2010–2019
Ji i Përulur
Prill 2016


Ji i Përulur

Përulësia na mundëson që të jemi prindër, bij dhe bija, bashkëshortë e bashkëshorte, fqinj e miq më të mirë.

Ne jemi te bekuar në Kishë që kemi një koleksion himnesh, i cili na ndihmon të adhurojmë nëpërmjet këngës. Në mbledhjet tona në Kishë, “himnet ftojnë Shpirtin e Zotit, krijojnë një ndjenjë nderimi, na bashkojnë si anëtarë dhe na sigurojnë një mënyrë për t’i ofruar përlëvdime Zotit. Disa prej predikimeve më të mëdha janë dhënë duke kënduar himne.”1

Vetëm disa muaj pasi u organizua Kisha, u mor një zbulesë nga profeti Jozef Smith për bashkëshorten e tij, Emën. Zoti e udhëzoi atë: “Të bësh një zgjedhje të himneve të shenjta, ashtu siç do të të jepet, e cila është e kënaqshme për mua, që të kihen në kishën time”2.

Ema Smithi përmblodhi një koleksion himnesh, që u paraqit fillimisht në këtë libër himnesh në Kirtland në vitin 1836.3 Në këtë libërth të vogël e të hollë qenë të përfshira vetëm 90 këngë. Shumë prej tyre ishin himne nga besimet protestante. Të paktën 26 prej tyre u kompozuan nga Uilliam W. Felpsi, i cili më vonë e përgatiti librin e himneve dhe ndihmoi në shtypjen e tij. U shkrua vetëm teksti; ato nuk i shoqëronte asnjë notë muzikore. Ky libër i vogël e i përulur himnesh u provua se qe një bekim i madh për anëtarët e hershëm të Kishës.

Pamja
Faqe nga libri i himneve të Emës
Pamja
Faqja e titullit nga libri i himneve të Emës

Botimi më i fundit i librit tonë të himneve në gjuhën angleze u bë publik në vitin 1985. Shumë prej përzgjedhjeve që bëri Ema përpara kaq vitesh, janë ende të përfshira në librin tonë të himneve, të tilla si “E Di se Rron Shëlbuesi Im” dhe “Sa i Fortë një Themel”4.

Një këngë që ishte e re në librin e himneve të vitit 1985, ishte “Përulu”5. Ky himn i qetë u shkrua nga Grietje Terburg Roulli, e cila ndërroi jetë vitin e kaluar. Ajo u bashkua me Kishën në vitin 1950 në Havai, ku po jepte mësim në një shkollë. Motra Roulli shërbeu në Komitetin e Përgjithshëm të Muzikës dhe ndihmoi t’i përshtaste himnet në shumë gjuhë. Ajo e bazoi tekstin e saj për himnin “Përulu” në dy vargje shkrimesh: Doktrina e Besëlidhje 112:10 dhe Ethëri 12:27. Vargu te Ethëri shkruan: “Dhe në qoftë se njerëzit vijnë tek unë, unë do t’u tregoj atyre dobësinë e tyre. Unë u jap njerëzve dobësi, që ata të jenë të përulur … pasi në qoftë se ata përulen para meje dhe kanë besim tek unë, atëherë unë do të bëj që gjërat e dobëta, të bëhen të forta në ta.”

Si të gjitha himnet e Kishës, himni “Përulu” na mëson të vërteta të pastra e të thjeshta. Ai na mëson se, nëse e përulim veten, lutjet tona marrin përgjigje; ne gëzojmë paqe të mendjes; shërbejmë më me efektshmëri në thirrjet tona; dhe, nëse vazhdojmë të jemi besnikë, ne do të kthehemi më në fund në prani të Atit tonë Qiellor.

Shpëtimtari i mësoi ndjekësit e Tij se ata duhet ta përulnin veten si një fëmijë i vogël me qëllim që të hynin në mbretërinë e qiejve.6 Teksa i rritim fëmijët tanë, ne duhet t’i ndihmojmë ata të qëndrojnë të përulur ndërkohë që ata arrijnë pjekurinë në moshë madhore. Ne nuk e bëjmë këtë duke ua thyer zemrën prej vrazhdësisë apo duke qenë tepër të ashpër në disiplinën tonë. Ndërkohë që e ushqejmë vetëbesimin dhe vetëvlerësimin e tyre, ne duhet t’u mësojmë atyre cilësitë e të mos qenit egoistë, mirësisë, bindjes, mungesës së krenarisë, qytetarisë dhe modestisë. Ne duhet t’u mësojmë atyre që të ndiejnë gëzim për sukseset e motrave e vëllezërve dhe miqve. Presidenti Hauard W. Hanter dha mësim se “shqetësimi ynë më i çiltër duhet të jetë për suksesin e të tjerëve”7. Nëse nuk është, fëmijët tanë mund të bëhen të fiksuar pas përfitimit vetjak dhe pas konkurrencës me të tjerët, xhelozisë dhe zemërimit për fitoret e bashkëmoshatarëve. Jam mirënjohës për nënën time, e cila, kur shihte se bëhesha paksa arrogant, thoshte: “Bir do të të bënte mirë pak përulësi në këto momente”.

