Dil nga lundrimi kryesor
Prill 2016 | Kundërshtim në të Gjitha Gjërat

Kundërshtim në të Gjitha Gjërat

Prill 2016 Konferenca e Përgjithshme

Kundërshtimi na lejon të rritemi drejt asaj që Ati Qiellor do të donte të bëheshim.

Në qendër të ungjillit të Jezu Krishtit është plani i shpëtimit i Atit për përparimin e përjetshëm të fëmijëve të Tij. Ai plan, i shpjeguar në zbulesën moderne, na ndihmon të kuptojmë shumë gjëra me të cilat përballemi në vdekshmëri. Mesazhi im përqendrohet te roli thelbësor i kundërshtimit në atë plan.

I.

Qëllimi i jetës në vdekshmëri për fëmijët e Perëndisë është të sigurohen përvojat e nevojshme “për të përparuar drejt përsosjes dhe së fundi, mund të arrinin destinacionin e tyre hyjnor si trashëgimtarë të jetës sëpërjetshme”1. Sikurse na mësoi Presidenti Tomas S. Monson me aq fuqi këtë mëngjes, ne përparojmë duke u vënë në provë për të treguar se do të zgjedhim t’i mbajmë urdhërimet e Perëndisë (shih Abraham 3:25). Për t’u vënë në provë, ne duhet të kemi lirinë e zgjedhjes për të zgjedhur midis alternativave. Për të siguruar alternativat mbi bazën e të cilave ta ushtrojmë lirinë tonë të zgjedhjes, ne duhet të kemi kundërshtim.

Pjesa tjetër e planit është gjithashtu thelbësore. Kur bëjmë zgjedhje të gabuara – ashtu siç do të bëjmë në mënyrë të pashmangshme – ne njollosemi nga mëkati dhe duhet të pastrohemi që të vazhdojmë përpara drejt fatit tonë të përjetshëm. Plani i Atit e siguron mënyrën për ta bërë këtë, mënyrën për t’i kënaqur kërkesat e përjetshme të drejtësisë: një Shpëtimtar e paguan çmimin për të na shëlbuar nga mëkatet tona. Ai Shpëtimtar është Zoti Jezu Krisht, Biri i vetëmlindur i Perëndisë, Atit të Përjetshëm, sakrifica shlyese e të cilit – vuajtja e të cilit – e paguan çmimin për mëkatet tona, në qoftë se do të pendohemi për to.

Një nga shpjegimet më të mira të rolit të planifikuar të kundërshtimit është në Librin e Mormonit, në mësimet e Lehit drejtuar birit të tij, Jakobit.

“Është e nevojshme që të ketë një kundërshtim në të gjitha gjërat. Po të mos ishte kështu, … drejtësi nuk mund të kishte, as ligësi, as shenjtëri ose mjerim, as të mirë ose të keqe” (2 Nefi 2:11; shih edhe vargu 15).

Për pasojë, vazhdoi Lehi: “Zoti Perëndi e lejoi njeriun që ai të veprojë nga vetja e tij. Prandaj, njeriu nuk do të mund të vepronte nga vetja e tij, po të mos ishte që ai të joshej nga njëri ose tjetri.” (vargu 16). Ngjashëm me këtë, në zbulesën moderne Zoti deklaron: “Dhe do të duhej që djalli t’i tundonte fëmijët e njerëzve ose ata nuk mund të ishin vetëveprues” (DeB 29:39).

Kundërshtimi ishte i nevojshëm në Kopshtin e Edenit. Nëse Adami dhe Eva nuk do ta kishin bërë zgjedhjen që e paraqiti vdekshmërinë, Lehi dha mësim se “do të kishin qëndruar në një gjendje pafajësie, … duke mos bërë të mirë, pasi ata nuk njihnin mëkat” (2 Nefi 2:23).

Prej fillimit, liria e zgjedhjes dhe kundërshtimi ishin në qendër të planit të Atit dhe të ngritjes krye të Satanit kundër tij. Ashtu siç ia zbuloi Zoti Moisiut, në këshillin e qiellit Satani “kërkoi të shkatërronte lirinë e njeriut për të zgjedhur” (Moisiu 4:3). Ai shkatërrim ishte i qenësishëm në kushtet e ofertës së Satanit. Ai erdhi përpara Atit dhe tha: “Vër re, ja ku jam unë, dërgomë mua, unë do të jem biri yt dhe do ta shëlbej gjithë njerëzimin, që asnjë shpirt të mos humbasë, dhe sigurisht do ta bëj atë; si rrjedhim, ma jep mua lavdinë tënde” (Moisiu 4:1).

