2010–2019
Ku Janë Çelësat dhe Autoriteti i Priftërisë?
Prill 2016


Ku Janë Çelësat dhe Autoriteti i Priftërisë?

Autoriteti i priftërisë dhe çelësat e vënë në lëvizje fuqinë, i hapin dyert e qiellit, bëjnë të mundur përdorimin e fuqisë qiellore dhe shtrojnë shtegun e besëlidhjeve për t’u kthyer tek Ati ynë Qiellor.

Teksa dielli dimëror i pasdites rrëshqiste prapa kodrës së gjerë, të mbuluar me dëborë për ushtrimin e skive, ajri i acartë i malit i preku ashpër faqet dhe hundët tona, duke vepruar pothuajse si një shtytës i fortë duke na udhëzuar që t’i gjenim makinat dhe kamionçinat tona në vendparkimin e pikës turistike për ski. Atje, në makinat tona të rehatshme, ngrohësit shpejt do t’i ngrohnin gishtat e ftohtë të këmbëve dhe të duarve. Tingulli i dëborës së ngrirë që kërciste me çdo hap që bënim, pohoi se ky ishte një i ftohtë i jashtëzakonshëm.

Familja jonë kishte kaluar një ditë të mbushur plot hare në shpatet rrëshqitëse për ski, e cila tashmë po arrinte në një mbyllje ngrirëse. Kur arritëm te makina, futa duart në xhepin e palltos për çelësat dhe më pas në një xhep tjetër dhe në një tjetër. “Ku janë çelësat?” Të gjithë po pritnin me padurim për çelësat! Bateria ishte e ngarkuar dhe të gjitha sistemet – përfshirë ngrohësin – ishin gati të punonin, por, pa çelësat, dyert e mbyllura nuk do të na e lejonin hyrjen; pa çelësat, motori nuk do të siguronte energji për makinën.

Në atë kohë, përqendrimi ynë kryesor ishte mbi mënyrën se si do të hynim në makinë dhe të ngroheshim, por nuk arrija të mos mendoja – edhe në atë kohë – se pikërisht atje mund të gjendej një mësim. Pa çelësat, kjo mrekulli çudibërëse e inxhinierisë nuk ishte më tepër se diçka plastike dhe metalike. Edhe pse makina kishte potencial të madh, pa çelësat, ajo nuk mund ta kryente funksionin e saj qëllimor.

Sa më shumë që mendoj për këtë përvojë, aq më domethënëse është bërë kjo analogji për mua. Mahnitem nga dashuria e Atit Qiellor për fëmijët e Tij. Qëndroj i mrekulluar nga vizita qiellore dhe vegimet e madhërishme të përjetësisë që Perëndia ia dha Jozef Smithit. Dhe veçanërisht, zemra ime mbushet me mirënjohje gjithëpushtuese për rivendosjen e autoritetit të priftërisë dhe të çelësave të priftërisë. Pa këtë rivendosje, ne nuk do të mund të futeshim brenda në makinë e nevojshme për të na transportuar në udhëtimin tonë drejt shtëpisë te prindërit e dashur qiellorë. Kryerja e çdo ordinance të shpëtimit, duke përfshirë shtegun tonë të besëlidhjeve për t’u kthyer te prania e Atit tonë në Qiell, kërkon qeverisjen e duhur nëpërmjet çelësave të priftërisë.

Në maj të vitit 1829, Gjon Pagëzori iu shfaq Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit, u dha atyre Priftërinë Aarone dhe dhuroi mbi ta çelësat përkatës të asaj priftërie. Pak kohë pas kësaj, Pjetri, Jakobi dhe Gjoni iu dhanë atyre çelësat e Priftërisë Melkizedeke.1

Gati shtatë vjet më vonë, një të diel në Tempullin e Kirtlandit, vetëm një javë pas përkushtimit të tij, “Zoti [i] shfaqet në lavdi” Jozefit dhe Oliverit, një ngjarje e pasuar nga shfaqja e Moisiut, Eliasit dhe Elijas, të cilët dorëzuan “çelësat dhe periudhat e tyre të kujdestarisë”2. Autoriteti i rivendosur i priftërisë dhe këta çelësa ishin humbur për shekuj. Në të njëjtën mënyrë se si familja jonë mbeti jashtë makinës si rrjedhojë e humbjes së çelësave të makinës, po ashtu gjithë fëmijët e Atit Qiellor ishin lënë jashtë parimeve dhe ordinancave të ungjillit të Jezu Krishtit – derisa një rivendosje hyjnore u përmbush nga këta lajmëtarë hyjnorë. Kurrë, më kurrë nuk kemi për të pyetur: “Ku janë çelësat?”

