Takime Shpirtërore 2022
Zgjedhjet për Përjetësinë


Zgjedhjet për Përjetësinë

Takim Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë e Të Rejat në Moshë Madhore me Presidentin Nelson

E diel, 15 maj 2022

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, Motra Nelson dhe unë kemi muaj që e presim me padurim këtë mbrëmje. Bashkëshortja ime, Uendi, është një grua me besim dhe urtësi të madhe. Jua rekomandoj mësimet e saj.

Pamja
Presidenti Rasëll M. Nelson dhe Motra Uendi W. Nelson

Sa e mrekullueshme është të takohemi me ju në përvjetorin e Rivendosjes së Priftërisë Aarone. Siç e dini, më 15 maj 1829, Profeti Jozef Smith dhe Oliver Kaudëri u gjunjëzuan në një pjesë të veçuar në pyllin pranë shtëpisë së Jozefit dhe Emës në Harmoni të Pensilvanisë. Motra Nelson dhe unë kemi qenë në atë korije me pemë panje.

Pamja
Gjon Pagëzori duke u dhënë Priftërinë Aarone Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit

Kjo korije u bë e shenjtë kur Gjon Pagëzori u dha Priftërinë Aarone Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit.

Pamja
Pjetri, Jakobi dhe Gjoni duke u dhënë Priftërinë Melkizedeke Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit

Më vonë, Pjetri, Jakobi dhe Gjoni rivendosën Priftërinë Melkizedeke përgjithësisht në po atë zonë.

Në shtator 2015, unë e përkushtova atë Vend të Rivendosjes së Priftërisë. Nga të gjitha detyrat e mëparshme që kisha marrë deri atëherë, ajo ishte më kuptimplotja për mua. Ai vend përkujton rivendosjen e autoritetit dhe të çelësave të priftërisë te njeriu në tokë. Ata dhe çelësa të tjerë nevojiteshin për të udhëhequr Kishën e rivendosur të Jezu Krishtit dhe për ta bërë të mundur që ne të kryenim dhe merrnim ordinancat thelbësore, përfshirë vulosjen e familjeve së bashku për përjetësinë. Ajo ditë përkushtimi ishte një çast i rrallë në jetën time!

Tani, kjo është një kohë e rrallë në jetën tuaj. Nuk do të ketë kohë tjetër pikërisht si kjo. Ju po krijoni përparësi dhe modele që rrënjësisht do të ndikojnë jo thjesht në jetën tuaj në vdekshmëri por edhe në jetën tuaj në përjetësi.

Le të flasim për jetën. Kjo është diçka me të cilën kam pasur pak përvojë. U rrita gjatë periudhës së një Depresioni të Madh. Isha adoleshent gjatë Luftës II Botërore. Kam pasur disa përballje me vdekjen. Kam qenë në gjashtë kontinente shumë herë dhe ende nuk kam hasur një popull ose një kulturë që nuk ka qenë frymëzuese për mua.

Kam përjetuar edhe pikëllime. Kam vëzhguar dy bija të çmuara që dalëngadalë, plot dhembje u tretën nga kanceri deri në vdekje. Dhe kam varrosur një bashkëshorte të mrekullueshme, Denzelin, nënën e 10 fëmijëve tanë. Duke e ditur që nuk është mirë për njeriun që të jetë vetëm1, zgjodha të martohem përsëri. U martova me një grua tjetër mbresëlënëse, Uendin e dashur.

Kam parë miq dhe pjesëtarë të familjes të bëjnë zgjedhje heroike dhe të jetojnë jetë shembullore. Dhe kam parë të tjerë të marrin vendime shkatërruese që e kanë nxjerrë nga binarët potencialin e tyre.

Me pak fjalë, kam jetuar për një kohë të gjatë, aq sa dhe bananet nuk i blej më jeshile! Dhe kam hequr dorë nga shpenzimi i kohës për gjëra që nuk kanë vlerë. Por ju vërtet keni vlerë për mua! Dhe e ardhmja juaj ka shumë vlerë për mua! Është një nder kaq i madh për mua që shumë prej jush kanë ardhur sonte. Dhe falenderoj muzikantët që e nisën me një ton kaq të bukur.

