2010–2019
Zgjedhjet
Prill 2016


Zgjedhjet

E zgjedhshim përherë të drejtën më të vështirë në vend të së gabuarës më të lehtë!

Vëllezër e motra, përpara se të filloj mesazhin tim formal sot, do të doja të njoftoja katër tempuj të rinj, të cilët në muajt e vitet pasuese do të ndërtohen në vendndodhjet në vijim: Kuito, Ekuador; Harare, Zimbabve; Belem, Brazil dhe një tempull i dytë në Limë, Peru.

Kur u bëra anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve në vitin 1963, ishin 12 tempuj në funksionim në të gjithë Kishën. Me përkushtimin e Tempullit të Qendrës së Provo-Sitit dy javë më parë, tani janë 150 tempuj në funksionim në mbarë botën. Sa mirënjohës jemi për bekimet që marrim në këto shtëpi të shenjta!

Tani, vëllezër e motra, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për mundësinë që të ndaj disa mendime me ju këtë mëngjes.

Kam menduar kohët e fundit rreth zgjedhjeve. Është thënë se dera e historisë varet nga mentesha të vogla dhe po kështu ndodh me jetën e njerëzve. Zgjedhjet që bëjmë përcaktojnë fatin tonë.

Kur u larguam nga ekzistenca jonë paratokësore dhe hymë në vdekshmëri, ne sollëm me vete dhuratën e lirisë së zgjedhjes. Synimi ynë është të fitojmë lavdinë çelestiale dhe zgjedhjet që bëjmë do të përcaktojnë, në pjesën më të madhe a do ta arrijmë apo jo synimin tonë.

Shumica prej jush e njohin Lizën nga novela klasike e Luis Kerëlit Liza në Botën e Çudirave. Do t’ju kujtohet se ajo vjen në një kryqëzim me dy rrugë përpara vetes, secila duke u shtrirë tutje por në drejtim të kundërt. Teksa ajo mendohet se në cilën udhë të kthehet, përballet me Macen Qeshire, të cilën Liza e pyet: “Cilën rrugë duhet të ndjek?”

Macja përgjigjet: “Varet se ku dëshiron të shkosh. Nëse nuk e di se ku dëshiron të shkosh, nuk ka rëndësi cilën rrugë merr.”1

Ndryshe nga Liza, ne e dimë se ku dëshirojmë të shkojmë dhe ka njëmend rëndësi se në cilin drejtim shkojmë, pasi rruga që ndjekim në këtë jetë na çon te vendmbërritja jonë në jetën tjetër.

Zgjedhshim të ndërtojmë brenda vetes një besim të madh e të fuqishëm që do të jetë mbrojtja jonë me e efektshme kundër planeve të kundërshtarit tonë – një besim të vërtetë, atë lloj besimi që do të na mbajë e do ta përkrahë dëshirën tonë për të zgjedhur të drejtën. Pa besim të tillë, ne nuk shkojmë askund. Me të, ne mund t’i arrijmë synimet tona.

Ndonëse është e domosdoshme që të zgjedhim me urtësi, ka momente kur ne do të bëjmë zgjedhje të pamenda. Dhurata e pendimit, e siguruar nga Shpëtimtari ynë, na mundëson ta ndreqim mjedisin e drejtimit tonë, që të mund të kthehemi te rruga që do të na çojë tek ajo lavdi çelestiale që kërkojmë.

E mbajtshim guximin për ta mospërfillur opinionin e pranuar në masë! E zgjedhshim përherë të drejtën më të vështirë në vend të së gabuarës më të lehtë!

Teksa mendojmë për vendimet që marrim në jetën tonë çdo ditë – a të bëjmë këtë zgjedhje apo atë zgjedhje – nëse zgjedhim Krishtin, do të kemi bërë zgjedhjen e saktë.

Që kjo të jetë gjithnjë kështu është lutja ime e ndier dhe e përulur, në emrin e Jezu Krishtit, Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, amen.

Shënim

  1. Përshtatur nga Lewis Carroll, Alice’s Adventures in Wonderland (1898), f. 89.