Konferenca e Përgjithshme
Shoqëritë e Qëndrueshme
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2020


Shoqëritë e Qëndrueshme

Nëse mjaft prej nesh dhe mjaft prej fqinjëve tanë përpiqemi ta udhërrëfejmë jetën tonë sipas së vërtetës së Perëndisë, virtytet morale që nevojiten në çdo shoqëri, do të jenë me bollëk.

Çfarë kori i mrekullueshëm që këndon për Shpëtimtarin e mrekullueshëm.

Në vitin 2015, Kombet e Bashkuara miratuan atë që u quajt “Programi për Zhvillim të Qëndrueshëm për Vitin 2030”. U përshkrua si “një projekt i përbashkët për paqe dhe përparim për njerëzit e planetin, tani dhe në të ardhmen”. Programi për Zhvillim të Qëndrueshëm përfshin 17 synime për t’u arritur deri në vitin 2030, të tilla si jo varfëri, aspak uri, arsimim cilësor, barazi gjinore, ujë të pastër e higjienë publike, si dhe punësim të përshtatshëm.1

Koncepti i zhvillimit të qëndrueshëm është një koncept interesant dhe i rëndësishëm. Sidoqoftë, edhe më e ngutshme është pyetja më e gjerë për shoqëritë e qëndrueshme. Cilat janë parimet themelore që e mbështetin një shoqëri të lulëzuar, një shoqëri që nxit lumturi, përparim, paqe dhe mirëqenie mes anëtarëve të saj? Kemi anale të shkrimeve të shenjta për të paktën dy prej shoqërive të tilla të përparuara. Çfarë mund të mësojmë prej tyre?

Në lashtësi, patriarku dhe profeti i madh, Enoku, predikoi drejtësi dhe “ndërtoi një qytet që u quajt Qyteti i Shenjtërisë, madje Sion”2. Është thënë që “Zoti e quajti popullin e tij Sion, ngaqë ata ishin të një zemre dhe të një mendjeje dhe banuan në drejtësi; dhe nuk kishte të varfër mes tyre”3.

“Dhe Zoti e bekoi tokën dhe ata u bekuan në male e në vende të larta dhe lulëzuan.”4

Popujt e shekujve të parë e të dytë në hemisferën perëndimore, të njohur si nefitë dhe lamanitë, japin një shembull tjetër të shquar të një shoqërie të lulëzuar. Pas shërbesës së mrekullueshme të Shpëtimtarit të ringjallur mes tyre, “ata ecën sipas urdhërimeve që kishin marrë nga Zoti dhe Perëndia i tyre, duke vazhduar në agjërim dhe lutje, duke u mbledhur shpesh së bashku qoftë për t’u lutur, si dhe për të dëgjuar fjalën e Zotit. …

Dhe nuk pati zili, as luftime, as trazira, as lavirësi, as gënjeshtra, as vrasje, as ndonjë lloj ndyrësie; dhe me siguri nuk mund të kishte një popull më të lumtur mes gjithë njerëzve të krijuar nga dora e Perëndisë.”5

Shoqëritë në këta dy shembuj ishin të qëndrueshme nëpërmjet bekimeve të qiellit që erdhën si rrjedhojë e përkushtimit të tyre shembullor ndaj dy urdhërimeve të mëdha: “Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde” dhe “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten”6. Ata ishin të bindur ndaj Perëndisë në jetën e tyre vetjake dhe kujdeseshin për mirëqenien fizike dhe shpirtërore të njëri‑tjetrit. Me fjalët nga Doktrina e Besëlidhje, këto ishin shoqëri ku “cilido [ishte] duke kërkuar interesin e të afërmit të tij dhe duke bërë gjithçka me syrin drejtuar te lavdia e Perëndisë”7.

Për fat të keq, sikurse tregoi Plaku Kuentin L. Kuk sot në mëngjes, shoqëria ideale e përshkruar te 4 Nefi në Librin e Mormonit nuk vazhdoi pas shekullit të saj të dytë. Qëndrueshmëria nuk është e garantuar dhe një shoqëri e përparuar mund të dështojë me kalimin e kohës, në qoftë se i braktis virtytet thelbësore që e ruajnë paqen dhe përparimin e saj. Në këtë rast, duke u hapur udhë tundimeve të djallit, njerëzit “filluan të ndaheshin në klasa; dhe filluan të ndërtonin kisha për vete për fitime dhe filluan të mohonin kishën e vërtetë të Krishtit”8.

