2021
Dhurata më e Madhe dhe më e Çmuar
Dhjetor 2021


Mesazh i Udhëheqjes Zonale

Dhurata më e Madhe dhe më e Çmuar

Çdo vit, ndërsa kremtojmë Krishtlindjen, ne fillojmë të mendojmë për dhuratat. Disa e presin me gëzim të madh faktin se çfarë mund të dhurojnë dhe se si të mund ta befasojnë dikë. Për të tjerë, kjo traditë e përvitshme futet më tepër në kategorinë e një ushtrimi stresues. Në familjen tonë, bashkëshortja ime e ka në ADN gëzimin që vjen nga të dhënit, ndërkohë unë jam ai që zakonisht e ka të vështirë të gjejë diçka kuptimplotë dhe me vlerë. Kam përsiatur se përse mund të jetë kështu. Ndonëse ka shumë faktorë kontribues përfshirë edhe personalitetet dhe parapëlqimet e ndryshme, unë do t’ju them një tregues që mund të na ndihmojë të gjithëve të kuptojmë se kur një dhuratë është kuptimplotë si për dhënësin, ashtu edhe për marrësin.

Shpëtimtari dha mësim: “Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij. Ju jeni miqtë e mi….”1 Gjoni shkroi: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme”2. Ne e dimë se dhurata më e madhe dhe më e çmuar ndonjëherë ishte dhurata e Shlyerjes së Jezu Krishtit e dhënë si nga Ati edhe nga Biri. Për shkak të dhuratës së tyre, vdekja nuk ka gjemb dhe varri nuk ka fitore3. Për shkak të Shlyerjes së Krishtit, shëlbimi, shpëtimi i përjetshëm dhe ekzaltimi janë në dispozicion për të gjithë njerëzimin – madje për të gjithë ata që do të dëshirojnë.4

Ne tërhiqemi nga këto dhurata për shkak të vlerës së tyre të përjetshme. Ndonëse e dimë se ato u dhanë prej dashurisë së çiltër, dashuria hyjnore e tejkalon çdo imagjinatë të mundshme. Mendoni për këtë: Shpëtimtari ju do aq shumë saqë Ai e dha vërtet jetën e Tij për ju. Ati juaj Qiellor ju do aq shumë saqë Ai e dha me gatishmëri Birin e Tij të Vetëmlindur për ju. Ndërsa fillojmë t’i kuptojmë këto të vërteta të fuqishme, e njëjta dashuri do të na e mbushë zemrën, aq sa me mirënjohje të thellë do të dëshirojmë të këndojmë:

“Qëndroj plot habi kur shoh sa shum’ Krishti më do, i shtangur nga hiri që Ai kaq shum’ më dërgon. Un’ dridhem kur di se për mua Ai shkoi në kryq. Për mua m’katarin vuajti, u gjakos dhe vdiq. Kaq shum’ t’kujdeset për mua, o ç’mrekulli Aq shum’ sa u bë fli! Për mua ç’mrekulli, o çfar’ mrekulli!”5

Duke e ditur se sa i shkujdesur, rebel dhe krenar mund të bëhem nganjëherë, më habit fakti që pavarësisht kësaj Perëndia e ofron këtë mëshirë, dashuri dhe përkushtim ndaj meje. Si pra vallë mund ta tregoj mirënjohjen time ndaj Tij?

Pikë së pari, le ta marrim me vetëdije dhuratën: “Sepse çfarë dobie ka një njeri, nëse një dhuratë i jepet atij dhe ai nuk e pranon dhuratën? Vini re, ai nuk gëzohet në atë që i jepet, as nuk gëzohet në atë që është dhënësi i dhuratës.”6 Ne e marrim dhuratën dhe e përqafojmë dhënësin duke treguar mirënjohjen tonë nëpërmjet gëzimit dhe dashurisë. “Doni njëri-tjetrin, ashtu si unë ju kam dashur juve”7, urdhëroi Shpëtimtari dhe “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia”8.

Së dyti, le të mësojmë nga Shpëtimtari ynë. Gëzimi ynë për dhuratën e Tij të paimagjinueshme do të shumëfishohet teksa e tregojmë atë me dashuri dhe dhembshuri. Kur u japim shërbesë të tjerëve, ne vërtet po e përhapim mesazhin e Krishtit, i cili tha: “Sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua”9.

Lutja ime është që gjatë kësaj periudhe Krishtlindjeje, ne t’i lutemi Zotit me qëllim të vërtetë që të na dërgojë mundësi gjatë javëve dhe muajve vijues për të dhënë më shumë dashuri, për të thënë më shumë dhe për t’i ftuar më shumë vëllezërit e motrat tona që të marrin dhuratën më të madhe dhe më të çmuar të Shpëtimtarit tonë. Dhurata e Tij do të na mbushë vërtet me gëzim tejet të madh, sepse është e dëshirueshme për të na bërë të lumtur.10

Shënime

  1. Gjoni 15:13–14

  2. Gjoni 3:16

  3. Shih 1 Korintasve 15:55

  4. Shih Moisiu 5:9

  5. Himne nr. 113

  6. DeB 88:33

  7. Gjoni 15:12

  8. Gjoni 14:15

  9. Mateu 25:40

  10. Shih 1 Nefi 8:12,10