2010–2019
Perëndia me Ju Qoftë kur Prapë të Takohemi
Tetor 2012


Perëndia me Ju Qoftë kur Prapë të Takohemi

Ndërsa i vendosim në zemrën dhe jetën tonë mesazhet e dy ditëve të fundit, ne do të bekohemi.

Vëllezërit e motrat e mia të dashura, kemi ardhur në mbylljen e një tjetre konference frymëzuese të përgjithshme. Unë personalisht jam ushqyer shpirtërisht e ngritur moralisht dhe e di se edhe ju e keni ndier ndjenjën e veçantë të kësaj konference.

Ne u shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë të gjithë atyre që kanë marrë pjesë në çfarëdo mënyre. Të vërtetat e ungjillit janë dhënë mësim dhe ritheksuar bukur. Ndërsa i vendosim në zemrën dhe jetën tonë mesazhet e dy ditëve të fundit, ne do të bekohemi.

Si gjithmonë, punimet e kësaj konference do të jenë të disponueshme në numrat e ardhshëm të revistave Ensign dhe Liahona. Unë ju nxis t’i lexoni edhe një herë bisedat dhe të meditoni për mesazhet që përmbahen aty. Kam zbuluar nga vetë jeta ime se përfitoj edhe më shumë nga këto predikime të frymëzuara kur i studioj me thellësi më të madhe.

Kemi pasur një transmetim të pashembullt të konferencës, duke mbërritur te njerëzit kudo nëpër kontinente dhe oqeane. Edhe pse jemi shumë larg prej shumëkujt nga ju, ne e ndiejmë shpirtin tuaj dhe ju dërgojmë dashurinë dhe vlerësimin tonë.

Vëllezërit tanë që u liruat nga thirrjet në këtë konferencë, më lejoni t’ju shpreh mirënjohjen e përzemërt të të gjithëve ne për vitet tuaja të shumta të shërbimit të përkushtuar. Të panumërt janë ata që janë bekuar nga kontributet tuaja për punën e Zotit.

Vëllezër dhe motra, pikërisht së fundi festova ditëlindjen time të 85-të dhe jam mirënjohës për çdo vit që Zoti më ka dhuruar. Ndërsa meditoj për përvojat e jetës sime, e falënderoj Atë për bekimet e Tij të shumta ndaj meje. Siç e përmenda në mesazhin tim këtë mëngjes, e kam ndier dorën e Tij që t’i drejtojë përpjekjet e mia ndërsa jam përpjekur me zell t’i shërbej Atij dhe t’ju shërbej të gjithëve ju.

Detyra e Presidentit të Kishës është një detyrë kërkuese. Unë jam shumë mirënjohës për dy këshilltarët e mi besnikë, që shërbejnë përkrah meje dhe që janë gjithmonë të gatshëm dhe jashtëzakonisht të aftë që të ndihmojnë në punën që bie mbi Presidencën e Parë. Unë shpreh mirënjohjen time gjithashtu për burrat fisnikë që përbëjnë Kuorumin e Të Dymbëdhjetë Apostujve. Ata punojnë pa u lodhur për kauzën e Mjeshtrit, me anëtarët e Kuorumeve të Të Shtatëdhjetëve, duke siguruar ndihmë të frymëzuar për ata.

Dëshiroj gjithashtu t’ju përgëzoj ju, vëllezërit e motrat e mia, kudo që jeni në mbarë botën, për gjithçka që bëni në lagjet dhe degët tuaja, në kunjet dhe distriktet tuaja. Ndërsa ju i përmbushni me gatishmëri thirrjet kur ju kërkohet, ju po ndihmoni për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë në tokë.

U kujdesshim gjithmonë për njëri-tjetrin, duke ndihmuar në kohë nevoje. Le të mos jemi kritikues dhe gjykues, por le të jemi zemërgjerë, duke ndjekur gjithmonë shembullin e shpirtmirësisë së përzemërt të Shpëtimtarit. Me këtë ndjenjë, i shërbefshim me gatishmëri njëri-tjetrit. Le të lutemi për frymëzimin që të dimë nevojat e njerëzve rreth nesh dhe pastaj, le të shkojmë e të sigurojmë ndihmë.

Le të marrim zemër ndërsa jetojmë jetën tonë. Ndonëse jetojmë në kohë gjithnjë e më të rrezikshme, Zoti na do dhe kujtohet për ne. Ai është gjithmonë pranë nesh kur ne bëjmë çfarë është e drejtë. Ai do të na ndihmojë në kohë nevoje. Vështirësitë vijnë në jetën tonë, probleme që nuk i parashikonim dhe të cilat nuk do t’i dëshironim kurrë. Asnjë prej nesh nuk është i imunizuar. Qëllimi i vdekshmërisë është që të mësojmë e të rritemi për të qenë më shumë si Ati ynë dhe shpesh ndodh pikërisht gjatë kohëve të vështira që ne mësojmë më shumë, pavarësisht sa i dhimbshëm mund të jetë ai mësim. Jeta jonë gjithashtu mund të mbushet me gëzim ndërsa ndjekim mësimet e ungjillit të Jezu Krishtit.

Zoti këshilloi: “Merrni zemër, unë e munda botën!”1 Çfarë lumturie të madhe duhet të na sjellë kjo njohuri! Ai jetoi për ne dhe Ai vdiq për ne. Ai pagoi çmimin për mëkatet tona. Le ta ndjekim shembullin e Tij. Le ta shfaqim mirënjohjen tonë të madhe ndaj Tij duke e pranuar sakrificën e Tij dhe duke jetuar një jetë që do të na kualifikojë për t’u kthyer e për të jetuar një ditë me Të.

Siç e kam përmendur në konferencat e mëparshme, ju falënderoj për lutjet tuaja në emrin tim. Unë kam nevojë për to; unë i ndiej ato. Ne, si Autoritete të Përgjithshme, gjithashtu ju kujtojmë të gjithëve ju dhe lutemi që bekimet më të zgjedhura të Atit tonë Qiellor të jenë me ju.

Tani, vëllezërit e motrat e mia të dashura, ne i mbyllim punimet për gjashtë muaj. Perëndia me ju qoftë kur prapë të takohemi në atë kohë. Në emrin e Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit tonë, madje Jezu Krishtit, Zotit, amen.