Historia e Kishës
Rrëfimet për Vegimin e Parë


Rrëfimet për Vegimin e Parë

Jozef Smithi mbajti shënim se Perëndia, Ati, dhe Jezu Krishti iu shfaqën atij në një korije pemësh pranë shtëpisë së prindërve të tij në pjesën perëndimore të Shtetit të Nju-Jorkut kur ishte rreth 14 vjeç. I shqetësuar për mëkatet e veta dhe i pasigurt se cilin shteg shpirtëror të ndiqte, Jozefi kërkoi udhërrëfim duke marrë pjesë nëpër mbledhje, duke i lexuar shkrimet e shenjta dhe duke u lutur. Si përgjigje, ai mori një shfaqje hyjnore. Jozefi e tregoi dhe e dokumentoi në shumë raste Vegimin e Parë, sikurse u bë i njohur më vonë; ai shkroi ose caktoi shkrues që të shkruanin katër rrëfime të ndryshme për vegimin.

Jozef Smithi botoi dy rrëfime të Vegimit të Parë gjatë gjithë jetës së tij. I pari prej tyre, i njohur sot si Joseph Smith – Historia, u kanonizua te Perla me Vlerë të Madhe dhe si rrjedhim u bë rrëfimi më i mirënjohur. Dy rrëfimet e pabotuara, të mbajtura shënim në autobiografinë e hershme të Jozef Smithit dhe në një ditar të mëvonshëm, përgjithësisht u harruan derisa historianët që punonin për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, i zbuluan rishtas dhe i botuan në vitet 1960. Që nga ajo kohë, është diskutuar vazhdimisht për këto dokumente në revistat e Kishës, në veprat që botohen nga gazeta në pronësi të Kishës dhe të lidhura me Kishën, dhe nga studiues shenjtorë të ditëve të mëvonshme në vende të tjera.1 Përveç rrëfimeve të drejtpërdrejta, ka gjithashtu edhe pesë përshkrime për vegimin e Jozef Smithit të mbajtura shënim nga bashkëkohësit e tij.2

Rrëfimet e ndryshme për Vegimin e Parë tregojnë të njëjtën histori, edhe pse natyrisht ato ndryshojnë në theksime dhe hollësi. Historianët presin që, kur një individ e ritregon një përvojë në mjedise të shumta për dëgjues të ndryshëm përgjatë shumë viteve, secili rrëfim do të theksojë aspekte të ndryshme të përvojës dhe do të përmbajë hollësi të veçanta. Njëmend, ekzistojnë ndryshime të ngjashme me ato të rrëfimeve për Vegimin e Parë në rrëfimet e shumta të shkrimeve të shenjta për vegimin e Palit në rrugën për në Damask dhe për përvojën e Apostujve në Malin e Shpërfytyrimit.3 Prapëseprapë, pavarësisht nga ndryshimet, një qëndrueshmëri bazë mbetet në të gjitha rrëfimet për Vegimin e Parë. Disa njerëz, në mënyrë të gabuar, kanë dhënë argumentin se çdo ndryshim në ritregimin e historisë është provë për trillim. Përkundrazi, anali i pasur historik na krijon mundësinë që të mësojmë më shumë rreth kësaj ngjarjeje mbresëlënëse nga sa do të mundeshim nëse ajo nuk do të ishte e dokumentuar aq mirë.

Rrëfimet për Vegimin e Parë

Çdo rrëfim për Vegimin e Parë nga Jozef Smithi dhe bashkëkohësit e tij, ka historinë dhe kontekstin e tij që ndikuan në mënyrën se si u ritregua, u kumtua dhe u mbajt shënim ngjarja. Këto rrëfime diskutohen më poshtë.

