2010–2019
Në Lavdërim të Atyre që Shpëtojnë
Prill 2016


Në Lavdërim të Atyre që Shpëtojnë

Kur e përngjasojmë dashurinë e Shpëtimtarit, Ai sigurisht do t’i bekojë dhe do t’i përparojë përpjekjet tona të drejta për t’i shpëtuar martesat tona dhe për t’i forcuar familjet tona.

Shumë vite më parë, isha në Tempullin e Frankfurtit në Gjermani kur vura re një çift të moshuar të zënë përdore. Dhembshuria dhe dashamirësia përkujdesëse që tregonin për njëri-tjetrin, ma ngrohu zemrën.

Nuk jam tërësisht i sigurt përse kjo skenë më ndikoi kaq thellësisht. Ndoshta ishte ëmbëlsia e dashurisë së këtyre dy njerëzve, e ndarë për njëri-tjetrin – një simbol i pakundërshtueshëm i këmbënguljes dhe zotimit. Ishte e qartë që ky çift kishte qenë së bashku për një kohë të gjatë dhe dashamirësia e tyre për njëri-tjetrin ishte ende e gjallë dhe e fortë.

Një Shoqëri e të Flakurve Tej

Mendoj se një tjetër arsye që kjo skenë e dhembshur ka qëndruar me mua për shumë kohë, është ndryshimi kundrejt disa prej qëndrimeve të kohës së sotme. Në kaq shumë shoqëri përreth botës, gjithçka duket se mund të flaket tej. Sapo diçka fillon të thyhet apo vjetërsohet – ose edhe kur thjesht bëhemi të lodhur prej saj – ne e flakim tej dhe e zëvendësojmë me një diçka të përditësuar, diçka më të re apo më të kohës.

E bëjmë këtë gjë me telefonat celularë, veshjet, makinat – dhe, në mënyrë tragjike, edhe me marrëdhëniet.

Ndërkohë që mund të jetë me vlerë që ta largojmë nga jeta jonë rrëmujën e gjërave materiale që nuk na nevojiten më, kur vjen puna për gjëra të rëndësisë së përjetshme – martesën tonë, familjet tona dhe vlerat tona – një prirje e zëvendësimit të fillestares në përfitim të modernes mund të sjellë keqardhje të thellë.

Jam mirënjohës që i përkas një kishe e cila e vlerëson martesën dhe familjen. Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme njihen anembanë botës që kanë disa prej martesave dhe familjeve më të mira që mund të gjeni. Besoj se kjo është, pjesërisht, për shkak të së vërtetës së çmuar, të rivendosur nga Jozef Smithi, që martesat dhe familjet kanë për qëllim të jenë të përjetshme. Familjet nuk kanë për qëllim që thjesht t’i bëjnë gjërat të veprojnë më lehtësisht këtu në tokë dhe të flaken tej kur ne të mbërrijmë në qiell. Përkundrazi, ato janë rregulli i qiellit. Ajo janë një përfaqësim i modelit çelestial dhe një imitim i familjes së përjetshme të Perëndisë.

Por martesa dhe marrëdhëniet e forta familjare nuk ndodhin vetëm ngaqë ne jemi anëtarë të Kishës. Ato kërkojnë punë të vazhdueshme, të qëllimshme. Doktrina e familjeve të përjetshme duhet të na frymëzojë për t’i përkushtuar përpjekjet tona më të mira për shpëtimin dhe përmirësimin e martesave dhe familjeve tona. I admiroj dhe i përgëzoj ata që i kanë ruajtur e ushqyer këto marrëdhënie vendimtare, të përjetshme.

Sot dëshiroj të flas në lavdërim të atyre që shpëtojnë.

Shpëtimi i Martesave Tona

Përgjatë viteve, unë kam kryer ordinancën e vulosjes për shumë çifte që ishin plot shpresë e dashuri. Kurrë nuk kam takuar njerëz që, teksa e shihnin njëri-tjetrin në anën tjetër të altarit, mendonin se do të përfundonin në divorc ose me zemër të thyer.

Fatkeqësisht, disa përfundojnë kështu.

