2015
Plaku Geri E. Stivenson
Nëntor 2015


Plaku Geri E. Stivenson

Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve

Teksa reflektonte për thirrjen e tij në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve, Plaku Geri E. Stivenson arriti në përfundimin se shërbimi i tij në mbretërinë e Zotit dhe veçanërisht si një Apostull do të jetë më shumë rreth udhëheqjes duke shërbyer sesa rreth shërbimit duke udhëhequr.

“Jezu Krishti e konsideroi Veten një shërbëtor”, tha Plaku Stivenson gjatë një konference shtypi pasi ai u mbështet. “Ne gjithashtu e konsiderojmë veten shërbëtorë” (shih Marku 10:44).

Thirrja e Plakut Stivenson në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve erdhi papritur. Megjithatë, ai ndien se shërbimi i tij në Kishë – veçanërisht si një I Shtatëdhjetë Autoritet i Përgjithshëm nga viti 2008 deri në vitin 2012 dhe si Peshkopi Kryesues që nga marsi i vitit 2012, e ka ndihmuar atë për ta përgatitur për përgjegjësitë e tij të reja.

Një nga gjërat më të rëndësishme që ka mësuar në shërbimin e Zotit, është vlera e madhe e fëmijëve të Atit Qiellor. Plaku Stivenson mezi pret për mundësitë në rritje që ai do të ketë si një Apostull për t’u shoqëruar me fëmijët e Perëndisë anekënd botës dhe për t’iu dëshmuar atyre.

Ai gjithashtu mezi pret shoqërimin e vazhdueshëm me ata që udhëheqin Kishën e Zotit. “Të mendosh që ulesh në këshill dhe që je në gjendje të mësosh prej [tyre], të marrësh mësim prej [tyre] dhe të ndiesh forcën e tyre dhe dëshmitë e tyre për Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij”, tha ai, “është diçka që besoj se do të jetë një përvojë e mrekullueshme.”

Geri E. Stivensoni u lind më 6 gusht 1955 nga Evan N. dhe Vera Xhin Stivensoni. Ai i gjurmon rrënjët e familjes së tij te pionierët e hershëm shenjtorë të ditëve të mëvonshme në Juta. U rrit në luginën Kash në Jutën veriore, në një shtëpi të përqendruar tek ungjilli, ku mësoi vlerën e të punuarit fort dhe të rëndësisë së shërbimit. Babai i tij, “peshkopi i rinisë sime”, shpesh e ftoi atë të shkonte në vizita te shumë vejusha që jetonin në lagjen e tyre. Mësimet që Geri i ri i mësoi prej babait të tij rreth përkujdesjes dhe shërbimit si të Krishtit, lanë një mbresë të pashlyeshme tek ai, që do t’i shërbente atij mirë si Peshkop Kryesues.

“Peshkopët e Kishës”, tha ai, “janë me të vërtetë heronjtë e mi.”

Shërbimi i Plakut Stivenson në Kishë filloi seriozisht kur ai u thirr si misionar kohëplotë në Misionin e Japonisë në Fukuoka, ku ai zhvilloi një dashuri jetëgjatë për popullin japonez dhe gjuhën japoneze, të cilën ende e flet rrjedhshëm. Pas misionit të tij, ai ndoqi Universitetin Shtetëror të Jutës, ku u takua me Lisa Xhin Higlin. Ata u martuan në Tempullin e Ajdaho-Follsit në Ajdaho në vitin 1979 dhe janë prindërit e katër djemve. Plaku Stivenson mori një diplomë në administrim biznesi, të përqendruar në degën e marketingut. Ai më vonë bashkëthemeloi dhe shërbeu si president dhe drejtor kryesues operativ i njërës prej kompanive udhëheqëse në botë për prodhimin dhe tregtimin e pajisjeve sportive.

Familja Stivenson jetoi në Japoni për shumë vite. Në vitin 2004, Plaku Stivenson u thirr si president i Misionit të Japonisë në Nagoja. Pas thirrjes së tij si I Shtatëdhjetë në vitin 2008, ai shërbeu si këshilltar dhe president në Zonën e Azisë Veriore. Ai po shërbente si President Zone në vitin 2011 kur një tërmet i madh goditi bregdetin e Japonisë veriore, duke shkaktuar një cunam masiv që vrau mijëra njerëz. Kjo përvojë arriti të ishte një çast vendimtar në jetën e tij.

Plaku Stivenson ndihmoi për të përcaktuar ndihmesën e Kishës, e cila siguroi ushqime, pajisje, mbështetje dhe përkrahje afatgjatë.

“Kjo ishte një shfaqje e Kishës së Jezu Krishtit duke përmbushur njërën prej përgjegjësive të caktuara asaj në mënyrë hyjnore, atë të përkujdesjes për të varfrit dhe nevojtarët”, kujton ai. Ai tha se ishte një privilegj i shenjtë për të “shërbyer, bekuar dhe për ta organizuar ndihmën”.