Eja, Më Ndiq 2024
26 Shkurt – 3 Mars: “Ai do të Quhet … Princi i Paqes”. 2 Nefi 11–19


“26 Shkurt – 3 Mars: ‘Ai do të Quhet … Princi i Paqes’. 2 Nefi 11–19”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 (2024)

“26 Shkurt – 3 Mars. 2 Nefi 11–19”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2024 (2024)

Pamja
Isaia duke shkruar në rrotulla

26 Shkurt – 3 Mars: “Ai do të Quhet … Princi i Paqes”

2 Nefi 11–19

Gdhendja në fletë metali nuk është e lehtë dhe hapësira në fletët e vogla të Nefit ishte e kufizuar. Pra, përse Nefi do ta merrte mundimin të kopjonte aq shumë shkrime të profetit Isaia në analin e tij? Ai e bëri ngaqë donte që ne të besonim te Jezu Krishti. “Shpirti im kënaqet”, shkroi ai, “që t’i provojë popullit tim të vërtetën mbi ardhjen e Krishtit” (2 Nefi 11:4). Nefi e kishte parë se çfarë do t’i ndodhte popullit të tij në brezat e ardhshëm. Ai pa se, pavarësisht nga bekimet e tyre të mëdha, ata do të bëheshin krenarë, kundërshtues dhe të dhënë pas botës (shihni te 1 Nefi 12; 15:4–6). Ai gjithashtu pa probleme të ngjashme në kohën tonë (shihni te 1 Nefi 14). Shkrimet e Isaias paralajmëronin kundër një ligësie të tillë. Por ato gjithashtu i dhanë Nefit shpresë për një të ardhme të lavdishme, një mbarim të ligësisë, një mbledhje të besnikëve dhe “dritë të madhe” për njerëzit që kanë “ec[ur] në errësirë” (2 Nefi 19:2). E gjithë kjo do të ndodhte ngaqë “një fëmijë [u] lind”, i cili do t’i jepte fund gjithë grindjes – “Princi i Paqes” (2 Nefi 19:6).

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Si mund t’i kuptoj më mirë mësimet e Isaias?

Nefi e pranoi se “fjalët e Isaias nuk janë të thjeshta” (2 Nefi 25:4). Por ai dha gjithashtu ide për të na ndihmuar që të gjejmë kuptimin e shkrimeve të Isaias:

  • “Përshta[tini] fjalët e tij” me veten tuaj (2 Nefi 11:2). Shumë prej mësimeve të Isaias kanë kuptime dhe zbatime të mundshme të shumëfishta. Për shembull, kur të lexoni rreth vendbanimeve te 2 Nefi 14:5–6, merreni parasysh se si këto vargje gjejnë zbatim për shtëpinë tuaj. Pyeteni veten: “Çfarë do Ati Qiellor që unë të mësoj?”

  • Kërkoni simbole të Jezu Krishtit (shihni te 2 Nefi 11:4). Shumë prej mësimeve të Isaias rreth Shpëtimtarit përçohen nëpërmjet simboleve. Për shembull, si përfaqësohet Shpëtimtari te 2 Nefi 19:2? Çfarë ju mëson ky simbol rreth Tij?

  • Përpiquni të “mbush[eni] me shpirtin e profecisë” (2 Nefi 25:4). Ndërsa studioni, lutuni për udhërrëfim shpirtëror. Mund të mos e kuptoni gjithçka në fillim, por Shpirti mund t’ju ndihmojë të mësoni atë që keni nevojë të dini.

Mund t’ju duket e dobishme gjithashtu që t’u referoheni ndihmave për studimin në shkrimet e shenjta, përfshirë poshtëshënimet, krerët e kapitujve dhe Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta. Manualet e Librit të Mormonit dhe Dhiatës së Vjetër për institutin kanë informacione shtesë që mund t’ju ndihmojnë të mësoni rreth kontekstit historik të mësimeve të Isaias.

2 Nefi 11–19

Isaia dëshmoi për Jezu Krishtin.

Ngaqë Isaia përdori një gjuhë simbolike, mund të jetë e lehtë të mos e vëmë re dëshminë e tij të fuqishme për Jezu Krishtin. Kërkojeni Shpëtimtarin te 2 Nefi 13:13; 14:4–6; 15:1–7; 16:1–7; 17:14; 18:14–15; 22:2. Çfarë ju mësojnë këto vargje rreth Tij?

Profecia te 2 Nefi 19:6 rendit disa tituj të Jezu Krishtit. Si i ka përmbushur Ai këto role në jetën tuaj?

Shihni edhe te Ulises Soares, “Jezu Krishti: Kujdestari i Shpirtit Tonë”, Liahona, maj 2021, f. 82–84.

2 Nefi 12–13; 15

Krenarët dhe ata [të dhënë pas] natyrës materialiste, do të përulen.

Nefi kishte parashikuar se krenaria do të shkaktonte rënien e popullit të tij (shihni te 1 Nefi 12:19). Pra, nuk është çudi që Nefi do t’i tregonte popullit të tij paralajmërimet e përsëritura të Isaias kundër krenarisë. Në kapitujt 12 dhe 13, kërkoni fjalët që përdori Isaia për të përshkruar të qenit plot krenari, të tilla si krenar dhe kryelartë. Te 2 Nefi 15:1–24, kërkoni gjuhën simbolike që përshkruan rezultatet e krenarisë. Më pas mund të përpiqeni ta përmblidhni me fjalët tuaja atë që keni lexuar. Mendoni rreth mënyrës se si do të zgjidhni të jeni të përulur.

