2010–2019
“Që t’i Tërheq të Gjithë Njerëzit tek Unë”
Prill 2016


“Që t’i Tërheq të Gjithë Njerëzit tek Unë”

Ndërsa afrohemi më pranë Perëndisë, fuqia mundësuese e Shlyerjes së Jezu Krishtit do të vijë në jetën tonë.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ndërkohë që jetoja në Afrikë, kërkova këshillë nga Plaku Uillford W. Andersen, i Të Shtatëdhjetëve, rreth të ndihmuarit të shenjtorëve që jetonin në varfëri. Mes ideve të mrekullueshme që ai më tregoi, ishte edhe kjo: “Sa më e madhe largësia midis dhënësit dhe marrësit, aq më shumë marrësi zhvillon ndjesinë se i takon ta marrë diçka”.

Ky parim qëndron në themel të sistemit të Kishës për mirëqenien. Kur anëtarët nuk janë në gjendje t’i plotësojnë nevojat e tyre vetjake, ata fillimisht drejtohen te familjet e tyre. Më pas, nëse është e nevojshme, ata mund të drejtohen edhe tek udhëheqësit vendorë të Kishës për ndihmë lidhur me nevojat e tyre materiale.1 Pjesëtarët e familjes dhe udhëheqësit vendorë të Kishës që janë më pranë atyre në nevojë, shpesh janë përballur me rrethana të ngjashme dhe e kuptojnë më mirë se si të japin ndihmesë. Për shkak të afërsisë së tyre me dhënësit, marrësit që e marrin ndihmën sipas këtij modeli janë mirënjohës dhe kanë më pak gjasa të ndjejnë se u takon ta marrin diçka.

Koncepti – “sa më e madhe largësia midis dhënësit dhe marrësit, aq më shumë marrësi zhvillon ndjesinë se i takon ta marrë diçka” – ka edhe zbatime plotësisht shpirtërore. Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, janë Dhënësit absolutë. Sa më shumë që largohemi prej Tyre, aq më shumë mendojmë se na takon ta marrim diçka. Ne fillojmë të mendojmë se e meritojmë hirin dhe janë bekime që ata na i kanë borxh. Ne kemi më shumë prirjen që të shohim përreth, të dallojmë padrejtësitë dhe të ndihemi të brengosur – madje të fyer – nga padrejtësia që ne pikasim. Ndërsa padrejtësia mund të fillojë që nga diçka e parëndësishme deri te shkaktimi i dhembjes mendore ose emocionale, kur ne jemi të largët me Perëndinë, edhe padrejtësitë e vogla duken të mëdha. Ne mendojmë se Perëndia e ka për detyrë që t’i rregullojë gjërat – dhe t’i rregullojë ato pikërisht tani!

Dallimi që bëhet nga afërsia jonë me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin ilustrohet në Librin e Mormonit, në një kontrast të fortë midis Nefit dhe vëllezërve të tij më të mëdhenj, Lamanit dhe Lemuelit:

  • Nefi kishte “dëshira të mëdha për të ditur misteret e Perëndisë, prandaj [ai] i thirr[i] Zotit”, dhe zemra e tij u zbut.2 Nga ana tjetër, Lamani dhe Lemueli ishin të largët me Perëndinë – ata nuk e njihnin Atë.

  • Nefi i pranoi detyrat sfiduese pa u ankuar, por Lamani dhe Lemueli “mërmëritën për shumë gjëra”. Mërmëritja është ekuivalenti në shkrimet e shenjta i ankesave fëmijërore. Shkrimet e shenjta shënojnë se ata “mërmëritën, sepse nuk i dinin veprimet e atij Perëndie që i kishte krijuar ata”3.

  • Afërsia e Nefit me Perëndinë i mundësoi atij që t’i njihte dhe t’i vlerësonte “mëshirat e dhembshura” të Perëndisë.4 Në dallim, kur Lamani dhe Lemueli e panë Nefin të merrte bekime, ata “ishin [të] zemëruar me të, sepse ata nuk [i] kuptonin punët e Zotit”5. Lamani dhe Lemueli i shikonin bekimet që merrnin si e drejta e tyre dhe me paturpësi hamendësonin se duhej të merrnin më shumë. Ata duket se i shikonin bekimet e Nefit si “gabime” të kryera kundër tyre. Ky është ekuivalenti në shkrimet e shenjta i pakënaqësisë nga mosmarrja e asaj që ne mendojmë se e meritojmë.

