2018
Plaku Gerit W. Gong
maj 2018


Plaku Gerit W. Gong

Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve

Pamja
Plaku Gerit W. Gong

“Këtë Shabat Pashke, unë këndoj plot gëzim ‘Aleluja’”, tha Plaku Gerit W. Gong në bisedën e tij të parë në konferencën e përgjithshme si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetëve Apostujve. “Kënga e dashurisë shëlbuese të Shpëtimtarit tonë të ngritur kremton harmoninë e besëlidhjeve … dhe Shlyerjen e Jezu Krishtit.”

Plaku Gong ka kaluar një jetë të tërë duke u gëzuar në atë harmoni. Ai e di se fuqia e besëlidhjeve tona, e shoqëruar me Shlyerjen e Shpëtimtarit, na “bëjnë të zotë dhe fisnikë”. “Së bashku, ato ëmbëlsojnë, ruajnë, shenjtërojnë [dhe] shëlbojnë”, tha ai.

Në një martesë në tempull një ditë, fuqia e besëlidhjeve, e shoqëruar me Shlyerjen, u pasqyrua në pasqyrat e tempullit. Ai i përfytyroi brezat e familjes së tij të shtrira përmes përjetësisë, nga i afërmi i tij më i hershëm i njohur, Dragoi i Parë Gong, i lindur në vitin 837 ps.K., përmes 36 brezave deri tek vetë fëmijët e tij dhe pastaj më tej e më tej në të dy drejtimet.

“Unë fillova t’i kuptoj bashkëshorten time dhe veten njëkohësisht si fëmijë të prindërve tanë dhe prindër të fëmijëve tanë, si nipër të gjyshërve tanë dhe si gjyshër të nipërve tanë”, tha ai. “Mësimet e mëdha të vdekshmërisë përvetësohen gradualisht nё shpirtrat tanё ndërsa mësojmë dhe japim mësim në rolet tona të përjetshme, përfshirë fëmijë dhe prind, prind dhe fëmijë.”

Plaku Gong ka shërbyer si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë që nga prilli 2010 dhe si anëtar i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve që nga tetori 2015. Ai u mbështet si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve më 31 mars 2018, gjë që ai e përshkroi si një “thirrje të shenjtë nga Zoti, e cila më la pa frymë”.

Nga viti 2011 deri në 2015, Plaku Gong shërbeu si anëtar i Presidencës së Zonës së Azisë, duke përfshirë edhe shërbimin si President i Zonës. Ai ka shërbyer si misionar kohëplotë në Misionin e Tajvanit, Taipei, si këshilltar i lartë, udhëheqës i grupit të priftërinjve të lartë, president i Shkollës të së Dielës për kunjin, mësues seminari, peshkop, president i misionit të kunjit, president kunji dhe I Shtatëdhjetë Zonal.

Plaku Gong mori diplomën e shkencave shoqërore në degën e studimeve aziatike dhe studimeve universitare në Universitetin “Brigam Jang” në vitin 1977. Në vitin 1979 ai mori një diplomë pasuniversitare në filozofi dhe në vitin 1981 doktoratën për marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin e Oksfordit, ku ishte me bursën Rouds. Në vitin 1985 ai shërbeu si ndihmës i posaçëm i zëvendësministrit të punëve të jashtme në Departamentin e Shtetit të SHBA‑së dhe në vitin 1987 si ndihmës i posaçëm për ambasadorin e SHBA‑së në Pekin të Kinës. Duke filluar nga viti 1989 ai shërbeu në disa pozita në Qendrën për Studimet Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, D.K. Ai ishte ndihmës i presidentit për planifikimin dhe vlerësimin në Universitetin “Brigam Jang” deri në prill të 2010‑ës.

Gjyshërit e Plakut Gong emigruan nga Kina për në Shtetet e Bashkuara. Plaku Gong u lind në Redud‑Siti të Kalifornisë në SHBA në vitin 1953. Ai u martua me Suzan Lindsin në janar 1980 dhe ata janë prindërit e katër fëmijëve dhe kanë tre nipër e mbesa.

“Çdo gjë e denjë dhe e përjetshme është e përqendruar në realitetin e gjallë të Perëndisë, Atit tonë të Përjetshëm e të dashur, dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit, dhe të Shlyerjes së Tij, që dëshmohet nga Fryma e Shenjtë”, tha Plaku Gong në këtë konferencë. “Unë me nderim jap dëshmim dhe solemnisht dëshmoj për Krishtin e gjallë – për Atë i cili [ishte] … me ne që nga fillimi, Ai është me ne deri në mbarim.”