“Dhe ndodhi që pasi kaluan treqind vjet, si populli i Nefit ashtu dhe Lamanitët u bënë jashtëzakonisht të ligj, sa njëri ashtu dhe tjetri.”9

Deri në fund të një shekulli tjetër, miliona njerëz kishin vdekur prej luftërave vdekjeprurëse dhe kombi i tyre dikur i harmonishëm ishte katandisur në fise ndërluftuese.

Duke reflektuar mbi këtë dhe shembuj të tjerë të shoqërive dikur të lulëzuara që më vonë u përmbysën, mendoj se është e sigurt të themi që kur njerëzit largohen prej një ndjesie të përgjegjshmërisë ndaj Perëndisë dhe në vend të kësaj fillojnë të mirëbesojnë në “krahun prej mishi”, shkatërrimi rri në pritë. Ta vëmë besimin te krahu prej mishi do të thotë të shpërfillim Autorin hyjnor të të drejtave njerëzore dhe dinjitetin njerëzor, si dhe t’u japim përparësi më të madhe pasurive, fuqisë dhe lavdërimit të botës (ndërkohë që shpesh i tallim dhe i përndjekim ata që ndjekin një standard të ndryshëm). Ndërkohë, njerëzit në shoqëritë e qëndrueshme po kërkojnë, siç tha mbreti Beniamin, që të “rriten në njohurinë e lavdisë së atij që [i] krijoi, ose në njohurinë e asaj që është e drejtë dhe e vërtetë”10.

Institucionet e familjes dhe të fesë kanë qenë vendimtare për t’u dhuruar individëve si dhe komuniteteve virtytet që e mbështetin një shoqëri të qëndrueshme. Këto virtyte, të rrënjosura te shkrimet e shenjta, përfshijnë integritetin moral, përgjegjësinë dhe përgjegjshmërinë, dhembshurinë, martesën dhe besnikërinë në martesë, respektin për të tjerët dhe për pronën e të tjerëve, shërbimin, domosdoshmërinë dhe dinjitetin e punës.

Redaktori në profesion të lirë Xherard Bejkër, shkroi një artikull nga fillimi i këtij viti në Wall Street Journal duke nderuar babanë e vet, Frederik Bejkërin, me rastin e 100‑vjetorit të ditëlindjes së babait të tij. Bejkëri spekuloi rreth arsyeve për jetëgjatësinë e babait të tij, por më pas shtoi këto mendime:

“Ndërkohë që ne të gjithë duam të dimë të fshehtën e një jete të gjatë, unë shpesh ndiej se do të ishte më mirë të kushtojmë më shumë kohë për të kuptuar se çfarë e bën një jetë të mirë, cilado qoftë jetëgjatësia që na është dhënë. Sa për këtë, kam besim se e di të fshehtën e babait tim.

Ai i përket një epoke kur jeta përcaktohej kryesisht nga detyra dhe jo nga e drejta për çfarë të takon; nga përgjegjësitë shoqërore, jo privilegjet vetjake. Parimi kryesor shtytës gjatë gjithë shekullit të tij ka qenë një ndjesi detyrimi – ndaj familjes, Perëndisë, atdheut.

Në një epokë të sunduar nga pasoja shkatërruese të familjeve të prishura, babai im ishte një bashkëshort i devotshëm ndaj bashkëshortes së tij të 46 viteve, një baba që e dinte detyrën që kishte ndaj gjashtë fëmijëve të vet. Ai nuk ishte kurrë më i përfshirë dhe jetik sesa kur prindërit e mi vuajtën tragjedinë e pamendueshme të humbjes së një fëmije. …

Dhe në një epokë kur feja është gjithnjë e më shumë një kërshëri, babai im ka jetuar si një katolik i vërtetë, besnik, me një besim të palëkundur te premtimet e Krishtit. Me të vërtetë, nganjëherë mendoj se ai ka jetuar kaq gjatë, sepse është më i përgatitur të vdesë sesa kushdo tjetër që kam takuar ndonjëherë.

Kam qenë njeri me fat – i bekuar me një arsim të mirë, familjen time të mrekullueshme, disa suksese në botë të cilat nuk i meritoja. Por sado krenar dhe mirënjohës që ndihem, ajo venitet nga krenaria dhe mirënjohja që kam për burrin i cili, pa ankesa ose drama, pa pritshmërinë e shpërblimit ose madje falënderimit, ka vazhduar – për një shekull tani – detyrat e thjeshta, detyrimet dhe më së fundmi gëzimet e të jetuarit të një jete të virtytshme.”11

