2007
Të Ngadaltë në Zemërim
Nëntor 2007


Të Ngadaltë në Zemërim

Zoti ju bekoftë dhe ju frymëzoftë për të ecur pa zemërim.

Pamja

Vëllezërit e mi të dashur, kudo që ndodheni, këtu në Qendrën e Konferencës ose në një sallë të Kishës tutje përtej detrave. Sa gjë e mrekullueshme është që ne mund të flasim në këtë Qendër Konferencash dhe që ju mund të dëgjoni atë çfarë themi në një vend aq të largët sa Kejp-Taun, në Afrikën e Jugut.

Sonte kam zgjedhur të flas mbi temën e zemërimit. E kuptoj se kjo është pak e pazakontë, por mendoj se është me vend.

Një fjalë e urtë në Dhjatën e Vjetër thotë: “Kush nuk zemërohet shpejt vlen më tepër se një luftëtar i fortë, dhe ai që e urdhëron frymën e tij vlen më tepër se ai që mposht një qytet” (Fjalët e Urta 16:32).

Ne futemi në telashe atëherë kur inatosemi. Nxehja kundrejt shoferëve të tjerë nëpër rrugët tona është një shprehje e urryer e zemërimit. Guxoj të them se shumica e të burgosurve janë aty për shkak se ata bënë diçka kur ishin të inatosur. Në tërbimin e tyre ata shanë, humbën kontrollin e vetvetes dhe gjëra të tmerrshme pasuan, madje vrasje. Pati momente ofendimi të ndjekura nga vite keqardhjeje.

Kjo histori rrëfehet mbi Çarls W. Penroze. Ai ishte një i kthyer në besim në Kishë dhe shërbeu si një misionar në Angli për rreth 11 vjet. Kur ai u lirua nga thirrja, shiti disa nga zotërimet e tij për të paguar për udhëtimin e tij drejt Sionit. Disa nga shenjtorët të cilët e panë, thanë se ai po merrte nga prona e Kishës.

Kjo gjë e inatosi atë aq shumë, saqë ai u ngjit lart në banesën e tij, u ul dhe shkroi këto vargje, të cilat janë të njohura për ju. (Shih Karen Lynn Davidson, Our Latter-day Hymns: The Stories and the Messages [1988], fq. 323.)

Disiplino ndjenjat, O vëllai im;

Stërvite të nxehtin e të rrëmbyerin shpirtin tënd.

Mos i shtyp ndjenjat e tua,

Por lejo urtësinë të të udhëheqë.

Disiplino ndjenjat, gjendet fuqi

Në mendjen e qetë dhe të përmbajtur.

Pasioni rrëzon kalanë e arsyes,

E verbon shikimin e qartë… .

Disiplino ndjenjat; mallkimin

mos e jep për mik apo armik,

Megjithëse batica e akuzave

si një përmbytje vërtetësie mund të vërshojë.

Dëgjo ç’thonë para se të vendosësh,

Dhe një rreze drite mund të ndritë,

Duke të treguar se ç’ndyrësi fshihet

Nën atë rrëke të cekët.

Disiplino ndjenjat, o vëllai im;

Stërvite të nxehtin e të rrëmbyerin shpirtin tënd.

Mos i mbyt emocioniet,

Por lejo urtësinë të të udhëheqë.

(“School Thy Feelings”, Hymns, nr. 336.)

Shumë vite më parë punoja për një nga hekurudhat tona. Një ndërrues binarësh një ditë po ecte pa ndonjë punë nëpër platformë. I kërkova atij ta lëvizte një vagon në një binar tjetër. Ai shpërtheu. E hodhi kasketën në dysheme dhe u hodh sa lart e poshtë, duke sharë si një marinar i pirë. Qëndrova aty dhe qesha me sjelljen e tij fëminore. Duke e vënë re të qeshurën time, ai filloi të qeshte me marrëzinë e tij. Ai më pas qetësisht hipi në lokomotivë, e çoi tek vagoni bosh dhe e lëvizi në një binar të lirë.

Mendova për një varg tek Predikuesi: “Mos u nxito në frymën tënd të zemërohesh, sepse zemërimi gjen strehë në gji të budallenjve” (Predikuesi 7:9).

Zemërimi është nëna e një morie veprash të liga.

Grisa nga gazeta e mëngjesit një histori që filloi me këtë thënie:

“Më shumë se gjysma e amerikanëve që mund të kishin festuar përvjetorin e tyre të 25-të të martesës që nga viti 2000, janë divorcuar, ndarë ose janë lënë të ve përpara se ta arrinin atë moment të rëndësishëm” (Sam Roberts, “Most U.S. Marriages Don’t Get to Silver”, Deseret Morning News, 20 shtator 2007, fq. A1).

Vejëria natyrisht nuk është në kontroll të palëve, por divorci dhe ndarja po.

Divorci mjaft shpesh është fruti i hidhur i zemërimit. Një burrë dhe një grua bien në dashuri, siç thonë; secili është i mrekullueshëm për tjetrin; ata nuk ndiejnë dashuri romantike për askënd tjetër; mezi ia dalin të blejnë jë unazë diamanti; dhe ata martohen. Gjithçka është lumturi — për njëfarë kohe. Pastaj aktivitete të vogla të parëndësishme çojnë drejt kriticizmit. Gabimet e vogla zmadhohen në faje të mëdha; ata përçahen; ndahen dhe më pas me mllef dhe zemërim ata divorcohen.