Shihni edhe te “Kapitulli 18: Ruhuni nga Krenaria”, Mësime të Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson (2014), f. 243–255.

2 Nefi 12:2–3

Pamja
ikona e seminarit
Tempulli është shtëpia e Zotit.

Isaia e quajti tempullin “mali i shtëpisë së Zotit” (2 Nefi 12:2). Pse është mali një simbol i mirë për tempullin?

Si do t’ia shpjegonit dikujt arsyen pse kemi nevojë për tempuj? Mund të gjeni disa përgjigje të mundshme te 2 Nefi 12:2–3 dhe mesazhi i Presidentit Rasëll M. Nelson “Tempulli dhe Themeli Juaj Shpirtëror” (Liahona, nëntor 2021, f. 93–96). Bazuar tek ajo që lexuat, çfarë do Zoti që ju të mësoni dhe të përjetoni në shtëpinë e Tij të shenjtë? Çfarë përvojash keni pasur atje?

Mund t’i gjeni pyetjet e intervistës për rekomandim tempulli në faqet 36–37 te Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve. Merreni parasysh ta lexoni secilën dhe të pyetni veten: “Çfarë më mëson kjo pyetje për mënyrat e Zotit?” Si më ndihmon kjo që të “ec në rrugët e tij”?

Shihni edhe Gospel Topics [Tema të Ungjillit], “Temples” [“Tempujt”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; “Maj’ Malit Atje Lart”, Himne, nr. 5.

2 Nefi 12–19

Jezu Krishti do t’i shëlbojë njerëzit e Tij.

Pavarësisht nga ligësia që vëzhgoi, Isaia pa shpresë për të ardhmen. Merreni parasysh ta studioni secilin nga fragmentet vijuese. Shkruani një ose më shumë të vërteta që na mëson secili fragment rreth kohës sonë: 2 Nefi 12:1–5; 14:2–6; 15:20–26; 19:2–8. Përse ndieni se është e rëndësishme që t’i kuptojmë këto fragmente?

Për më shumë ide, shihni botimet e këtij muaji të revistave Liahona dhe Për Forcën e Rinisë.

Kërkoni modele. Në shkrimet e shenjta ne mund të gjejmë modele që na tregojnë se si vepron Zoti. Te 2 Nefi 11– 19, mund të kërkoni modele që tregojnë se si Zoti paralajmëron për mëkatin dhe i fal njerëzit që pendohen.

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

2 Nefi 12:2–3

Tempulli është shtëpia e Zotit.

  • Isaia e përshkroi tempullin si “mali i shtëpisë së Zotit”. Fëmijëve tuaj mund t’u pëlqejë të bëjnë sikur po ngjiten në mal ndërsa lexoni te 2 Nefi 12:2–3. Ndihmojini ata të gjejnë fraza në këto vargje që përshkruajnë arsyen pse kemi tempuj.

  • Për ta ilustruar frazën “ne do të ecim në shtigjet e tij” te 2 Nefi 12:3, mund të bëni një shteg mbi dysheme, që të çon te një figurë e tempullit. Ndërsa fëmijët tuaj ecin në shteg, ata mund të emërtojnë gjërat që mund të bëjnë për të ecur në shtigjet e Zotit.

  • Mbase fëmijët tuaj mund të bëjnë një vizatim të vetes së tyre duke shkuar në tempull. Ata mund edhe të këndojnë ose dëgjojnë një këngë rreth tempullit, të tillë si “Tempullin Shum’ Dua t’Shoh” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 99). Ndihmojini ata të gjejnë fraza në këngë që na mësojnë se çfarë është tempulli dhe çfarë bëjmë atje.

2 Nefi 11:4–7; 17:14; 19:6

Jezu Krishti është Shpëtimtari im.

  • Ka disa emra për Jezu Krishtin te 2 Nefi 11:4–7; 17:14; 19:6. Ndihmojini fëmijët tuaj t’i gjejnë ato dhe të flasin rreth kuptimit që kanë. Për shembull, “Krisht” do të thotë “i vajosuri” dhe “Emanuel” do të thotë “Perëndia me ne”. Çfarë na mësojnë këta emra rreth Jezusit?

  • Shfaqni pjesë të materialit filmik “Krishti Fëmijë” (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit] që tregojnë njerëz të ndryshëm që e shohin Jezusin për herë të parë. Ndalojeni materialin filmik gjatë këtyre përshkrimeve dhe pyetini fëmijët tuaj se çfarë mund të kenë ndier këta njerëz. Çfarë do të ndienim ne po të ishim atje? Si do të ndihemi kur ta shohim Atë përsëri?

2 Nefi 15:20

Satani përpiqet të më pështjellojë rreth së mirës dhe së keqes.

  • Tregojuni fëmijëve tuaj diçka të hidhur ose të thartë, të tillë si fetë limoni, brenda një letre karameleje. Lexoni së bashku te 2 Nefi 15:20. Si përpiqet Satani t’i bëjë gjërat që janë të këqija të duken të mira? Mund edhe të shfaqni 90 sekondat e para të materialit filmik “You Will Be Freed” [“Ju do të Çliroheni”] (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit]. Përse peshkatari e maskon grepin e tij? Pse Satani e fsheh mëkatin? Si na ndihmon Jezu Krishti ta shmangim të qenit të mashtruar nga Satani?

Për më shumë ide, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

Pamja
Tempulli i Panama-Sitit në Panama

Tempulli i Panama-Sitit në Panama. “Shtëpi[a e] Zotit do të vendoset në majë të maleve … dhe të gjitha kombet do të vërshojnë tek a[jo]” (2 Nefi 12:2).