2010–2019
Të Mëshirshmit Gjejnë Mëshirë
Prill 2012


Të Mëshirshmit Gjejnë Mëshirë

Kur zemrat tona janë të mbushura me dashurinë e Perëndisë, ne bëhemi “të mirë dhe të mëshirshëm njeri me tjetrin, duke falur”.

Vëllezër e motra të mia të dashura, jo shumë kohë më parë, mora një letër nga një nënë e shqetësuar, e cila lutej për një bisedë në konferencën e përgjithshme mbi një temë që do të ishte veçanërisht e dobishme për dy fëmijët e saj. Midis tyre qe ngritur një mur emocional dhe ata kishin pushuar së foluri me njëri-tjetrin. Nënës i qe thyer zemra. Në letër, ajo më siguroi se një mesazh në konferencën e përgjithshme mbi këtë temë, do t’i pajtonte fëmijët e saj dhe gjithçka do të ishte mirë.

Lutja e sinqertë dhe e çiltër e kësaj motre të mirë, ishte vetëm një nga disa prej shtysave që kam marrë gjatë muajve të fundit se duhet të them disa fjalë sot mbi një temë që është një shqetësim në rritje – jo vetëm për një nënë të shqetësuar, por për shumë në Kishë dhe, sigurisht, në botë.

Më la mbresa besimi i kësaj nëne të dashur që një bisedë në konferencën e përgjithshme do të ndihmonte për të ndrequr marrëdhënien mes fëmijëve të saj. Jam i sigurt se siguria e saj nuk ishte aq shumë tek aftësitë e folësve por te “virtyti i fjalës së Perëndisë”, që ka një “ndikim më të fuqishëm mbi mendjet e njerëzve sesa … çdo gjë tjetër”1. Motër e dashur, unë lutem që Shpirti do t’i prekë zemrat e fëmijëve të tu.

Kur Marrëdhëniet Prishen

Marrëdhëniet e tensionuara e të shkatërruara janë aq të vjetra sa njerëzimi vetë. Kaini i lashtë qe i pari që i lejoi ndjenjat e hidhura dhe shpirtligësinë që ta mposhtnin dhe t’i dëmtonin emocionet. Ai i ndihmoi ndjenjat e zilisë dhe urrejtjes që të rriteshin brenda tij dhe i lejoi këto ndjenja që të piqeshin derisa ai bëri të papërfytyrueshmen – duke vrarë të vëllanë e vet e duke u bërë gjatë procesit, krijuesi i gënjeshtrave të Satanit [këtu në tokë].2

Që nga ato ditë të hershme, ndjenjat e zilisë dhe urrejtjes kanë shkaktuar disa nga ngjarjet më tragjike të historisë. Ato e kthyen Saulin kundër Davidit, bijtë e Jakobit kundër vëllait të tyre Jozefit, Lamanin dhe Lemuelin kundër Nefit dhe Amalikian kundër Moronit.

Unë mendoj se çdo njeri në tokë është prekur në një farë mënyre nga ndjenjat shkatërruese të grindjes, mllefit dhe hakmarrjes. Ndoshta ka edhe raste kur vetë ne i kemi këto ndjenja brenda vetes. Kur ndihemi të lënduar, të zemëruar apo ziliqarë, është mjaft e lehtë t’i gjykojmë njerëzit e tjerë, shpesh, duke u veshur arsye keqdashëse veprimeve të tyre në mënyrë që të justifikojmë ndjenjat tona të fyerjes.

Doktrina

Sigurisht, ne e dimë se kjo është e gabuar. Doktrina është e qartë. Ne të gjithë varemi nga Shpëtimtari; asnjëri prej nesh nuk mund të shpëtohet pa Të. Shlyerja e Krishtit është e pafundme dhe e përjetshme. Falja për mëkatet tona vjen me kushte. Ne duhet të pendohemi dhe duhet të jemi të gatshëm t’i falim të tjerët. Jezusi dha mësim: “Falni njëri-tjetrin; sepse ai që nuk … fal … mbetet i dënuar përpara Zotit; sepse atij i ngelet mëkati më i madh”3 dhe “Lum ata që janë të mëshirshëm, sepse ata do të gjejnë mëshirë”4.

