të shenjta me fuqinë për t’i sjellë ata më afër Jezu Krishtit.

Kisha është mirënjohëse për kontributin e studiuesve në përmbajtjen shkencore të paraqitur në këtë artikull; vepra e tyre përdoret me leje.

Botuar fillimisht në janar 2014. Përditësuar në prill 2017.

Tema të Ngjashme

Mesazhe nga Udhëheqësit e Kishës

Materiale Filmike

“Teachings of Joseph Smith: The Book of Mormon” [“Mësime të Jozef Smithit: Libri i Mormonit”]

Burime për të Mësuarit

Burime të Përgjithshme

When Lehi’s Party Arrived in the Land, Did They Find Others There?Journal of Book of Mormon Studies

DNA and the Book of Mormon: A Phylogenetic Perspective”, Journal of Book of Mormon Studies

The Book of Mormon and the Origin of Native Americans from a Maternally Inherited DNA Standpoint”, Qendra e Studimeve Fetare të UBJ‑së

Mësimet e Presidentëve të Kishës

  1. Shih te parathënia për Librin e Mormonit.

  2. Ky artikull përdor termat amerikan vendas dhe indian i Amerikës, për t’iu referuar të gjithë popujve indigjenë si të Amerikës Veriore ashtu edhe të Amerikës Jugore. Për më shumë mbi lidhjet e studimeve të ADN‑së dhe Librit të Mormonit, përgjithësisht shihni Ugo A. Perego, “Is Decrypting the Genetic Legacy of America’s Indigenous Populations Key to the Historicity of the Book of Mormon?” Interpreter: A Journal of Mormon Scripture 12 (2014): f. 237–279; Michael F. Whiting, “DNA and the Book of Mormon: A Phylogenetic Perspective”, Journal of Book of Mormon Studies 12, nr. 1 (2003): f. 24–35; Daniel C. Peterson, red., The Book of Mormon and DNA Research (Provo, UT: Neal A. Maxwell Institute, 2008).

  3. Antonio Torroni dhe të tjerë, “Asian Affinities and Continental Radiation of the Four Founding Native American mtDNAs”, American Journal of Human Genetics 53 (1993), f. 563–590; Alessandro Achilli dhe të tjerë, “The Phylogeny of the Four Pan-American MtDNA Haplogroups: Implications for Evolutionary and Disease Studies”, PloS ONE 3, nr. 3 (mars 2008), e1764.

  4. Ugo A. Perego dhe të tjerë, “Distinctive Paleo-Indian Migration Routes from Beringia Marked by Two Rare mtDNA Haplogroups”, Current Biology 19 (2009), f. 1–8.

  5. Martin Bodner dhe të tjerë, “Rapid Coastal Spread of First Americans: Novel Insights from South America’s Southern Cone Mitochondrial Genomes”, Genome Research 22 (2012), f. 811–820.

  6. John L. Sorenson, “When Lehi’s Party Arrived in the Land, Did They Find Others There?” Journal of Book of Mormon Studies 1, nr. 1 (Vjeshtë 1992), f. 1–34. Këto argumente u përmblodhën së fundmi në John L. Sorenson, Mormon’s Codex: An Ancient American Book (Provo, UT: Neal A. Maxwell Institute, 2013). Sorensoni sugjeron se treguesit në tekstin e librit e bëjnë “të pashmangshëm faktin se kishte popullata të konsiderueshme në ‘tokën e premtuar’ gjatë gjithë periudhës së analit të nefitëve dhe ndoshta edhe në epokën e jareditëve” (“When Lehi’s Party Arrived”, f. 34). Megjithëse ekzistojnë disa hipoteza të besueshme në lidhje me vendndodhjet gjeografike të ngjarjeve të Librit të Mormonit, Kisha nuk merr asnjë pozicion zyrtar, përveçse që ngjarjet ndodhën në kontinentin amerikan. Shih Manual i Librit të Mormonit për Mësuesin e Seminarit (2012): f. 204.

