2010–2019
A Është Besimi në Shlyerjen e Jezu Krishtit i Shkruar në Zemrat Tona?
Tetor 2012


A Është Besimi në Shlyerjen e Jezu Krishtit i Shkruar në Zemrat Tona?

Bërja, mbajtja dhe gëzimi në besëlidhjet tona do të jetë prova se Shlyerja e Jezu Krishtit është shkruar vërtet në zemrat tona.

Motrat e mia të dashura, ju keni qenë në mendjen dhe në zemrën time për muaj, ndërsa kam medituar për këtë përgjegjësi sfiduese. Edhe pse nuk ndihem në lartësinë e përgjegjësisë që më është dhënë, e di se thirrja ka ardhur nga Zoti nëpërmjet profetit të Tij të zgjedhur dhe, tani për tani, kaq mjafton. Shkrimet e shenjta japin mësim se “qoftë nëpërmjet zërit [të Zotit] apo nëpërmjet zërit të shërbëtorëve të [Tij] është njësoj”1.

Një nga dhuratat e çmuara që e shoqërojnë këtë thirrje, është siguria se Ati Qiellor i do të gjitha bijat e Tij. Unë e kam ndier dashurinë e Tij për secilën prej nesh!

Ashtu si ju, unë i dua shkrimet e shenjta! Në librin e Jeremias gjejmë një shkrim të shenjtë që është shumë i shtrenjtë për zemrën time. Jeremia jetoi në një kohë dhe vend të vështirë, por Zoti e lejoi atë të parashikonte “një kohë shprese gjatë mbledhjes së ditëve të mëvonshme të Izraelit”2 – kohën tonë. Jeremia profetizoi:

“‘Mbas atyre ditëve’, thotë Zoti: ‘Do ta shtie ligjin tim në mendjen e tyre dhe do ta shkruaj mbi zemrën e tyre, dhe unë do të jem Zoti i tyre dhe ata do të jenë populli im. …

… Të gjithë do të më njohin, nga më i vogli e deri te më i madhi’, thotë Zoti. ‘Sepse unë do ta fal paudhësinë e tyre dhe nuk do ta kujtoj më mëkatin e tyre.’”3

Ne jemi populli që pa Jeremia. A e kemi ftuar ne Zotin që ta shkruajë ligjin, apo doktrinën, në zemrat tona? A e besojmë ne se falja e disponueshme nëpërmjet Shlyerjes, për të cilën flet Jeremia, zbatohet për ne personalisht?

Disa vite më parë, Plaku Xhefri R. Holland tregoi ndjenjat e tij për besimin e rrënjosur thellë të pionierëve që ngulmuan drejt Luginës së Solt-Lejkut edhe pas vdekjes së fëmijëve të tyre. Ai tha: “Ata nuk e bënë atë për një program, ata nuk e bënë atë për një aktivitet shoqëror, ata e bënë atë sepse besimi i ungjillit të Jezu Krishtit qe në shpirtin e tyre, ishte në palcën e kockave të tyre”.

Ai shprehu, me emocion të butë:

“Kjo është e vetmja mënyrë se si ato nëna mund të varrosnin [foshnjat e tyre] në një kanistër buke dhe të shkonin më tej duke thënë: ‘Toka e premtuar është atje diku. Do të arrijmë të shkojmë në luginë.’

Ato mundën ta thoshin atë për shkak të besëlidhjeve dhe doktrinës, dhe besimit, dhe zbulesës, dhe Shpirtit.”

Ai përfundoi me këto fjalë që të fusin në mendime: “Nëse mund ta mbajmë këtë qëndrim në familjet tona dhe në Kishë, mbase shumë gjëra të tjera vijnë si pasojë. Ndoshta shumë gjëra të tjera më pak të nevojshme bien nga vagoni. Më kanë thënë se ato karroca dore nuk mund të mbanin shumë gjëra. Pikërisht ashtu si paraardhësve tanë iu desh të zgjidhnin atë që morën me vete, ndoshta shekulli i 21-të do të na çojë të vendosim: ‘Çfarë mund të fusim në këtë karrocë dore?’ Dhe ajo është thelbi i shpirtit tonë; është vetë palca në kockat tona.”4 Ose, për ta thënë ndryshe, është ajo çfarë është shkruar në zemrat tona!

