2013
Thirrur Për të Njoftuar Fjalën e Tij
Nëntor 2013


Thirrur Për të Njoftuar Fjalën e Tij

Pamja

Nëse jeni të përulur e të bindur dhe ia vini veshin zërit të Shpirtit, do të gjeni lumturi të madhe në shërbimin tuaj si misionar.

Kur më mbështetën si Autoritet të Përgjithshëm, prillin e kaluar, po shërbeja si president misioni në Indi. Unë e vura re vetë atë që më kishte thënë një president misioni i mëparshëm: “Misionarët e kësaj Kishe janë thjesht të mahnitshëm”1.

Njëri prej shumë misionarëve të dalluar me të cilët unë dhe Motra Fank kemi shërbyer, ishte Plaku Pokhrel nga Nepali. Pasi kishte qenë anëtar i Kishës për vetëm dy vjet, u thirr që të shërbente në Misionin Indian të Bangalorit, mision ku flitej anglisht. Do t’ju thoshte se nuk qe fort i përgatitur. Kjo kuptohej. S’kishte parë kurrë një misionar derisa u bë vetë, sepse në Nepal nuk shërben asnjë misionar i ri. Nuk e lexonte anglishten aq mirë sa t’i kuptonte udhëzimet që përmbante thirrja e tij. Kur raportoi mbërritjen te qendra e trajnimit të misionarëve, në vend që të kishte sjellë pantallona të hijshme, këmisha të bardha e kollare, kishte sjellë, sipas fjalëve të veta, “pesë palë xhinse të ashpra, ca bluza dhe shumë xhel flokësh”2.

Madje edhe pasi mori veshje të përshtatshme, ai tha se ndihej si i papërshtatshëm çdo ditë gjatë disa javëve të para. Ai përshkroi atë kohë të misionit të tij: “Jo vetëm që anglishtja ishte e vështirë, por edhe puna ishte po aq kërkuese. … Përveç gjithë kësaj, kisha uri, lodhje dhe mall për shtëpinë. … Megjithëse rrethanat ishin të ashpra, unë isha i vendosur. Ndihesha i dobët dhe i papërshtatshëm. Ato kohë lutesha që Ati Qiellor të më ndihmonte. Pa përjashtim, sa herë që lutesha, do të ngushëllohesha.”3

Megjithëse puna misionare ishte gjë e re dhe kërkuese për Plakun Pokhrel, ai shërbeu me besim e besnikëri të madhe, duke u përpjekur t’i kuptonte e t’i zbatonte ato që po mësonte nga shkrimet e shenjta, Predikoni Ungjillin Tim dhe udhëheqësit e tij të misionit. Ai u bë një mësues i fuqishëm i ungjillit – në anglisht – dhe një udhëheqës i shkëlqyer. Pas misionit dhe pas ca kohe qëndrimi në Nepal, u kthye në Indi për të vazhduar shkollimin. Që nga janari ka shërbyer si president dege në Delhin e Ri. Në saje të rritjes së vërtetë që përjetoi si misionar, ai vazhdon të kontribuojë për rritjen e vërtetë të Kishës në Indi.

Si ndodhi që një i ri që nuk kishte parë kurrë një misionar, u bë një misionar me fuqi të tillë shpirtërore? Si do të merrni ju fuqi shpirtërore si misionar për të hapur dyert, kutitë postare elektronike dhe zemrat e njerëzve në misionin ku do të shërbeni? Si zakonisht, përgjigjet gjenden në shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve e apostujve të gjallë.

Kur ungjilli u predikua për së pari në Angli, në korrik 1837, Zoti zbuloi: “Këdo që do ta dërgoni në emrin tim, me anë të zërit të vëllezërve tuaj, të Dymbëdhjetëve, të rekomanduar dhe të autorizuar siç duhet nga ju, do të ketë fuqi për të hapur derën e mbretërisë sime për cilindo komb ku ju do t’i dërgoni ata”4.

Kudo ku të dërgoheni, në cilindo mision që të caktoheni, dijeni se një pjesëtar i Të Dymbëdhjetëve e ka rekomanduar siç duhet atë emërim dhe ju thirreni nga profeti i Zotit. Ju thirreni “me anë të profecisë dhe me anë të vënies së duarve”5.

Pastaj Zoti dha kushtet që ky premtim të përmbushej. Ai tha: “Për aq sa [që do të thotë se premtimi do të përmbushet nëse] ata [domethënë misionarët që dërgohen] do të [1] përulen përpara meje dhe [2] do t’i binden fjalës sime e [3] do t’ia vënë veshin zërit të Shpirtit tim”6.

Premtimet e Zotit janë të qarta. Që të keni fuqinë shpirtërore të nevojshme për të hapur derën e mbretërisë së Perëndisë në kombin ku dërgoheni, duhet të jeni të përulur e të bindur dhe të keni aftësinë ta dëgjoni e ta ndiqni Shpirtin.

