Takime Shpirtërore 2023
Një e Ardhme e Mbushur me Shpresë


Një e Ardhme e Mbushur me Shpresë

Takimi Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë e Të Rejat në Moshë Madhore

E diel, 8 janar 2023

Plaku Xhefri R. Holland: Miqtë e mi në moshë të re kudo që jeni! Sa të privilegjuar jemi unë dhe Motra Holland që jemi me ju sonte! Ndonëse po vijmë te shumica prej jush përqark botës nëpërmjet mrekullisë së teknologjisë bashkëkohore, jemi të kënaqur që kemi një auditor personal në këtë universitet dhe institutin e tij të fesë, ku Pati dhe unë nisëm arsimimin tonë në kolegj, dolëm në takime dhe u martuam.

Tani, po pres të shoh a e përshkoi një drithërimë sallën kur thashë fjalën martesë. Mos bini në panik. Nuk do të flasim rreth martesës sonte. Disa nga ju janë tashmë të martuar dhe nuk duam që pjesa tjetër prej jush të ikë me vrap nga dhoma duke ulëritur. Por po i përmend rrënjët tona si të rinj në moshë madhore dhe fillesat tona romantike me një mendim në kokë se nëse na goditi ne në një natë si kjo, ku i dihet, mund të godasë edhe të tjerë.

Sigurisht, plot nga ju motra na keni thënë se janë disa burra që kanë nevojë të goditen, në mos me shigjetën e Kupidit, atëherë mbase me një pallaskë të vogël tenisi. Nëse ka ndonjë të re atje sonte që është ulur me një të ri, të cilit i përshtatet ky përshkrim, Plaku dhe Motra Holland i japin leje ta godasë me bërryl në brinjë në këtë çast, veçse aq butë sa të përçojë dashuri dhe aq ashpër sa ta bëjë ta kuptojë. Do të jemi të lumtur nëse një shkundje e tillë funksionon për ju sikurse funksionoi për ne, vetëm se në rastin tonë qe bërryli im dhe brinjët e Motrës Holland.

Këtë qershor do të mbushen 60 vjet nga koha kur unë dhe Pati u martuam në Tempullin e Seint‑Xhorxhit, vetëm 1 kilometër larg nga ky kompleks universitar. Gjashtë dekada së bashku na japin një rast të mirëpritur për t’i thënë lamtumirë një periudhe që ka qenë e vështirë për shumë veta dhe për disa tragjike. Ne po dalim gradualisht nga pandemia e virusit COVID‑19, por kjo plagë me përmasa thuajse biblike është ende një problem shumë real në pjesë të shumta të botës, duke qenë se ka një mesatare prej 1 700 vdekjesh të raportuara nga kjo sëmundje përditë.1 Kjo murtajë ka lënë pasoja, jo vetëm në shëndetin fizik, por edhe në jetën shoqërore, politike dhe ekonomike të thuajse gjithkujt në planet, në një mënyrë a një tjetër.

Një lloj tjetër murtaje është ajo që ende po shpaloset në Europën Lindore, ku miliona njerëz, përfshirë anëtarë të Kishës, janë shkatërruar, zhvendosur ose kanë dhënë vetë jetën në një konflikt të cilin nuk e kërkuan dhe nuk e meritonin. Vetëm disa javë më parë, ndërkohë që ishim me detyrë në Europë, Motra Holland dhe unë u takuam me disa nga ata refugjatë ukrainas. Qeshëm dhe qamë, dhe u lutëm me ata që kishin lënë gjithçka prapa dhe u arratisën vetëm me veshjet që kishin mbi shpinë. Ne ndiem të njëjtin emocion dhe pikëllim për anëtarët tanë besnikë brenda Rusisë, të cilët gjithashtu janë prekur duke qenë pa faj nga ky konflikt. Krahas këtyre tragjedive, në shumë vende anembanë botës, shohim të shtëna me armë drejtuar një turme, përfshirë një tragjedi që ndodhi pikërisht javën e kaluar këtu në zonën jugore të Jutës, përmbajtje të pamoralshme në botën e argëtimit dhe veprimtari politike në të cilat parimet themelore të tilla si integriteti moral, dashamirësia dhe ndershmëria duket se janë harruar disi.

Dhe, sigurisht, ka shumë probleme të tjera kulturore dhe shoqërore që na trazojnë. Por sonte nuk kemi ardhur t’ju mërzitim me problemet e botës. Në fakt, kemi ardhur pikërisht për arsyen e kundërt. Ne e pranojmë ligështinë e kuptueshme që ka mbi supe brezi juaj. Dhe ju kërkojmë ndjesë që brezi ynë nuk i ka zgjidhur një pjesë të këtyre problemeve me të cilat po përballeni tani. Por ju bëjmë thirrje juve dhe çdo të riu e të reje tjetër shenjtor të ditëve të mëvonshme që të jetë në ballë të forcës morale që mund t’i zgjidhë këto probleme, që mund ta zmbrapsë baticën e frikës, pesimizmit dhe ankthit që na rrethon. Sa e rëndësishme është për ju që të luteni, jo vetëm që Zoti të triumfojë në jetën tuaj2, sikurse ka kërkuar Presidenti Rasëll M. Nelson, por edhe të luteni që vlerat e jetës suaj të triumfojnë tek të tjerët që nuk janë ende aq të sigurt. Nëse si dishepuj individualë të Zotit Jezu Krisht ne të gjithë jemi më të dashur, më paqësorë dhe dashamirës, nëse të gjithë përpiqemi t’i zbatojmë urdhërimet e Perëndisë sa më mirë të mundemi, atëherë kemi çdo arsye për t’u ndier të sigurt rreth gjendjes së botës dhe gjendjes sonë. Duke ecur drejt së ardhmes në këtë mënyrë, plot me paqe dhe premtim të perëndishëm, mund të kemi një ndikim absolutisht mahnitës në botë. Abraham Linkolni dikur tha se ai përpiqej të shkulte një bar të keq dhe të mbillte një lule në vend të tij sa herë që i jepej mundësia. Po ta bënim të gjithë këtë, shkretëtirat tona morale dhe shpirtërore do të ishin kopshte të vërteta sakaq.3