  • Nefi ushtroi besim në Perëndi për të kryer atë që iu kërkua të bënte.6 Nga ana tjetër, Lamani and Lemueli, “duke qenë të ngurtë në zemrat e tyre, … nuk panë te Zoti ashtu si duhej”7. Ata dukej sikur ndienin se Zoti ishte i detyruar t’u jepte përgjigje pyetjeve që ata nuk i kishin bërë. “Zoti nuk na e bën të ditur asgjë të tillë neve”, thanë ata, por ata as nuk e morën mundimin për të pyetur.8 Ky është ekuivalenti në shkrimet e shenjta i skepticizmit cinik.

Për shkak se ishin të largët me Shpëtimtarin, Lamani dhe Lemueli mërmëritën, u bënë grindavecë dhe ishin besimpakë. Ata mendonin se jeta ishte e padrejtë dhe se u takonte ta kishin hirin e Perëndisë. Nga ana tjetër, për shkak se ishte afruar më pranë Perëndisë, Nefi duhet ta ketë kuptuar se jeta do të ishte më e padrejtë për Jezu Krishtin. Edhe pse plotësisht i pafaj, Shpëtimtari do të vuante më shumë.

Sa më afër të jemi me Jezu Krishtin në mendimet dhe qëllimet e zemrës sonë, aq më tepër e vlerësojmë vuajtjen e Tij të pafajshme, aq më mirënjohës jemi për hirin e faljen dhe aq më tepër duam të pendohemi e të bëhemi si Ai. Largësia jonë e plotë nga Ati Qiellor dhe Jezu Krishti është e rëndësishme, por drejtimi që po marrim është edhe më vendimtar. Perëndia është më i kënaqur me mëkatarët që pendohen, të cilët po përpiqen të afrohen më pranë Tij sesa me individët e vetëkënaqur dhe kritizerë të cilët, ashtu si farisenjtë dhe skribët e lashtë, nuk e kuptojnë se sa shumë nevojë kanë për t’u penduar.9

Kur isha fëmijë, këndoja një këngë suedeze për Krishtlindje që jep një mësim të thjeshtë, por të fuqishëm – afrimi më pranë Shpëtimtarit na bën që të ndryshojmë. Teksti është pak a shumë kështu:

Kur mëngjesi i Krishtlindjes rrezaton

Te stalla dua të shkoj,

Ku Perëndia në orët e natës

Tashmë mbi kashtë qëndron.

Sa mirë që dëshirove

Në tokë të vije poshtë!

Tani, ditët e fëmijërisë sime

në mëkat s’dua t’i kaloj më!

Jezus, për Ty kemi nevojë,

Ti mik i shtrenjtë i fëmijëve.

Nuk dua të të mërzis më

Prapë me të miat mëkate.10

Kur në mënyrë të figurshme ne e mbartim veten tonë në stallën në Bethlehem, “ku Perëndia në orët e natës, tashmë mbi kashtë qëndron”, ne mund ta njohim më mirë Shpëtimtarin si një dhuratë nga një Atë i mirë e i dashur Qiellor. Në vend që të mendojmë se bekimet dhe hiri i Tij na takojnë, ne zhvillojmë një dëshirë të madhe që të ndalojmë së shkaktuari Perëndisë pikëllime të mëtejshme.

Cilido qoftë drejtimi ose largësia jonë e tanishme nga Ati Qiellor dhe Jezu Krishti, ne mund të zgjedhim të kthehemi drejt Tyre dhe të afrohemi më pranë Tyre. Ata do të na ndihmojnë. Ashtu si Shpëtimtari u tha nefitëve pas Ringjalljes së Tij:

“Dhe, Ati im më dërgoi që të mund të ngrihesha në kryq; dhe pasi u ngrita në kryq, që t’i tërheq të gjithë njerëzit tek unë, …

Dhe për këtë shkak unë jam ngritur; prandaj sipas fuqisë së Atit, unë do t’i tërheq të gjithë njerëzit tek unë”11.

Për t’u afruar më pranë Shpëtimtarit tonë, ne duhet ta rritim besimin tonë në Të, duhet t’i bëjmë e t’i mbajmë besëlidhjet dhe të kemi Frymën e Shenjtë me vete. Ne duhet të veprojmë gjithashtu me besim, duke iu përgjigjur drejtimit shpirtëror që marrim. Të gjithë këta elementë mblidhen së bashku në sakrament. Me të vërtetë, mënyra më e mirë që unë di për t’u afruar më pranë Perëndisë është që të përgatitemi me kujdes dhe ta marrim denjësisht sakramentin çdo javë.

Një mikesha jonë në Afrikën e Jugut tregoi se si arriti ta kuptonte këtë. Kur Diana ishte një e kthyer e re në besim, ajo frekuentonte një degë jashtë Johanesburgut. Një të diel, ndërsa u ul me bashkësinë, struktura e godinës kishtare bëri që dhjaku të mos e shikonte atë ndërsa kalohej sakramenti. Diana u zhgënjye, por nuk tha gjë. Një anëtar tjetër e vuri re mosdhënien e sakramentit dhe ia përmendi këtë presidentit të degës pas mbledhjes. Ndërsa filloi Shkolla e së Dielës, Diana e ftua [që të shkonte] në një klasë bosh.

