2012
Nevojat e Veçanta dhe Shërbimi i Dhënë
shtator 2012


Mesazhi i Vizitave Mësimore, Shtator 2012

Nevojat e Veçanta dhe Shërbimi i Dhënë

Studiojeni këtë material plot lutje dhe, si të jetë e përshtatshme, diskutojeni atë me motrat që vizitoni. Përdorini pyetjet për t’ju ndihmuar të forconi motrat tuaja dhe për ta bërë Shoqatën e Ndihmës një pjesë aktive të vetë jetës suaj.

Pamja
Logoja e Shoqatës së Ndihmës

Besim, Familje, Ndihmë

“Nevojat e të tjerëve janë të kudogjendura”, tha Presidenti Tomas S. Monson, “dhe secili prej nesh mund të bëjë diçka për të ndihmuar dikë. … Nëse nuk e humbasim veten në shërbim për të tjerët, ka pak qëllim për vetë jetën tonë.”1

Si mësuese vizitore ne mund të arrijmë ta njohim dhe ta duam sinqerisht çdo motër që e vizitojmë. Shërbimi ndaj atyre që i vizitojmë do të rrjedhë natyrshëm prej dashurisë sonë për to (shih Gjoni 13:34–35).

Si mund t’i njohim nevojat shpirtërore e materiale të motrave tona që të mund të japim shërbim kur nevojitet? Si mësuese vizitore, ne kemi të drejtën për të marrë frymëzim kur lutemi për motrat që i vizitojmë.

Mbajtja e lidhjeve të vazhdueshme me motrat tona është e rëndësishme gjithashtu. Vizitat vetjake, telefonatat, një pusullë inkurajuese, mesazhet elektronike, ulja pranë saj, një kompliment i sinqertë, ndihma ndaj saj në Kishë, ndihma ndaj saj në kohë sëmundjeje apo nevoje dhe vepra të tjera shërbimi, të gjitha na ndihmojnë të kujdesemi dhe ta forcojmë njëra-tjetrën.2

Mësueseve vizitore u kërkohet që të raportojnë mbi mirëqenien, mbi ndonjë nevojë të veçantë të motrave dhe mbi shërbimin që u është dhënë atyre. Këto lloj raportimesh dhe shërbimi ynë ndaj motrave tona na ndihmojnë ta shfaqim dishepullimin tonë.3

Nga Shkrimet e Shenjta

Gjoni 10:14–16; 3 Nefi 17:7, 9; Moroni 6:3–4

Nga Historia Jonë

Shërbimi ndaj njëra-tjetrës ka qenë gjithmonë në zemër të vizitës mësimore. Nëpërmjet shërbimit të vazhdueshëm ne sjellim mirësi dhe miqësi që shkojnë përtej vizitave mujore. Është interesimi ynë ai që ka rëndësi.

“Është dëshira ime që t’u lutem motrave tona që të ndalojnë së shqetësuari për një telefonatë apo për një vizitë tremujore ose mujore”, – tha Meri Elen Smut, presidentja e 13-të e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës. Ajo na kërkoi që “në vend të kësaj të përqendrohemi në ushqyerjen e shpirtrave të ëmbël”4.

Presidenti Spenser W. Kimball (1895–1985) dha mësim: “Është jetike që ne t’i shërbejmë njëri-tjetrit në mbretëri”. Megjithatë, ai vuri në dukje se jo i gjithë shërbimi duhet të jetë heroik. “Shumë shpesh, veprat tona të shërbimit përbëjnë një inkurajim të thjeshtë ose dhënien e … ndihmës në punë të zakonshme”, – tha ai – “por çfarë pasojash të lavdishme mund të vijnë … nga vepra të vogla por të bëra me qëllim!”5

Shënime

  1. Tomas S. Monson, “Çfarë Kam Bërë për Dikë Sot?” Liahona, nëntor 2009, f. 85.

  2. Shih Handbook 2: Administering the Church (2010), 9.5.1.

  3. Shih Handbook 2, 9.5.4.

  4. Mary Ellen Smoot, në Daughters in My Kingdom: The History and Work of Relief Society (2011), f. 117.

  5. Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball (2006) f. 82.

Çfarë Mund të Bëj Unë?

  1. A po kërkoj frymëzim vetjak që të di se si t’u përgjigjem nevojave shpirtërore dhe materiale të secilës motër për të cilën jam caktuar të kujdesem?

  2. Si e dinë motrat për të cilat kujdesem se interesohem për to dhe familjet e tyre?