  7. Anthony W. Ivins, në Conference Report, prill 1929, f. 15.

  8. “Facts Are Stubborn Things”, Times and Seasons 3 (15 shtator 1842), f. 922. Nuk dihet autori i këtij artikulli, por ai u botua nën redaktimin e Jozef Smithit. Shih edhe Hugh Nibley, Lehi in the Desert, The World of the Jaredites, There Were Jaredites (Salt Lake City and Provo, UT: Deseret Book and Foundation for Ancient Research and Mormon Studies, 1988), f. 250.

  9. Për një shqyrtim të deklaratave mbi këtë temë, shih Matthew Roper, “Nephi’s Neighbors: Book of Mormon Peoples and Pre-Columbian Populations”, FARMS Review 15, nr. 2 (2003), f. 91–128.

  10. Introduction to the Book of Mormon, bot. i red. (New York: Doubleday, 2006). Parathënia, e cila nuk është pjesë e tekstit të Librit të Mormonit, më përpara shpallte se lamanitët ishin “paraardhësit kryesorë të indianëve të Amerikës”. Edhe kjo deklaratë, e botuar fillimisht në vitin 1981, të lë të kuptosh për praninë e njerëzve të tjerë. (Introduction to the Book of Mormon, 1981 red.) Në fillim në Librin e Mormonit, emri lamanitë iu referohet pasardhësve të Lamanit dhe Lemuelit (shih 2 Nefi 5:14 dhe Jakobi [LiM] 1:13). Qindra vjet më vonë, ai përcaktonte të gjithë ata që kishin përkatësi të ndryshme politike ose fetare nga mbajtësit e fletëve të Librit të Mormonit (shih Helamani 11:24 dhe 4 Nefi 1:20).

  11. John L. Sorenson, “When Lehi’s Party Arrived”, f. 5–12.

  12. Peter A. Underhill dhe Toomas Kivisild, “Use of Y Chromosome and Mitochondrial DNA Population Structure in Tracing Human Migrations”, Annual Review of Genetics 41 (2007): f. 539–564.

  13. Emrat e haplogrupeve ndjekin një sistem emërtimi të standardizuar me ndërkëmbim shkronjash të alfabetit dhe numrash. Shih International Society of Genetic Genealogy, “Y-DNA Haplogroup Tree 2014”; dhe Mannis van Oven dhe Manfred Kayser M., “Updated Comprehensive Phylogenetic Tree of Global Human Mitochondrial DNA Variation”, Human Mutation 30 (2009), E386–E394.

    Për pak do të keni të drejtë hyrjeje te http://www.isogg.org/tree dhe http://www.phylotree.org.

    Ju tani po largoheni nga një faqe interneti që mirëmbahet nga Kisha e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ne e ofrojmë hallkën lidhëse të kësaj faqeje interneti të një pale të tretë vetëm për volinë tuaj. Faqja e lidhur e internetit ka kushtet e përdorimit, rregulloren e fshehtësisë dhe praktikat e saj të sigurisë që ndryshojnë nga ato në faqen tonë të internetit. Duke ju drejtuar ose duke ju lidhur me këtë faqe interneti, ne nuk vërtetojmë ose garantojmë përmbajtjen, produktet ose shërbimet e ofruara.

  14. Vincenza Battaglia dhe të tjerë, “The First Peopling of South America: New Evidence from Y-Chromosome Haplogroup Q”, PLoS ONE 8, nr. 8 (gusht 2013), e71390.

  15. Ugo A. Perego dhe të tjerë, “The Initial Peopling of the Americas: A Growing Number of Founding Mitochondrial Genomes from Beringia”, Genome Research 20 (2010): f. 1174–1179; Jennifer Anne Raff dhe Deborah A. Bolnick, “Does Mitochondrial Haplogroup X Indicate Ancient Trans-Atlantic Migration to the Americas? A Critical Re-Evaluation”, PaleoAmerica 4, nr. 1 (2015): f. 297–303.

  16. Shih Rasmus Nielsen dhe të tjerë, “Tracing the People of the World through Genomics”, Nature 541 (2017): f. 302–310.

  17. Maanasa Raghavan dhe të tjerë, “Upper Palaeolithic Siberian Genome Reveals Dual Ancestry of Native Americans”, Nature, 505 (2014): f 87–91.

