2010–2019
Gjithmonë Kujtojeni Atë
Prill 2016


Gjithmonë Kujtojeni Atë

Unë përulësisht dëshmoj dhe lutem që ne gjithmonë do ta kujtojmë Atë – në të gjitha kohërat, në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet që mund të gjendemi.

Vëllezër dhe motra të dashura, kur shërbeva në Azi, njerëzit ndonjëherë më pyetnin: “Plaku Gong, sa njerëz jetojnë në Zonën e Kishës në Azi?”

Unë thashë: “Gjysma e popullsisë së botës – 3.6 miliard njerëz”.

Dikush më pyeti: “A është e vështirë t’i mbash mend të gjithë emrat e tyre?”

Të kujtuarit – dhe të harruarit – janë pjesë e jetës së përditshme. Për shembull, një herë, pasi kërkoi gjithandej për telefonin e saj celular të ri, bashkëshortja ime më në fund vendosi t’i binte atij nga një telefon tjetër. Kur dëgjoi telefonin e vet të binte, ime shoqe mendoi: “Kush mund të jetë duke më telefonuar? Këtë numër nuk ia kam dhënë njeriut!”

Të kujtuarit – dhe të harruarit – janë gjithashtu pjesë e udhëtimit tonë të përjetshëm. Koha, liria e zgjedhjes dhe kujtesa na ndihmojnë të mësojmë, të rritemi dhe të forcohemi në besim.

Në fjalët e një himni të parapëlqyer:

Emrit t’Jezusit t’i këndojm’,

T’i japim nder, lavdi. …

Shenjtor’, merrni dhe dëshmoni

Se Atë kujtoni.1

Çdo javë, kur marrim sakramentin, ne besëlidhim që gjithmonë ta kujtojmë Atë. Duke nxjerrë thuajse 400 referencat nga shkrimet e shenjta për fjalën kujtoj, ja tek janë gjashtë mënyra që ne gjithmonë mund ta kujtojmë Atë.

Së pari, ne gjithmonë mund ta kujtojmë Atë duke pasur mirëbesim në besëlidhjet, premtimet dhe sigurimet e Tij.

Zoti i kujton besëlidhjet e Tij të përjetshme – nga koha e Adamit deri në ditën kur pasardhësit e Adamit “të përqafojnë të vërtetën dhe të shikojnë lart, atëherë Sioni do të shikojë poshtë dhe të gjithë qiejt do të tunden nga kënaqësia dhe toka do të dridhet nga gëzimi”2.

Zoti i kujton premtimet e Tij, përfshirë premtimet për të mbledhur Izraelin e shpërndarë nëpërmjet Librit të Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit dhe premtimet që i ka dhënë çdo anëtari dhe misionari që e kujton vlerën e shpirtrave.3

Zoti i kujton dhe i siguron kombet dhe njerëzit. Në këto ditë mbingarkese dhe rrëmuje4, “disa kanë besim te qerret dhe të tjerë te kuajt, por ne do të kujtojmë emrin e Zotit, Perëndisë tonë”5, i cili udhëheq “si në të shkuarën, … t’ardhmen”6. Në “kohë të vështira”7, ne “kujto[jmë] se nuk është vepra e Perëndisë që pengohet, por vepra e njerëzve”8.

Së dyti, ne gjithmonë mund ta kujtojmë Atë duke e pranuar me mirënjohje dorën e Tij gjatë gjithë jetës sonë.

Dora e Zotit në jetën tonë është shpesh më e qarta se një mendje tjetër që vjen pas. Siç e tha filozofi i krishterë Soren Kierkegaard: “Jeta duhet të kuptohet në të kaluarën. Por … duhet të jetohet në të ardhmen9.

Mamaja ime e dashur kohët e fundit festoi ditëlindjen e saj të 90-të. Ajo me mirënjohje dëshmoi për bekimin e Perëndisë në çdo ngjarje të rëndësishme në jetën e saj. Historitë familjare, traditat familjare dhe lidhjet familjare na ndihmojnë të shijojmë kujtimet e gjërave që lamë pas, ndërsa ofrojnë modele dhe shpresë për të ardhmen. Linjat e autoritetit të priftërisë dhe bekimet patriarkale dëshmojnë për dorën e Perëndisë nëpër breza.

A e keni menduar ndonjëherë veten si librin tuaj të gjallë të kujtimeve – që pasqyron atë dhe se si ju zgjidhni të kujtoni?

Për shembull, kur isha më i ri, me të vërtetë dëshiroja të luaja basketboll në shkollë. U ushtrova vazhdimisht. Një ditë trajneri më tregoi me gisht lojtarin tonë mbrojtës 1.93 m të gjatë dhe lojtarin tjetër mbrojtës 1.88 m të gjatë dhe më tha: “Mund të të fus në ekip, por ka gjasa që nuk do të luash asnjëherë”. Më kujtohet më pas se me sa butësi më inkurajoi: “Përse nuk përpiqesh të luash futboll? Do ishe i zoti”. Familja ime brohoriti kur unë shënova golin tim të parë.