Sonte dua t’ju flas rreth të ardhmes suaj. Motra Nelson dhe unë kohët e fundit morëm pjesë në inaugurimin [e emërimit] të presidentit të një universiteti. Gjatë asaj ngjarjeje të shkëlqyer mendova për arsimtarët e panumërt anekënd botës që janë të përkushtuar ndaj mësimdhënies për burra dhe gra të moshës suaj. Arsimimi është shumë i rëndësishëm. Unë e konsideroj si përgjegjësi fetare. Lavdia e Perëndisë është inteligjencë.2

Gjithsesi, ka një dallim themelor midis përgjegjësive të arsimtarëve laikë dhe përgjegjësisë sime si Apostulli me kohën më të gjatë në këtë detyrë në tokë. Detyra e tyre është që t’ju edukojnë dhe përgatitin për përvojën tuaj në vdekshmëri, që do të thotë se si t’ia dilni me sukses në punën e jetës suaj. Përgjegjësia ime është t’ju edukoj dhe t’ju përgatit gjithashtu për përvojën tuaj të pavdekshme, që do të thotë se si të fitoni jetë të përjetshme.

Mësimet e institucioneve më të mira të arsimit të lartë kanë kufizime, sepse arsimimi laik përgjithësisht i shpërfill tri të vërteta madhore që rrallë trajtohen:

  1. E para, secili prej nesh do të vdesë.3

  2. E dyta, për shkak të Jezu Krishtit, secili prej nesh do të ringjallet dhe do të bëhet i pavdekshëm.4

  3. Dhe e treta, Dita e Gjykimit është përpara për secilin prej nesh.5

Këto tri të vërteta absolute duhet të formojnë themelin e arsimimit tuaj shpirtëror.

Për shkak të Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit në plotësinë e tij, ne dimë shumë rreth mundësive tona pas vdekshmërisë. E dimë se në shtëpinë e Atit tonë ka shumë banesa.6 E dimë që Perëndia i do fëmijët e Tij kaq shumë sa, siç ka dhënë mësim Presidenti Dallin H. Ouks, “të gjithë fëmijët e Perëndisë” – me përjashtime shumë të pakta – do të “përfundojnë në një mbretëri lavdie7. Thjesht mendojeni! Ati ynë krijoi mbretëritë e lavdisë – telestiale, terrestriale dhe çelestiale – për të siguruar një vend të lavdishëm për fëmijët e Tij.

Qëllimi im sonte është të sigurohem që sytë tuaj janë krejtësisht të hapur ndaj së vërtetës se kjo jetë realisht është koha kur merrni vendimin se çfarë lloj jete ju dëshironi të jetoni përgjithmonë. Tani është koha juaj “për t’u përgatitur që të tako[ni] Perëndinë”8.

Koha e jetës në vdekshmëri është veçse një nanosekondë në krahasim me përjetësinë. Por, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, çfarë nanosekonde vendimtare që është ajo! Gjatë kësaj jete ne arrijmë të zgjedhim cilave ligje jemi të gatshëm t’u bindemi – atyre të mbretërisë çelestiale, apo terrestriale, apo telestiale9 – dhe, si rrjedhim, në cilën mbretëri lavdie do të jetojmë përgjithmonë.

Çdo zgjedhje e drejtë që e bëni këtu, do të sjellë përfitime të stërmëdha tani. Por zgjedhjet e drejta në vdekshmëri do të sjellin përfitime të papërfytyrueshme përjetësisht. Nëse zgjidhni të bëni besëlidhje me Perëndinë dhe jeni besnikë ndaj atyre besëlidhjeve, ju keni premtimin e “lavdi[së s]ë shtuar mbi kok[ën tuaj] përherë e përgjithmonë”10.

Këto të vërteta duhet të nxitin ndjesinë tuaj përfundimtare të FNHEM-së ose frikës nga humbja e mundësive. Ju keni potencialin për të arritur mbretërinë çelestiale. Frika përfundimtare do të ishte humbja e mundësisë për mbretërinë çelestiale, të kënaqurit me një mbretëri më të ulët ngaqë këtu në tokë zgjodhët vetëm të jetonit ligjet e një mbretërie më të ulët.