Ata prej jush që janë në Gjermani sonte, ku po tregohet aq shumë mikpritje e krishterë ndaj refugjatëve ukrainas që sapo i takuam, do ta njohin thënien nga autori Johan Gëte se, “po të fshinte gjithsecili përpara pragut të derës së vet, e gjithë bota do të ishte e pastër”.

Pra, duke i pranuar sfidat dhe duke dëshiruar t’ju ofrojmë një mënyrë për t’i trajtuar ato, Motra Holland dhe unë vijmë sonte sikurse tha Apostulli Pjetër se duhet të ishim, “gjithnjë gati për … shpjegime për shpresën që është në [ne]”4. Ne do të flasim për shpresën, me deklarimin se ne nuk duhet kurrë ta humbasim atë ose virtytet simotra të saj: besimin dhe dashurinë hyjnore. Ne e kuptojmë se ka mënyra të shumta për t’i përkufizuar këto parime të lidhura ngushtë dhe do të na dëgjoni të ofrojmë pak nga përkufizimet tona sonte. Gjithashtu do të na dëgjoni të deklarojmë me Moronin se shpresa është thelbësore nëse duam të “marr[im] … trashëgim[inë] në vendin që [Perëndia] k[a] përgatitur [për ne]”5. Ne duam që ju ta pretendoni atë trashëgimi si bij dhe bija të një mbreti. Për ta bërë këtë, ne duhet të kuptojmë se shpresa nuk është vetëm mesazhi dhe stili që ka një optimist i natyrshëm; ajo është privilegji i gjithkujt që beson.6 Si një besimtare që është absolutisht e mbushur me shpresë (dhe besim e dashuri hyjnore), Motra Holland e ndien fuqimisht rëndësinë e kësaj bashkësie mbarëbotërore sonte dhe të atij që duhet të jetë roli juaj në ditët që kemi përpara. Ajo e di se ju jeni grupi të cilit ne i lëmë stafetën, dhe ndien se është thelbësore që ju të bëni një hap përpara dhe ta përqafoni fatin tuaj. Motra Holland.

Motra Patrisha T. Holland: Kam besim të fortë te ju. Ju jeni brezi i të rinjve e të rejave në moshë madhore më i fortë që ka njohur ndonjëherë bota. Për këtë gjë ju dua shumë. Plaku Holland dhe unë jemi tejet mirënjohës që ju i mbani besëlidhjet dhe që përpiqeni fort të bëni atë që është e drejtë. Për shkak se jeni kaq shumë, ju do ta keni atë fuqi për të cilën foli Plaku Holland. E shoh dritën tuaj në këtë sallë. Është kaq e ndritshme. Më bën të mendoj rastin kur Shpëtimtari iu shfaq nefitëve. Ai tha: “Mbani lart dritën tuaj që të ndriçojë tërë botën. Vini re, unë jam drita që ju duhet të mbani lart.”7 Si ju, ne dikur ishim të rinj, por tani jemi në moshë të madhe. Teksa vështroj prapa në jetën time dhe nëse do të mund të jetoja një pjesë të saj përsëri, një gjë do ta bëja ndryshe, shumë ndryshe: të thjeshtoja gjërat! Më duket sikur çdo gjë është më e mirë kur thjeshtohet – ushqimi, veshjet, orenditë dhe programet tona. Ajo për të cilën më vjen keq më së shumti, është se në rininë time nuk e shihja bukurinë e thjeshtë të ungjillit, e ndërlikoja shumë madje edhe ungjillin. Më dukej tepër i mundimshëm, tepër i vështirë e nganjëherë madje tepër i mistershëm. Më ngjante madje se si një e re në moshë madhore më duhej të ngjitja një mal drejtësie, të kaloja një furrnaltë të zjarrtë dëlirjeje dhe të zbërtheja çdo polemikë doktrinore që njeh njerëzimi nëse doja që të isha e pranueshme ndonjëherë përpara Perëndisë.