Rrëfimi i vitit 1832. Rrëfimi më i hershëm, i njohur për Vegimin e Parë, i vetmi rrëfim i shkruar nga vetë dora e Jozef Smithit, gjendet në një autobiografi të shkurtër e të pabotuar që Jozef Smithi e dha në gjashtëmujorin e dytë të vitit 1832. Në rrëfim, Jozef Smithi përshkroi ndërgjegjësimin për vetë mëkatet e tij dhe zhgënjimin e tij që nuk ishte në gjendje të gjente një kishë që të përputhej me kishën për të cilën kishte lexuar në Dhiatën e Re dhe që do ta çonte atë drejt shëlbimit. Ai e theksoi Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe shëlbimin vetjak që ajo ofronte. Ai shkroi se “Zoti” iu shfaq atij dhe e fali për mëkatet. Si pasojë e vegimit, Jozefi përjetoi gëzim dhe dashuri, megjithatë, siç vërejti, ai nuk mund të gjente një njeri që ta besonte rrëfimin e tij. Lexojeni rrëfimin e vitit 1832 këtu.

Rrëfimi i vitit 1835. Në vjeshtën e 1835-ës, Jozef Smithi ia rrëfeu Vegimin e tij të Parë Robert Methjusit, një vizitori në Kirtland të Ohajos. Ritregimi, i mbajtur shënim në ditarin e Jozefit nga shkruesi i tij Uoren Perishi, e thekson përpjekjen e tij për të zbuluar se cila kishë ishte e drejtë, kundërshtimin që ai ndjeu teksa u lut, dhe shfaqjen e një personazhi hyjnor që u pasua menjëherë nga një tjetër personazh. Ky rrëfim gjithashtu vëren shfaqjen në vegim të engjëjve. Lexojeni rrëfimin e vitit 1835 këtu.

Rrëfimi i vitit 1838. Tregimi më i mirënjohur nga shenjtorët e ditëve të mëvonshme sot për Vegimin e Parë është rrëfimi i vitit 1838. I botuar fillimisht në vitin 1842 në Times and Seasons, gazeta e Kishës në Navu, Ilinois, rrëfimi ishte pjesë e një historie më të gjatë, të diktuar nga Jozef Smithi në mes të periudhave të kundërshtimit të fortë. Ndonëse rrëfimi i vitit 1832 thekson historinë më vetjake të Jozef Smithit si një i ri që kërkonte falje, rrëfimi i vitit 1838 përqendrohet te vegimi si fillimi i “ngritjes dhe i përparimit të Kishës”. Ashtu si te rrëfimi i vitit 1835, pyetja qendrore e tregimit është se cila kishë është e drejtë. Lexojeni rrëfimin e vitit 1838 këtu.

Rrëfimi i vitit 1842. I shkruar si përgjigje ndaj kërkesës së redaktorit të gazetës Chicago Democrat, Xhon Uentuorthit, për informacion rreth shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, ky rrëfim u shtyp në gazetën Times and Seasons në vitin 1842. (“Wentworth letter” [“Letra për Uentuorthin”], siç njihet përgjithësisht, është edhe burimi për Nenet Besimit.)4 Rrëfimi, i synuar për botim për një publik të panjohur me bindjet e mormonëve, është i përmbledhur dhe i drejtpërdrejtë. Ashtu si me rrëfimet e hershme, Jozef Smithi tregoi pështjellimin që përjetoi, dhe shfaqjen e dy personazheve si përgjigje ndaj lutjes së tij. Vitin pasues, Jozef Smithi ia dërgoi këtë rrëfim me ndryshime të vogla një historiani të quajtur Izrael Daniel Rupi, i cili e botoi atë si një kapitull në librin e tij, He Pasa Ekklesia [The Whole Church]: An Original History of the Religious Denominations at Present Existing in the United States [E Gjithë Kisha: Një Histori Origjinale e Bashkësive Fetare Ekzistuese Tani në Shtetet e Bashkuara].5 Lexojeni rrëfimin e vitit 1842 këtu.