Për një arsye a një tjetër, ndërkohë që ditët shumëfishohen dhe ngjyra e dashurisë romantike ndryshon, ka disa që dalëngadalë nuk mendojnë më për lumturinë e njëri-tjetrit dhe fillojnë të vënë re fajet e vogla. Në një mjedis të tillë, disa njerëz joshen nga përfundimi tragjik që bashkëshortja e tyre nuk është mjaft e zgjuar, mjaft e këndshme apo mjaft e re. Dhe për një arsye apo një tjetër, ata kanë idenë se kjo u jep shfajësimin që të fillojnë të kërkojnë diku tjetër.

Vëllezër, nëse kjo afrohet sadopak që t’ju përshkruajë ju, unë ju paralajmëroj se jeni në një udhë që çon drejt martesave të shkatërruara, shtëpive të shkatërruara dhe zemrave të shkatërruara. Ju drejtoj lutjen që të ndaleni tani, të ktheheni dhe të ecni përsëri në shtegun e sigurt të integritetit moral dhe besnikërisë ndaj besëlidhjeve. Dhe, sigurisht, të njëjtat parime gjejnë zbatim për motrat tona të dashura.

Tani, pak fjalë për ata prej vëllezërve tanë të pamartuar, të cilët ndjekin mashtrimin që fillimisht ata duhet të gjejnë “gruan e përsosur” përpara se të mund të hyjnë në shoqërim serioz romantik ose në martesë.

Vëllezërit e mi të dashur, më lejoni t’ju kujtoj, nëse do të kishte një grua të përsosur, a mendoni me të vërtetë se ajo do të ishte aq e interesuar për ju?

Në planin e Perëndisë për lumturinë, ne nuk po kërkojmë kaq shumë për dikë të përsosur, por për dikë me të cilën, përgjatë gjithë jetës, ne mund t’i bashkojmë përpjekjet që të krijojmë një marrëdhënie të dashur, të qëndrueshme dhe më të përsosur. Ky është synimi.

Vëllezër, ata që i shpëtojnë martesat e tyre, e kuptojnë se ky synim kërkon kohë, durim dhe, mbi të gjitha, bekimet e Shlyerjes së Jezu Krishtit. Ju kërkon të jeni dashamirës, të mos keni smirë, të mos kërkoni të mirën tuaj, të mos nxiteni lehtë në zemërim, të mos mendoni keq dhe të gëzoheni me të vërtetën. Me fjalë të tjera, kërkon dashuri hyjnore, dashurinë e pastër të Krishtit.1

Kjo e gjitha nuk do të ndodhë brenda një çasti. Martesa të mrekullueshme ndërtohen gur pas guri, ditë pas dite, përgjatë një jete të tërë.

Dhe ky është një lajm i mirë.

Sepse, nuk ka rëndësi sa e sheshtë mund të jetë marrëdhënia juaj në të tashmen, në qoftë se ju vazhdoni të shtoni gurë të vegjël të mirësisë, dhembshurisë, vëmendjes, sakrificës, kuptueshmërisë dhe vetëmohimit, më së fundi një piramidë e fuqishme do të fillojë të rritet.

Nëse duket sikur po zgjat përgjithmonë, mbani mend: martesat e lumtura kanë si qëllim që të zgjatin përgjithmonë! Prandaj, “mos u lodhni së bëri mirë, sepse ju po ngrini themelin e një [martese] të madhe. Dhe nga gjëra të vogla vjen ajo që është e madhe.”2

Mund të jetë një punë e përshkallëzuar, por nuk ka përse të jetë një punë e pahareshme. Në fakt, për të mos thënë atë që është e dukshme, divorci rrallë ndodh kur bashkëshorti e bashkëshortja janë të lumtur.

Prandaj jini të lumtur!

Dhe vëllezër, mahniteni bashkëshorten tuaj duke bërë gjëra që e bëjnë atë të lumtur.

Ata që i shpëtojnë martesat e tyre, zgjedhin lumturinë. Teksa është e vërtetë që disa lloje të depresionit kronik kërkojnë kurim të specializuar, mua më pëlqen kjo pjesëz e urtësisë nga Abraham Linkolni: “Shumica e njerëzve janë aq të lumtur sa ata e ndajnë mendjen e tyre që të jetë”. Përputhet mirë me shoqëruesin e saj nga shkrimet e shenjta: “Kërkoni dhe do të gjeni”3.