Kundërshtari, sigurisht, dëshiron që ju as të mos mendoni për të ardhmen, pa le pastaj jetën e përjetshme. Por ju lutem, mos jini të painformuar apo naivë rreth mundësive dhe sfidave të vdekshmërisë. Në atë frymë, ju nevojitet të kuptoni tri të vërtetat themelore që do t’ju ndihmojnë të përgatiteni për drejtimin tuaj të ardhshëm:

  1. E para, dini të vërtetën rreth asaj se kush jeni.

  2. E dyta, dini të vërtetën rreth asaj që ju kanë ofruar Ati Qiellor dhe Biri i Tij.

  3. Dhe e treta, dini të vërtetën lidhur me kthimin tuaj në besim.

Do të flas për secilën nga këto tri pika.

E para: Dini të vërtetën rreth asaj se kush jeni. Besoj që, në qoftë se Zoti do t’ju fliste drejtpërsëdrejti sonte, gjëja e parë që Ai do të sigurohej që ju të kuptoni, është identiteti juaj i vërtetë.11 Miqtë e mi të dashur, ju jeni në mënyrë të mirëfilltë fëmijë shpirtërorë të Perëndisë. Keni kënduar për këtë të vërtetë që kur mësuat fjalët e këngës “Fëmi’ i Per’ndis’ Jam”12. Por a është skalitur ajo e vërtetë e përjetshme në zemrën tuaj? A ju ka shpëtuar kjo e vërtetë kur jeni përballur me tundimin?13

Kam frikë se mund ta keni dëgjuar këtë të vërtetë kaq shpesh sa ajo tingëllon më shumë si parullë sesa një e vërtetë hyjnore. Dhe prapëseprapë, mënyra se si mendoni rreth asaj se kush jeni vërtet, ndikon gati në çdo vendim që do të merrni ndonjëherë.

Në vitin 2006, kur u martova me Uendin, u ndesha me disa surpriza, shumica prej tyre tepër të mrekullueshme. Njëra prej atyre surprizave ishte numri i artikujve të veshjeve që ajo zotëronte, të cilat tregonin një logo të universiteteve nga të cilat kishte marrë diploma, vendeve ku kishte udhëtuar e kështu me radhë. Kurdoherë që vishte ndonjërën prej këtyre rrobave, me shaka i thosha: “Kujt po i bën reklamë sot?” Më ftoi të merrja pjesë në zbavitje!

Pamja
Presidenti Rasëll M. Nelson dhe Motra Uendi W. Nelson

Etiketimet mund të jenë zbavitëse dhe tregojnë përkrahjen tuaj për çfarëdo gjërash pozitive. Shumë etiketime do të ndryshojnë për ju me kalimin e kohës. Dhe jo të gjitha etiketimet kanë vlerë të barabartë. Por nëse ndonjë etiketim zëvendëson përcaktuesit tuaj më të rëndësishëm, rezultatet mund të jenë mbytëse nga ana shpirtërore.

Për shembull, nëse do t’i radhitja sipas rëndësisë emërtimet që mund të gjenin zbatim për mua, do të thosha: Së pari, unë jam një fëmijë i Perëndisë – bir i Perëndisë – më pas një bir i besëlidhjes, më pas një dishepull i Jezu Krishtit dhe një anëtar i përkushtuar i Kishës së Tij të rivendosur.

Pastaj do të vinin titujt e mi të nderuar, si bashkëshort dhe baba, më pas Apostull i Zotit Jezu Krisht.

Të gjitha etiketimet e tjera që kanë gjetur zbatim për mua, të tilla si doktor mjekësie, kirurg, shkencëtar, profesor, toger, kapiten, Doktor i Shkencave, amerikan e kështu me radhë, do të binin diku në fund të listës.

Tani, le t’jua drejtojmë juve pyetjen. Kush jeni ju?

Së pari dhe më kryesorja, ju jeni një fëmijë i Perëndisë.

Së dyti, si anëtar i Kishës, ju jeni një fëmijë i besëlidhjes. Dhe së treti, ju jeni një dishepull i Jezu Krishtit.

Sonte, ju përgjërohem që të mos i zëvendësoni këta tre përcaktues suprem dhe të pandryshueshëm me ndonjë tjetër, sepse bërja e kësaj gjëje mund ta pengojë përparimin tuaj ose mund t’ju futë në një stereotip që potencialisht mund ta dëmtojë përparimin tuaj të përjetshëm.

