2010–2019
“Isha i Huaj”
Prill 2016


“Isha i Huaj”

Me lutje vendosni atë që mund të bëni – në përputhje me vetë kohën dhe rrethanën tuaj – që t’u shërbeni refugjatëve që jetojnë në lagjet tuaja të banimit dhe në komunitetet tuaja.

Në ditën që u organizua Shoqata e Ndihmës, Ema Smithi shpalli: “Ne do të bëjmë diçka të jashtëzakonshme. … Ne presim raste të jashtëzakonshme dhe thirrje të ngutshme.”1 Ato thirrje të ngutshme dhe raste të jashtëzakonshme u paraqitën shpesh në atë kohë – sikurse paraqiten tani.

Një thirrje e ngutshme erdhi në konferencën e përgjithshme të tetorit të vitit 1856, kur Presidenti Brigam Jang i shpalli bashkësisë se pionierë në kompanitë e karrocave të dorës ishin ende në udhë e sipër dhe stina e dimrit në afrim. Ai shpalli: “Besimi, feja dhe shfaqja e besimit tuaj, nuk do ta shpëtojnë asnjë shpirt prej jush në mbretërinë çelestiale të Perëndisë sonë, në qoftë se nuk veproni sipas pikërisht këtyre parimeve që po jua mësoj tani. Shkoni dhe sillini ata njerëz tani në rrafshinat dhe kujdesuni tërësisht për ato gjëra që i quajmë materiale, … përndryshe besimi juaj do të jetë i kotë.”2

I kujtojmë me admirim mirënjohës burrat që u nisën për t’i shpëtuar ata shenjtorë të vuajtur. Por çfarë bënë motrat?

“Motra [Lusi Mesërv] Smithi shënoi … se pas këshillimit nga Presidenti Jang, njerëzit që ishin të pranishëm filluan të vepronin. … Gratë ‘[i hoqën] zhuponat e tyre [veshje të mëdha nën funde që ishin pjesë e modës së kohës dhe që gjithashtu jepnin ngrohtësi], çorapet dhe gjithçka që mund ta jepnin, pikërisht atje në Tabernakullin [e vjetër], dhe i grumbulluan [ato] në karrot për t’ua dërguar shenjtorëve në male’.”3

Disa javë më vonë, Presidenti Brigam Jang i mblodhi shenjtorët përsëri në Tabernakullin e vjetër, kur shpëtuesit dhe kompanitë e karrocave të dorës ishin më pranë Solt-Lejk-Sitit. Me shumë ngutje, ai iu lut shenjtorëve – veçanërisht motrave – që të përkujdeseshin për të vuajturit, për t’i ushqyer ata dhe për t’i pranuar ata, duke thënë: “Disa do t’i gjeni me këmbët e tyre të ngrira deri te kyçet, disa i kanë të ngrira deri te gjunjët dhe disa i kanë duart e tyre të ngrira. … Ne duam që t’i prisni si të ishin vetë fëmijët tuaj dhe të keni të njëjtën ndjenjë për ta.”4

Lusi Mesërv Smithi gjithashtu shënoi:

“Bëmë gjithçka mundëm, me ndihmën e vëllezërve dhe motrave të mira, për t’i ngushëlluar nevojtarët. … Ata i kishin duart dhe këmbët e tyre tepër të ngrira. … Nuk i ndalëm përpjekjet tona [deri]sa të gjithë u rehatuan. …

… Nuk kam ndier kurrë më shumë përmbushje dhe, mund të them, kënaqësi nga asnjë punë që kam kryer ndonjëherë në jetën time, për shkak të ndjenjës së unitetit që mbizotëronte. …

Çfarë mund të bëjnë më tej njerëzit që janë kaq të gatshëm për të ndihmuar?”5

Të dashura motrat e mia, ky rrëfim mund të përngjasohet me kohën tonë dhe ata që po vuajnë anembanë botës. Një tjetër “rast i jashtëzakonshëm” na i prek zemrat tona.