E kotë ta them, mendimi që kisha atëherë, ishte një gjë më e madhe nga sa një vogëlushe nga zona jugore e Jutës mendonte se mund të përballonte. Për mua, ishte siç më tha njëherë dikush: “Arsyeja se pse njerëzit nuk bashkohen me ju të krishterët, është se e trajtoni fenë si një kokëçarje dhe si një kurorë gjembash”. Ekziston vetëm një njeri, të cilit i është dashur ta vërë mbi krye atë kurorë me gjemba dhe Ai e bëri këtë që ne të mund të jetojmë me gëzim, me begati dhe me paqe, jo me dëshpërim. Ungjilli nuk kishte kurrë për qëllim që të ishte një mal që ajo vogëlushe nuk mund ta ngjiste. Ai donte që ajo, dhe çdo njeri tjetër në botë, të mbushej gjithnjë me shpresë. Ai do që ne të dimë se ungjilli është bukur i thjeshtë dhe thjesht i bukur.

Por ju lutem, mos e keqkuptoni. Kur flas për shpresën, nuk nënkuptoj se Krishti duhet të na japë një shkop magjik apo një shpatë moderne me dritë. Shpresa jonë duhet të jetë më e madhe se ajo e Pinokut që shprehu një dëshirë kur ra një yll8, nëse duam të jetë ajo shpresë për të cilën dha mësim Shpëtimtari. Vëllezërit dhe motrat e mia në moshë të re, është një dhuratë, dhurata e Tij ndaj nesh dhe të gjithë familjes njerëzore. Ne duhet ta konsiderojmë atë si një dritë që shkëlqen në një botë tejet të zymtë. Siç tha një shkrimtar: “Askush nuk është krejtësisht i mjeruar [përveç] atij që po jeton pa shpresë”9.

Thjeshtësia e bukur që përfshihet në zbulimin e kësaj dhurate të shpresës, është se nuk keni pse ta kërkoni atë; nuk keni pse të rendni në ndjekje të saj; nuk keni pse dhe nuk mund ta prodhoni dot atë. Thuajse si shumë gjëra në aspektin e hirit, ju nuk do ta merrni atë duke u mbështetur te forca juaj vetjake ose tek ajo e dikujt tjetër. Nuk ekziston asnjë formulë e fshehtë apo ndonjë shprehje magjike për këtë. Ajo nuk do të vijë nga ushtrimet për frymëmarrjen e thellë (sado të vlefshme të jenë) ose duke lexuar ndonjë libër se si ta gjejmë lumturinë.

Në fakt, pjesa që luajmë ne, është e rëndësishme, por praktikisht shumë e vogël, Perëndia e ka pjesën më të madhe të detyrës. Pjesa jonë është të vijmë tek Ai me përulësi dhe thjeshtësi, më pas nuk duhet të shqetësohemi e as të kemi frikë.10 Përse është kaq e thjeshtë? Sepse pas gjithçkaje që dha mësim Krishti, në çdo shkrim të shenjtë, histori dhe shëmbëlltyrë, është premtimi se me Perëndinë “çdo gjë është e mundshme”11 – premtimi se fuqia e Perëndisë mund të thajë çdo lot12. Ne duhet ta largojmë dëshpërimin vetjak dhe të kërkojmë prehje te Zoti.13 Pra, ne vijmë përpara Tij zemërbutë dhe të përulur nga zemra14 për të marrë bekimet që vijnë me dashurinë e Tij të pareshtur. Mirëbesimi ynë duhet të jetë si ai i një fëmije të vogël ose i një qengji të vogël dhe ne jemi njëmend brenda grigjës së Tij të madhe.

Zemra jonë nuk do të gjejë kurrë prehje derisa të prehet te Perëndia.

Kjo thirrje për të qenë zemërbutë dhe të përulur nga zemra – njëri prej disa përshkrimeve që Zoti dha për Veten, ishte se Ai qe zemërbutë dhe i përulur nga zemra – është një thirrje drejtuar të gjithëve ne si dishepujt e Tij. Nëse mund të jetojmë në këtë mënyrë, thotë Ai, ne do të gjejmë prehje për shpirtrat tanë dhe do të zbulojmë se zgjedha e Tij është e ëmbël, se barra e Tij është e lehtë.15 E shoh këtë thirrje që të jem zemërbutë dhe e përulur vazhdimisht teksa i lexoj shkrimet e shenjta. (Ndoshta sepse më nevojitet vazhdimisht.)

Jam e sigurt se asgjë me pasojë të madhe shpirtërore nuk është bërë ndonjëherë nga dikush që nuk ka qenë plot shpresë e përulësi. Këtë lloj mendësie shpresojmë për ju sonte – që ta mësoni këtë sa jeni ende të rinj. Ne duam me gjithë zemër që ju të dini se Perëndia është Ati juaj, se Ai ju ka “mbajtur … qysh në bark të nënës”16, se Ai ka plane për ju, plane për një “të ardhme [me] shpresë”17.

Më lejoni t’ju tregoj dy shkrime të shenjta që më pëlqejnë shumë nga Dhiata e Vjetër, ku përdoret një pjesë e atij leksiku. Isaia thotë:

“Dëgjomëni, o shtëpi e Jakobit, dhe tërë … shtëpi[a e] Izraelit, që ju kam përkrahur që kur keni lindur, që jeni mbajtur nga unë qysh në bark të nënës;

Deri në pleqërinë tuaj … unë do t’ju mbaj deri sa të thinjeni. Unë ju kam bërë dhe unë do t’ju përkrah; … do t’ju mbaj dhe do t’ju shpëtoj.”18

Dhe Jeremia shkruan:

“‘Sepse [sigurisht] unë i di [planet] që kam për ju’, thotë Zoti, ‘[plane për mirëqenien dhe jo për dëmin tuaj], për t’ju dhënë një të ardhme [me] shpresë.