Ne mund t’i kujtojmë ata të cilët na japin një mundësi, dhe një mundësi të dytë, me ndershmëri, mirësi, durim dhe inkurajim. Dhe ne mund të bëhemi ai person që të tjerët kujtojnë kur kishin më tepër nevojë për ndihmë. Të kujtuarit me mirënjohje të ndihmës së të tjerëve dhe ndikimit udhërrëfyes të Shpirtit, është një mënyrë që ne e kujtojmë Atë. Është një mënyrë që ne i numërojmë bekimet tona të shumta dhe shohim atë që ka bërë Perëndia.10

Së treti, ne gjithmonë mund ta kujtojmë Atë duke mirëbesuar kur Ai na siguron se “Ai që është penduar për mëkatet e tij, po ai falet dhe unë, Zoti, nuk i kujtoj më ato”11.

Kur pendohemi tërësisht, përfshirë nëpërmjet rrëfimit dhe braktisjes së mëkateve tona, ne pyesim me Enosin, ndërsa faji ynë fshihet: “Zot, si u bë ajo?” dhe dëgjojmë përgjigjen: “Për shkak të besimit tënd në Krishtin”12 dhe ftesës së Tij që “të kujtohem[i]”13.

Sapo pendohemi dhe udhëheqësit e priftërisë na shpallin të denjë, ne nuk duhet të vazhdojmë t’i rrëfejmë vazhdimisht këto mëkate të së shkuarës. Të jesh i denjë nuk do të thotë të jesh i përsosur. Plani i lumturisë i Atit Qiellor na fton që të jemi përulësisht në paqe në udhëtimin tonë të jetës, që një ditë të bëhemi të përsosur në Krisht,14 jo vazhdimisht të shqetësuar, zemëruar ose të palumtur për papërsosuritë tona të së sotmes. Mbani mend, Ai i di të gjitha gjërat që ne nuk duam që dikush tjetër t’i dijë për ne – dhe akoma na do.

Ndonjëherë jeta e vë në provë mirëbesimin tonë te mëshira, drejtësia dhe gjykimi i Krishtit dhe te ftesa e Tij për çlirim, për ta lejuar Shlyerjen e Tij që të na shërojë ndërsa falim të tjerët dhe veten.

Një e re në një vend tjetër aplikoi për punë si gazetare, por nënpunësi që caktonte vendet për punë ishte i pamëshirshëm. Ai i tha asaj: “Me nënshkrimin tim, të garantoj që nuk do të bëhesh gazetare por do të gërmosh kanale”. Ajo ishte e vetmja grua që gërmonte kanale në një tufë me burra.

Vite më vonë, kjo grua u bë nënpunëse. Një ditë një burrë erdhi duke pasur nevojë për nënshkrimin e saj për një vend pune.

Ajo e pyeti: “A më mban mend?” Ai nuk e mbante mend.

Ajo i tha: “Ti nuk më mban mend mua, por unë të mbaj mend ty. Me nënshkrimin tënd, ti garantove që unë kurrë nuk do të bëhesha një gazetare. Me nënshkrimin tënd, ti më dërgove që të gërmoja kanale, e vetmja grua në një tufë me burra.”

Ajo më tha: “Ndiej se duhet ta trajtoj atë burrë më mirë se ç’më trajtoi ai mua – por nuk e kam atë forcë”. Ndonjëherë ajo forcë nuk është brenda nesh, por mund të gjendet duke kujtuar Shlyerjen e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit.

Kur besimi tradhtohet, ëndrrat prishen, zemrat thyhen e thyhen përsëri, kur ne duam drejtësi dhe kemi nevojë për mëshirë, kur grushtet tona shtrëngohen dhe lotët tanë rrjedhin, kur duam të dimë se ku të mbështetemi dhe çfarë të lëmë pas, ne gjithmonë mund ta kujtojmë Atë. Jeta nuk është aq mizore sa mund të duket ndonjëherë. Dhembshuria e Tij e pamasë mund të na ndihmojë të gjejmë udhën tonë, të vërtetën dhe jetën.15

Kur i kujtojmë fjalët dhe shembullin e Tij, ne nuk do të ofendojmë ose ofendohemi.

Miku i babait tim punoi si mekanik. Puna e tij e ndershme tregohej edhe në duart e tij të lara me kujdes. Një ditë dikush në tempull i tha mikut të babait tim se ai duhej të lante duart përpara se të shërbente atje. Në vend që të ofendohej, ky burrë i mirë nisi të lante enët e familjes me duar, me ujë tepër të shkumëzuar përpara se të merrte pjesë në tempull. Ai jep shembullin e atyre që i “ngjite[n] malit të Zotit” dhe “qëndroj[në] në vendin e tij të shenjtë” me duart më të pafajshme dhe zemrën më të pastër.16

Nëse kemi ndjenja të pakëndshme, mëri apo fyerje, ose nëse keni arsye për t’i kërkuar falje të tjerëve, tani është koha për ta bërë atë.

