Takime Shpirtërore 2017
Dashuria dhe Martesa


Dashuria dhe Martesa

Një Mbrëmje me Presidentin Rasëll M. Nelson

Takimi Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë në Moshë Madhore • 8 janar 2017 • Universiteti “Brigam Jang”

E falënderoj korin për atë numër muzikor prekës.

Të dashur vëllezër dhe motra të mia, ne ju duam dhe na pëlqen shumë të jemi me ju. Ju jeni me të vërtetë shpresa e Izraelit, e cila është edhe arsyeja pse, teksa shpreh disa mendime, lutem që Fryma e Shenjtë do të përçojë mesazhin e saktë që duhet të dëgjoni.

Përpara se të martoheshim, unë isha profesoreshë terapie për martesën dhe familjen për më shumë se 25 vjet – nga të cilat 13 vitet e fundit ishin këtu në Universitetin “Brigam Jang”. Kam këshilluar mijëra çifte dhe kam dëgjuar histori tragjike njëra pas tjetrës rreth familjeve të përçara dhe marrëdhënieve të shkatërruara. E pashë vetë atë që funksionon ose jo në martesë. Mësova se çfarë mund t’i shërojë madje edhe martesat e rrënuara dhe atë që mund t’i shkatërrojë të tjerat pothuajse brenda natës. Prandaj sot, a do të më lejoni të flas me ju rreth asaj që me siguri është një prej temave tuaja më të parapëlqyera? Dashurisë dhe martesës?

Do të doja të tregoja për katër të vërteta që besoj se do t’ju shpëtojnë jo vetëm nga thyerjet e panevojshme të zemrës, por do t’ju ndihmojnë të jeni dhe të zgjidhni një bashkëshort/e të drejtë dhe më pas të krijoni një martesë të lumtur e një familje të frytshme.1

Sonte shpresoj që ju do të më shihni si “Teto Uendi” teksa ju flas nga zemra, ashtu siç do të bëja – dhe kam bërë – me vetë mbesat dhe nipërit e mi. Pra, ja ku janë katër të vërtetat e teto Uendit rreth dashurisë dhe martesës:2

E vërteta nr. 1: Të vërtetat rreth dashurisë dhe martesës sillen te ju me anë të Frymës së Shenjtë nga Ati ynë Qiellor. Ai e dekretoi martesën që të jetë një element i pazëvendësueshëm i planit të Tij të lumturisë.3 Shpirti është lajmëtari i këtyre të vërtetave! Ju nxit që të përpiqeni t’i kuptoni ato.

Në të kundërt, gënjeshtrat rreth dashurisë dhe martesës fillojnë dhe përjetësohen nga Satani dhe shërbëtorët e tij. Kundërshtari gëzohet sa herë që ai e bind një viktimë të përqafojë çdo gjë që e ndot apo e zvetënon dashurinë dhe martesën. Sidoqoftë, e vërteta është e vërtetë dhe gënjeshtrat janë gënjeshtra dhe asnjë pazar, fushatë apo mbrojtje mendjemprehtë nuk mund ta ndryshojë këtë.

E vërteta nr. 2: Pastërtia vetjake është çelësi drejt dashurisë së vërtetë. Sa më të pastra të jenë mendimet dhe ndjenjat, fjalët dhe veprimet tuaja, aq më e madhe do të jetë aftësia juaj për të dhënë dhe për të marrë dashuri të vërtetë.

Më besoni lidhur me këtë: Sa herë që ia hapni zemrën tuaj Atit Qiellor në lutje dhe më pas mbani vesh; sa herë që i studioni shkrimet e shenjta duke kërkuar përgjigje për pyetjet e zemrës suaj; sa herë që e shmangni çdo gjë që do ta plagoste shpirtin tuaj (të tillë si pornografia); sa herë që adhuroni në tempull; sa herë që gjeni një informacion që e kualifikon një paraardhës për një ordinancë, ju po zgjidhni ta rritni pastërtinë tuaj vetjake.

Bashkëshorti/ja juaj i/e ardhshëm/me do t’ju falënderojë sepse në atë çast ju do të jeni duke u përgatitur për intimitetin e vërtetë martesor. Prandaj, nëse jeni beqarë dhe po e pyetni veten se si të përgatiteni më mirë për dashurinë e vërtetë, përgjigjja është kjo: Bëni gjithçka që nevojitet, për t’i mbajtur mendimet, ndjenjat, fjalët dhe veprimet tuaja të pastra. Ftojeni Shpirtin që t’ju udhëheqë. Ai do t’ju ndihmojë! Nëse jeni i/e martuar, këshilla ime është saktësisht e njëjta!