Sigurisht, këto fjalë duken krejtësisht me vend – kur zbatohen për dikë tjetër. Ne mund t’i shohim aq qartë dhe lehtësisht pasojat e dëmshme që vijnë kur të tjerët gjykojnë dhe mbajnë mëri. Dhe neve me siguri nuk na pëlqen kur njerëzit na gjykojnë.

Por kur është fjala për vetë paragjykimet dhe ankesat tona, ne tepër shpesh justifikohemi se zemërimi ynë është i drejtë dhe gjykimi ynë është i besueshëm dhe me vend. Edhe pse nuk mund të shohim brenda zemrës së dikujt tjetër, ne e marrim me mend se e njohim një qëllim të keq ose madje një njeri të keq kur e shohim një të tillë. Ne bëjmë përjashtime kur është fjala për vetë ashpërsinë tonë, sepse ne ndiejmë se, në rastin tonë ne kemi të gjithë informacionin që na duhet, për ta parë dikë me përbuzje.

Apostulli Pal, në letrën e tij drejtuar romakëve, tha se ata që i gjykojnë të tjerët janë “të pafalshëm”. Në çastin kur gjykojmë dikë tjetër, shpjegoi ai, ne dënojmë veten tonë, pasi askush nuk është pa mëkat5. Të mos pranosh të falësh, është një mëkat i rëndë – mëkat për të cilin Shpëtimtari na paralajmëroi. Vetë dishepujt e Jezusit “kërkuan rast kundër njëri-tjetrit dhe nuk e falën njëri-tjetrin në zemrat e tyre; dhe për këtë ligësi ata u brengosën dhe u ndëshkuan rreptësisht”6.

Shpëtimtari ynë ka folur aq qartë mbi këtë temë, saqë s’ka vend për interpretime vetjake. “Unë, Zoti, do të fal kë do të fal”, por më pas Ai tha: “… nga ju kërkohet t’i falni të gjithë njerëzit.”7

A mund të shtoj një sqarim këtu? Kur Zoti kërkon që ne t’i falim të gjithë njerëzit, këtu përfshihet falja e vetes. Ndonjëherë, nga të gjithë njerëzit në botë, ai që është më i vështiri për t’u falur – si dhe ndoshta ai që ka më shumë nevojë për faljen tonë – është njeriu që na shikon nga pasqyra.

Parimi Themelor

Kjo temë e të gjykuarit të të tjerëve faktikisht mund të jepet mësim në një predikim dyfjalësh. Kur është fjala për urrejtjen, thashethemnajën, injorimin, përqeshjen, mbajtjen e mërisë apo dëshirën për të bërë keq, ju lutem të ndiqni këtë udhëzim:

Ndalojeni atë!

Kaq e thjeshtë është. Ne thjesht duhet të ndalojmë së gjykuari të tjerët dhe t’i zëvendësojmë mendimet dhe ndjenjat gjykuese me një zemër plot ndjenja dashurie për Perëndinë dhe fëmijët e Tij. Perëndia është Ati ynë. Ne jemi fëmijët e Tij. Ne jemi të gjithë vëllezër e motra. Unë nuk e di si ta artikuloj saktësisht këtë pikë të mosgjykimit të të tjerëve me rrjedhshmëri, pasion e bindje të mjaftueshme sa t’ju bëj që ta kujtoni gjithmonë. Unë mund ta citoj shkrimin e shenjtë, mund të përpiqem ta shpjegoj doktrinën e madje do të citoj edhe një afishe që pashë së fundmi prapa një automjeti. Ajo qe ngjitur në anën e prapme të një makine, shoferi i së cilës dukej sikur qe pak i ashpër, por fjalët në afishe më mësuan një mësim të mprehtë. Aty lexohej: “Mos më gjykoni ngaqë mëkatoj në mënyrë të ndryshme nga ju”.