[Pastaj kur] të më kërkoni dhe … të më luteni, … unë do t’ju [dëgjoj].’”19

Unë ju dëshmoj, vëllezërit dhe motrat e mia në moshë të re, se kjo është një e vërtetë e lindur nga përvoja vetjake se Ati ynë Qiellor do të bëjë pjesën e Tij në përmbushjen e këtyre premtimeve. Është në dorën tonë që thjesht të besojmë, të besojmë me thjeshtësi, të jemi më shumë si fëmijët për sa i përket zemërbutësisë dhe sidomos mirënjohjes sonë teksa i marrim dhuratat e Tij. A dëshironi një vit vërtet të mrekullueshëm këtë vit? A dëshironi një të ardhme të mbushur me shpresë? A besoni se ka bekime që ruhen për ju? A e keni parë mjaftueshëm mirësinë e Perëndisë sa të kapeni pas shpresës dhe të përmirësoheni? Ironia është se kjo bëhet duke u gjunjëzuar, duke u përkulur, madje ndoshta edhe duke rënë në këmbët e Perëndisë. Çfarë thjeshtësie e bukur! Të gjunjëzohesh, të përkulesh, të biesh përpara “fronit të hirit”20.

Plaku Holland tregoi se ju do ta gjeni këtë dhuratë të çmuar të shpresës të lidhur me dy dhurata të tjera të Perëndisë, atë të besimit dhe atë të dashurisë hyjnore. Ju lutem, mos bëni si unë kur isha më e re duke i bërë këto virtyte aq madhore dhe aq të ndërlikuara sa të dëshpërohemi nga përpjekja për t’i kuptuar ato. Çmojeni thjeshtësinë e tyre.

Po ju tregoj këtë rend të vogël dhe të thjeshtë. Besimi është bindja se ka një Perëndi, shpresa është mirëbesimi se Ai do të na ndihmojë dhe dashuria hyjnore është dashuria dhe aftësia e Tij për të vepruar nëpërmjet nesh për të bekuar të tjerët.

Kam mësuar në lidhje me dashurinë hyjnore se asnjëri prej nesh nuk ka as energjinë, kohën, burimet apo forcën për të bërë të gjitha ato që na do zemra t’i bëjmë. Ne nuk mund t’i bëjmë të gjitha; zemra jonë e tejkalon njëmend kapacitetin tonë. Sa e mrekullueshme është që fuqia e Perëndisë, e cila vepron nëpërmjet nesh, mund ta rritë ndikimin tonë modest, mund t’i shumëfishojë përpjekjet tona të kufizuara dhe të bëjmë për të tjerët atë që nuk mund ta bënim kurrë të vetëm.

Kjo qasje e thjeshtë ndaj këtyre tri çështjeve të mëdha doktrinore, e ka bekuar jetën time. Do të doja që t’i kisha parë ato sipas kësaj mënyre më pak frikësuese qysh më herët. Unë besoj fort se Perëndia kishte qëllim që të vërteta të tilla të ungjillit të ishin aq të thjeshta sa edhe një fëmijë të mund t’i kuptojë. Më lejoni ta përsëris. Besimi është bindja se ka një Perëndi. Shpresa është mirëbesimi se Ai do të na ndihmojë. Dhe dashuria hyjnore është dashuria e Tij që vepron nëpërmjet nesh.

Meqë po flas për dhuratat nga Perëndia, më lejoni të shtoj edhe një dhuratë tjetër që është një plus për shpresën tonë në këtë vit të ri. Ajo që hedh dritë mbi besimin, shpresën dhe dashurinë hyjnore, është dhurata tej mase e bukur dhe tej mase e thjeshtë – dhurata e Dritës së Krishtit. Kjo dritë, e lidhur aq ngushtë me shpresën, është një dhuratë që i jepet çdo burri, çdo gruaje dhe fëmije që ka lindur ndonjëherë ose do të lindë ndonjëherë në vdekshmëri. Është pjesë përbërëse e natyrës sonë. Është pjesë e vetë shpirtit tonë.

Njëri nga fragmentet e mia të parapëlqyera të shkrimit të shenjtë përfshin këtë varg: “Dhe Shpirti i jep dritë çdo njeriu që vjen në botë; dhe Shpirti ndriçon çdo njeri në botë21.