Pamja
vendi i rivendosjes së Priftërisë
Pamja
lumi Saskehana

Në një ditë të bukur vjeshte vitin e kaluar, vizitova pyllin paqësor të vendosur në Pensilvaninë verilindore, të njohur në shkrimin e shenjtë si Harmoni, ku Gjon Pagëzori iu shfaq Jozef Smithit e Oliver Kaudërit dhe rivendosi Priftërinë Aarone. Gjithashtu qëndrova në brigjet e lumit Saskehana ku u pagëzuan Jozefi dhe Oliveri, të dhuruar me autoritet e çelësa. Pranë po të njëjtit lumë, Pjetri, Jakobi dhe Gjoni u shfaqën dhe rivendosën Priftërinë Melkizedeke dhe çelësat shoqëruese të saj.3

Pamja
shtëpia e Jozef dhe Ema Smithit
Pamja
pjesa e brendshme e qendrës së vizitorëve te vendi i rivendosjes së Priftërisë
Pamja
pjesa e jashtme e qendrës së vizitorëve te vendi i rivendosjes së Priftërisë

Këto vende, si edhe shtëpia e parë, e rindërtuar, e Jozefit dhe Emës, ku u përkthye shumica e Librit të Mormonit; shtëpia aty pranë e prindërve të Emës; dhe një qendër vizitorësh, e përfshirë brenda një shtëpie të re mbledhjesh, përbëjnë Vendin e ri të Rivendosjes së Priftërisë, të përkushtuar nga Presidenti Rasëll M. Nelson në shtatorin e vitit të kaluar. Atje, unë ndjeva fuqinë dhe realitetin e ngjarjeve qiellore që ndodhën në atë vendndodhje të shenjtë. Ajo përvojë më bëri të përsiat, studioj e lutem rreth autoritetit të priftërisë dhe çelësave të priftërisë, që më lanë mbresë për një dëshirë që t’u flas të rinjve dhe të rejave të Kishës për mënyrën se si autoriteti i priftërisë dhe çelësat e rivendosur mund t’i bekojnë ata.

Fillimisht, një kuptueshmëri e këtyre termave mund të jetë e dobishme. Priftëria ose autoriteti i priftërisë është përcaktuar si “fuqia dhe autoriteti i Perëndisë”4 dhe “fuqia më e lartë në këtë tokë”5. Çelësat e priftërisë përcaktohen për kuptueshmërinë tonë gjithashtu: “Çelësat e priftërisë janë autoriteti që Perëndia u ka dhënë udhëheqësve të priftërisë për të drejtuar, kontrolluar dhe qeverisur përdorimin e priftërisë së Tij në tokë”6. Çelësat e priftërisë kontrollojnë ushtrimin e autoritetit të priftërisë. Ordinancat që shënohen në dokumentet e Kishës, kërkojnë çelësa dhe nuk mund të bëhen pa autorizim. Plaku Dallin H. Ouks dha mësim se “së fundi, të gjithë çelësat e priftërisë mbahen nga Zoti Jezu Krisht, priftëria e të cilit është ajo. Ai është personi që vendos cilët çelësa u jepen njerëzve të vdekshëm dhe mënyrën se si do të përdoren ata çelësa.”7

Tani, për ju të rinj e të reja, unë kam marrë parasysh tri mënyra se si mund t’i “gjeni çelësat” apo se si t’i përdorni çelësat dhe autoritetin e priftërisë për ta bekuar jetën tuaj dhe jetën e të tjerëve.

E Para Është të Përgatiteni për Shërbim Misionar

Vëllezërit dhe motrat e mia të reja, ju mund të mos e kuptoni, por çelësat e mbledhjes së Izraelit, të rivendosur nga Moisiu, e bëjnë të mundur punën misionare në periudhën tonë të kujdestarisë ungjillore. Merrni parasysh forcën misionare kohëplotë prej rreth 75.000 misionarësh në fushën e misionit nën drejtimin e këtyre çelësave. Me këtë në mendje, mbani mend se nuk është asnjëherë shumë herët për ju që të përgatiteni për shërbimin misionar. Në broshurën Për Forcën e Rinisë, ne lexojmë: “Të rinj të Priftërisë Aarone, … punoni me zell që të përgatiteni për ta përfaqësuar Zotin si një misionar”8. Të rejat mund të përgatiten gjithashtu, por ju “nuk j[eni] nën të njëjtin urdhër për të shërbyer”9. Megjithatë, e gjithë përgatitja juaj, qoftë nëse shërbeni apo jo si një misionar kohëplotë, do të shtojë përfitime jetëgjata për ju si një anëtar misionar.