Ndërsa punoni për t’u bërë më të pastër, ju do ta keni Frymën e Shenjtë me vete gjithnjë e më shumë. Aftësia juaj për të marrë zbulesë vetjake do të rritet, që do të thotë se ju do të keni një drejtim më të qartë për jetën tuaj. Ju do të ndieni më shumë paqe dhe gëzim, do të ndiheni më pak të vetmuar dhe me më shumë shpresë për të ardhmen tuaj. Ju po ashtu do të keni qartësi mendore të shtuar ndërsa studioni e punoni. Dhe, përveç këtyre shpërblimeve të mëdha [që vijnë] si shkak i punës që bëni çdo ditë për të qenë edhe pak më të pastër, ju do ta shtoni aftësinë tuaj për të përjetuar intimitet të vërtetë martesor.

Kjo është arsyeja përse pornografia është kaq shkatërruese! Në kundërshtim me atë që të gjithë nxitësit e saj pretendojnë, pornografia në të vërtetë do t’ju pengojë që ta përjetoni llojin më të mrekullueshëm të intimitetit.

Tani, kjo e vërtetë që vijon, e vërteta nr. 3, mund ta çoroditë mendjen tuaj ngaqë është plotësisht e kundërta e asaj që kundërshtari dhe pjesa më e madhe e botës do të donin që ju të besonit rreth dashurisë dhe martesës.

E vërteta nr. 3: Si një pjesë e rëndësishme e shprehjes së dashurisë së tyre, Zoti do që një bashkëshort dhe bashkëshorte të marrin nga mrekullitë dhe gëzimet e intimitetit martesor.

Intimiteti martesor shugurohet nga Perëndia. Intimiteti urdhërohet dhe miratohet nga Ai për shkak se i afron bashkëshortin dhe bashkëshorten së bashku dhe më pranë Zotit! Intimiteti i vërtetë martesor përfshin tërësinë e shpirtit të secilit bashkëshort.4 Është bashkimi i trupit dhe shpirtit të bashkëshortit me trupin dhe shpirtin e bashkëshortes së tij.

Ai bashkim shpirtëror pasqyron se sa të bashkuar janë një bashkëshort dhe bashkëshorte në të gjitha aspektet e jetës së tyre. Ata punojnë së bashku si ortakë. Ata luten, luajnë, vuajnë, rriten dhe i gëzohen jetës së bashku. Ata sakrifikojnë për njëri-tjetrin dhe e nxitin njëri-tjetrin që të jenë gjithçka për të cilën u lindën të jenë.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, intimiteti martesor është i shenjtë. Në fakt, një bashkëshort dhe bashkëshorte mund të afrohen më pranë Perëndisë kur bashkohen në intimitetin e vërtetë martesor.

Pra, si mund të përgatiteni ju për një intimitet të tillë? Ju duhet të jetoni me drejtësi, në mënyrë që Shpirti të mund të jetë shoqëruesi juaj dhe i bashkëshortit/es tuaj/suaj.

Kjo çon tek e vërteta nr. 4: Që të ketë intimitet të vërtetë martesor, duhet të përfshihet Fryma e Shenjtë. Thjesht nuk është e mundur të keni ato lloj përvojash intimiteti jashtë martesës që ju mund të keni brenda saj, ngaqë Shpirti nuk do të jetë i pranishëm.

Plaku Parli P. Prat dha mësim se Fryma e Shenjtë ka aftësinë të shtojë, zmadhojë, zgjerojë dhe pastrojë “të gjitha pasionet dhe kënaqësitë natyrore”5. Thjesht përfytyroni: Ai mund t’i pastrojë ndjenjat tuaja! Prandaj, çfarëdo gjëje që e fton Shpirtin në jetën tuaj dhe në jetën e bashkëshortit/es tuaj/suaj, dhe në martesën tuaj, do ta shtojë aftësinë tuaj për të përjetuar intimitet martesor. Me të vërtetë kaq e thjeshtë dhe e thellë është!

Nga ana tjetër, çdo gjë që e fyen Shpirtin, do ta zvogëlojë aftësinë tuaj për të qenë një me bashkëshortin/en tuaj. Gjëra të tilla si zemërimi, epshi, mosfalja, grindja, pamoralshmëria dhe mëkati për të cilin nuk jeni penduar, do ta zvogëlojnë përpjekjen tuaj për intimitet martesor në diçka që nuk është asgjë më shumë sesa një përvojë seksuale.