Si presidencë e re e Shoqatës së Ndihmës, ne i kemi kërkuar Zotit me zell që të dimë se çfarë gjërash thelbësore do të na bënte Ai t’i vendosnim në karrocën tonë të dorës, të Shoqatës së Ndihmës, që të vazhdojmë ta çojmë përpara punën e Tij. Kemi ndier se Ati Qiellor së pari do të na vinte të ndihmonim bijat e Tij të dashura që të kuptojnë doktrinën e Shlyerjes së Jezu Krishtit. Ndërsa e bëjmë këtë, ne e dimë se besimi ynë do të rritet, ashtu si dëshira jonë për të jetuar me drejtësi. Së dyti, ndërsa kemi marrë parasysh nevojën vendimtare për të forcuar familjet dhe shtëpitë, kemi ndier se Zoti do të na vinte t’i inkurajonim bijat e Tij të dashura që të kapen me gëzim pas besëlidhjeve të tyre. Kur besëlidhjet mbahen, familjet forcohen. Së fundi, ne ndiejmë se Ai do të na vinte të punojmë në unitet me organizatat e tjera ndihmëse dhe me udhëheqësit tanë të priftërisë, duke u përpjekur t’i kërkojmë e t’i ndihmojmë ata në nevojë që të përparojnë përgjatë shtegut. Është lutja jonë e zjarrtë që secila prej nesh do ta hapë zemrën dhe do ta lejojë Zotin të gdhendë në të doktrinat e Shlyerjes, besëlidhjeve dhe unitetit.

Si mund të presim që t’i forcojmë familjet ose t’i ndihmojmë të tjerët po të mos kemi ne të parat, të shkruar në vetë zemrën tonë, një besim të thellë e të qëndrueshëm te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij e pafundme? Sonte dëshiroj të ndaj tri parime të Shlyerjes që, po të shkruhen në zemrat tona, do ta rrisin besimin tonë te Jezu Krishti. Është shpresa ime që kuptimi i këtyre parimeve do ta bekojë secilën prej nesh, qoftë nëse jemi të reja në Kishë apo anëtare gjatë gjithë jetës.

Parimi 1: “Gjithçka që është e padrejtë në jetë mund të ndreqet me anë të Shlyerjes së Jezu Krishtit”5.

Ne, bashkë me ju, japim dëshmi për Shlyerjen e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. Dëshmitë tona, ashtu si tuajat, janë shkruar në zemrat tona sepse kemi hasur shumë sfida e kundërshtime të ndryshme që na kanë bërë të rritemi shpirtërisht. Pa një kuptueshmëri të planit të përkryer të lumturisë të Atit Qiellor dhe të Shlyerjes së Shpëtimtarit si tipari qendror i atij plani, këto sfida mund të dukeshin të padrejta. Ne të gjitha kemi pjesë së bashku në sprovat e jetës. Por në zemrat besnike është shkruar: “Gjithçka që është e padrejtë në jetë, mund të ndreqet me anë të Shlyerjes së Jezu Krishtit”.

Përse Zoti lejon që vuajtja dhe mbrapshtia të na vijnë në këtë jetë? E thënë thjesht, është pjesë e planit për rritjen dhe përparimin tonë! Ne “lëshoni[m] britma gëzimi”6 kur morëm vesh se do të kishim mundësinë të vinim në tokë për të përjetuar vdekshmërinë. Plaku Dallin H. Ouks dha mësim: “Kthimet tona të nevojshme në besim shpesh arrihen më lehtë nëpërmjet vuajtjes dhe mbrapshtisë sesa nëpërmjet rehatisë dhe qetësisë”7.

Shembulli i një motre pioniere besnike e ilustron këtë të vërtetë. Meri Luis Uolker u martua në moshën 17-vjeçare me Xhon T. Morrisin në Shën-Luis të Misurit. Ata kapërcyen rrafshinat me shenjtorët në vitin 1853, duke hyrë në Luginën e Solt-Lejkut pak pas përvjetorit të tyre të parë. Gjatë udhëtimit të tyre, ata kishin vuajtur mungesat e gjërave primare tipike për shenjtorët e tjerë. Por vuajtjet dhe mbrapshtitë e tyre nuk morën fund kur arritën në Luginën e Solt-Lejkut. Vitin tjetër, Meri, atëherë 19 vjeçe, shkroi: “Një bir na lindi. … Një mbrëmje, kur ai qe dy ose tre muajsh … diçka më pëshpëriti: ‘Ti do ta humbasësh atë vogëlush’.”