Kështu, Satani propozoi ta zbatonte planin e Atit në një mënyrë që do ta parandalonte përmbushjen e qëllimit të Atit dhe që do t’ia jepte Satanit lavdinë e Tij.

Propozimi i Satanit do të kishte siguruar barazi të përsosur: do ta “shëlb[onte] gjithë njerëzimin” që asnjë shpirt të mos humbiste. Nuk do të kishte liri zgjedhjeje apo zgjedhje nga askush dhe, si rrjedhim, asnjë nevojë për kundërshtim. Nuk do të kishte asnjë provë, asnjë dështim dhe asnjë sukses. Nuk do të kishte asnjë rritje për ta arritur qëllimin që Ati dëshironte për fëmijët e Tij. Shkrimet e shenjta shënojnë se kundërshtimi i Satanit solli si pasojë “luftë në qiell” (Zbulesa 12:7), në të cilën dy të tretat e fëmijëve të Perëndisë e fituan të drejtën për ta përjetuar jetën në vdekshmëri duke zgjedhur planin e Atit dhe duke e hedhur poshtë rebelimin e Satanit.

Qëllimi i Satanit ishte t’i jepte vetes lavdinë dhe fuqinë e Atit (shih Isaia 14:12–15; Moisiu 4:1, 3). “Si rrjedhim”, tha Ati, “ngaqë ai Satan ngriti krye kundër meje, … unë bëra që ai të flakej tutje” (Moisiu 4:3) me të gjithë shpirtrat që e kishin ushtruar lirinë e tyre të zgjedhjes për ta ndjekur atë (shih Judë 1:6; Zbulesa 12:8–9; DeB 29:36–37). Të dëbuar si shpirtra pa trup në vdekshmëri, Satani dhe ndjekësit e tij i tundojnë dhe kërkojnë t’i mashtrojnë e robërojnë fëmijët e Perëndisë (shih Moisiu 4:4). Kështu është që i ligu, i cili kundërshtoi dhe kërkoi ta shkatërronte planin e Atit, në të vërtetë e lehtësoi atë, sepse është kundërshtimi që e mundëson zgjedhjen dhe është mundësia e bërjes së zgjedhjeve të drejta që çon në rritjen e cila është qëllimi i planit të Atit.

II.

Në mënyrë domethënëse, tundimi ndaj mëkatit nuk është i vetmi lloj kundërshtimi në vdekshmëri. Ati Lehi dha mësim se, po të mos kishte ndodhur Rënia, Adami dhe Eva “do të kishin qëndruar në një gjendje pafajësie, pa patur gëzim, pasi ata nuk njihnin mjerim” (2 Nefi 2:23). Pa përvojën e kundërshtimit në vdekshmëri, “të gjitha gjërat është e nevojshme të jenë një bashkim në një”, në të cilin nuk do të kishte lumturi ose mjerim (vargu 11). Prandaj, vazhdoi Ati Lehi, pasi Perëndia i kishte krijuar të gjitha gjërat, “për të plotësuar synimet e tij të përjetshme përkundrejt njeriut, … duhej që të kishte një kundërshtim; madje fruti i ndaluar në kundërshtim ndaj pemës së jetës; njëra duke qenë e ëmbël dhe tjetra e hidhur” (vargu 15).2 Mësimdhënia e tij mbi këtë pjesë të planit të shpëtimit mbyllet me këto fjalë:

“Vini re, të gjitha gjërat janë bërë në diturinë e atij që i di të gjitha gjërat.

Adami ra që njerëzit të mund të jenë; dhe njerëzit janë, që ata të mund të kenë gëzim” (vargjet 24–25).

Kundërshtimi në formën e rrethanave të vështira me të cilat përballemi në vdekshmëri, është gjithashtu pjesë e planit që e shtyn përpara rritjen tonë në vdekshmëri.

III.

Të gjithë ne përjetojmë lloje të ndryshme kundërshtimi që na vënë në provë. Disa nga këto prova janë tundime për të mëkatuar. Disa janë sfida tokësore të ndryshme, të pavarura nga mëkati vetjak. Disa janë shumë të mëdha. Disa janë farë të vogla. Disa janë të vazhdueshme dhe disa janë thjesht episode. Asnjëri prej nesh nuk përjashtohet. Kundërshtimi na lejon të rritemi drejt asaj që Ati Qiellor do të donte të bëheshim.