Është cikli që përsëritet përsëri e përsëri me mijëra raste. Është tragjike dhe siç kam thënë, në shumicën e rasteve është fruti i hidhur i zemërimit.

Mendoj për martesën time. Shoqja ime e përjetshme ndërroi jetë një vjet e gjysmë më parë. Por ne jetuam së bashku për 67 vjet. Nuk më kujtohet të kem patur ndonjëherë një grindje me të. Ajo udhëtoi me mua dhe foli në çdo kontinent, duke u lutur për ushtrimin e vetpërmbajtjes, mirësisë dhe dashurisë.

Një botim i një libri të vogël që më erdhi disa vite më parë, përmbante sa më poshtë:

“Një herë një njeri i cili ishte përgojuar nga një gazetë erdhi tek Eduard Everet për ta pyetur se çfarë duhet të bënte rreth kësaj. Evereti tha: ‘Mos bëj asgjë! Gjysma e njerëzve që e blenë gazetën nuk e kanë parë asnjëherë artikullin. Gjysma e atyre që e kanë parë, nuk e kanë lexuar. Gjysma e atyre që e lexuan, nuk e kuptuan. Gjysma e atyre që e kuptuan, nuk e besuan. Gjysma e atyre që e besuan, sidoqoftë, nuk kanë ndonjë rëndësi’” (“Sunny Side of the Street”, nëntor 1989; shih edhe Zig Ziglar, Staying Up, Up, Up in a Down, Down World [2000], fq. 174).

Shumë nga ne bëjnë një zhurmë të madhe për çështje me pasoja të vogla. Ne ofendohemi shumë shpejt. I lumtur është njeriu i cili mund t’i lërë mënjanë fjalët ofenduese të dikujt dhe të vazhdojë udhën e tij.

Mëritë, nëse lihen të acarohen, mund të kthehen në sëmundje serioze. Si një sëmundje e dhimbshme ato mund të përvetësojnë të gjithë kohën dhe vëmendjen tonë. Gi dë Mopasan ka shkruar një kronikë interesante që e ilustron këtë gjë.

Bën fjalë për zotin Hoshkom i cili shkoi në qytet ditën e pazarit. Ai ishte i munduar me reumatizëm dhe ndërsa mezi ecte përgjatë rrugës, sytë i zunë një copë spango në tokë para tij. E mori dhe e futi me kujdes në xhepin e tij. Atë e vuri re armiku i tij, samarxhiu i fshatit.

Në të njëjtën kohë iu raportua kryeplakut se dikush kishte humbur një kuletë xhepi me para brenda. Supozuan se ajo që Hoshkomi kishte marrë nga toka ishte kuleta dhe atë e akuzuan që e kishte marrë kuletën. Ai me furi e mohoi akuzën. Një kontroll në rrobat e tij zbuloi vetëm copën e spangos, por akuzat ndaj tij e kishin shqetësuar atë aq shumë, saqë ia pushtuan shpirtin. Kudo që shkonte ai i shqetësonte njerëzit duke i treguar ç’i kishte ndodhur. Ai u bë aq i bezdisur, saqë njerëzit filluan të ankoheshin për të. Ajo gjë e sëmuri.

Mendja e tij vazhdonte të dobësohej dhe nga fundi i dhjetorit ai zuri shtratin.

Ai vdiq në fillim të janarit dhe në përçartjet e agonisë së vdekjes, protestoi pafajësinë e tij, duke përsëritur:

“‘Një copë spango, një copë spango. Ja, këtu e ke, [zoti Kryeplak].’” (Shih “The Piece of String”, http:// www.online-literature.com/ Maupassant/270/.)

Tregohet një histori kur reporterët po intervistonin një burrë për ditëlindjen e tij. Ai kishte arritur në një moshë të madhe. E pyetën si ia kishte arritur.

Ai u përgjigj: “Kur gruaja ime dhe unë u martuam, vendosëm se nëse do të grindeshim ndonjëherë, njëri nga ne do të dilte jashtë shtëpisë. Unë ia atribuoj jetëgjatësinë time faktit që kam marrë shumë ajër të freskët gjatë gjithë martesës sime.”

Zemërimi mund të justifikohet në disa rrethana. Shkrimet e shenjta na tregojnë se Jezusi i përzuri këmbyesit e parave nga tempulli duke u thënë: “‘Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje’, por ju e keni kthyer në një shpellë kusarësh” (Mateu 21:13). Por edhe kjo u shpreh më shumë si një qortim sesa si një shpërthim i një zemërimi të pakontrolluar.

Tani, vëllezërit e mi të dashur, duke e mbyllur, ju lutem të kontrolloni temperamentin tuaj, të keni një buzëqeshje në fytyrën tuaj, e cila do ta fashitë zemërimin; të flisni me fjalë dashurie dhe paqeje, vlerësimi dhe respekti. Nëse e bëni, jeta juaj do të jetë pa keqardhje. Martesa dhe marrëdhëniet tuaja familjare do të ruhen. Do të jeni shumë më i lumtur. Do të bëni një të mirë më të madhe. Do të ndieni një sens paqeje që do të jetë e mrekullueshme.

Zoti ju bekoftë dhe ju frymëzoftë për të ecur pa zemërim, pa ndonjë lloj ndjenjash të hidhura, por që t’u shtrini dorën të tjerëve me shprehje miqësie, vlerësimi dhe dashurie. Kjo është lutja ime e përulur, në emrin e Jezu Krishtit, amen.