Ajo dritë është njëra nga arsyet themelore për shpresë në jetën tonë. Është kaq inkurajuese, kaq emocionuese, thjesht, kaq shpresëdhënëse, që ka diçka brenda nesh që jo vetëm na tregon se ka një mënyrë të drejtë për t’ia dalë mbanë mes ndërlikimeve të jetës, por na tregon edhe se do ta gjejmë atë mënyrë të duhur nëse jemi “zemërbutë dhe [të] përulur nga zemra”22. Siç i tha Presidenti Nelson të gjithë Kishës vetëm një javë më parë: “Bota ka nevojë për dritën e Jezu Krishtit. Dhe bota ka nevojë [dëshpërueshëm] për dritën tuaj [të bukur].”23

Miqtë e mi të mrekullueshëm në moshë të re, lutja ime më e sinqertë sonte, shpresa ime, është që të gjithë ju të rinj e të reja në moshë madhore anembanë botës, ta pranoni këtë thirrje si shërbesën tuaj vetjake, ta merrni shpresën për të cilën foli Shpëtimtari, dhe ta mbani si pishtar drejtuar atyre që ndiejnë se bota është një vend tejet i zymtë dhe tejet i vështirë. A ka ndonjë mënyrë se si mund t’ju inkurajoj që ta shihni se mbajtja e kësaj drite duhet të jetë shërbesa juaj e ditëve të mëvonshme? Ju lutem, ju lutem, kuptojeni se kjo është gjëja më e rëndësishme që ndiej se duhet t’ju them sonte. Frika ime më e madhe ishte a do të mundja t’jua thosha këto gjëra mjaftueshëm mirë sa ju vërtet të më besonit. Duhet ta mbani këtë dritë në mënyrë të atillë që e gjithë errësira në botë nuk do ta shuajë kurrë.

Kjo qasje e thjeshtë por e fuqishme për ato çështje që konsiderohen si të mëdha ose të ndërlikuara do ta ndryshojë trajektoren e një bote në rënie e të zymtë. Ju lutem, kini besim te Perëndia, shpresë se Ai do t’ju ndihmojë dhe merreni dashurinë hyjnore që i mundëson Atij të veprojë nëpërmjet jush, që të përmbushni atë që vetëm ju mund ta bëni.

Teksa e pranoni këtë sfidë dhe nisni këtë vit të ri, pasi të keni parë brenda vetes, ju lutem që të vështroni lart. Sytë që i vështrojnë nga lart sytë tuaj, do të jenë ata të Atit tuaj të dashur në Qiell, i cili mundet dhe do të dhurojë mbi ju të gjitha ato gjëra që i shpresoni me drejtësi. Nuk mund t’i merrni këto bekime duke i ndjekur ato. Ju lutem, ndaloni së vrapuari deri në pikën sa të rraskapiteni. Ndaluni, qetësohuni. Thjeshtojini gjërat. Jini zemërbutë e të përulur nga zemra dhe lutuni. Ju dëshmoj se mrekullitë do të vijnë kur ne e ngadalësojmë ritmin, kur qetësohemi dhe kur gjunjëzohemi. Gjithçka që ka Ati mund të jetë e juaja një ditë.24 Çfarë mënyre vërtet shpresëdhënëse për t’u përballur me të ardhmen tuaj! Ju dua shumë, ju admiroj dhe do të lutem gjithnjë për ju. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Plaku Holland: Faleminderit, Motra Holland, jo vetëm që e jep mësim ungjillin, por që e jeton dhe që je e mbushur me shpresën e Krishtit brenda teje. Në ditët tona më të vështira, dhe në gjashtë dekada martesë mund t’i kesh disa të tilla, Motra Holland ka jetuar ashtu sikurse ka dhënë mësim. Ajo ka qenë gjithnjë besimtare. Gjithmonë i ka mirëbesuar dritës së përjetshme brenda shpirtit të saj. Ajo ka jetuar gjithnjë me sigurinë se Perëndia do të na i dëgjonte lutjet dhe do të na e tregonte udhën, edhe nëse nata dukej vërtet e errët. Në një botë që nganjëherë i dukej tronditëse një çifti të ri, të vërtetat dhe premtimet e ungjillit shpesh ishin gjithçka kishim për t’u mbajtur, por ato ishin të mjaftueshme sepse ja ku jemi sonte, pasi kemi marrë më shumë bekime në thuajse 60 vjetët e martesës sonë nga sa mund të kishim ëndërruar se ishte e mundur. Pra sikurse thotë dhe ka bërë kjo grua e bukur, ju lutemi, vazhdoni të shpresoni, lutuni gjithmonë dhe kini besim.

I shtoj këshillës së Motrës Holland inkurajimin sipas shkrimit të shenjtë për t’u përballur me të ardhmen duke marrë aq zemër sa mundemi. Dikush njëherë shkroi se nga i gjithë inkurajimi që Krishti na jep në shkrimet e shenjta, nga e gjithë shpresa që Ai na ofron vazhdimisht, ajo që ne vazhdimisht nuk arrijmë ta pranojmë, është inkurajimi “merrni zemër”25. Ju lutem, a mund ta besojmë Krishtin fjalë për fjalë? A mundemi thjesht ta provojmë? E përqafofshim këtë ftesë të lumtur, plot shpresë sonte teksa rrokim një mundësi tjetër për të filluar një vit të ri dhe për ta bërë jetën tonë pikërisht ashtu siç duam që të jetë!