Pamja
Tenda në një kamp refugjatësh
Pamja
Fëmijë në një kamp refugjatësh
Pamja
Grua në një kamp refugjatësh
Pamja
Familje në një kamp refugjatësh
Pamja
Ndihmës i rrethuar nga fëmijë në një kamp refugjatësh
Pamja
Duke përshëndetur një familje refugjatësh
Pamja
Ndihmëse duke përqafuar një refugjate

Ka më shumë se 60 milion refugjatë anembanë botës, duke përfshirë njerëzit e shpërngulur forcërisht. Gjysma e tyre janë fëmijë.6 “Këta njerëz kanë përjetuar vështirësi të tejskajshme dhe po fillojnë nga e para në … vend[e] të reja dhe në kultur[a] të reja. Ndonëse [nganjëherë] ka organizata që i ndihmojnë ata me një vend për të jetuar dhe me nevojat bazë jetësore, çfarë iu nevojitet është një mik dhe një përkrahës, i cili mund t’i ndihmojë të [përshtaten] në shtëpinë e tyre të re, një njeri që mund t’i ndihmojë ata të mësojnë gjuhën, të kuptojnë sistemet dhe të ndihen se marrin pjesë.”7

Pamja
Yvette Bugingo

Verën e shkuar u takova me Motrën Ivet Bugingo, e cila u largua në moshën 11-vjeçare nga një vend në tjetrin pasi babai i saj u vra dhe tre prej vëllezërve të saj nuk gjendeshin më në një pjesë të botës të shkatërruar nga lufta. Iveta dhe pjesëtarët e mbetur të familjes më pas jetuan për gjashtë vjet e gjysmë si refugjatë në një vend fqinjë derisa të ishin në gjendje të vendoseshin në një shtëpi të përhershme, ku ata u bekuan nga një çift dashamirës që i ndihmoi me transportimin, shkollat e gjëra të tjera. Ajo tha se ata “thjesht ishin një përgjigje për lutjet tona”8. Nëna e saj e bukur dhe motra e saj e vogël, e mrekullueshme, janë me ne sonte, duke kënduar në kor. Kam pyetur veten shumë herë që nga takimi me këto gra të mrekullueshme: “Po sikur historia e tyre të ishte historia ime?”

Si motra ne formojmë më shumë se gjysmën e shtëpisë së ruajtjes së Zotit për t’i ndihmuar fëmijët e Atit Qiellor. Shtëpia e Tij e ruajtjes nuk përbëhet vetëm nga të mira materiale, por edhe nga koha, talentet, aftësitë dhe natyra jonë hyjnore. Motra Rosmari M. Uiksom ka dhënë mësim: “Natyra hyjnore brenda nesh e ndez dëshirën tonë për t’iu afruar të tjerëve dhe na nxit të veprojmë”9.

Duke e vënë në dukje natyrën tonë hyjnore, Presidenti Rusëll M. Nelson na nxiti:

“Na duhen gra, të cilat e dinë se si t’i bëjnë të ndodhin gjëra të rëndësishme me anë të besimit të tyre dhe të cilat janë mbrojtëse plot kurajë të moralit dhe familjeve në një botë që dergjet në mëkat … ; gra që e dinë se si t’u bëjnë thirrje fuqive të qiellit për të mbrojtur e forcuar fëmijët dhe familjet. …

… Të martuara ose të pamartuara, ju motra zotëroni aftësi të dallueshme dhe intuitë të veçantë që i keni marrë si dhunti nga Perëndia. Ne, vëllezërit, nuk mund ta kopjojmë ndikimin tuaj të pashoq.”10

Një letër e Presidencës së Parë që iu dërgua Kishës më 27 tetor 2015, shprehu shqetësim dhe dhembshuri të madhe për miliona njerëz që janë shpërngulur nga shtëpitë e tyre duke kërkuar lehtësim prej konfliktit civil dhe vështirësive të tjera. Presidenca e Parë i ftoi individët, familjet dhe njësitë e Kishës që të merrnin pjesë në shërbimin si Krishti në projekte vendore për të ndihmuar refugjatët dhe për të dhënë ndihmesë në fondin humanitar të Kishës, ku ishte e mundur.