Rrëfimet nga Dëgjuesit e Drejtpërdrejtë të Jozef Smithit. Përveç këtyre rrëfimeve nga vetë Jozef Smithi, u shkruan pesë rrëfime nga bashkëkohësit që e dëgjuan Jozef Smithin të fliste për vegimin. Lexojini këto rrëfime këtu.

Argumentet Lidhur me Rrëfimet për Vegimin e Parë të Jozef Smithit

Moria dhe numri i rrëfimeve për Vegimin e Parë i kanë shtyrë disa kritikë të vënë në dyshim nëse përshkrimet e Jozef Smithit përkojnë me realitetin e përvojës së tij. Dy argumente jepen shpesh kundër besueshmërisë së tij: i pari vë në dyshim kujtesën e ngjarjeve nga Jozef Smithi; i dyti vë në dyshim faktin nëse i zbukuroi ai elementet e historisë me kalimin e kohës.

Kujtesa. Një argument lidhur me rrëfimet e Vegimit të Parë të Jozef Smithit pohon se faktet historike nuk e mbështetin përshkrimin e Jozef Smithit për gjallërimin fetar në Palmira, Nju-Jork, dhe rrethinat e saj në vitin 1820. Disa argumentojnë se kjo e nënvlerëson si pretendimin e Jozefit për zellin e pazakontë fetar, ashtu edhe vetë rrëfimin për vegimin.

Faktet e dokumentuara, megjithatë, i mbështetin deklaratat e Jozef Smithit lidhur me gjallërimet fetare. Krahina në të cilën jetoi ai, u bë e njohur për zellin e saj fetar dhe ishte në mënyrë të padyshimtë një nga vatrat e nxehta të gjallërimeve fetare. Historianët e quajnë krahinën “distrikti i shteruar” pasi predikuesit e konsumuan tokën duke zhvilluar kampe për gjallërime fetare dhe duke kërkuar njerëz që t’i kthenin në besim në fillimet e viteve 1800.6 Në qershor të 1818-ës, për shembull, në Palmira u bë një mbledhje e kampit metodist dhe verën në vijim, metodistët u mblodhën sërish në Vienë (sot Felpsi), Nju-Jork, 24 km larg nga ferma e familjes Smith. Ditarët e një predikuesi udhëtues metodist dokumentojnë një gjallërim fetar të shumtë në zonën gjeografike të Jozefit në vitet 1819 dhe 1820. Ata raportojnë se kleriku Xhorxh Leini, një shërbestar metodist gjallërues, ishte në atë krahinë në të dyja vitet, duke folur “për metodën e Perëndisë për të sjellë Reformime”7. Ky fakt historik është në përputhje me përshkrimin e Jozefit. Ai tha se gjallërimi i pazakontë fetar në distriktin ose krahinën e tij “filloi me metodistët”. Në të vërtetë, Jozefi shpalli se ai “u drejtua disi” te sekti metodist.8

Zbukurimi. Argumenti i dytë, i bërë shpesh lidhur me rrëfimet për Vegimin e Parë të Jozef Smithit, është se ai e zbukuroi historinë e tij me kalimin e kohës. Ky argument përqendrohet në dy detaje: numrin dhe identitetin e qenieve hyjnore që Jozef Smithi shpalli se pa. Rrëfimet për Vegimin e Parë të Jozefit i përshkruajnë qeniet hyjnore me hollësi më të mëdha me kalimin e kohës. Rrëfimi i vitit 1832 thotë: “Zoti hapi qiejt për mua dhe unë pashë Zotin”. Rrëfimi i tij i vitit 1838 shpall: “Unë pashë dy Personazhe”, njëri prej të cilëve e paraqiti tjetrin si “Biri Im i Dashur”. Për pasojë, kritikët kanë argumentuar se Jozef Smithi e nisi raportimin se kishte parë një qenie – “Zotin” – dhe e mbylli duke pretenduar se kishte parë si Atin edhe Birin.9

