2017
Profetë për të na Udhërrëfyer
shtator 2017


Mesazhi i Presidencës së Parë, Shtator 2017

Profetë për të na Udhërrëfyer

Disa vite më parë, isha ulur në dhomën e Tempullit të Solt-Lejkut ku Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve mblidhen një herë në javë. Ia ngula sytë murit përballë Presidencës së Parë dhe atje vërejta portretet e secilit prej Presidentëve të Kishës.

Teksa i vështroja ngultas paraardhësit e mi – që nga Profeti Jozef Smith (1805–1844) deri te Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) – mendova: “Sa shumë mirënjohës jam për udhërrëfimin e secilit prej tyre”.

Këta janë burra të madhërishëm që kurrë nuk u lëkundën, kurrë nuk ngurruan dhe kurrë nuk dështuan. Këta janë burra të Perëndisë. Teksa mendoj për profetët e kohës sonë që i kam njohur dhe i kam dashur, sjell ndër mend jetën e tyre, tiparet e tyre dhe mësimet e tyre të frymëzuara.

Presidenti Hibër J. Grant (1856–1945) ishte Presidenti i Kishës kur linda unë. Teksa mendoj për jetën dhe mësimet e tij, besoj se një tipar që ka mishëruar gjithmonë Presidenti Grant, ishte ai i këmbënguljes – këmbëngulje në ato gjëra që janë të mira dhe fisnike.

Presidenti Xhorxh Albert Smith (1870–1951) ishte President i Kishës gjatë kohës kur shërbeva si peshkop i lagjes sime në Solt-Lejk-Siti. Ai vërejti se po ndodh një garë e fortë e tërheqjes së litarit midis Zotit dhe kundërshtarit. “Nëse ju do të qëndroni nga ana e Zotit e vijës”, dha mësim ai, “ju do të jeni nën ndikimin e tij dhe nuk do të keni dëshirë të bëni gabim.”1

U thirra të shërbej si anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve në vitin 1963 nga Presidenti Dejvid O. Mek-Kei (1873–1970). Ai e dha mësim interesimin për të tjerët nëpërmjet mënyrës se si e jetoi jetën e vet. “Krishterimi i vërtetë”, tha ai, “është dashuri në veprim.”2

Presidenti Jozef Filding Smith (1876–1972), një nga autorët më prodhimtarë të Kishës, pati si parim udhërrëfyes në jetën e tij njohurinë e thellë për ungjillin. Ai i lexonte pa pushim shkrimet e shenjta dhe i njihte mësimet e doktrinat që gjenden në faqet e tyre, më mirë se cilido që kam njohur ndonjëherë.

Presidenti Harold B. Li (1899–1973) shërbeu si president i kunjit tim kur isha djalosh. Një citat i parapëlqyer i tij ishte: “Qëndroni në vende të shenjta dhe mos lëvizni”3. Ai i nxiti shenjtorët që të ishin në harmoni me pëshpëritjet e Frymës së Shenjtë dhe të reagonin ndaj tyre.

Besoj se një parim udhërrëfyes në jetën e Presidentit Spenser W. Kimball (1895–1985) do të ishte përkushtimi. Ai ishte plotësisht, pa mëdyshje i përkushtuar ndaj Zotit. Ai ishte i përkushtuar edhe ndaj të jetuarit të ungjillit.

Kur Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994) u bë President i Kishës, ai më thirri të shërbeja si Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë. Dashuria ishte parimi i tij udhërrëfyes, që mishërohej në citatin e tij të parapëlqyer, të thënë nga Shpëtimtari: “Çfarë lloj njerëzish duhet të jeni? Në të vërtetë, unë ju them juve, madje siç jam unë.”4

Presidenti Hauard W. Hanter (1907–1995) ishte një njeri që kërkonte gjithmonë më të mirën tek të tjerët. Përherë qe ai i sjellshëm; përherë qe ai i përulur. Ishte privilegji im të shërbeja si Këshilltari i Dytë i tij.

Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) na mësoi të bëjmë më të mirën tonë. Ai dha dëshmi të fuqishme për Shpëtimtarin dhe misionin e Tij. Ai na mësoi me dashuri. Shërbimi si Këshilltar i Parë i tij qe një nder dhe bekim për mua.

Shpëtimtari na dërgon profetë sepse Ai na do. Gjatë konferencës së përgjithshme këtë tetor, Autoritetet e Përgjithshme të Kishës do ta kenë sërish privilegjin që të shpërndajnë fjalën e Tij. Ne i qasemi kësaj përgjegjësie me seriozitet dhe përulësi të madhe.

Sa të bekuar jemi që Kisha e rivendosur e Jezu Krishtit është mbi tokë dhe që Kisha është themeluar mbi shkëmbin e zbulesës! Zbulesa e vazhdueshme është vetë elementi jetësor i ungjillit të Jezu Krishtit.

U përgatitshim për ta marrë zbulesën vetjake që vjen me bollëk gjatë konferencës së përgjithshme! Zemrat tona qofshin të mbushura me vendosmëri të thellë teksa e ngremë dorën për t’i mbështetur profetët dhe apostujt e gjallë! U ndriçofshim, u lartësofshim, u ngushëllofshim dhe u forcofshim teksa i dëgjojmë mesazhet e tyre! Dhe qofshim të gatshëm të zotohemi sërish ndaj Zotit Jezu Krisht – ungjillit të Tij dhe veprës së Tij – dhe të jetojmë me vendosmëri të përtërirë për t’i mbajtur urdhërimet e Tij dhe për ta kryer vullnetin e Tij!