  18. Stephen L. Zegura dhe të tjerë, “High-Resolution SNPs and Microsatellite Haplotypes Point to a Single, Recent Entry of Native American Y Chromosomes into the Americas”, Molecular Biology and Evolution 21, nr. 1 (2004): f. 164–175.

  19. Kjo “orë” bazohet në shkallën e vërejtur në të cilën ndodhin mutacione rastësore në ADN me kalimin e kohës. Për një shembull të një ore molekulare të propozuar të ADN-së mitokondriale, shih Pedro Soares dhe të tjerë, “Correcting for Purifying Selection: An Improved Human Mitochondrial Molecular Clock”, American Journal of Human Genetics 84, nr. 6 (2009): f. 740–759.

  20. Alessandro Achilli dhe të tjerë, “Reconciling Migration Models to the Americas with the Variation of North American Native Mitogenomes”, Proceedings of the National Academy of Sciences 110, nr. 35 (2013): f. 14308–14313.

  21. Morten Rasmussen dhe të tjerë, “Ancient Human Genome Sequence of an Extinct Palaeo-Eskimo”, Nature, 11 shkurt 2010, f. 757–762. Kjo shpërngulje hipotetike do të ndahej prej përafërsisht 200 brezash nga shpërnguljet e hershme për në kontinentin amerikan.

  22. Cituar në Cassandra Brooks, “First Ancient Human Sequenced”, Scientist, 10 shkurt 2010, www.thescientist.com/blog/display/57140. Michael H. Crawford, antropolog molekular në Universitetin e Kansasit, vërejti në mënyrë të ngjashme se “provat nuk e përjashtojnë mundësinë e disa kontakteve kulturore në shkallë të vogël midis shoqërive të veçanta amerikano‑indiane dhe lundërtarëve aziatikë ose oqeanikë” (Michael H. Crawford, The Origins of Native Americans: Evidence from Anthropological Genetics [Cambridge: Cambridge University Press, 1998], f. 4).

  23. Ugo A. Perego, “Origin of Native Americans”, f. 186–187.

  24. Popullsitë vendase u pakësuan me rreth 95 përqind. Shih David S. Jones, “Virgin Soils Revisited”, William and Mary Quarterly 60, nr. 4 (tetor 2003), f. 703–742.

  25. Michael H. Crawford, Origins of Native Americans, f. 49–51, 239–241, 260–261.

  26. Agnar Helgason dhe të tjerë, “A Populationwide Coalescent Analysis of Icelandic Matrilineal and Patrilineal Genealogies: Evidence for a Faster Evolutionary Rate of mtDNA Lineages than Y Chromosomes”, American Journal of Human Genetics 72 (2003): f. 1370–1388.

  27. Beth Alison Schultz Shook dhe David Glenn Smith, “Using Ancient MtDNA to Reconstruct the Population History of Northeastern North America”, American Journal of Physical Anthropology 137 (2008): f. 14.

  28. Shih “How Many Genetic Ancestors Do I Have?” Co-op Lab, Population and Evolutionary Genetics, UC Davis.

    Për pak do të keni të drejtë hyrjeje te http://gcbias.org.

    Ju tani po largoheni nga një faqe interneti që mirëmbahet nga Kisha e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ne e ofrojmë hallkën lidhëse të kësaj faqeje interneti të një pale të tretë vetëm për volinë tuaj. Faqja e lidhur e internetit ka kushtet e përdorimit, rregulloren e fshehtësisë dhe praktikat e saj të sigurisë që ndryshojnë nga ato në faqen tonë të internetit. Duke ju drejtuar ose duke ju lidhur me këtë faqe interneti, ne nuk vërtetojmë ose garantojmë përmbajtjen, produktet ose shërbimet e ofruara.

  29. Dallin H. Oaks, “The Historicity of the Book of Mormon”, në Paul Y. Hoskisson, red., Historicity and the Latter-day Saint Scriptures (Provo, Jutë: Qendra e Studimeve Fetare të Universitetit “Brigam Jang”, 2001), f. 239.

  30. Moroni 10:4.