Për shembull, nëse përcaktoheni kryesisht si amerikan, ata që nuk janë amerikanë, mund të mendojnë: “Di gjithçka që mund të dihet rreth teje” dhe t’ju bashkëngjitin bindje të gabuara.

Nëse e përcaktoni vetveten nëpërmjet lidhjeve tuaja politike, menjëherë do të kategorizoheni se keni bindje të caktuara, edhe pse nuk njoh asnjë që beson gjithçka që përqafon aktualisht partia e tyre e parapëlqyer politike.

Mund të vazhdojmë me radhë, duke përsëritur kufizimet e etiketimeve të ndryshme që i vëmë vetes ose që njerëz të tjerë na vënë neve.

Disa mund të më vënë etiketimin “plak”. Por jam shumë më i ri se ç’ishte Adami edhe Noeu gjithashtu.14 Mplakja, racizmi, nacionalizmi, seksizmi dhe një mori “izmash” të tjerë janë tërësisht kufizues.

Sa tragjike është kur dikush e beson etiketimin që një njeri tjetër ua ka vënë atyre. Përfytyroni dhembjen e një fëmije të cilit i thuhet: “Je budalla”. Përcaktuesit dhe etiketimet janë të fuqishme!

Kundërshtari gëzohet me etiketimet ngaqë na përçajnë dhe e kufizojnë mënyrën se si mendojmë për veten dhe njëri‑tjetrin. Sa e trishtueshme është kur i nderojmë etiketimet më shumë sesa e nderojmë njëri‑tjetrin.

Etiketimet mund të çojnë në gjykim dhe armiqësi. Çfarëdo keqtrajtimi ose paragjykimi ndaj dikujt tjetër për shkak të kombësisë, racës, orientimit seksual, gjinisë, shkallëve të arsimimit, kulturës ose përcaktuesve të tjerë domethënës, është fyes për Krijuesin tonë! Një keqtrajtim i tillë bën që ne të jetojmë nën nivelin tonë si bijtë dhe bijat e Tija të besëlidhjes!

Natyrisht, ka etiketime të ndryshme që mund të jenë shumë të rëndësishme për ju. Ju lutem, mos më keqkuptoni. Nuk po them që emërtime dhe përcaktues të tjerë nuk janë domethënës. Thjesht po them se asnjë përcaktues nuk duhet t’i zhvendosë, zëvendësojë ose të marrë përparësi mbi këto tri emërtime afatgjata: “fëmijë i Perëndisë”, “fëmijë i besëlidhjes” dhe “dishepull i Jezu Krishtit”.

Çfarëdo përcaktuesi që nuk përputhet me këto tri emërtime bazë, përfundimisht do t’ju zhgënjejë. Etiketime të tjera do t’ju zhgënjejnë me kalimin e kohës ngaqë nuk e kanë fuqinë për t’ju udhëhequr drejt jetës së përjetshme në mbretërinë çelestiale të Perëndisë.

Përcaktuesit sipas botës kurrë nuk do t’ju japin një përfytyrim të personit që përfundimisht mund të bëheni. Ata nuk do ta pohojnë kurrë ADN‑në tuaj hyjnore ose potencialin tuaj të pakufishëm hyjnor.

Ngaqë ka një plan të madhërishëm për shpëtimin, me autor Atin Qiellor, a nuk duhet të arsyetojmë se ju gjithashtu keni një fat hyjnor?15

Mos bëni gabim në lidhje me këtë: Potenciali juaj është hyjnor. Me kërkimin tuaj të zellshëm, Perëndia do t’ju japë grimca të personit që mund të bëheni.

Pra kush jeni? Së pari dhe mbi gjithçka, jeni një fëmijë i Perëndisë, një fëmijë i besëlidhjes dhe një dishepull i Jezu Krishtit. Teksa i përqafoni këto të vërteta, Ati ynë Qiellor do t’ju ndihmojë të arrini synimin tuaj përfundimtar të të jetuarit përjetësisht në praninë e Tij të shenjtë.

E dyta: Dini të vërtetën rreth asaj që ju kanë ofruar Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti.

Me pak fjalë, Ata ju kanë ofruar gjithçka!