Mënyra e Dytë që t’i “Gjeni Çelësat” Është të Frekuentoni Tempullin

Çelësat vulosës, të rivendosur nga profeti i Dhiatës së Vjetër, Elija, bëjnë të mundura ordinancat që ndodhin në tempujt e shenjtë. Ordinancat e kryera në këta tempuj i aftësojnë individët dhe familjet që të kthehen në praninë e prindërve tanë qiellorë.

Ne ju nxitim ju, të rinj e të reja, që të kërkoni dhe gjeni emrat e paraardhësve tuaj dhe të kryeni pagëzime mëkëmbëse për ta në tempull. Vëmë re që kjo tashmë po ndodh në përmasa domethënëse dhe të pashembullta anembanë botës! Pagëzimoret në shumë tempuj mbushen me të rinj e të reja që herët në mëngjes dhe deri natën. Çelësat e priftërisë përdoren që t’i lejojnë familjet të lidhen së bashku kur ordinancat e shenjta kryhen në këta tempuj.

A mund ta kuptoni marrëdhënien midis çelësave të priftërisë dhe bekimeve? Teksa përfshiheni në këtë punë, mendoj se do të gjeni që Zoti është i përfshirë në hollësitë e saj. Një përvojë e tregon këtë gjë. Kohët e fundit mësova për një nënë e cila rregullisht i shoqëronte fëmijët e saj për në tempull që të kryenin pagëzime mëkëmbëse. Në këtë ditë të veçantë, kur kjo familje i përfundoi pagëzimet e tyre dhe po largohej nga tempulli, një burrë hyri në zonën e pagëzimores me një grumbull të madh emrash të vetë familjes së tij. Duke e kuptuar se nuk kishte mbetur askush në pagëzimore për të ndihmuar me këta emra të familjes, një punonjës i tempullit e arriti familjen që po largohej dhe u kërkoi fëmijëve nëse do të merrnin parasysh që të hynin përsëri dhe të visheshin me veshjet e pagëzimit që të ndihmonin me këto pagëzime. Plot dëshirë ata ranë dakord dhe u kthyen brenda. Teksa fëmijët pagëzoheshin, nëna e tyre, duke dëgjuar, filloi të dallonte emrat dhe shpejt, për habinë e të gjithëve, e kuptoi se grupi i emrave të familjes së burrit ishin gjithashtu paraardhës të vdekur të familjes së saj. Një mëshirë e ëmbël, e dhembshur për ta.

Dy javë më parë Tempulli i Qendrës së Qytetit të Provos u përkushtua si tempulli i 150-të në funksionim i Kishës anembanë botës. Vëmë në dukje që kur Presidenti Tomas S. Monson u mbështet si Apostull në vitin 1963, kishte 12 tempuj veprues në Kishë. Tempujt po afrohen gjithnjë e më pranë jush. Megjithatë, për ata prej jush që jetoni atje ku largësia ose rrethanat nuk e lejojnë frekuentimin e rregullt të tempullit, ju duhet ta mbani veten tuaj gjithnjë të denjë për ta frekuentuar. Ju mund të bëni punë të rëndësishme jashtë tempujve teksa kërkoni dhe dorëzoni emrat e familjes suaj.

Së fundi, Numri Tre: Ecni Përpara me Besim

Profeti i Dhiatës së Vjetër, Abrahami, mori një bekim të madh nga Zoti në periudhën e tij të kujdestarisë ungjillore, nganjëherë e përmendur si besëlidhja abrahamike. Mijëra vjet më vonë, u rivendosën bekimet e periudhës së kujdestarisë së ungjillit, të dhëna Abrahamit. Kjo ndodhi kur profeti Elias iu shfaq Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit në Tempullin e Kirtlandit.

Nëpërmjet kësaj rivendosjeje, secili prej jush ka të drejtën të përdorë bekimet e madhërishme, të premtuara Abrahamit. Këto bekime mund të jenë tuajat nëse qëndroni besnikë dhe jetoni me denjësi. Në broshurën Për Forcën e Rinisë, juve ju jepen disa udhëzime shumë praktike rreth mënyrës se si të “ecni përpara me besim”. Po e përmbledh një pjesë të asaj këshille: “Gjunjëzohuni çdo mëngjes dhe darkë në lutje ndaj Atit tuaj në Qiell që t’ju ndihmojë të bëheni gjithçka që Zoti dëshiron që ju të bëheni. … Studiojini çdo ditë shkrimet e shenjta dhe zbatojini ato që lexoni në jetën tuaj. … Përpiquni çdo ditë që të jeni të bindur. … Në të gjitha rrethanat, ndiqni mësimet e profetëve. … Jini të përulur dhe të gatshëm të dëgjoni Frymën e Shenjtë.”