Pra, për ta përmbledhur: Ndërsa seksi sipas kuptimit të botës është nën ndikimin e botës dhe të kundërshtarit dhe përfshin pasionet mishtore, epshore dhe djallëzore, intimiteti martesor, i shuguruar nga Perëndia, është nën ndikimin e Shpirtit dhe përfshin pasionet e përmirësuara dhe të pastruara nga Shpirti. E vërteta është që, sa më të pastër të jeni, aq më i mrekullueshëm do të jetë intimiteti juaj martesor.6

Në seksin sipas kuptimit të botës, çdo gjë konsiderohet e pranueshme. Në intimitetin martesor, kërkohet një kujdes shumë i madh për të shmangur çdo gjë – që nga gjuha deri te muzika e filmat – që e fyejnë Shpirtin, shpirtin tuaj ose atë të bashkëshortit/es tuaj/suaj.

Ndërsa seksi sipas kuptimit të botës është epshor dhe e vret dashurinë, intimiteti martesor prodhon më shumë dashuri.

Seksi sipas kuptimit të botës i zvetënon burrat e gratë dhe trupat e tyre, ndërsa intimiteti martesor i nderon burrat e gratë dhe e vlerëson trupin si një nga çmimet më të mëdha të jetës në vdekshmëri.

Në seksin sipas kuptimit të botës, individët mund të ndihen të përdorur, të dhunuar dhe përfundimisht më të vetmuar. Në intimitetin martesor, bashkëshortët ndihen më të bashkuar e të dashuruar, më të ushqyer e të kuptuar.

Seksi sipas kuptimit të botës i shkatërron dhe përfundimisht i rrënon marrëdhëniet. Intimiteti martesor i forcon martesat. Ai e mbështet, e shëron dhe e shenjtëron jetën e bashkëshortëve dhe martesën e tyre.

Seksi sipas kuptimit të botës është krahasuar me tingullin e mprehtë të një flauti, ndërsa intimiteti martesor është krahasuar me madhështinë e një orkestre të tërë.7

Seksi sipas kuptimit të botës bëhet një fiksim i plotë ngaqë nuk i përmbush kurrë premtimet e tij. Intimiteti martesor i shuguruar nga Perëndia është i lavdishëm dhe do të vazhdojë përjetësisht për bashkëshortët dhe bashkëshortet që i mbajnë besëlidhjet.

Me pak fjalë, intimiteti martesor i miratuar nga Shpirti bekohet nga Zoti dhe është shenjtërues.8

Tani, krijimi i një martese të fortë, të lumtur nuk është i lehtë. Mund t’ju dëshmoj për atë. Por kjo do t’ju sjellë gëzim!

Për përvjetorin tonë të 10-të të martesës, pyeta veten se çfarë mund t’i jepja bashkëshortit tim që të pasqyronte gëzimin që më kishte sjellë martesa. Kjo është çfarë i dhashë atij:

Një vallëzim!

Të dashur vëllezërit dhe motrat e mia, të cilët ju dua, nëse do t’i vini në zbatim qëllimisht këto katër të vërteta, jam e sigurt se ju mund të ndërtoni një martesë të lumtur që do t’ju mbështetë e ngushëllojë përgjithmonë. Një martesë që do t’ju lejojë të [përparoni] më shumë sesa mund të [përparoni] ndonjëherë vetëm.

Dëshmoj se martesa është një prej privilegjeve më të mëdha që Perëndia u jep fëmijëve të Tij, se martesa mund të jetë burimi i një gëzimi të pashembullt dhe se pastërtia vetjake është çelësi drejt atij gëzimi. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Henry B. Eyring, “Renaissance of Marriage: To Become as One” (fjalim dhënë në Complementary of Man and Woman: An International Interreligious Colloquium, në Qytetin e Vatikanit, Romë, 18 nëntor 2014), LDS.org.

  2. Shih Wendy L. Watson, Purity and Passion: Spiritual Truths about Intimacy That Will Strengthen Your Marriage (2001).

  3. Shih D. Tod Kristoferson, “Përse Martesa, Përse Familja”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 50–53.

  4. Shih Jeffrey R. Holland, “Of Souls, Symbols, and Sacraments”, në Morality (1992), f. 152–166.

  5. Parley P. Pratt, Key to the Science of Theology (1978), f. 61.

  6. Tani, disa prej jush mund të duan të jenë të mirë – por jo tepër të mirë. Disa prej jush mund të tundoheni të bëni çdo gjë që mundeni, për të shmangur që të dukeni tepër të virtytshëm, nëse një gjë e tillë është e mundur. Dhe prapëseprapë, nëse doni t’i gëzoheni llojit më përmbushës të intimitetit martesor, kjo është saktësisht ajo që doni. Ju doni të jeni sa më të pastër që të jetë e mundur, në mënyrë që intimiteti martesor të mund të jetë po aq i mrekullueshëm sa është i mundur.

  7. Komunikim vetjak me Truman G. Madsenin.

  8. Shih Doktrina e Besëlidhje 88:34.