Ka mënyra të tjera, më konsekuente për t’i parë faktet. Në fillim duhet të njihet një harmoni themelore në tregim gjithë kohën: tre nga katër rrëfime shpallin qartë se dy personazhe iu shfaqën Jozef Smithit në Vegimin e Parë. Përjashtim përbën rrëfimi i vitit 1832 prej Jozef Smithit, i cili mund të interpretohet se i drejtohet një ose dy personazheve. Nëse interpretohet se i drejtohet një qenieje hyjnore, ai me gjasë do të jetë personazhi që i fali mëkatet e tij. Sipas rrëfimeve më të fundit, personazhi i parë hyjnor i tha Jozef Smithit që të “[d]ëgjo[nte]” të dytin, Jezu Krishtin, i cili më pas dha mesazhin kryesor, që përfshinte mesazhin e faljes.10 Atëherë, rrëfimi i vitit 1832 prej Jozef Smithit, mund të jetë përqendruar te Jezu Krishti, bartësi i faljes.

Një mënyrë tjetër si të interpretohet rrëfimi i vitit 1832, është që Jozef Smithi iu drejtua dy qenieve, të cilat që të dyja i quajti “Zot”. Argumenti për zbukurimin varet në supozimin se rrëfimi i vitit 1832 përshkruan shfaqjen e vetëm njërës qenieje hyjnore. Por rrëfimi i vitit 1832 nuk thotë se u shfaq vetëm një qenie. Vëreni se dy referencat për “Zotin” janë të ndara në kohë: e para “Zoti” hap qiejt; më pas Jozef Smithi sheh “Zotin”. Interpretimi i këtij rrëfimi përputhet me rrëfimin e vitit 1835 prej Jozefit, që në fillim shfaqet një personazh, që pasohet nga një tjetër menjëherë pas kësaj. Rrëfimi i vitit 1832, pra, në mënyrë të arsyeshme mund të interpretohet se do të thotë që Jozef Smithi pa një qenie që pastaj zbuloi një tjetër dhe që ai iu drejtua të dyve si “Zoti”: “Zoti hapi qiejt për mua dhe unë pashë Zotin”11.

Përshkrimet gjithnjë e më specifike të Jozefit në këtë mënyrë mund të interpretohen bindshëm si fakte për zgjerimin e pikëpamjeve, të mbledhura me kalimin e kohës, të bazuara në përvojë. Pjesërisht, ndryshimet midis rrëfimit të vitit 1832 dhe rrëfimeve të mëvonshme mund të kenë të bëjnë disi me ndryshimet midis fjalës së shkruar dhe fjalës së thënë. Rrëfimi i vitit 1832 paraqet herën e parë kur Jozef Smithi u orvat ta hidhte në letër historinë e tij. Po atë vit, ai i shkroi një miku se ndihej i burgosur nga “stilografi dhe boja dhe nga një gjuhë e shformuar, e shkatërruar, e prishur dhe e papërsosur”. Ai e quajti fjalën e shkruar një “burg paksa i ngushtë”12. Shtrirja e rrëfimeve më të vonshme kuptohet më lehtë dhe madje është e pritshme kur ne e kuptojmë se ato me gjasë ishin rrëfime të diktuara – një mjet i lehtë e i rehatshëm për Jozef Smithin dhe një mjet që i lejoi fjalët të rridhnin më lirshëm.

Përfundimi

Jozef Smithi dëshmoi vazhdimisht se ai përjetoi një vegim të paharrueshëm të Perëndisë, Atit, dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit. As e vërteta për Vegimin e Parë, as argumentet kundër tij, nuk mund të vërtetohen vetëm nga kërkimet historike. Njohuria për të vërtetën e dëshmisë së Jozef Smithit kërkon që secili kërkues i zellshëm për të vërtetën, ta studiojë analin dhe më pas të ushtrojë besim të mjaftueshëm në Krisht sa t’i kërkojë Perëndisë në lutje të sinqertë dhe të përulur a është i vërtetë anali. Nëse kërkuesi kërkon me qëllim të vërtetë për të vepruar sipas përgjigjes që do t’i zbulohet nga Fryma e Shenjtë, e vërteta për vegimin e Jozef Smithit do të shpërfaqet. Në këtë mënyrë, çdo person mund ta dijë se Jozef Smithi foli me sinqeritet kur shpalli: “Unë kisha parë një vegim; unë e dija atë dhe e dija se Perëndia e dinte atë dhe nuk mund ta mohoja”13.