Kjo këshillë pasohet nga një premtim që çon te premtime që vijnë nëpërmjet bekimeve të Abrahamit: “Ndërsa i bëni këto gjëra, Zoti do të bëjë më shumë për jetën tuaj sesa ju vetë mund të bëni. Ai do të shtojë mundësitë tuaja, do të rrisë të kuptuarin tuaj dhe do t’ju forcojë. Ai do t’ju japë ndihmën që ju duhet për të kaluar sprovat dhe sfidat tuaja. Ju do të fitoni një dëshmi më të fortë dhe do të gjeni gëzimin e vërtetë ndërsa arrini të njihni Atin tuaj në Qiell dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin, dhe do të ndieni dashurinë e Tyre për ju.”10

Për ta përmbledhur: përgatituni për shërbimin misionar, frekuentoni tempullin dhe shkoni përpara me besim.

Përfundimi

Tani le ta përfundojmë atje ku e filluam, të endur në vendin e acartë të parkimit duke pyetur: “Ku janë çelësat”? Meqë ra fjala, më vonë atë natë unë i gjeta në mënyrë të mrekullueshme çelësat që më kishin rënë nga xhepi në mal. Zoti na ka treguar se Ai nuk do të na lërë duke qëndruar në të ftohtën e hidhur, pa çelësa apo autoritetin për të na udhëhequr të sigurt për në shtëpi tek Ai.

Nëse jeni si unë, ju shpesh mund ta gjeni veten në jetën tuaj të përditshme duke pyetur: “Ku janë çelësat” për makinën, zyrën, shtëpinë apo apartamentin? Kur kjo më ndodh, nuk mund të mos buzëqesh brenda meje, sepse ndërkohë që kërkoj çelësat, e gjej veten duke menduar për çelësat e rivendosur të priftërisë dhe për Presidentin Tomas S. Monson, të cilin e mbështetim “si profet, shikues dhe zbulues”11 dhe të vetmin njeri në tokë që zotëron dhe autorizohet për t’i ushtruar të gjithë çelësat e priftërisë. Po, çelësat janë në mënyrë të sigurt në zotërimin e profetëve, shikuesve dhe zbuluesve. Ata u jepen, u ngarkohen dhe u caktohen të tjerëve në përputhje me vullnetin e Zotit, nën drejtimin e Presidentit të Kishës.

Unë dëshmoj se autoriteti i priftërisë dhe çelësat e priftërisë e vënë në lëvizje fuqinë, i hapin dyert e qiellit, bëjnë të mundur përdorimin e fuqisë qiellore dhe shtrojnë shtegun e besëlidhjeve për t’u kthyer tek Ati ynë i dashur Qiellor.

Lutem që ju, brezi që po rriteni i të rinjve dhe të rejave, do të “shkoni përpara me një vendosmëri në Krisht[in]”12, që të mund të kuptoni se është privilegji juaj i shenjtë që të veproni nën drejtimin e atyre, të cilët i mbajnë çelësat e priftërisë, që do të hapin bekimet, dhuratat dhe fuqitë e qiellit për ju.

Unë dëshmoj për Perëndinë, Atin, për Shpëtimtarin dhe Shëlbuesin tonë, Jezu Krishtin, për Frymën e Shenjtë dhe për Rivendosjen e ungjillit në këto ditë të mëvonshme, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Joseph Smith—Historia 1:68–72.

  2. Përmbledhja e seksionit të Doktrinës e Besëlidhjeve 110.

  3. Shih Doktrina e Besëlidhje 128:20.

  4. Manuali 2: Administrimi i Kishës (2010), f. 8.

  5. Boyd K. Packer, “Priesthood Power in the Home” (mbledhje trajnimi për udhëheqjen mbarëbotërore, shkurt 2012), lds.org/broadcasts; shih edhe James E. Faust, “Power of the Priesthood”, Ensign, maj 1997, f. 41–43.

  6. Manuali 2, 2.1.1.

  7. Dallin H. Ouks, “Çelësat dhe Autoriteti i Priftërisë”, Liahona, maj 2014, f. 50.

  8. Për Forcën e Rinisë (broshurë, 2011), f. 43.

  9. Tomas S. Monson, “Mirësevini në Konferencë”, Liahona, nëntor 2012, f. 5.

  10. Për Forcën e Rinisë, f. 42–43.

  11. Shih formularët e Nëpunësve të Mbështetur, të lexuara në konferencat e lagjeve dhe kunjeve.

  12. 2 Nefi 31:20.