Gjatë dimrit, shëndeti i foshnjës u përkeqësua. “Ne bëmë gjithçka mundëm, … por foshnja u bë gjithnjë e më keq. … Më dy shkurt ai ndërroi jetë … dhe kështu unë piva kupën e hidhur të ndarjes nga vetë mishi dhe gjaku im.” Por sprovat e saj ende nuk kishin marrë fund. Bashkëshorti i Merit u prek gjithashtu dhe tri javë pasi humbi foshnjën, ai vdiq.

Meri shkroi: “Kështu, ndërsa isha ende adoleshente, m’u grabitën në periudhën e shkurtër prej 20 ditësh, bashkëshorti im dhe fëmija im i vetëm, në një tokë të huaj, qindra kilometra larg të afërmve të mi prej gjakut dhe me një mal vështirësish përpara meje … dhe dëshirova që edhe unë, të mund të vdisja e të bashkohesha me të dashurit e mi”.

Meri vazhdon: “Një mbrëmje të diele, po bëja një shëtitje me shoqen time. … M’u kujtua mungesa [e bashkëshortit tim] dhe vetmia ime e thellë dhe, ndërsa qava me hidhërim, munda të shihja, sikur të ishte një vegim mendor, kodrën e thiktë të jetës që më duhej të ngjisja, dhe e ndieva vërtetësinë e saj me forcë të madhe. Një depresion i thellë zuri vend mbi mua, sepse armiku e di se kur të na sulmojë, por [Shpëtimtari] ynë, [Jezu Krishti] ka fuqinë të na shpëtojë. Nëpërmjet … ndihmës së dhënë nga Ati, qeshë ne gjendje të luftoja me të gjithë forcën që dukej se qe rreshtuar kundër meje gjatë kësaj kohe.”8

Meri mësoi në moshën e njomë 19-vjeçare se Shlyerja na jep sigurinë se të gjitha gjërat që janë të padrejta në këtë jetë, mund dhe do të ndreqen – madje dhe hidhërimet më të thella.

Parimi 2: Ka fuqi në Shlyerje që të na mundësojë të kapërcejmë burrin apo gruan e natyrshme dhe të bëhemi dishepuj të vërtetë të Jezu Krishtit.9

Ka një mënyrë që të na ndihmojë ta dimë se kur e kemi mësuar një doktrinë ose parim të ungjillit. Kjo është kur jemi në gjendje që ta japim mësim doktrinën ose parimin në një mënyrë që një fëmijë të mund ta kuptojë atë. Një burim i vlefshëm për t’u mësuar fëmijëve që ta kuptojnë Shlyerjen, është një analogji që gjendet në një mësim të Fillores. Ndoshta kjo mund të na ndihmojë kur u japim mësim vetë fëmijëve tanë, nipërve e mbesave, ose miqve të besimeve të tjera që dëshirojnë ta kuptojnë këtë doktrinë thelbësore.

“Një [grua] duke ecur përgjatë një rruge, ra në një pus kaq të thellë saqë nuk mund të ngjitej lart. Pavarësisht se ç’mund të bënte, [ajo] nuk mund të dilte që andej vetë. [Gruaja] thirri për ndihmë dhe u gëzua kur një kalimtar i mëshirshëm e dëgjoi dhe i zbriti një shkallë në pus. Kjo bëri të mundur që [ajo] të ngjitej, të dilte nga pusi dhe të rifitonte lirinë e [saj].

Ne jemi si [gruaja] në pus. Bërja e mëkatit është si rënia në pus dhe ne nuk mund të dalim vetë që andej. Ashtu siç i dëgjoi kalimtari i mëshirshëm lutjet e [gruas] për ndihmë, edhe Ati Qiellor dërgoi Birin e Tij të Vetëmlindur për të na siguruar mënyra shpëtimi. Shlyerja e Jezu Krishtit mund të krahasohet me zbritjen e një shkalle në pus; na jep mënyra për t’u ngjitur lart dhe për të dalë.”10 Por Shpëtimtari bën më shumë sesa të na zbresë shkallën, Ai “zbret poshtë në pus dhe e bën të mundur që ne të përdorim shkallën për të shpëtuar”11. “Ashtu si [gruaja] në pus duhej të ngjitej në shkallë, edhe ne duhet të pendohemi për mëkatet tona dhe t’u bindemi parimeve të ungjillit dhe ordinancave për të dalë nga pusi ynë dhe për të bërë që Shlyerja të funksionojë në jetën tonë. Si rrjedhim, pasi të kemi bërë gjithçka mundemi, Shlyerja bën të mundur që ne të bëhemi të denjë për t’u kthyer në praninë e Atit Qiellor.”12