Këto tri cilësi janë të bashkëlidhura ngushtë. Nëse jeni të përulur, do të dëshironi të jeni të bindur. Nëse jeni të bindur, do të ndieni Shpirtin. Shpirti është thelbësor, sepse, siç ka mësuar Presidenti Ezra Taft Benson: “Pa Shpirtin, ju kurrë nuk do të përparoni, pavarësisht nga talenti dhe aftësitë tuaja”7.

Si president misioni, herë pas here intervistoja misionarë që kishin vështirësi ngaqë nuk ishin ende plotësisht të pastër. Ata jetonin nën fuqinë e tyre shpirtërore. Pavarësisht se sa fort punonin apo sa të mira kryenin, ishin të paaftë të ndienin paqe e të gëzonin shoqërinë e Frymës së Shenjtë, derisa të përuleshin, të pendoheshin plotësisht e të merrnin mëshirën dhe hirin e Shpëtimtarit.

Zoti i udhëzon shërbëtorët e Tij të jenë të përulur ngaqë procesi i shërimit shpirtëror fillon me një zemër të thyer. Mendoni për të mirën që vjen nga gjërat e thyera: Dheu thyhet për të mbjellë grurë. Gruri thyhet për të bërë bukë. Buka thyhet për t’u bërë simbol i sakramentit. Kur një njeri që është i penduar e merr sakramentin me zemër të thyer dhe shpirt të penduar, shërohet.8 Kur pendohemi dhe shërohemi nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, kemi shumë më tepër për t’i dhuruar Shpëtimtarit ndërsa i shërbejmë. “Po, ejani tek ai dhe dhuroni tërë shpirtrat tuaj si një dhuratë ndaj tij.”9

Nëse jeni të rënduar me mëkat dhe duhet të pendoheni, ju lutem bëjeni këtë menjëherë. Kur Shpëtimtari shëronte të munduarit, shpeshherë i ftonte të çoheshin. Shkrimet e shenjta shënojnë se ata vepronin kështu drejtpërdrejt ose menjëherë.10 Që të shëroheni nga mundimet tuaja shpirtërore, ju lutem pranojeni ftesën e Tij për t’u çuar. Pa vonesë, flisni me peshkopin, presidentin e degës ose presidentin tuaj të misionit dhe fillojeni procesin e pendimit tani.

Fuqia shëruese e Shlyerjes do t’i sjellë paqe shpirtit tuaj dhe do t’ju bëjë të aftë të ndieni Shpirtin e Shenjtë. Sakrifica e Shpëtimtarit është e pamasë, por mëkatet tona, megjithëse të shumta dhe të rëndanjë , mund të numërohen dhe të rrëfehen, të braktisen dhe të falen. “Dhe sa i madh është gëzimi i tij për shpirtin që pendohet!”11

Ky premtim te Doktrina e Besëlidhje është i fuqishëm: “Virtyti duhet t’i stolisë mendimet e tua pa pushim; atëherë do të forcohet vetëbesimi yt në prani të Perëndisë”12. Kur bëni një jetë të virtytshme, do të ndieni një vetëbesim të qetë për pozitën tuaj para Perëndisë dhe do të keni qëndrimin e fuqisë së Shpirtit me ju.13

Disa të cilët janë anëtarë më të rinj të Kishës apo që janë ribërë së fundi plotësisht aktivë, mund të thonë: “Tani jam i denjë dhe kam dëshirë të shërbej, por nuk e di nëse di mjaft”. Në prill, Presidenti Tomas S. Monson na mësoi: “Një dituri për të vërtetën dhe përgjigjet për pyetjet tona më të mëdha na vijnë kur jemi të bindur ndaj urdhërimeve të Perëndisë”14. Sa siguridhënëse që është të dimë se nëpërmjet bindjes sonë marrim diturinë.

Të tjerë mund të mendojnë se kanë pak talente, aftësi apo përvojë për të ofruar. Nëse keni shqetësime të tilla, kujtoni përvojën e Plakut Pokhrel. Përgatituni aq mirë sa mundeni dhe dijeni se Ati ynë Qiellor do t’i zmadhojë përpjekjet tuaja të thjeshta e të bindura. Plaku Riçard G. Skot dha këtë këshillë inkurajuese: “Kur iu bindemi urdhërimeve të Zotit dhe u shërbejmë fëmijëve të Tij pa egoizëm, pasoja e natyrshme është fuqi nga Perëndia – fuqi për të bërë më shumë se ç’mund të bëjmë të vetëm. Mendimet tona, talentet tona, aftësitë tona zgjerohen, ngaqë ne marrim forcë dhe fuqi nga Zoti.”15

Kur ju i mirëbesoni Zotit dhe mirësisë së Tij, Perëndia i Plotfuqishëm do t’i bekojë fëmijët e Tij përmes jush.16 Plaku Holings nga Nevada e mësoi këtë që në fillim të misionit të tij. Një ditë pas mbërritjes së tij në Indi, ai udhëtoi me mua dhe Motrën Fank drejt Raxhamundrit, zonës së tij të parë. Atë pasdite Plaku Holings dhe Plaku Ganaparam shkuan që të vizitonin një anëtare të Kishës dhe nënën e saj. Nëna dëshironte të mësonte për Kishën ngaqë kishte parë se si e bekoi ungjilli jetën e së bijës. Motra Fank shkoi me ta që të ofronte shoqëri. Ngaqë mësimi do të bëhej në anglisht dhe nëna fliste vetëm teluguisht, një vëlla nga dega ishte aty për të përkthyer mësimdhënien.