Nëse kërkojmë papërsosmëri në bashkëshortet tona apo acarime në martesat tona, ne me siguri do t’i gjejmë ato, sepse çdo njeri i ka disa prej tyre. Nga ana tjetër, nëse kërkojmë të mirën, ne me siguri do ta gjejmë atë, sepse çdo njeri gjithashtu ka shumë cilësi të mira.

Ata që i shpëtojnë martesat, i shkulin barërat e këqija dhe i ujitin lulet. Ata kremtojnë veprimet e vogla të hirësisë që japin shkëndijat e ndjenjave të dhembshura të dashurisë hyjnore. Ata që i shpëtojnë martesat, shpëtojnë brezat e ardhshëm.

Vëllezër, mbani mend përse ratë në dashuri.

Punoni çdo ditë që ta bëni martesën tuaj më të fortë e më të gëzuar.

Vëllezërit e mi të dashur, bëfshim gjithçka mundemi që të numërohemi mes atyre shpirtrave të shenjtëruar dhe të lumtur që i shpëtojnë martesat e tyre.

Shpëtimi i Familjeve Tona

Sot gjithashtu dëshiroj të flas në lavdërim të atyre që i shpëtojnë marrëdhëniet e tyre me familjet e tyre. Çdo familje ka nevojë të shpëtohet.

Po aq e mrekullueshme sa është që kjo Kishë njihet për familjet e saj të forta, ne shpesh mund të ndiejmë se kjo duhet të zbatohet te çdo familje shenjtore e ditëve të mëvonshme përveç tonave. Por realiteti është që nuk ka familje të përsosura.

Çdo familje ka çaste çuditërie.

Si rastet kur prindërit tuaj ju kërkojnë t’i nxirrni ata në një “selfi”, ose kur tetoja juaj e moshuar këmbëngul se jeni ende beqar ngaqë zgjidhni shumë, ose kur kunati juaj plot opinione mendon se pikëpamja e tij politike është tërësisht e vërtetë dhe e saktë, ose kur babai juaj organizon një fotografi familjare me çdonjërin të veshur si personazhe në filmin e tij të parapëlqyer.

Dhe ty të jepet kostumi i Çubakës.

Familjet janë të tilla.

Mund të kemi të njëjtin grup gjenesh, por ne nuk jemi të njëjtë. Ne kemi shpirtra të veçantë. Ne ndikohemi në mënyra të ndryshme nga përvojat tona. Dhe si rrjedhojë secili prej nesh përfundon i ndryshëm.

Në vend që të përpiqemi ta detyrojmë çdonjërin brenda një modeli që e kemi krijuar vetë, ne mund të zgjedhim të gëzohemi me këto ndryshime dhe t’i vlerësojmë ato ngaqë i shtojnë larmi dhe të papritura të vazhdueshme jetës sonë.

Megjithatë, nganjëherë pjesëtarët e familjeve tona bëjnë zgjedhje ose bëjnë gjëra që janë të pamenduara, lënduese dhe të pamoralshme. Çfarë duhet të bëjmë në këto raste?

Nuk ka një zgjidhje që e mbulon çdo situatë. Ata që i shpëtojnë familjet e tyre, janë të suksesshëm ngaqë këshillohen me bashkëshortet dhe familjen e tyre, kërkojnë vullnetin e Zotit dhe mbajnë vesh për nxitjet e Frymës së Shenjtë. Ata e dinë se ajo që është e drejtë për një familje, mund të mos jetë e drejtë për një tjetër.

Megjithatë, ka një gjë që është e drejtë në çdo rast.

Në Librin e Mormonit mësojmë për një popull i cili e kishte zbuluar sekretin e lumturisë. Për disa breza, “nuk pati grindje. … Dhe me siguri nuk mund të kishte një popull më të lumtur mes gjithë njerëzve të krijuar nga dora e Perëndisë.” Si e bënë ata këtë? “Për shkak të dashurisë së Perëndisë që jetonte në zemrat e njerëzve.”4

Çfarëdo problemesh që po i has familja juaj, çfarëdo që duhet të bëni për t’i zgjidhur ato, fillimi dhe fundi i zgjidhjes është dashuria hyjnore, dashuria e pastër e Krishtit. Pa këtë dashuri, edhe familjet në dukje të përsosura hasin vështirësi. Me të, edhe familjet me sfidat të mëdha ia dalin mbanë.

“Dashuria nuk ligështohet kurrë.”5

Është e vërtetë për shpëtimin e martesave! Është e vërtetë për shpëtimin e familjeve!