Por përulësia nuk është diçka që duhet t’u mësohet vetëm fëmijëve. Ne të gjithë duhet të përpiqemi të bëhemi më të përulur. Përulësia është thelbësore për të marrë bekimet e ungjillit. Përulësia na mundëson që të kemi zemra të thyera kur mëkatojmë apo kur bëjmë gabime dhe e bën të mundur që ne të pendohemi. Përulësia na mundëson që të jemi prindër, bij dhe bija, bashkëshortë e bashkëshorte, fqinj e miq më të mirë.

Nga ana tjetër, krenaria e panevojshme mund t’i dëmtojë marrëdhëniet familjare, t’i prishë martesat e t’i shkatërrojë miqësitë. Është e rëndësishme në veçanti që ta kujtoni përulësinë kur e ndieni që grindja po rritet në shtëpinë tuaj. Mendoni për të gjithë dëshpërimin që mund ta shmangni, duke e përulur veten për të thënë: “Më fal”; “U tregova i patakt”; “Çfarë do të doje ti të bëje?”; “Nuk kisha ndërmend”; ose “Jam shumë krenar për ty”. Nëse këto fraza të vogla do të përdoreshin me përulësi, do të kishte më pak grindje dhe më shumë paqe në shtëpitë tona.

Thjesht të jetuarit e jetës mund të jetë një përvojë përulëse dhe shpesh është e tillë. Aksidentet dhe sëmundjet, vdekja e njerëzve të dashur, problemet në marrëdhënie, madje dhe vështirësitë financiare mund të na ulin në gjunjë. Qoftë nëse këto vështirësi vijnë jo për fajin tonë ose prej vendimeve të këqija dhe gjykimit të cekët, të gjitha këto sfida janë përulëse. Nëse zgjedhim të jemi shpirtërisht në harmoni e të qëndrojmë të përulur e të mësueshëm, lutjet tona bëhen më të sinqerta dhe besimi e dëshmia do të rriten teksa i mposhtim vështirësitë e jetës së vdekshme. Të gjithë ne presim me padurim ekzaltimin por, përpara se kjo të ndodhë, ne duhet të ngulmojmë përmes asaj së cilës i referohemi si “lugina e përulësisë”8.

Shumë vite më parë, djali ynë 15-vjeçar Eriku, vuajti nga një dëmtim i rëndë në kokë. Ta shihnim atë në koma për më shumë se një javë na e copëtoi zemrën. Mjekët na thanë se ishin të pasigurt për atë që do të ndodhte në vijim. Sigurisht që ne u lumturuam kur ai filloi ta rifitonte vetëdijen. Menduam se tani gjithçka do të shkonte mirë, por u gabuam.

Kur u zgjua, ai as nuk mund të ecte apo të fliste ose ta ushqente veten. Më e keqja nga të gjitha, ai nuk e kishte kujtesën e shkurtër. Ai mund të kujtonte thuajse gjithçka përpara aksidentit, por nuk e kishte aftësinë që t’i kujtonte ngjarjet më pas, madje as gjërat që kishin ndodhur vetëm pak minuta më parë.

Për njëfarë kohe, ne u shqetësuam se do të kishim një bir të mbërthyer në mendjen e një 15-vjeçari. Gjërat i kishin rrjedhur shumë lehtë djalit tonë përpara aksidentit. Ai ishte atlet, i njohur dhe kishte dalë me rezultate shumë të mira në shkollë. Përpara, e ardhmja e tij dukej e ndritur, tani u shqetësuam se nuk do të kishte ndonjë të ardhme, të paktën një për të cilën të mund të kujtohej. Tanimë ai po mundohej fort për t’i mësuar sërish aftësitë më bazike. Kjo qe një kohë shumë përulëse për të. Ishte gjithashtu një kohë përulëse edhe për prindërit e tij.