Kohët e fundit, pata privilegjin të takoja një pioniere të kohëve moderne, një bijë të dashur të Perëndisë dhe një të kthyer kohët e fundit në besim në Kishë në Kili. Ajo është një nënë beqare me dy djem të vegjël. Nëpërmjet fuqisë së Shlyerjes, për atë është bërë e mundur që ta hedhë pas të shkuarën e saj dhe tani po përpiqet fort dhe me zell të bëhet një pasuese e vërtetë e Jezu Krishtit. Kur mendoj për të, një parim i dhënë mësim nga Plaku Dejvid A. Bednar, vjen në mendje: “Kjo është një gjë që të dini se Jezu Krishti erdhi në tokë për të vdekur për ne – kjo është një pjesë e rëndësishme e doktrinës së Krishtit. Por gjithashtu ne duhet të vlerësojmë se Zoti dëshiron, me anë të Shlyerjes së Tij dhe nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, të jetojë te ne – jo vetëm për të na drejtuar, por edhe për të na dhënë forcë.”13

Ndërsa kjo motër kiliane dhe unë diskutuam për mënyrën se si të qëndrojmë në shtegun që të çon drejt jetës së përjetshme, ajo me entuziazëm më siguroi se ishte e vendosur që të vazhdonte në shteg. Ajo kishte qenë jashtë shtegut shumicën e jetës së saj dhe deklaroi se nuk kishte asgjë “atje jashtë” shtegut që ajo dëshironte ta kishte sërish në jetën e saj. Fuqia mundësuese e Shlyerjes po jeton brenda saj. Ajo po shkruhet në zemrën e saj.

Ajo fuqi jo vetëm që na mundëson të dalim nga pusi, por gjithashtu na jep fuqinë të vazhdojmë në shtegun e ngushtë dhe të ngushtuar që na kthen në praninë e Atit tonë Qiellor.

Parimi 3: Shlyerja është prova më e madhe që kemi për dashurinë e Atit për fëmijët e Tij.

Do të bënim mirë të meditonim për këtë mendim emocionues nga Plaku Ouks: “Mendoni se sa duhet ta ketë hidhëruar Atin tonë Qiellor që të dërgonte Birin e Tij për të duruar vuajtje të pakuptueshme për mëkatet tona. Kjo është prova më e madhe e dashurisë së Tij për secilin prej nesh!”14

Ai akt më i lartë dashurie duhet ta çojë secilin prej nesh që të gjunjëzohet në lutje të përulur për ta falënderuar Atin tonë Qiellor që na do aq sa Ai dërgoi Birin e Tij të Vetëmlindur dhe të përsosur që të vuante për mëkatet tona, pikëllimet tona dhe gjithçka që duket e padrejtë në vetë jetën tonë vetjake.

A ju kujtohet gruaja për të cilën foli kohët e fundit Presidenti Uhtdorf? Ai tha: “Një grua, që kishte kaluar vite mundimesh dhe hidhërimesh, tha mes lotëve të saj: ‘Kam arritur të kuptoj se jam si një kartmonedhë e vjetër 20-dollarëshe – e zhubrosur, e grisur, e pistë, e shpërdoruar dhe me shenja. Por përsëri jam një kartmonedhë 20-dollarëshe. Unë vlej diçka. Edhe pse mund të mos dukem si shumë dhe edhe pse më kanë dëmtuar e përdorur, përsëri unë vlej plot 20 dollarë.’”15

Kjo grua e di se është një bijë e dashur e Atit të saj Qiellor dhe se ajo ishte aq e vlefshme për Atë saqë të dërgonte Birin e Tij për të shlyer për të, veçan. Secila motër në Kishë duhet ta dijë atë që di kjo grua – se ajo është një bijë e dashur e Perëndisë. Në ç’mënyrë njohja e vlerës sonë për Të ndryshon mënyrën se si i mbajmë besëlidhjet tona? Në ç’mënyrë njohja e vlerës sonë për Të ndikon dëshirën tonë për t’u shërbyer të tjerëve? Në ç’mënyrë njohja e vlerës sonë për Të e rrit dëshirën tonë për të ndihmuar njerëzit në nevojë që ta kuptojnë Shlyerjen ashtu si ne – shumë thellë? Kur secila prej nesh e ka doktrinën e Shlyerjes të shkruar thellë në zemrat tona, atëherë ne do të fillojmë të bëhemi ata lloj njerëzish që Zoti dëshiron që të jemi kur Ai të vijë sërish. Ai do të na njohë si dishepujt e Tij të vërtetë.