Pasi Jozef Smithi e kishte përfunduar përkthimin e Librit të Mormonit, atij i duhej ende të gjente një botues. Kjo nuk ishte e lehtë. Ndërlikimi i këtij dorëshkrimi të gjatë dhe kostoja e shtypjes dhe lidhjes së mijëra kopjeve ishin frikësuese. Jozefi iu drejtua së pari E. B. Grandinit, një botuesi në Palmira, i cili nuk pranoi. Më pas ai i kërkoi një botuesi tjetër në Palmira, i cili po ashtu e kundërshtoi. Ai udhëtoi për në Roçester, 25 milje (40 km) larg, dhe iu drejtua botuesit më të mirënjohur në Nju-Jorkun perëndimor, i cili gjithashtu e kundërshtoi. Një botues tjetër nga Roçesteri ishte i gatshëm, por rrethanat e bënë këtë alternativë të papranueshme.

Kishin kaluar javë dhe Jozefi duhej të ketë qenë i hutuar nga kundërshtimi për përmbushjen e detyrës së tij hyjnore. Zoti nuk e bëri të lehtë, por e bëri të mundur. Orvatja e pestë e Jozefit, një avitje e dytë ndaj botuesit të Palmirës, Grandinit, ishte e suksesshme.3

Vite më vonë, Jozefi u burgos në mënyrë të dhembshme në Burgun Liberti për shumë muaj. Kur u lut për ndihmë, Zoti i tha se “gjithë këto gjëra do të të japin përvojë dhe do të jenë për të mirën tënde” (DeB 122:7).

Ne jemi të gjithë në dijeni të llojeve të tjera të kundërshtimit në vdekshmëri, jo të shkaktuara prej mëkateve tona vetjake, përfshirë sëmundjen, paaftësinë dhe vdekje. Presidenti Tomas S. Monson shpjegoi:

“Disa prej jush mund të kenë thirrur në vuajtjen e tyre, duke vrarë mendjen përse Ati Qiellor do t’ju lejonte të kalonit përmes çfarëdo sfide me të cilën po përballeni. …

Sidoqoftë, jeta jonë në vdekshmëri, nuk qe kurrë e thënë të ishte e lehtë apo e kënaqshme në mënyrë të qëndrueshme. Ati ynë Qiellor … e di se ne mësojmë dhe rritemi e përpunohemi nëpërmjet sfidave të vështira, pikëllimeve zemërthyese dhe zgjedhjeve të vështira. Secili prej nesh përjeton ditë të errëta kur njerëz të dashur ndërrojnë jetë, kohë të dhimbshme kur humbasim shëndetin, ndjenja të të qenit të lënë pas dore kur njerëz që i duam duket se na kanë braktisur. Këto dhe sprova të tjera na njohin me provën e vërtetë të aftësisë sonë për të duruar.”4

Përpjekjet tona për ta përmirësuar respektimin tonë të ditës së Shabatit paraqesin një shembull kundërshtimi më pak të tensionuar. Ne e kemi urdhërimin e Zotit për ta respektuar Shabatin. Disa nga zgjedhjet tona mund ta shkelin atë urdhërim, por zgjedhje të tjera për mënyrën se si ta shpenzojmë kohën në Shabat janë thjesht një pyetje nëse do të bëjmë atë që është veçse e mirë ose atë që është më e mirë apo atë që është më e mira.5

Për ta ilustruar kundërshtimin e tundimit, Libri i Mormonit përshkruan tri metoda që djalli do të t’i përdorë në ditët e fundit. E para, ai do të “tërbohet në zemrat e fëmijëve të njerëzve dhe do t’i nxitë në zemërim kundër asaj që është e mirë” (2 Nefi 28:20). E dyta, ai do t’i “paqësojë dhe do t’i përkundë [anëtarët] në siguri trupore”, duke thënë: “Sioni lulëzon, gjithçka është mirë” (vargu 21). E treta, ai do të na thotë “nuk ka ferr dhe … unë nuk jam djall, pasi nuk ka asnjë” (vargu 22), dhe rrjedhimisht nuk ka të drejtë e të gabuar. Për shkak të këtij kundërshtimi, ne paralajmërohemi që të mos jemi të “shkujdesur në Sion!” (vargu 24).

Kisha në misionin e saj hyjnor dhe ne në jetën tonë vetjake duket se përballemi me kundërshtim në rritje sot. Ndoshta, ndërkohë që Kisha rritet në fuqi dhe ne anëtarët rritemi në besim dhe bindje, Satani e rrit forcën e kundërshtimit të tij që ne do të vazhdojmë të kemi “kundërshtim në të gjitha gjërat”.

Një pjesë e këtij kundërshtimi vjen madje nga anëtarët e Kishës. Disa që përdorin arsyetim ose urtësi vetjake për t’i bërë qëndresë drejtimit profetik, i japin vetes së tyre një emërtim të huazuar nga organet e zgjedhura –“kundërshtimi besnik”. Sado me vend për një demokraci, nuk ka garanci për këtë koncept në qeverisjen e mbretërisë së Perëndisë, ku pyetjet respektohen, por kundërshtimi jo (shih Mateu 26:24).