Sikurse me të gjitha ftesat e Tij për ne, Krishti i jetoi ato përpara se të jepte mësim për to. Pavarësisht nga barrët që Ai mbajti, Ai qe optimist, pozitiv dhe i ndihmoi njerëzit të bënin të njëjtën gjë, përfshirë, mund të shtoja, profetët e Perëndisë. Nga thellësitë e burgut të Libertisë dhe thellësitë e dëshpërimit që përjetoi atje, këshilla përfundimtare e Profetit Jozef Smith për shenjtorët që ishin jashtë duke u lutur për lirimin e tij, ishte: “Të bëjmë me gëzim të gjitha gjërat që janë në fuqinë tonë; dhe atëherë qëndrofshim të patundur, me sigurinë më të madhe, për të parë shpëtimin e Perëndisë dhe që krahu i tij të zbulohet”26. Dhe askush nuk është më pozitiv, më optimist, më i mbushur me shpresë sesa Rasëll Marion Nelsoni, profeti ynë i gjallë që i bëri jehonë këshillës së Jozefit kur na tha së fundi: “Asnjë bekim shpirtëror nuk do të mbahet nga të drejtët. … Zoti do të donte që ne të shohim tek e ardhmja ‘me pritje të gëzuar’ [Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 547].”27 Profetët marrin zemër sepse ata janë dishepuj të vërtetë të Jezu Krishtit dhe ky është burimi themelor i të gjithë optimizmit. Profetët marrin zemër sepse ata e dinë planin; ata e dinë se kush fiton në fund.

Sikurse Motra Holland e ka thënë aq bukur, aftësia për ta parë botën pozitivisht është një tjetër dhuratë nga Perëndia. “[Burrat]”, dhe më lejoni të shtoj gratë dhe fëmijët, “janë, që ata të mund të kenë gëzim”28, na thonë zakonisht shkrimet e shenjta. Kjo është arsyeja pse plani është një “plan … lumturi[e]”29. Si rezultat i atij plani dhe i Shlyerjes së Krishtit në qendër të tij, ne mund të jemi plot shpresë pavarësisht se sa të zymta mund të jenë disa ditë.

Madhështia e shembullit të Shpëtimtarit lidhur me këtë, meriton nderimin tonë ndërsa përballemi me një vit të ri, një vit që mund të përmbajë disa sfida për disa prej nesh. Mendoni për këtë. Si mund të flasë Jezusi për marrjen zemër në mes të të gjithë vuajtjes me të cilën u përball Ai duke shkuar drejt Kryqëzimit? Edhe në atmosferën fatale që duhet të ketë mbizotëruar në Darkën e Fundit, Krishti gjithsesi është duke u kujtuar dishepujve të Tij arsyen dhe detyrën që kishin për të “m[arrë] zemër”30. E kam pyetur veten, me dhembjen që e priste Atë, se si mund të fliste Ai aq pozitivisht dhe të priste që vëllezërit e Tij ta shihnin të gjithë këtë me gëzim. Sigurisht, kjo shfaqje e besimit të Tij, e shpresës dhe dashurisë hyjnore të Tij, vjen sepse Ai e di fundin e historisë. Ai e di se drejtësia triumfon kur tregimet përfundimtare të plotësohen. Ai e di se drita gjithnjë e mund errësirën përgjithmonë dhe përgjithmonë dhe përgjithmonë. Ai e di se Ati i Tij në Qiell nuk jep kurrë një urdhërim pa siguruar gjithashtu edhe udhën për ta përmbushur atë.31 Një fitore e bën gjithkënd të marrë zemër dhe Krishti ishte fitimtari në luftën e Tij të madhe me vdekjen dhe ferrin. Tani, kjo është teologji e thellë sonte, por kjo është ajo për të cilën ata do të lumturoheshin. Krishti triumfues është burimi i shpresës sonë në këtë vit të ri dhe çdo vit, përgjithmonë.

Me gjithë shpërqendrimet e jetës dhe tundimet e Luciferit, të qëndruarit plot shpresë dhe plot gëzim nesër, ose muajin e ardhshëm, apo vitin e ardhshëm, mund të jetë i vështirë. Megjithatë, ai ishte pikërisht qëllimi i Motrës Holland kur kërkoi një thjeshtim dhe një përqendrim ngulitës te bazat e jetës të një shenjtori/eje të ditëve të mëvonshme. Nganjëherë ne qëndrojmë të përqendruar tek to me vullnet të lirë dhe nganjëherë jeta na detyron, por cilido qoftë rasti, nëse i kemi ndërtuar dëshmitë tona mbi bazat e ungjillit, ne mund të përfitojmë nga përvojat tona sfiduese aq sa po përfiton aktualisht një miku im i respektuar nga e tija. Ai, bashkëshortja e tij dhe vajza e tij, dhe besoj se ata po dëgjojnë sonte, po përjetojnë të gjithë një larmi problemesh shëndetësore pikërisht tani, shumë sfida të rënda, do të shtoja. Ata kanë çdo arsye që t’i ngrenë duart në ajër dhe të vrasin mendjen se çfarë të mire u ka sjellë shpresa e tyre, besimi i tyre, ose dashuria e tyre hyjnore. Por për shkak të dishepullimit të vendosur, në kohë si gëzimi ose pikëllimi, ata po triumfojnë.