Së katërti, Ai na fton të kujtojmë se Ai gjithmonë është duke na mirëpritur në shtëpi.

Ne mësojmë duke pyetur dhe duke kërkuar. Por ju lutem mos reshtni së kërkuari derisa të arrini – te fjalët e T. S. Eliotit – “atje ku [ju] fillua[t] dhe e dini vendin për herë të parë”17. Kur të jeni gati, ju lutem, hapeni zemrën tuaj ndërsa lexoni Librin e Mormonit, përsëri, për herë të parë. Ju lutem, lutuni me qëllim të vërtetë, përsëri, për herë të parë.

Mirëbesojini atij kujtimi të hershëm ose të zbehtë. Lereni ta zgjerojë besimin tuaj. Me Perëndinë, nuk ka rrugë pa kthim.

Profetët e lashtë dhe bashkëkohorë na luten që të mos i lejojmë papërsosuritë, të metat ose dobësitë njerëzore – të të tjerëve ose tonat – që të na bëjnë t’i humbasim të vërtetat, besëlidhjet dhe fuqinë shëlbuese në ungjillin e Tij të rivendosur.18 Kjo është veçanërisht e rëndësishme në një kishë ku secili rritet nëpërmjet pjesëmarrjes sonë, ndonëse të papërsosur. Profeti Jozef tha: “Kurrë nuk ju thashë se jam i përsosur, por nuk ka gabim në zbulesat që ju kam mësuar”19.

Së pesti, ne gjithmonë mund ta kujtojmë Atë në Shabat nëpërmjet sakramentit. Në fund të shërbesës së Tij në vdekshmëri dhe në fillim të shërbesës së Tij të ringjalljes – në të dyja kohët – Shpëtimtari ynë mori bukën dhe verën dhe kërkoi që ne ta kujtojmë trupin dhe gjakun e Tij20, “sepse aq shpesh sa do ta bëni këtë, ju do të kujtoni këtë orë që isha me ju”21.

Në ordinancën e sakramentit, ne i dëshmojmë Perëndisë, Atit se ne jemi të gatshëm të marrim mbi vete emrin e Birit të Tij dhe gjithmonë ta kujtojmë Atë e të zbatojmë urdhërimet e Tij, që Ai na i ka dhënë, që të mund të kemi gjithmonë Shpirtin e Tij me ne.22

Siç Amuleku jep mësim, ne e kujtojmë Atë kur lutemi për fushat tona, grigjat tona dhe familjet tona, dhe kur kujtojmë nevojtarin, të zhveshurin, të sëmurin dhe të mjeruarin.23

Më në fund, së gjashti, Shpëtimtari ynë na fton që gjithmonë ta kujtojmë Atë siç Ai përherë na kujton ne.

Në Botën e Re, Shpëtimtari ynë i ringjallur i ftoi ata që ishin të pranishëm që të vinin, një e nga një, të vinin duart e tyre në anën e Tij dhe t’i ndienin gjurmët e gozhdëve në duart e Tij dhe në këmbët e Tij.24

Shkrimet e shenjta e përshkruajnë ringjalljen si “çdo gjymtyrë dhe nyjë do [të] rivendoset … në formën e tyre të përshtatshme dhe të përkryer” dhe “madje asnjë fije floku i kokës nuk do të humbasë”25. Duke qenë kështu, ju lutem, merrni parasysh se si ndodh që trupi i përsosur dhe i ringjallur i Shpëtimtarit tonë i ka ende plagët në anë të Tij dhe gjurmët e gozhdëve në duart dhe këmbët e Tij.26

Nganjëherë nga historia, njerëz të vdekshëm janë ekzekutuar me kryqëzim. Por vetëm Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, na përqafon duke mbajtur akoma shenjat e dashurisë së Tij të pastër. Vetëm Ai e përmbush profecinë e të ngriturit në kryq, që Ai të mund ta tërheqë secilin nga ne, me emër, drejt Vetes.27

Shpëtimtari ynë shpall:

“Po, ata mund të harrojnë, por unë nuk do të të harroj.

Vër re, unë të kam gdhendur në pëllëmbët e duarve të mia.”28

Ai dëshmon: “Unë jam ai që u ngrit lart. Unë jam Jezusi që u kryqëzua. Unë jam Biri i Perëndisë.”29

Unë përulësisht dëshmoj dhe lutem që ne gjithmonë do ta kujtojmë Atë – në të gjitha kohërat, në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet që mund të gjendemi.30 Në emrin e shenjtëruar dhe të shenjtë të Jezu Krishtit, amen.