Një mbajtës i priftërisë hyri. Ai u gjunjëzua, bekoi pak bukë dhe i dha asaj një copë. Ajo e hëngri. Ai u gjunjëzua sërish dhe bekoi pak ujë dhe i dha asaj një gotë të vogël. Ajo e piu atë. Më pas, Diana kishte dy mendime të shpejta njëra pas tjetrës: Së pari, “O, ai [mbajtësi i priftërisë] e bëri këtë vetëm për mua”. Dhe më pas, “O, Ai [Shpëtimtari] e bëri këtë vetëm për mua”. Diana ndjeu dashurinë e Atit Qiellor.

Ndërgjegjësimi i saj se sakrifica e Shpëtimtarit ishte vetëm për të, e ndihmoi që të ndihej pranë Tij dhe krijoi një dëshirë të zjarrtë për ta mbajtur atë ndjenjë në zemrën e saj jo vetëm të dielën, por çdo ditë. Ajo kuptoi që edhe pse ulej në një bashkësi për të marrë sakramentin, besëlidhjet që përtërinte çdo të diel ishin veçanërisht të sajat. Sakramenti e ndihmoi – dhe vazhdon ta ndihmojë – Dianën të ndjejë fuqinë e dashurisë së perëndishme, të njohë dorën e Zotit në jetën e saj dhe të afrohet më pranë Shpëtimtarit.

Shpëtimtari e përcaktoi sakramentin si të domosdoshëm për një themel shpirtëror. Ai tha:

“Dhe unë ju jap një urdhërim që ju duhet t’i bëni këto gjëra [të merrni sakramentin]. Dhe në qoftë se do t’i bëni gjithnjë këto gjëra, të bekuar jeni ju, pasi ju jeni ndërtuar mbi shkëmbin tim.

Por, të gjithë ata që do të bëjnë më pak ose më shumë se këto, nuk janë ndërtuar mbi shkëmbin tim, por janë ndërtuar mbi një themel prej rëre; dhe kur shiu të bjerë dhe përmbytjet të vijnë, dhe erërat të fryjnë dhe të përplasen mbi ta, ata do të bien.”12

Jezusi nuk tha “nëse bie shi, nëse vijnë përmbytjet, dhe nëse fryjnë erërat”, por tha “kur”. Askush nuk ka imunitet ndaj sfidave të jetës; ne të gjithë kemi nevojë për sigurinë që vjen nga marrja e sakramentit.

Në ditën e Ringjalljes së Shpëtimtarit, dy dishepuj udhëtuan për në një fshat të quajtur Emaus. Duke mos e njohur Atë, Zoti i ringjallur u bashkua me ta në udhëtim. Ndërsa udhëtonin, Ai u dha mësim atyre nga shkrimet e shenjta. Kur arritën në pikëmbërritjen e tyre, ata e ftuan që të hante darkë me ta.

“Dhe, siç ishte në tryezë me ta, mori bukën, e bekoi dhe, si e theu, ua ndau atyre.

Atëherë atyre iu çelën sytë dhe e njohën, por ai u zhduk prej syve të tyre.

Dhe ata i thanë njëri-tjetrit: ‘Po a nuk na digjej zemra përbrenda, kur ai na fliste udhës dhe na hapte Shkrimet?’”

Në po atë çast u ngritën dhe u kthyen në Jeruzalem, ku [i] gjetën të njëmbëdhjetë [Apostujt] … që ishin mbledhur bashkë.”

Dhe më pas ata u dëshmuan Apostujve se “Zoti u ringjall me të vërtetë. …

Ata atëherë treguan ç’u kishte ndodhur rrugës dhe si e kishin njohur në ndarjen e bukës”13.

Sakramenti me të vërtetë na ndihmon që ta njohim Shpëtimtarin tonë. Na kujton gjithashtu vuajtjen e Tij të pafajshme. Nëse jeta do të ishte me të vërtetë e drejtë, unë dhe ju nuk do të ringjalleshim kurrë; unë dhe ju nuk do ishim kurrë në gjendje të qëndronim të pastër përpara Perëndisë. Në lidhje me këtë, jam mirënjohës që jeta nuk është e drejtë.