  1. Shih, për shembull, James B. Allen, “Eight Contemporary Accounts of the First Vision—What Do We Learn from Them?” Improvement Era, 73, (1970): f. 4–13; Richard L. Anderson, “Joseph Smith’s Testimony of the First Vision”, Ensign, prill 1996, f. 10–21; Milton V. Backman, Joseph Smith’s First Vision: The First Vision in Its Historical Context (Salt Lake City: Bookcraft, 1971; bot. i 2-të, 1980); Steven C. Harper, Joseph Smith’s First Vision: A Guide to the Historical Accounts (Salt Lake City: Deseret Book, 2012).

  2. Të gjitha këto rrëfime u riparaqitën në Dean C. Jessee, “The Earliest Documented Accounts of Joseph Smith’s First Vision”, në John W. Welch, red., me Erick B. Carlson, Opening the Heavens: Accounts of Divine Manifestations, 1820–1844 (Provo and Salt Lake City: Brigham Young University Press and Deseret Book, 2005), f. 1–33.

  3. Veprat e Apostujve 9:3–9; 22:6–21; 26:12–18; Mateu 17:1–13; Marku 9:2–13; Lluka 9:28–36.

  4. Letra e plotë mund të gjendet në Joseph Smith, “Church History”, Times and Seasons 3 (1 mars 1842): f. 706–710.

  5. Joseph Smith, “Latter Day Saints”, në I. Daniel Rupp, He Pasa Ekklesia: An Original History of the Religious Denominations at Present Existing in the United States (Philadelphia: J. Y. Humphreys, 1844), f. 404–410.

  6. Whitney R. Cross, The Burned-Over District: The Social and Intellectual History of Enthusiastic Religion in Western New York, 1800–1850 (Ithaca, N.Y.: Cornell University Press, 1950); Paul E. Johnson, A Shopkeeper’s Millennium: Society and Revivals in Rochester, New York, 1815–1837 (New York: Hill and Wang, 1983); Nathan O. Hatch, The Democratization of American Christianity (New Haven: Yale University Press, 1989).

  7. Ditari i Benajah Williams-it, 15 korrik 1820, kopje në Bibliotekën e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti; drejtshkrimi i rregulluar.

  8. Rrëfimi i vitit 1838 (Joseph Smith – Historia 1:5, 8).

  9. Rrëfimi i vitit 1832 (Joseph Smith History, rreth verës së vitit 1832, f. 3, në Joseph Smith, “Letter Book A”, Joseph Smith Collection, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti); rrëfimi i vitit 1838 (Joseph Smith – Historia 1:17).

  10. Rrëfimi i vitit 1838 (Joseph Smith – Historia 1:17); rrëfimi i vitit 1835 (Joseph Smith, “Sketch Book of the use of Joseph Smith, jr.”, Ditar, 9–11 nëntor 1835, Përmbledhje e Jozef Smithit, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti.

  11. Rrëfimi i vitit 1832 (Joseph Smith History, rreth verës së vitit 1832, f. 3, në Joseph Smith, “Letter Book A”, Joseph Smith Collection, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti).

  12. Joseph Smith to William W. Phelps, 27 nëntor 1832, Joseph Smith Collection, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti, në dispozicion në www.josephsmithpapers.org.

  13. Rrëfimi i vitit 1838 (Joseph Smith – Historia 1:25).