Presidencat e përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, të Të Rejave dhe të Fillores kanë marrë parasysh se si t’i përgjigjen ftesës së Presidencës së Parë. Ne e dimë se ju, motrat tona të dashura të të gjitha moshave, vini nga të gjitha shtigjet e jetës dhe jetoni në rrethana të larmishme. Çdo anëtare e kësaj motërie mbarëbotërore ka besëlidhur në pagëzim që të “ngushëllo[jë] ata që kanë nevojë të ngushëllohen”11. Ju duhet të kujtoni se askush prej nesh nuk duhet të vrapojë më shpejt sesa kemi fuqi.12

Me këto të vërteta në mendje, ne kemi organizuar një përpjekje ndihme të quajtur “Isha i Huaj”. Është shpresa jonë që ju do të vendosni plot lutje atë që mund të bëni – në përputhje me vetë kohën dhe rrethanën tuaj – që t’u shërbeni refugjatëve që jetojnë në lagjet tuaja të banimit dhe në komunitetet tuaja. Kjo është një mundësi për t’u shërbyer individëve, për të shërbyer në familjet dhe si pjesë e organizatave që të ofroni miqësi, këshillim e shërbime të tjera si Krishti dhe është një prej mënyrave të shumta se si mund të shërbejnë motrat.

Në të gjitha përpjekjet tona plot lutje, ne duhet të vëmë në jetë këshillën e urtë të mbretit Beniamin, të dhënë popullit të tij pasi ai i këshilloi të përkujdeseshin për njerëzit nevojtarë: “Shikoni, që të gjitha këto gjëra të jenë bërë në urtësi dhe rregull”13.

Motra, ne e dimë se të ndihmuarit e të tjerëve me dashuri është i rëndësishëm për Zotin. Merrni parasysh këto këshillime nga shkrimet e shenjta:

“Të huajin që banon midis jush ta trajtoni njëlloj si ai që ka lindur midis jush; ti do ta duash si veten tënde”14.

Mos jini harrues që t’i mikpritni të huajt, sepse disa, duke e praktikuar këtë, kanë mikpritur pa e ditur engjëjt.15

Dhe Shpëtimtari tha:

“Sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë; isha i huaj dhe më pritët,

isha i zhveshur dhe më veshët, isha i sëmurë dhe ju më vizitonit”16.

Pamja
Paratë e gruas së ve

Shpëtimtari plot dashuri e vuri në dukje gruan e ve ndihmesa e së cilës ishte vetëm dy pare, ngaqë ajo bëri atë të mundi.17 Ai gjithashtu tregoi shëmbëlltyrën e samaritanit të mirë, të cilën e mbylli duke thënë: “Shko dhe bëj kështu edhe ti”18. Nganjëherë ndihma ndaj të tjerëve nuk është e volitshme. Por kur punojmë së bashku me dashuri dhe unitet, ne mund ta presim ndihmën e qiellit.

Në shërbimet mortore për një bijë të mrekullueshme të Perëndisë, dikush tregoi se kjo motër, si presidente e Shoqatës së Ndihmës së kunjit, punoi me motra të tjera në kunjin e saj për të dhënë ndihmesë me jorganë që t’u jepnin ngrohtësi njerëzve të vuajtur në Kosovë gjatë viteve 1990. Dhe si samaritani i mirë, ajo bëri përpjekje të mëdha që të bënte më shumë kur ajo dhe bija e saj e nganë kamionin e mbushur me ata jorganë nga Londra për në Kosovë. Në udhëtimin e saj të kthimit për në shtëpi, ajo mori një mbresë të pagabueshme shpirtërore që u zhyt thellë në zemrën e saj. Mbresa ishte kjo: “Ajo që ke bërë është një gjë shumë e mirë. Tani shko në shtëpi, kapërce nga ana tjetër e rrugës dhe shërbeji fqinjit tënd!”19

Ceremonia e varrimit u mbush me tregime të tjera frymëzuese për mënyrën se si kjo grua besnike i dalloi dhe iu përgjigj thirrjeve të jashtëzakonshme dhe të ngutshme – dhe gjithashtu rasteve të zakonshme – të njerëzve brenda sferës së saj të ndikimit. Për shembull, ajo e hapi shtëpinë e saj dhe zemrën e saj që të ndihmonte të rinjtë dhe të rejat në vështirësi në çfarëdo ore – ditë ose natë.

