2013
Zëri i Zotit
janar 2013


Mesazhi i Presidencës së Parë, Janar 2013

Zëri i Zotit

Pamja
Presidenti Henri B. Ajring

Doktrina e Besëlidhje i fton të gjithë njerëzit anembanë që ta dëgjojnë zërin e Zotit Jezu Krisht (shih DeB 1:2, 4, 11, 34; 25:16). Ajo është e mbushur me mesazhe, paralajmërime, porosi inkurajuese të Tij të dhëna nëpërmjet zbulesës ndaj profetëve të zgjedhur. Në këto zbulesa ne mund të shohim se si mund t’u përgjigjet Perëndia lutjeve tona të besimit me mesazhe udhëzimi, paqeje dhe paralajmërimi.

Në lutjet tona ne kërkojmë të dimë atë që Perëndia dëshiron që ne të bëjmë, atë që duhet të bëjmë për të gjetur paqe dhe lumturi në këtë jetë dhe në tjetrën, dhe atë që shtrihet përpara nesh. Doktrina e Besëlidhje është plot me përgjigje për pyetje të tilla të bëra nga njerëz të zakonshëm dhe nga profetë në lutje të përulur. Ajo mund të jetë një udhërrëfyese e çmuar për të na mësuar se si të marrim përgjigje për pyetjet lidhur me mirëqenien tonë fizike dhe shpëtimin e përjetshëm.

Përulësia dhe besimi në Zotin Jezu Krisht janë kyçe. Oliver Kaudri mori një përgjigje nga Zoti lidhur me dëshirën e tij për të ndihmuar në përkthimin e Librit të Mormonit: “Kujto se pa besim ti s’mund të bësh asgjë; prandaj kërko me besim. Mos luaj me këto gjëra; mos kërko atë që nuk duhet ta kërkosh” (DeB 8:10).

Herë pas here te Doktrina e Besëlidhje, Zoti kërkon besim dhe përulësi përpara se të japë ndihmën e Tij. Një arsye për këtë është se përgjigjet e Tij mund të mos vijnë në mënyrën që presim. Dhe as nuk do të jenë gjithnjë të lehta për t’u pranuar.

Historia e Kishës dhe përvojat e paraardhësve tanë e ilustrojnë këtë të vërtetë. Stërgjyshi im Henri Ajring u lut me zjarr për të ditur se çfarë duhet të bënte kur dëgjoi ungjillin e rivendosur që iu mësua në 1855-ën. Përgjigjja i erdhi në një ëndërr.

Ai pa në ëndërr sikur ishte ulur në një tryezë me Plakun Erastus Snou, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe një plak të quajtur Uilliam Braun. Plaku Snou dha mësim parimet e ungjillit për atë që u duk se zgjati një orë. Pastaj Plaku Snou tha: “Në emrin e Jezu Krishtit unë të urdhëroj të pagëzohesh dhe ky burrë [Plaku Braun] … do të të pagëzojë”1. Familja ime është mirënjohëse që Henri Ajring pati besimin dhe përulësinë për t’u pagëzuar në 07:30 të mëngjesit në një pishinë me ujë shiu në Shën-Luis të Misurit, SHBA, nga Plaku Braun.

Përgjigjja ndaj lutjes së tij nuk erdhi me një zë të dëgjueshëm të Zotit. Ajo erdhi në një vegim dhe ëndërr gjatë natës, ashtu siç i erdhi Lehit (shih 1 Nefi 8:2).

Zoti na ka mësuar se përgjigjet mund të vijnë edhe si ndjenja. Te Doktrina e Besëlidhje, Ai i mësoi Oliver Kaudrit: “Vër re, unë do të të them në mendjen tënde dhe në zemrën tënde, me anë të Frymës së Shenjtë, që do të vijë mbi ty dhe që do të banojë në zemrën tënde” (DeB 8:2).

Dhe Ai e inkurajoi Oliverin në këtë mënyrë: “A nuk i fola paqe mendjes tënde lidhur me çështjen? Ç’dëshmi më të madhe mund të kesh sesa nga Perëndia?” (DeB 6:23).

Doktrina e Besëlidhjet, historia e Kishës dhe historia e vazhduar nga Henri Ajring në misionin e tij, pikërisht pas pagëzimit të tij, më kanë mësuar se përgjigjet mund të ndihen si paralajmërime, por gjithashtu edhe si paqe.

Në prill 1857, Plaku Parli P. Prat, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, mori pjesë në një konferencë në atë që sot quhet Oklahoma, SHBA. Henri Ajring shkroi se “mendja e [Plakut Prat] qe mbushur me mendime të zymta … , duke mos qenë në gjendje të shquante të ardhmen ose ndonjë rrugëdalje”2. Henri e shkroi lajmin e hidhur menjëherë pas martirizimit të Apostullit. Plaku Prat e kishte vazhduar udhëtimin e tij pavarësisht ndjenjës së rrezikut, ashtu siç pati bërë Profeti Jozef duke shkuar në Kartheixh.

Është dëshmia ime se Zoti i përgjigjet gjithnjë lutjes së përulur të besimit. Doktrina e Besëlidhjet dhe përvoja jonë vetjake na mësojnë si t’i dallojmë ato përgjigje dhe t’i pranojmë ato me besim, qoftë nëse janë drejtim, pohim i së vërtetës ose një paralajmërim. Unë lutem që ne gjithnjë do ta dëgjojmë dhe do ta dallojmë zërin e dashur të Zotit.

Shënime

  1. “The Journal of Henry Eyring: 1835–1902” (dorëshkrim i pabotuar në zotërimin e autorit).

  2. “The Journal of Henry Eyring: 1835–1902.”

Mësimdhënia nga Ky Mesazh

1. Mbani parasysh që t’i lexoni së bashku paragrafët rreth lutjes në këtë mesazh. Ndërsa lexoni, kërkojuni anëtarëve të familjes që të dëgjojnë me kujdes për të gjetur mënyrën se si u përgjigjet Perëndia lutjeve. Mbani parasysh të dëshmoni për rëndësinë e lutjes.

2. Doktrina e Besëlidhje është plot me përgjigje për pyetje të bëra nga njerëz në lutje. Po sikur përgjigjet ndaj pyetjeve të tyre (zbulesat) të mos ishin shkruar kurrë? Nxiteni familjen që të mësojë t’i dallojë dhe t’i ndjekë nxitjet e Shpirtit. Ata mund të dëshirojnë t’i shkruajnë në ditarët e tyre mendimet e veta lidhur me lutjen.