Në të njëjtën kohë, unë mund të them me mirëkuptim se për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit, përfundimisht, në skemën e përjetshme të gjërave, nuk do të ketë padrejtësi. “Gjithçka që është e padrejtë në jetë mund të ndreqet.”14 Rrethanat tona të tanishme mund të mos ndryshojnë, por nëpërmjet dhembshurisë, mirësisë dhe dashurisë së Perëndisë, ne të gjithë do të marrim më shumë sesa meritojmë, më shumë sesa mund të arrijmë ndonjëherë dhe më shumë sesa mund të shpresojmë ndonjëherë. Neve na është premtuar se “Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë [tanë]; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan”15.

Pavarësisht se ku qëndroni në marrëdhënien tuaj me Perëndinë, unë ju ftoj të afroheni më pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit, Mirëbërësve dhe Dhënësve Kryesorë të gjithçkaje që është e mirë. Ju ftoj ta frekuentoni mbledhjen e sakramentit çdo javë dhe të merrni emblemat e shenjta të trupit dhe gjakut të Shpëtimtarit. Ju ftoj ta ndjeni afërsinë e Perëndisë kur Ai ju bëhet i njohur, ashtu siç Ai ishte për dishepujt e lashtë, në “ndarjen e bukës”.

Kur ta bëni këtë, unë ju premtoj se ju do të ndiheni më pranë Perëndisë. Prirjet natyrore për ankesa fëmijërore, pakënaqësi për mosmarrjen e asaj ne mendojmë se e meritojmë dhe skepticizëm cinik do të zhduken. Ato mendime do të zëvendësohen nga ndjenjat e një dashurie dhe mirënjohjeje më të madhe për dhuratën e Birit të Tij nga Ati Qiellor. Ndërsa afrohemi më pranë Perëndisë, fuqia mundësuese e Shlyerjes së Jezu Krishtit do të vijë në jetën tonë. Dhe, ashtu si me dishepujt rrugës për në Emaus, ne do të zbulojmë se Shpëtimtari ka qenë pranë nesh gjatë gjithë kohës. Unë jap dëshmi për këtë dhe dëshmoj në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Manuali 2: Administrimi i Kishës (2010), 6.2. Nga faqja 1 e Plotësim i Nevojave në Mënyrën e Zotit: Përmbledhje e një Udhëzuesi për Udhëheqës Lidhur me Mirëqenien (broshurë, 2009), ne lexojmë: “Kur anëtarët e Kishës po bëjnë gjithçka që ata munden për të plotësuar nevojat e veta, por ende nuk u përgjigjen dot kërkesave të tyre bazë, ata duhet që, së pari, t’iu drejtohen për ndihmë familjeve të tyre. Kur kjo nuk u mjafton, Kisha qëndron e gatshme të ndihmojë”.

  2. 1 Nefi 2:16.

  3. 1 Nefi 2:11, 12.

  4. 1 Nefi 1:20.

  5. Mosia 10:14.

  6. Shih 1 Nefi 17:23–50.

  7. 1 Nefi 15:3.

  8. 1 Nefi 15:9; shih edhe vargun 8.

  9. Shih Lluka 15:2; shih edhe Joseph Smith, në History of the Church, 5:260–262.

  10. Kënga e Krishtlindjes u shkrua në Gjermani nga Abel Burkhard (1805–1882), i cili shërbeu si kryedhjak në Bazel të Zvicrës. Përkthimi suedez u bë në vitin 1851, nga Beti Erenborg-Poze. Titulli suedez është “När juldagsmorgon glimmar”. Janë bërë shumë përkthime në anglisht, të cilat bëjnë të mundur që kënga të këndohet me melodinë popullore gjermane që përdoret zakonisht. Përkthimi në anglisht që jepet këtu është i imi dhe i motrës sime (Anita M. Renland).

    Kur mëngjesi i Krishtlindjes rrezaton

    Te stalla dua të shkoj,

    |: Ku Perëndia në orët e natës

    Tashmë mbi kashtë qëndron. :|

    Sa mirë që dëshirove

    Në tokë të vije poshtë!

    |: Tani, ditët e fëmijërisë sime

    në mëkat s’dua t’i kaloj më! :|

    Jezus, për Ty kemi nevojë, Ti mik i shtrenjtë i fëmijëve.

    |: Nuk dua të të mërzis më

    Prapë me të miat mëkate. :|

    När juldagsmorgon glimmar,

    jag vill till stallet gå,

    |: där Gud i nattens timmar

    re’n vilar uppå strå. :|

    Hur god du var som ville

    till jorden komma ner!

    |: Nu ej i synd jag spille

    min barndoms dagar mer! :|

    Dig, Jesu, vi behöva,

    du käre barnavän.

    |: Jag vill ej mer bedröva

    med synder dig igen. :|

  11. 3 Nefi 27:14–15.

  12. 3 Nefi 18:12–13.

  13. Lluka 24:30–35; shih edhe vargjet 13–29.

  14. Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar (2005), f. 52.

  15. Zbulesa 21:4.