Si shembull tjetër, ka shumë gjëra në historinë e hershme të Kishës, të tilla si ajo që Jozef Smithi bëri ose nuk bëri në çdo rrethanë, që disa e përdorin si një bazë për kundërshtim. Të gjithëve unë iu them: “Ushtrojeni besimin dhe mbështetuni te mësimet e Shpëtimtarit që ne do t’i ‘nj[ohim] nga frytet e tyre’” (Mateu 7:16). Kisha po bën përpjekje të mëdha për të qenë e hapur me analet që kemi, por pas gjithçkaje që mund të botojmë, anëtarët tanë ndonjëherë lihen me pyetje bazë që nuk mund të zgjidhen me anë të studimit. Ai është varianti i historisë së Kishës për “kundërshtim[in] në të gjitha gjërat”. Disa gjëra mund të mësohen vetëm me anë të besimit (shih DeB 88:118). Mbështetja jonë përfundimtare duhet të jetë te besimi në dëshminë që kemi marrë nga Fryma e Shenjtë.

Perëndia rrallëherë e nëpërkëmb lirinë e zgjedhjes së ndonjërit prej fëmijëve të Tij duke ndërhyrë kundër disa njerëzve për të ndihmuar të tjerë. Por Ai vërtet i lehtëson barrët e hidhërimeve tona dhe na forcon për t’i mbajtur ato, sikurse bëri për popullin e Almës në tokën e Helamit (shih Mosia 24:13–15). Ai nuk i parandalon të gjitha katastrofat natyrore, por Ai vërtet u përgjigjet lutjeve tona për t’i mënjanuar ato, sikurse bëri në mënyrë të pashoqe me ciklonin e fuqishëm që kërcënoi ta pengonte përkushtimin e tempullit në Fixhi;6 ose Ai vërtet i topit efektet e tyre, sikurse bëri me shpërthimin e bombave terroriste që morën kaq shumë jetë në aeroportin e Brukselit, por vetëm i plagosën katër misionarët tanë.

Përmes të gjithë kundërshtimit në vdekshmëri, ne kemi sigurimin e Perëndisë që Ai do t’i “shenjtërojë hidhërimet [tona] për të mirë” (2 Nefi 2:2). Neve na është mësuar gjithashtu t’i kuptojmë përvojat në vdekshmëri dhe urdhërimet e Tij në kontekstin e planit të Tij të madhërishëm të shpëtimit, i cili na tregon qëllimin e jetës dhe na jep sigurinë e një Shpëtimtari, në emrin e të cilit unë dëshmoj për vërtetësinë e këtyre gjërave. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Left
Right
Paraqit ReferimetFshih Referimet

    Shënime

    1. “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës,” Liahona, nëntor 2010, f. 129.

    2. Në mënyrë të ngjashme, zbulesa moderne na mëson se po të mos kishim pasur hidhërim, nuk do të mund ta njihnim ëmbëlsinë (shih Doktrina e Besëlidhje 29:39).

    3. Shih Michael Hubbard MacKay and Gerrit J. Dirkmaat, From Darkness unto Light: Joseph Smith’s Translation and Publication of the Book of Mormon (2015), f. 163–179.

    4. Tomas S. Monson, “Joy in the Journey” (fjalim i mbajtur në Konferencën e Grave të UBJ-së, 2 maj, 2008), womensconference.ce.byu.edu. Një ese e shkurtër mbi korrektësinë dhe demokracinë nga John S. Tanner, tani president i UBJ-së në Havai, përfshin këtë pikëpamje mbi një temë të cilën e njohim të gjithë: “Të mësuarit se si të humbasim hijshëm nuk është vetëm një detyrë qytetare, është një urdhëresë fetare. Perëndia e skicoi vdekshmërinë për të siguruar ‘kundërshtim në të gjitha gjërat’ (2 Nefi 2:11). Pengesat dhe disfatat janë pjesë e planit të Tij për përsosurinë tonë. … Disfata luan një rol përbërës në ‘kërkimin tonë për përsosuri’” (Notes from an Amateur: A Disciple’s Life in the Academy [2011], f. 57).

    5. Plaku Dallin H. Oaks, “Mirë, Më Mirë, Më e Mira”, Liahona, nëntor 2007, f. 104–108.

    6. Shih Sarah Jane Weaver, “Rededication Goes Forward,” Church News, 28 shkurt 2016, f. 3–4.