Në një mesazh me postë elektronike të kohëve fundit (të cilën po jua tregoj me lejen e tij), miku im shkroi:

“Gjatë këtyre muajve të fundit bota ime është bërë shumë e vogël: [sa shtretërit] e spitalit dhe dhomat e të sëmurëve. Shërimi [i bashkëshortes sime pas transplantit të veshkës] ka rezultuar të jetë i vështirë dhe ajo e ka kaluar muajin e fundit … me ecejake në spital. Si rrjedhojë, unë jam ‘shkëputur’ prej shumë gjërave nga bota [përreth meje].” Mendoni për fjalën thjeshtësi.

Ai vazhdon: “Nuk më ka pëlqyer kurrë ideja se Zoti na jep sprova, por besoj se Ai mund t’i përdorë ato për qëllimet e Tij. Diçka që kam arritur ta kuptoj gjatë këtyre javëve të fundit, është se sa … i rëndësishëm dhe real është thelbi i ungjillit [në kundërshtim me aq shumë gjëra që mund të jenë shumë të tepërta]. Përvoja e dashurisë për të tjerët; përvoja e marrjes së dashurisë dhe shërbimit nga të tjerët; prania e qetë e zërit të Perëndisë teksa ulesh i rraskapitur [anës shtratit] të një fëmije të sëmurë ose në dhomën e spitalit të [një] bashkëshorteje [të sëmurë rëndë] natën vonë [dhe të dëgjuarit e frazës hyjnore]: ‘Paqe i qoftë shpirtit tënd, biri im’.

I kam lexuar Librin e Mormonit dhe Ungjijtë dhe e [kam ndier] dashurinë e Perëndisë. Përtej strukturës ndihmëse të Kishës [dhe përtej] një teologjie [abstrakte], [gjërat] që mund të na ndihmojnë të hiqemi zvarrë drejt dritës … janë realiteti i besimit, … dëshmisë, [shpresës dhe dashurisë].”

Ai e përmbyll: “Nuk kam qenë në gjendje të frekuentoj mbledhjet e sakramentit prej javësh, por kam parë aq shumë njerëz të mirë që kanë qenë të vërtetë ndaj … besëlidhjeve të tyre duke i shërbyer familjes sime. … Jam bekuar nga aq shumë gjëra dhe e dua Zotin, [e dua] ungjillin, [e dua] Rivendosjen dhe Kishën.”32

Ajo dëshmi e rrjedhshme e shpresës dhe ngulmit, e shprehur në mes të një kohe shumë të vështirë, është prekëse për mua. Dhe nevojitet që ta dimë se, në njëfarë pike, shpresat tona dhe bindjet tona pa dyshim që do të vihen në provë dhe do të rafinohen gjithashtu në një poçe furre të ngjashme të vuajtjes vetjake. Miqtë e mi të rinj e të bukur, besimi i pavënë në provë nuk është fare besim. Ne themi se jemi të ndërtuar mbi shkëmbin e Krishtit. Epo, do të bënim mirë të jemi, sepse jeta ka stuhitë dhe shtrëngatat e saj dhe një themel mbi rërë thjesht nuk do të na mbajë kur të fryjë era dhe të bjerë shiu, dhe të vijnë përmbytjet.33

Një koment i fundit ndërsa shkojmë drejt përfundimit të këtij transmetimi mbarëbotëror në një vit të ri të mrekullueshëm, përfshirë një vit të ri instituti. Disa nga ju atje jashtë mund të jenë të shqetësuar për gjëra më serioze sesa për drejtimin që do marrin në shkollë ose për karrierën profesionale që duhet të ndjekin. Disa prej jush mund të jenë duke u përleshur me barrën e fajit dhe asgjë nuk e dëmton dhe e zvogëlon shpresën tonë dhe sjell tëhuajtje më të madhe nga Perëndia sesa shkelja. Motra Holland dhe unë me vetëdije nuk kemi zgjedhur ta bëjmë këtë një bisedë rreth mëkatit ose shkeljes, por do të ishte papërgjegjshmëri nga ana jonë të mos e cekim atë që Zoti ka thënë se është detyrimi ynë ta japim mësim.

Do të ketë gjithmonë një nevojë të përbotshme për parimin plot shpresë të pendimit dhe ushtrimin e tij. Kur kemi bërë shkelje, e dimë saktësisht pse flaka e shpresës sonë regëtin dhe pse nganjëherë duket se shuhet e tëra. Në një gjendje të tillë, ne duhet të ndryshojmë, ose shpresën tonë për një të ardhme të gëzueshme e merr lumi. Ai qiri shuhet përgjithmonë. Kjo është arsyeja pse të gjithë ne kemi nevojë të pendohemi. Të gjithë ne! Çdo ditë, ka thënë Presidenti Nelson.34

Ndaj ju kërkoj sonte të merreni me barrën e shkeljes menjëherë, duke filluar në këtë orë, duke qenë se mëkati është armiku më i madh i shpresës dhe lumturisë që njoh në të gjithë botën. Dilni përpara Zotit me rrëfimin tuaj dhe dilni përpara peshkopit nëse mëkati juaj e kërkon këtë gjë. Por ndryshojeni çdo gjë që nuk shkon, e madhe ose e vogël. Pendimi është mënyra se si ia nisim nga e para fare; është mënyra se si marrim një të ardhme të lartësuar. Jeta është mjaftueshëm e vështirë [edhe] pa mbajtur një çantë me gabime në shpinën tuaj, gjithë ditën, çdo ditë, gjithë natën, çdo natë. Shkarkojeni atë. Këmbejeni ankthin me paqen. Këmbejeni pikëllimin me lumturinë. Krishti dha vetë jetën e Tij në mënyrë që ju të ishit të lirë për ta bërë atë.