Plani i Atit Qiellor për fëmijët e Tij na lejon të jetojmë në vendin ku jeton Ai, në mënyrën se si jeton Ai dhe përfundimisht të bëhemi gjithnjë e më shumë si Ai. Plani i Tij, në kuptimin e plotë të fjalës, i vë në dispozicion për ne bekimet më të pasura të të gjithë përjetësisë, përfshirë potencialin që ne të bëhemi “bashkëtrashëgimtarë të Krishtit”16.

Perëndia di gjithçka dhe sheh gjithçka. Në të gjithë përjetësinë, askush nuk do t’ju njohë dhe nuk do të kujdeset asnjëherë më shumë për ju sesa ju njeh e kujdeset Ai. Askush nuk do të jetë asnjëherë më pranë jush sa ç’është Ai. Mund t’ia derdhni zemrën Atij dhe të mirëbesoni tek Ai se do të dërgojë Frymën e Shenjtë dhe engjëjt që të kujdesen për ju. Ai e tregoi dashurinë e Tij përfundimtare kur dërgoi Birin e Tij të Vetëmlindur që të vdiste për ju, që të ishte Shpëtimtari dhe Shëlbuesi juaj!

Nëpërmjet Shlyerjes së Tij, Zoti Jezu Krisht e mposhti botën.17 Si rrjedhim, Ai është “i fuqishëm … [t’ju] pastrojë nga çdo padrejtësi”18. Ai do t’ju çlirojë nga rrethanat tuaja më torturuese në vetë mënyrën dhe kohën e Tij.19 Kur vini tek Ai me besim, Ai do t’ju udhërrëfejë, ruajë e mbrojë. Ai do ta shërojë zemrën tuaj të thyer dhe do t’ju ngushëllojë në shqetësimin tuaj.20 Do t’ju japë mundësi ta përdorni fuqinë e Tij. Dhe do ta bëjë të pamundurën në jetën tuaj që të bëhet e mundur.

Jezu Krishti është i vetmi burim afatgjatë i shpresës, paqes dhe gëzimit për ju. Satani kurrë nuk mund ta riprodhojë ndonjërën prej këtyre. Dhe Satani nuk do t’ju ndihmojë kurrë.

Nga ana tjetër, vepra e Perëndisë dhe lavdia e Tij është të bëjë të ndodhë “pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut”21. Perëndia do të bëjë gjithçka që mundet, përveçse dhunimit të lirisë suaj të zgjedhjes, që t’ju ndihmojë që të mos humbisni bekimet më të mëdha në të gjithë përjetësinë.

Perëndia ka dashuri të veçantë për secilin person që bën besëlidhje me Të në ujërat e pagëzimit.22 Dhe ajo shpresë hyjnore thellohet teksa besëlidhje shtesë bëhen dhe mbahen besnikërisht. Atëherë, në mbarim të jetës në vdekshmëri, i çmuar është ribashkimi i çdo fëmije të besëlidhjes me Atin tonë Qiellor.23

Ai gjithashtu kujdeset thellësisht që të gjithë fëmijët e Tij të kenë mundësi për t’i dëgjuar lajmet e mira të ungjillit të rivendosur. Ati Qiellor i ka dërguar fëmijët e Tij në tokë për më shumë se gjashtë mijëvjeçarë. Shumica e këtyre njerëzve nuk i kanë marrë ende ordinancat që do t’i kualifikonin për jetën e përjetshme. Kjo është arsyeja pse tempujt janë kaq të rëndësishëm. Kjo është përse mbledhja e Izraelit në të dyja anët e velit është kauza më e rëndësishme në tokë sot. Ju, kolegët e mi të dashur në këtë punë të shenjtë, keni një rol thelbësor në këtë mbledhje dhe unë ju falënderoj për të.

Kjo tani më çon në pikën time të tretë.

Dini të vërtetën lidhur me kthimin tuaj në besim. E vërteta është që ju duhet të zotëroni kthimin tuaj vetjak në besim. Askush tjetër nuk mund ta bëjë atë për ju.