Vëreni Mënjanë Krenarinë

Armiku kryesor i dashurisë hyjnore është krenaria. Krenaria është një nga arsyet më të mëdha që martesat dhe familjet hasin vështirësi. Krenaria është gjaknxehtë, jodashamirëse dhe ziliqare. Krenaria e zmadhon tepër vetë forcën e saj dhe i shpërfill virtytet e të tjerëve. Krenaria është egoiste dhe nxitet lehtë në zemërim. Krenaria hamendëson qëllim të lig atje ku nuk ekziston dhe i fsheh dobësitë e saj prapa justifikimeve të mençura. Krenaria është cinike, pesimiste, zemërake dhe mosduruese. Në të vërtetë, nëse dashuria hyjnore është dashuria e pastër e Krishtit, atëherë krenaria është tipari përcaktues i Satanit.

Krenaria mund të jetë një dështim i zakonshëm njerëzor. Por nuk është pjesë e trashëgimit tonë shpirtëror dhe nuk ka vend mes mbajtësve të priftërisë së Perëndisë.

Jeta është e shkurtër, vëllezër. Keqardhjet mund të zgjatin për një kohë të gjatë – disa do të kenë pasoja që jehojnë përmes përjetësisë.

Mënyra se si e trajtoni bashkëshorten ose fëmijët, ose prindërit, ose motrat apo vëllezërit tuaj, mund t’i ndikojë brezat që vijnë. Çfarë trashëgimie dëshironi t’u lini pasardhësve tuaj? Një trashëgimi të egërsisë, hakmarrjes, zemërimit, frikës apo izolimit? Apo një trashëgimi të dashurisë, përulësisë, faljes, dhembshurisë, rritjes shpirtërore dhe unitetit?

Ne të gjithë kemi nevojë të mbajmë mend: “Gjykimi është pa mëshirë për atë që nuk ka treguar mëshirë”6.

Për hir të marrëdhënieve tuaja familjare, për hir të shpirtit tuaj, ju lutem jini të mëshirshëm, sepse “mëshira triumfon mbi gjykimin”7.

Vëreni mënjanë krenarinë.

Të kërkuarit falje me çiltërsi ndaj fëmijëve tuaj, bashkëshortes suaj, familjes suaj apo miqve tuaj nuk është shenjë e dobësisë por e forcës. A është të pasurit të drejtë më i rëndësishëm sesa krijimi i një mjedisi të ushqimit shpirtëror, shërimit dhe dashurisë?

Ndërtoni ura; mos i shkatërroni ato.

Edhe kur nuk e keni gabim – ndoshta veçanërisht kur nuk e keni gabim – lejojeni dashurinë që ta mposhtë krenarinë.

Nëse e bëni këtë, çfarëdo kundërshtie që po hasni, do të kalojë, dhe për shkak të dashurisë së Perëndisë në zemrat tuaja, grindja do të zhduket. Këto parime të shpëtimit të marrëdhënieve gjejnë zbatim te ne të gjithë, pavarësisht nëse jemi të martuar, të divorcuar, të ve apo beqarë. Ne të gjithë mund të jemi shpëtimtarë të familjeve të forta.

Dashuria Më e Madhe

Vëllezër, në përpjekjet tona për t’i shpëtuar martesat dhe familjet tona, sikurse në të gjitha gjërat, ndjekshim shembullin e Atij që na shpëton ne. Shpëtimtari i fitoi “shpirtrat [tanë] me dashuri”8. Jezu Krishti është Mësuesi ynë. Puna e Tij është puna jonë. Ajo është një punë shpëtuese dhe fillon brenda shtëpive tona.

Dashuria në modelin e planit të shpëtimit është vetëmohuese dhe kërkon mirëqenien e të tjerëve. Ajo është dashuria që Ati Qiellor ka për ne.

Kur e përngjasojmë dashurinë e Shpëtimtarit, Ai sigurisht do t’i bekojë dhe do t’i përparojë përpjekjet tona të drejta për t’i shpëtuar martesat tona dhe për t’i forcuar familjet tona.

Zoti ju bekoftë në përpjekjet tuaja të palodhura dhe të drejta që të numëroheni mes atyre që shpëtojnë. Kjo është lutja ime në emrin e Jezu Krishtit, amen.