2021
Plaku Majkëll A. Dan
maj 2021


Plaku Majkëll A. Dan

Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë

Prindërit e Plakut Majkëll A. Dan u shkurorëzuan kur ai ishte fëmijë i vogël, por teksa nëna e rriste, ajo rrënjosi tek ai besim dhe vlera të forta. Pasi ndoqi një shkollë private episkopale në Solt‑Lejk‑Siti të Jutës në SHBA, ai u transferua në një shkollë të mesme publike ku u takua me anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Ndërkohë që miqtë e tij të rinj dhe prindërit e tyre e mirëpritën krahëhapur, Majkëlli dëshiroi të mësonte rreth Kishës. Përfundimisht vendosi të takohej me misionarët. Mësimet e tyre rreth Kreut‑Perëndi dhe Vegimit të Parë të Jozef Smithit “zunë vend tek unë me fuqi të vërtetë”, tha ai.

Me anë të lutjes ai e dinte se ungjilli ishte i vërtetë dhe u pagëzua gjatë vitit të fundit të shkollës së mesme. Që atëherë, Plaku Dan është “ushqyer nga një varg udhëheqësish të pabesueshëm”.

Ai gjithashtu pohon përkujdesjen e Atit Qiellor dhe të Shpëtimtarit gjatë gjithë jetës së tij. “Jam besimtar”, tha Plaku Dan. “Jam bekuar të jem dëshmitar i Jezu Krishtit dhe të shpall jetën e Tij, mirësinë e Tij, ungjillin e Tij të rivendosur sot.”

Majkëll Austin Dani iu lindi Patrisha dhe Xhejms R. Danit më 5 mars 1958, në Tuson të Arizonës në SHBA. Ai u rrit në Solt-Lejk-Siti. Pasi shërbeu një mision kohëplotë në Misionin e Honolulusë në Havai, ai u martua me Linda Virxhinia Polsonin në vitin 1980 në Tempullin e Solt‑Lejkut. Ata kanë tre fëmijë.

Plaku Dan mori diplomë universitare për komunikim në masë në vitin 1981 dhe një diplomë pasuniversitare për komunikim në vitin 2008, që të dyja në Universitetin e Jutës. Ai ishte drejtor i përgjithshëm i kompanisë KUED (PBS Utah), president i Dunn Communications Inc. dhe kohët më të fundit drejtori përgjegjës i BYUtv dhe BYU Radio.

Plaku Dan, i cili po shërbente si I Shtatëdhjetë Zonal në kohën e thirrjes së tij, ka shërbyer si peshkop, këshilltar në peshkopatë, president kunji, president i Të Rinjve të lagjes, këshilltar i lartë dhe president misioni i Misionit të Johanesburgut në Afrikën e Jugut nga viti 2014 deri në 2017.