Më pas mund të bëni ashtu sikurse Nefi na kërkon të gjithëve të bëjmë. Në atë që është në thelb mesazhi i tij i lamtumirës pak para vdekjes së tij, ky bir, i cili pa aq shumë konflikte dhe grindje, thotë atë që Motra Holland dhe unë kemi dashur të themi dhe jemi përpjekur të themi sonte:

Shkoni përpara me një vendosmëri në Krisht, duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës dhe një dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit”35.

“Një ndriçim të përkryer të shpresës”, lindur nga dashuria për Perëndinë dhe për të gjithë njerëzit – kjo është ajo që duam për ju për vitin e ri. Shoqëruese e asaj shprese të ndritur do të jetë pëshpëritja e pamohueshme se Perëndia ju do, se Krishti është Avokati juaj, se ungjilli është i vërtetë. Ndriçimi i saj do t’ju kujtojë se në ungjill ka gjithmonë, çdo ditë, çdo orë, një mundësi të re, një jetë të re, një vit të ri. Çfarë mrekullie! Çfarë dhurate! Dhe për shkak të dhuratës së Krishtit, gjërat më të mira në jetë janë tonat nëse ne me vendosmëri vazhdojmë të besojmë, vazhdojmë të përpiqemi dhe vazhdojmë të shpresojmë.

Ju i mbani mend ato rrethana të përbotshme për të cilat fola kur filluam? Epo, përballuni me to dhe përballuni me sfidat tuaja vetjake duke e ditur se, me besim, gjërat zgjidhen në fund. Mos e pranoni botën për atë që duket se është. Lëreni të shkëlqejë ndriçimi i shpresës suaj tek ajo dhe bëjeni botën ashtu siç ajo duhet të jetë. Jini ajo dritë që Motra Holland ju kërkoi të jeni, një dritë që të mos shuhet kurrë, drita e Shpëtimtarit të botës.

Lë një bekim apostolik mbi secilin prej jush sonte për këtë vit të ri në lidhje me gjërat që i di me siguri dhe gjërat që do t’ju nevojiten gjithmonë. E bëj këtë nga dashuria ime për ju, dashuria e Zotit për ju, dashuria e Presidencës së Parë dhe Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve për ju. Dashuria e të gjithëve! Dhe pjesëmarrja juaj këtu sonte. Ju bekoj që fuqia e thjeshtë, por e shkëlqyer që gjendet te parimet e shpëtimit, të tilla si besimi dhe shpresa, dhe dashuria hyjnore, të jetë përherë e dukshme dhe e efektshme në jetën tuaj. Ju bekoj që ta dini, sikurse unë e di me sigurinë më të madhe, që ungjilli i Jezu Krishtit është individualisht i çmuar, përherë plot shpresë dhe në përjetësi i vërtetë. Dëshmoj me autoritet apostolik se është kështu dhe si i tillë ai është e vetmja përgjigje e pandryshueshme për sfidat e shumta të jetës, tuajat dhe të miat, dhe e vetmja mënyrë për t’u ekzaltuar në madhështinë e përjetësisë.

Unë bekoj cilindo mes jush që mund të jetë duke folur këto ditë për një “krizë besimi”. Besimi i vërtetë, besimi që ndryshon jetën, besimi si i Abrahamit, është gjithmonë në krizë. Kështu e zbuloni nëse është vërtet besim. Ju premtoj se më shumë besim do të thotë më pak kriza, derisa më në fund Perëndia të thotë: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik”36.

E bekoj secilin prej jush që të dijë se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është pikërisht ajo: Kisha e Jezu Krishtit. Vetëm nëpërmjet ordinancave dhe mundësive që siguron ajo, mund të arrijë njeriu plotësisht “në masën e shtatit të plotësisë së Krishtit”37. E bekoj çdonjërin prej jush, individualisht dhe në emër, me çdo dhuratë që ju nevojitet për këtë synim dhe ju bekoj, ju përgjërohem, që të ngulmoni me durim ndërsa Ati juaj në Qiell me urtësinë e Tij, gjen mënyrën më të mirë për t’jua dhënë shpesh atë që kërkoni, por për t’jua dhënë gjithmonë atë që ju nevojitet. Për dashurinë hyjnore të Perëndisë, për ndërmjetësimin e përjetshëm të Shpëtimtarit në dobinë tonë dhe për ngushëllimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë, për fuqinë e priftërisë së shenjtë dhe për traditën profetike të personifikuar aktualisht në Presidentin Rasëll M. Nelson, për hyjninë e Librit të Mormonit dhe për “ndriçim[in e] përkryer të shpresës” që jep ky ungjill, jap dëshmi solemne, të shenjtë dhe vetjake me jetën time. E bëj këtë në emrin e Atij që është burimi i gjithë shpresës sime, madje në emrin e Zotit Jezu Krisht, amen.