Me sinqeritet, ne pyetëm veten se si mund të ndodhte një gjë e tillë. Ne ishim përpjekur gjithnjë që të bënim gjërat e duhura. Të jetuarit e ungjillit kishte qenë një përparësi e lartë për familjen tonë. Ne nuk mund ta kuptonim se si mund të na ndodhte diçka kaq e dhimbshme. Ne u detyruam të uleshim në gjunjë sapo filloi të bëhej e dukshme që riaftësimi i tij do të kërkonte muaj, madje vite. Prapëseprapë, pjesa më e vështirë qe ndërgjegjësimi gradual se ai nuk do të ishte më si më parë.

Gjatë kësaj kohe, u derdhën shumë lot dhe lutjet tona u bënë edhe më të ndjera e më të sinqerta. Përmes syve të përulësisë, ne filluam gradualisht që të shihnim mrekullitë e vogla, të cilat biri ynë i përjetoi gjatë kësaj kohe të dhimbshme. Ai filloi të bënte përmirësime graduale. Sjellja dhe botëkuptimi i tij ishin shumë pozitive.

Sot, biri ynë Eriku është i martuar me një shoqe të mrekullueshme dhe ata kanë pesë fëmijë të bukur. Ai është një mësues dhe kontribues i flaktë ndaj komunitetit të tij, si edhe i Kishës. Më e rëndësishmja, ai vazhdon të jetojë me po të njëjtin shpirt përulësie që e fitoi kohë më parë.

Po sikur të mund të ishim të përulur përpara se të ecnim përmes asaj “lugine të përulësisë”? Alma dha mësim:

“Të bekuar janë ata që përulen, pa qenë të detyruar të përulen”.

“Po, [ata janë] shumë më [të] bekuar se ata që detyrohen të përulen.”9

Jam mirënjohës për profetët si Alma, të cilët na kanë mësuar vlerën e kësaj cilësie të madhe. Spenser W. Kimballi, Presidenti i 12-të i Kishës, tha: “Si bëhet dikush i përulur? Për mua, njeriu duhet të kujtojë vazhdimisht vartësinë e vet. Prej cilit varet? Prej Zotit. Si t’ia kujtojë vetes? Me anë të lutjes së vërtetë, të vazhdueshme, adhuruese, mirënjohëse.”10

Nuk duhet të na vijë çudi që himni i parapëlqyer i Presidentit Kimball ishte “Çdo Or’ më Duhesh Ti”11. Plaku Dallin H. Ouks tha se ky ishte himni i hapjes i kënduar më shpesh nga Vëllezërit në tempull gjatë viteve të tij të hershme në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve. Ai tha: “Përfytyrojeni ndikimin shpirtëror të një grupi shërbëtorësh të Zotit duke e kënduar atë këngë përpara se të luteshin për udhëheqjen e tij për t’i përmbushur përgjegjësitë e tyre madhore”12.

Unë dëshmoj për rëndësinë e përulësisë në jetën tonë. Jam mirënjohës për individët si Motra Grietje Roulli, që kanë shkruar fjalë e muzikë frymëzuese, të cilat na ndihmojnë ta mësojmë doktrinën e ungjillit të Jezu Krishtit, çka përfshin përulësinë. Unë jam mirënjohës që kemi një trashëgimi të himneve, e cila na ndihmon të adhurojmë nëpërmjet këngëve dhe jam mirënjohës për përulësinë. Është lutja ime se ne të gjithë do të përpiqemi për përulësinë në jetën tonë që të mund të bëhemi prindër, bij dhe bija e pasues më të mirë të Shpëtimtarit. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. “Hyrje nga Presidenca e Parë”, Himne të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (1985), f. ix.

  2. Doktrina e Besëlidhje 25:11.

  3. Faqja e titullit e botimit të parë të librit të himneve të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme mban datën 1835, por ai nuk u përfundua dhe nuk u mundësua deri në fillim të vitit 1836.

  4. Njëzet e gjashtë himne që u shfaqën në librin e himneve të vitit 1835, janë të përfshira në librin tonë aktual të himneve (shih Kathleen Lubeck, “The New Hymnbook: The Saints Are Singing!” Ensign, shtator 1985, f. 7).

  5. “Përulu”, Himne, nr. 68.

  6. Shih Mateu 18:1–4.

  7. Howard W. Hunter, “The Pharisee and the Publican”, Ensign, maj 1984, f. 66.

  8. Anthon H. Lund, në Conference Report, prill 1901, f. 22.

  9. Alma 32:16, 15.

  10. The Teachings of Spencer W. Kimball, red. Edward L. Kimball (1982), f. 233.

  11. “Çdo Or’ më Duhesh Ti” Himne dhe Këngë të Fëmijëve, nr. 12; Brent H. Nielson, “I Need Thee Every Hour”, Ensign, prill 2011, f. 16.

  12. Dallin H. Oaks, “Worship through Music”, Ensign, nëntor 1994, f. 10.