Tani, a mund t’ju ftoj të merrni parasysh disa pyetje? A doni të ndieni paqe rreth shqetësimeve që ju pllakosin aktualisht? A doni ta njihni më mirë Jezu Krishtin? A doni të mësoni se si fuqia e Tij hyjnore mund t’i shërojë plagët dhe dobësitë tuaja? A doni të përjetoni fuqinë e ëmbël, qetësuese të Shlyerjes së Jezu Krishtit që vepron në jetën tuaj?

Kërkimi për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve do të kërkojë përpjekje – shumë përpjekje. Ju përgjërohem që ta merrni mbi vete përgjegjësinë për dëshminë tuaj. Punoni për të. Zotërojeni atë. Kujdesuni për të. Kultivojeni me qëllim që ajo të rritet. Ushqejeni me të vërtetën. Mos e ndotni me filozofitë e rreme të burrave dhe grave mosbesuese dhe më pas të pyetni veten përse dëshmia juaj po zbehet.

Përfshihuni në lutje të përditshme, të zellshme, të përulur. Ushqejeni veten tuaj me fjalët e profetëve të lashtë dhe modernë. Kërkojini Zotit që t’ju mësojë se si ta dëgjoni Atë më mirë. Shpenzoni më shumë kohë në tempull dhe me punën për historinë familjare.

Teksa e bëni dëshminë tuaj përparësinë tuaj më të lartë, vëzhgoni për mrekulli që do të ndodhin në jetën tuaj.

Nëse keni pyetje – dhe shpresoj që të keni – kërkojini përgjigjet me dëshirën e zjarrtë që të besoni. Mësoni gjithçka mundeni rreth ungjillit dhe sigurohuni që të drejtoheni për udhërrëfim te burime të mbushura me të vërtetë. Ne jetojmë në periudhën ungjillore kur “asgjë nuk do të mbahet”24. Prandaj, me kalimin e kohës, Zoti do t’ju përgjigjet të gjitha pyetjeve tona.

Ndërkohë zhytuni në rezervuarin e pasur të zbulesës që e kemi në majë të gishtave. Ju premtoj se bërja e kësaj gjëje do ta forcojë dëshminë tuaj, edhe nëse disa nga pyetjet tuaja nuk kanë marrë ende përgjigje. Pyetjet tuaja të çiltra, të bëra me besim, gjithmonë do të çojnë drejt besimit më të madh dhe drejt më shumë diturie.

Nëse miqtë dhe familjarët largohen nga Kisha, vazhdoni t’i doni ata. Nuk ju takon juve që të gjykoni zgjedhjen e dikujt tjetër, po ashtu siç nuk e meritoni që të kritikoheni ngaqë po qëndroni besnik.

Tani, ju lutem, më dëgjoni kur them: Mos u udhëhiqni në udhë të gabuar nga ata njerëz dyshimet e të cilëve mund të ndizen nga gjëra që nuk mund t’i shihni në jetën e tyre. Mbi të gjitha, lejojini miqtë tuaj skeptikë të shohin se sa shumë ju e doni Zotin dhe ungjillin e Tij. Befasojini zemrat e tyre dyshuese me zemrën tuaj besuese!

Kur merrni mbi vete përgjegjësinë për dëshminë tuaj dhe e bëni atë të rritet, ju do të bëheni mjet më i fuqishëm në duart e Zotit. Do të “frymëz[oheni] nga një qëllim më i mirë”25 – kauza e Jezu Krishtit!

Nuk ka asgjë që po ndodh në këtë tokë, që është më e rëndësishme sesa mbledhja e Izraelit për Të. Bëjani të ditur Atit tuaj Qiellor se dëshironi të ndihmoni. Kërkojini Atij që t’ju vërë në punë në këtë kauzë të lavdishme. Dhe më pas qëndroni e vështroni dhe mahnituni me atë që ndodh kur ju e lejoni Perëndinë të triumfojë në jetën tuaj.

Miqtë e mi të dashur në moshë të re, ju dua! Ju falënderoj! Kam besim te ju. Si profeti i Zotit, ju bekoj të dini të vërtetën rreth asaj se kush jeni dhe ta ruani si thesar të vërtetën rreth asaj që është në të vërtetë potenciali juaj i lavdishëm. Ju bekoj të merrni mbi vete përgjegjësinë për vetë dëshminë tuaj. Dhe ju bekoj të keni dëshirën dhe forcën për t’i mbajtur besëlidhjet tuaja.