Ne duhet ta pranojmë se jemi të gjithë të papërkryer – që jemi lypësa përpara Perëndisë. A nuk i jemi afruar të gjithë butësisht pajtuesit të mëshirës e jemi lutur për të marrë hir, herë pas here? A nuk kemi uruar me të gjithë energjinë e shpirtrave tanë për mëshirë – për të marrë falje për gabimet që kemi bërë dhe për mëkatet që kemi kryer?

Duke qenë se të gjithë varemi nga mëshira e Perëndisë, si mund t’ia mohojmë të tjerëve çfarëdolloj pjese të hirit të cilën e dëshirojmë kaq skajshëm për veten? Vëllezër e motra të mia të dashura, a nuk duhet të falim sikurse urojmë të falemi?

Dashuria e Perëndisë

A është e vështirë për t’u bërë?

Patjetër që po.

Falja e vetes dhe e të tjerëve nuk është e lehtë. Në fakt, për shumicën prej nesh duhet një ndryshim madhor në qëndrimin dhe mënyrën tonë të të menduarit – madje një ndryshim i zemrës. Por ka lajme të mira. Ungjilli i Jezu Krishtit është hartuar që të shkaktojë pikërisht këtë “ndryshim [të] madh”8 të zemrës në jetën tonë.

Si bëhet kjo? Nëpërmjet dashurisë së Perëndisë.

Kur zemrat tona mbushen me dashurinë e Perëndisë, na ndodh diçka e mirë dhe e kulluar. Ne “zbatojmë urdhërimet e tij; dhe urdhërimet e tij nuk janë të rënda. Sepse çdo gjë që ka lindur nga Perëndia e mund botën.”9

Sa më shumë që e lejojmë dashurinë e Perëndisë t’i kontrollojë mendjet dhe emocionet tona – sa më shumë e lejojmë dashurinë tonë për Atin Qiellor të rritet brenda zemrave tona – aq më e lehtë është t’i duam të tjerët me dashurinë e pastër të Krishtit. Kur i hapim zemrat ndaj agimit përflakës të dashurisë së Perëndisë, errësira dhe i ftohti i urrejtjes dhe zilisë do të treten përfundimisht.

Si përherë, Krishti është shembulli ynë i përkryer. Në mësimet e Tij sikurse edhe në jetën e Tij, Ai na e tregoi udhën. Ai i fali të ligjtë, të vrazhdët dhe ata që kërkuan ta lëndonin dhe t’i bënin keq.

Jezusi tha se është e lehtë t’i duam ata që na duan; edhe të ligjtë mund ta bëjnë atë. Por Jezu Krishti dha mësim një ligj më të lartë. Fjalët e Tij jehojnë nëpër shekuj dhe zbatohen për ne sot. Ato janë thënë për të gjithë ata që dëshirojnë të jenë dishepujt e Tij. Ato janë thënë për ju dhe mua: “Duani armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë, dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin”10.

Kur zemrat tona janë të mbushura me dashurinë e Perëndisë, ne bëhemi “të mirë dhe të mëshirshëm njeri me tjetrin, duke e falur njërin-tjetrin, sikurse edhe Perëndia [na] ka falur”11.

Dashuria e pastër e Krishtit mund t’i zhdukë ndjenjat e inatit dhe tërbimit që ndikojnë te mënyra si i perceptojmë gjërat, duke na lejuar t’i shohim të tjerët ashtu siç na sheh Ati ynë Qiellor: që ne jemi të gjithë të vdekshëm me të meta e të papërkryer, që kemi potencial dhe vlerë përtej aftësisë sonë për ta përfytyruar. Për shkak se Perëndia na do kaq shumë, edhe ne duhet ta duam e ta falim njëri-tjetrin.

Udha e Dishepullit

Të dashur vëllezër e motra të mia, quajini pyetjet vijuese si një provim për veten:

A mbani mëri kundrejt dikujt?