Motrat e mia të dashura, ne mund të jemi të sigurta për ndihmën e Atit Qiellor kur biem në gjunjë dhe kërkojmë udhërrëfim hyjnor për t’i bekuar fëmijët e Tij. Ati Qiellor, Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, dhe Fryma e Shenjtë janë gati të ndihmojnë.

Presidenti Henri B. Ajring ua dha këtë dëshmi të fuqishme grave të Kishës:

“Ati Qiellor i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve tuaja me besim për drejtim dhe për ndihmë që të duroni në shërbimin tuaj për Të.

Juve dhe atyre të cilëve u shërbeni me gjithë zemër ju është dërguar Fryma e Shenjtë. Ju do të forcoheni dhe madje do të frymëzoheni për të ditur kufizimet dhe shkallën e aftësisë suaj për të shërbyer. Shpirti do t’ju ngushëllojë kur të pyesni veten: ‘A bëra aq sa duhej?’”20

Teksa i marrim parasysh “thirrjet e ngutshme” të atyre që kanë nevojë për ndihmën tonë, le ta pyesim veten tonë: “Po sikur historia e tyre të ishte historia ime?” Më pas kërkofshim frymëzim, veprofshim sipas mbresave që marrim dhe arritshim që në unitet t’i ndihmojmë njerëzit nevojtarë kur jemi në gjendje dhe të frymëzuara që ta bëjmë këtë gjë. Ndoshta atëherë mund të thuhet për ne, sikurse Shpëtimtari tha për atë motër të dashur që i dha shërbesë Atij: “Ajo kreu një vepër të mirë. … Ajo bëri atë që mundi.”21 Unë e quaj atë të jashtëzakonshme! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Emma Smith, në Daughters in My Kingdom: The History and Work of Relief Society (2011), f. 14.

  2. Brigham Young, në Daughters in My Kingdom, f. 36.

  3. Daughters in My Kingdom, f. 36–37.

  4. Brigham Young, në James E. Faust, “Go Bring Them in from the Plains”, Liahona, nëntor 1997, f. 7; shih edhe LeRoy R. dhe Ann W. Hafen, Handcarts to Zion: The Story of a Unique Western Migration 1856–1860 (1960), f. 139.

  5. Lucy Meserve Smith, në Jill Mulvay Derr and others, bot., The First Fifty Years of Relief Society: Key Documents in Latter-day Saint Women’s History (2016), f. 217, 218, germëzimi dhe pikësimi të standardizuara; shih edhe Daughters in My Kingdom, f. 37.

  6. Shih “Facts and Figures about Refugees”, unhcr.org.uk/about-us/key-facts-and-figures.html.

  7. 40 Ways to Help Refugees in Your Community”, 9 shtator 2015, mormonchannel.org.

  8. Mesazh elektronik nga Ivet Bugingo, 12 mars 2016.

  9. Rozmari M. Uiksom, “Zbulimi i Hyjnisë Brenda Nesh”,Liahona, nëntor 2015, f. 8. Emili Udmensi, një prej të shpëtuarve në vitin 1856 në kompaninë e karrocave të dorës Uilli, e përshkroi natyrën hyjnore në këtë mënyrë (me një ndryshim të vogël nga ana ime):

    Puna e engjëjve u jepet grave;

    Kjo ësht’ dhurata që ne motrat kemi:

    Të bëjm’ atë që ësht’ e mir’ dhe [krishtërore],

    Të g’zojm’ dhe bekojm’ në emër të [Shpëtimtarit]. (“Si Motra në Sion”, Himne, nr. 204)

  10. Rusëll M. Nelson, “Një Lutje drejtuar Motrave të Mia”,Liahona, nëntor 2015, f. 96, 97.

  11. Mosia 18:9.

  12. Shih Mosia 4:27.

  13. Mosia 4:27.

  14. Levitiku 19:34.

  15. Shih Hebrenjve 13:2.

  16. Mateu 25:35–36.

  17. Shih Lluka 21:1–4.

  18. Lluka 10:37.

  19. Shërbimi mortor për Rozmari Kërtis Najderin, janar 2015.

  20. Henri B. Ajring, “Kujdestarja”,Liahona, nëntor 2012, f. 124.

  21. Marku14:6, 8.