Teksa e bëni këtë, ju premtoj se do të përjetoni rritje shpirtërore, liri nga frika dhe vetëbesimin që rrallë mund ta përfytyroni tani. Do të keni forcën për të pasur një ndikim pozitiv shumë përtej aftësisë suaj të natyrshme. Dhe ju premtoj se e ardhmja juaj do të jetë më ngazëlluese sesa ndonjë gjë që mund ta besoni aktualisht.

Ju bekoj kështu dhe përsëri shpreh mirënjohjen dhe dashurinë time për ju, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Zanafilla 2:18; Moisiu 3:18; Abraham 5:14.

  2. Shih Doktrina e Besëlidhje 93:36.

  3. Shih 1 Korintasve 15:22.

  4. Shih Gjoni 11:25.

  5. Shih Mormoni 3:20.

  6. Shih Gjoni 14:2; Përkthimi prej Joseph Smith‑it në Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta i 1 Korintasve 15:40; Doktrina e Besëlidhje 76:89–98; 131:1.

  7. Dallin H. Ouks, “Dashuria Hyjnore në Planin e Atit”, Liahona, maj 2022, f. 101.

  8. Shih Alma 12:24; 34:32.

  9. Shih Doktrina e Besëlidhje 88:22–24.

  10. Abraham 3:26.

  11. Kjo është çfarë Zoti u dha mësim njerëzve në Amerikën e lashtë kur u foli atyre. Pasi Ai përcaktoi se cili ishte, u tha dëgjuesve të Tij se cilët ishin ata: “Dhe vini re, jeni fëmijët e profetëve; dhe jeni nga shtëpia e Izraelit dhe jeni nga besëlidhja” (3 Nefi 20:25; theksimi i shtuar). Këto të vërteta të sakta iu shpallën gjithashtu njerëzve në kohët e Biblës (shih Veprat e Apostujve 3:25).

  12. Fëmi’ i Per’ndis’ Jam”, Himne, nr. 196.

  13. Si të reja dhe të rinj, ju citoni tema që fillojnë me fjalët “Unë jam një bijë e dashur e prindërve qiellorë, me një natyrë hyjnore dhe fat të përjetshëm” dhe “Unë jam një bir i dashur i Perëndisë dhe Ai ka një punë për mua që ta bëj” (Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 11.1.2, 10.1.2, ChurchofJesusChrist.org).

  14. Adami vdiq në moshën 930 vjeç (shih Zanafilla 5:5); Noeu vdiq në moshën 950 vjeç (shih Zanafilla 9:29).

  15. Presidenti Orson Hajd (1805–1878), President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha se “ne i kuptuam gjërat më mirë [në botën para lindjes] sesa i kuptojmë në këtë botë [me lavdi] më të ulët”. Ai vazhdoi, duke hamendësuar rreth premtimeve që ka të ngjarë t’i kemi bërë atje: “Nuk është e pamundur që ne t’i kemi nënshkruar nenet atje me dorën tonë, nene të cilat mund të ruhen në arkivat atje lart, që të na paraqiten kur të ngrihemi së vdekuri dhe të gjykohemi prej vetë gojës sonë, në përputhje me atë që është shkruar në librat” (“Remarks”, Deseret News, 21 dhjetor 1859, f. 322).

  16. Romakëve 8:17.

  17. Shih Gjoni 16:33; Doktrina e Besëlidhje 50:41.

  18. Alma 7:14.

  19. Zoti është i fuqishëm për të na çliruar ashtu siç e çliroi Nefin nga kthetrat e Labanit (shih 1 Nefi 4:3).

  20. Shih Lluka 4:18; Alma 7:10–12.

  21. Moisiu 1:39.

  22. Në gjuhën hebraike të Dhiatës së Vjetër, fjala për dashurinë besëlidhëse të Perëndisë është hesed.

  23. Shih Psalmeve 116:15.

  24. Doktrina e Besëlidhje 121:28.

  25. Alma 43:45: “Pasi ata nuk luftonin për mbretëri ose pushtet, por po luftonin për shtëpitë e tyre dhe liritë e tyre dhe bashkëshortet e tyre, dhe fëmijët e tyre, dhe për gjithçka që kishin, po, për ritet e tyre të adhurimit dhe kishën e tyre”.