A bëni thashetheme, madje edhe kur ajo që thoni mund të jetë e vërtetë?

A i përjashtoni, i largoni nga vetja apo i ndëshkoni të tjerët për shkak të diçkaje që ata kanë bërë?

A jeni fshehtësisht ziliqarë ndaj dikujt?

A dëshironi t’i bëni keq dikujt?

Nëse iu përgjigjët ‘po’ ndonjërës prej këtyre pyetjeve, ju mund të dëshironi të zbatoni predikimin e mëparshëm dyfjalësh: ndalojeni atë!

Në një botë akuzash dhe armiqësish, është e lehtë të gjesh arsye për të mbledhur e për të hedhur gurë gjykimi. Por përpara se të bëjmë kështu, le t’i kujtojmë fjalët e Atij që është Mjeshtri dhe modeli ynë: “Kush nga ju është pa mëkat, le ta hedhë i pari gurin”12.

Vëllezër dhe motra, le t’i ulim gurët tanë.

Le të jemi të sjellshëm.

Le të falim.

Le të flasim paqësisht me njëri-tjetrin.

Le t’i mbushë zemrat tona dashuria e Perëndisë.

“Le t’u bëjmë të mirën të gjithëve.”13

Shpëtimtari premtoi: “Jepni dhe do t’ju jepet: një masë e mirë, e ngjeshur, e tundur, gufuese. … sepse me atë masë që [përdorni], do t’ju matet edhe juve gjithashtu”14.

A nuk duhet të jetë ky premtim i mjaftueshëm që t’i përqendrojmë gjithmonë përpjekjet tona te veprat e mirësisë, falja dhe dashuria hyjnore në vend të çfarëdolloj sjelljeje negative?

Le t’i përgjigjemi të keqes me të mirë, si dishepuj të Jezu Krishtit.15 Le të mos kërkojmë hakmarrje e të mos e lejojmë tërbimin të na pushtojë.

“Sepse është shkruar: ‘Mua më përket hakmarrja, unë kam për të shpaguar’, thotë Zoti.

‘Në qoftë se armiku yt, pra, ka uri, jepi të hajë; në pastë etje, jepi të pijë.’ …

‘Mos u mund nga e keqja, por munde të keqen me të mirën.’”16

Mbani mend: në fund, janë të mëshirshmit ata që gjejnë mëshirë.17

Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, kudoqofshim, le të njihemi si një popull që “ke[m]i dashuri për njëri-tjetrin”18.

Duajeni Njëri-Tjetrin

Vëllezër e motra, ka mjaftueshëm vuajtje e hidhërim në jetë pa i shtuar ata përmes kokëfortësisë, ashpërsisë dhe mllefit tonë vetjak.

Ne nuk jemi të përkryer.

Njerëzit rreth nesh nuk janë të përkryer.19 Njerëzit bëjnë gjëra që na mërzisin, na zhgënjejnë dhe na zemërojnë. Në këtë jetë në vdekshmëri, gjithnjë do të jetë kështu.

Megjithatë, ne duhet të heqim dorë nga ankesat tona. Pjesë e qëllimit të vdekshmërisë është të mësojmë se si të heqim dorë prej të tilla gjërave. Kjo është mënyra e Zotit.

Mbani mend, qielli është i mbushur me ata që kanë këtë të përbashkët: Ata janë falur. Dhe ata falin.

Jepjani barrat tuaja emocionale Shpëtimtarit që të hiqni dorë prej tyre. Hiqni dorë nga gjykimi. Lejojeni Shlyerjen e Krishtit që t’jua ndryshojë e t’jua shërojë zemrën. Duajeni njëri-tjetrin. Faleni njëri-tjetrin.

Të mëshirshmit do të gjejnë mëshirë.

Për këtë unë dëshmoj në emrin e Atij që deshi kaq shumë e kaq plotësisht, sa dha jetën e Tij për ne, miqtë e Tij – në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.