Detyra e Plakut Holings pikërisht në takimin e tij të parë mësimor ishte që të jepte mësim Vegimin e Parë duke përdorur fjalët e Profetit Jozef. Në atë pikë të mësimit, ai iu drejtua Motrës Fank dhe e pyeti: “Mos duhet ta them fjalë për fjalë”, meqë e dinte se do të përkthehej.

Ajo iu përgjigj: “Thuaje fjalë për fjalë, që Shpirti të dëshmojë për ato që ti thua”.

Kur ky misionar i ri e dha çiltërisht mësimin e Vegimit të Parë, duke përdorur fjalët e Profetit, fytyra e asaj motre të dashur ndryshoi. Ajo lotoi. Kur Plaku Holings e përfundoi atë mesazh të lavdishëm dhe përpara se fjalët e tij të përktheheshin, ajo përmes lotëve pyeti në gjuhën e saj amtare: “A mund të pagëzohem? Dhe a do ta mësoni tim bir?”

Bashkëshërbëtorë të mi të rinj, dyer dhe zemra i hapen çdo ditë mesazhit të ungjillit – një mesazh që u sjell shpresë, paqe dhe gëzim fëmijëve të Perëndisë anembanë botës. Nëse jeni të përulur e të bindur dhe ia vini veshin zërit të Shpirtit, do të gjeni lumturi të madhe në shërbimin tuaj si misionar.17 Ç’kohë e mrekullueshme që është të jesh misionar – një kohë kur Zoti po e përshpejton veprën e Tij!

Unë jap dëshmi për Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin, dhe për “urdhrin hyjnor”18 të Tij: “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt”19. Kjo është Kisha e Tij. Ai e udhëheq nëpërmjet profetëve dhe apostujve të gjallë. Gjatë orës tjetër Presidenca e Parë do të na mësojë. Qofshim “[të] shpejtë për të vënë re”20, siç ishte Mormoni, që kur thirrja të vijë, të jemi të denjë e të zotë për të shpallur me fuqinë e Shpirtit: “Vini re, unë jam një dishepull i Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë. Unë u thirra prej tij të njoftoj fjalën e tij mes popullit të tij, që ata të mund të kenë jetë të përjetshme.”21 Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Biseda personale me Dennis C. Brimhall, president i Misionit të Kentakit, Luisvil, 2005–2008.

  2. Ashish Pokhrel, “My Name Is Ashish Pokhrel and This Is My Story” (histori personale e pabotuar, shtator 2011).

  3. Pokhrel, “My Name Is Ashish Pokhrel”.

  4. Doktrina e Besëlidhje 112:21.

  5. Nenet e Besimit 1:5.

  6. Doktrina e Besëlidhje 112:22.

  7. Ezra Taft Benson, te Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues Për Shërbimin Misionar (2005), f. 182.

  8. Ide të marra prej një bisede të dhënë nga Plaku Xhefri R. Holland në konferencën e Kunjit të Bauntifulit, Juta Veriore, 8–9 qershor 2013.

  9. Omni 1:26.

  10. Shih Marku 5:41–42; Gjoni 5:8–9.

  11. Doktrina e Besëlidhje 18:13.

  12. Doktrina e Besëlidhje 121:45.

  13. Shih Doktrina e Besëlidhje 121:46.

  14. Tomas S. Monson, “Bindja Sjell Bekime”, Liahona, maj 2013, f. 89.

  15. Riçard G. Skot, “Për Paqe në Shtëpi”, Liahona, maj 2013, f. 30.

  16. Duke përshkruar atë që misionarët e rinj të shumtë do të bëjnë, Plaku Rasëll M. Nelson tha: “Ata do të bëjnë atë që misionarët kanë bërë gjithmonë. Ata do të predikojnë ungjillin! Ata do të bekojnë fëmijët e Perëndisë së Plotfuqishëm!” (“Kapeni Valën”, Liahona, maj 2013, f. 45).

  17. Shih Predikoni Ungjillin Tim, faqe v.

  18. Tomas S. Monson, “Ejani, Bij t’Per’ndis’”, Liahona, maj 2013, f. 66.

  19. Mateu 28:19.

  20. Mormoni 1:2.

  21. 3 Nefi 5:13.