Shlyerja e Jezu Krishtit shkaktoftë që një “ndryshim i madh” të veprojë në zemrat tona16. Ndërsa ndërgjegjësohemi për këtë doktrinë, të shpallur nga një engjëll i Perëndisë që të jetë “lajmet e gëzuara të gëzimit të madh”17, unë ju premtoj se do të ndihemi ashtu si u ndie populli i mbretit Beniamin. Pasi ishin lutur fuqishëm që Shlyerja të mund të zbatohej në jetën e tyre, “ata u mbushën me gëzim”18 dhe ishin “të gatshëm të hy[nin] në një besëlidhje me Perëndinë …, që të bë[nin] vullnetin e tij dhe të [ishin] të bindur ndaj urdhërimeve të tij, në të gjitha gjërat”19. Bërja, mbajtja dhe gëzimi në besëlidhjet tona do të jetë prova se Shlyerja e Jezu Krishtit është shkruar vërtet në zemrat tona. Ju lutemi mbajini mend këto tri parime, motra:

  1. “Gjithçka që është e padrejtë në jetë mund të ndreqet me anë të Shlyerjes së Jezu Krishtit.”20

  2. Ka fuqi në Shlyerje që të na mundësojë të kapërcejmë burrin apo gruan e natyrshme dhe të bëhemi dishepuj të vërtetë të Jezu Krishtit.21

  3. Shlyerja është prova më e madhe që kemi për dashurinë e Atit për fëmijët e Tij.22

“‘Mbas atyre ditëve’, thotë Zoti, ‘do ta shtie ligjin tim në mendjen e tyre dhe do ta shkruaj mbi zemrën e tyre, dhe unë do të jem Zoti i tyre dhe ata do të jenë populli im.”23 Unë ju ftoj që t’i kërkoni Zotit t’i shkruajë këto parime të Shlyerjes në zemrat tona. Unë dëshmoj se ato janë të vërteta. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Doktrina e Besëlidhje 1:38.

  2. Old Testament: Gospel Doctrine Teacher’s Manual (2001), f. 198.

  3. Jeremia 31:33–34; theksimi i shtuar.

  4. Jeffrey R. Holland, “Roundtable Discussion”, Worldwide Leadership Training Meeting, 9 shkurt 2008, f. 28.

  5. Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar (2005), f. 52.

  6. Jobit 38:7.

  7. Dallin H. Oaks, “The Challenge to Become”, Liahona, janar 2001, f. 42.

  8. Autobiography of Mary Lois Walker Morris (kopje në zotërim të Linda Kjar Burton-it).

  9. Shih Dejvid A. Bednar, “Shlyerja dhe Udhëtimi i Vdekshmërisë”, Liahona, prill 2012, f. 12–19.

  10. Fillorja 7: Dhiata e Re (1997), f. 103.

  11. Joseph Fielding Smith, Doctrines of Salvation, përmb. Bruce R. McConkie, 3 vëll. (1954–1956), 1:123.

  12. Fillorja 7, f. 104.

  13. Dejvid A. Bednar, Liahona, prill 2012, f. 14.

  14. Dallin H. Ouks, “Dashuria dhe Ligji”, Liahona, nëntor 2009, f. 26.

  15. Diter F. Uhtdorf, “Ju Jeni Duart e Mia”, Liahona, maj 2010, f. 69.

  16. Shih Alma 5:12–14.

  17. Mosia 3:3.

  18. Shih Mosia 4:1–3.

  19. Shih Mosia 5:2–5.

  20. Predikoni Ungjillin Tim, f. 52.

  21. Shih Dejvid A. Bednar, Liahona, prill 2012, f. 12–19.

  22. Dallin H. Ouks, Liahona, nëntor 2009, f. 26.

  23. Jeremia 31:33; theksimi i shtuar.