Rëndësia që kuptohet se e kanë feja dhe besimi fetar, është pakësuar në shumë kombe në vitet e fundit. Një numër në rritje i njerëzve konsiderojnë që besimi fetar dhe lidhja me Perëndinë nuk janë të nevojshme për drejtësinë morale qoftë tek individët apo shoqëritë në botën e sotme.12 Mendoj që të gjithë ne do të binim dakord se ata të cilët pretendojnë se nuk kanë bindje fetare, mund të jenë, dhe shpesh janë, njerëz të mirë, të moralshëm. Gjithsesi, nuk do të binim dakord se kjo ndodh pa ndikimin hyjnor. Po i referohem Dritës së Krishtit. Shpëtimtari shpalli: “Unë jam drita e vërtetë që ndriçon çdo njeri që vjen në botë”13. Qofshin të vetëdijshëm për të apo jo, çdo burrë, grua dhe fëmijë i çfarëdo feje, vendi dhe kohe është i mbushur me Dritën e Krishtit dhe, rrjedhimisht, zotëron ndjesinë e të drejtës dhe të gabuarës, të cilën ne shpesh e quajmë ndërgjegje.14

Megjithatë, kur laicizmi e ndan virtytin personal dhe qytetar nga një ndjesi e përgjegjshmërisë ndaj Perëndisë, kjo e këput bimën nga rrënjët. Mbështetja vetëm te kultura dhe tradita nuk do të jetë e mjaftueshme për ta mbështetur virtytin në shoqëri. Kur një njeri nuk ka perëndi më të lartë se veten e tij dhe nuk kërkon të mirë tjetër më të madhe sesa të kënaqë orekset dhe parapëlqimet e veta, ndikimet do të shfaqen në kohën e duhur.

Një shoqëri, për shembull, në të cilën miratimi individual është i vetmi kufizim për veprimtari seksuale, është një shoqëri në kalbëzim. Shkelja e kurorës, shthurja seksuale, lindjet e fëmijëve jashtë martesës15 dhe aborti me dëshirë janë vetëm disa nga frytet më të hidhura që rrjedhin nga revolucioni i vazhdueshëm seksual. Pasojat që vijojnë, të cilat veprojnë kundër qëndrueshmërisë së një shoqërie të shëndetshme, përfshijnë numrin në shtim të fëmijëve të rritur në varfëri dhe pa ndikimin pozitiv të etërve, nganjëherë për shumë breza; gratë që mbajnë të vetme ato që duhet të jenë përgjegjësi të përbashkëta; dhe arsimimin jashtëzakonisht të mangët teksa shkollave, si institucioneve të tjera, u caktohet detyra që të kompensojnë për dështimin në shtëpi.16 Këtyre patologjive shoqërore u shtohen edhe rastet e pallogaritshme të zemërthyerjes dhe dëshpërimit individual – shkatërrimit mendor dhe emocional që i shkaktohet si fajtorit edhe të pafajshmit.

Nefi shpall:

“Mjerë ai që dëgjon parimet e njerëzve dhe mohon fuqinë e Perëndisë dhe dhuratën e Frymës së Shenjtë! …

… Mjerë të gjithë ata që dridhen dhe janë të zemëruar për shkak të së vërtetës së Perëndisë!”17

Në dallim, mesazhi ynë i gëzueshëm për fëmijët tanë dhe gjithë njerëzimin është se “[e] vërtet[a e] Perëndisë” na drejton te një mënyrë më e mirë ose siç tha Pali, “një udhë shumë më [e] lartë”18, një udhë drejt lumturisë vetjake dhe mirëqenies komunitare tani dhe drejt paqes e gëzimit të përhershëm pas kësaj jete.

E vërteta e Perëndisë u drejtohet të vërtetave thelbësore që rrinë në themel të planit të Tij për lumturinë e fëmijëve të Tij. Këto të vërteta janë se Perëndia jeton; se Ai është Ati Qiellor i shpirtrave tanë; se, si një shfaqje të dashurisë së Tij, Ai na ka dhënë urdhërime që na çojnë drejt një plotësie të gëzimit me Të; se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe Shëlbuesi ynë; se Ai vuajti dhe vdiq për të shlyer për mëkatet me kushtin e pendimit tonë; se Ai u ngrit së vdekuri, duke bërë të ndodhë Ringjallja e tërë njerëzimit; dhe se ne të gjithë do të qëndrojmë përpara Tij për t’u gjykuar, që do të thotë, të japim llogari për jetën tonë.19

Nëntë vjet pas asaj që u quajt “mbretërimi [i] gjykatësve” në Librin e Mormonit, profeti Alma hoqi dorë nga pozita e tij si kryegjykatës që t’ia kushtonte tërë kohën udhëheqjes së Kishës. Qëllimi i tij ishte të merrej me krenarinë, përndjekjen dhe lakminë që po rriteshin mes popullit dhe veçanërisht mes anëtarëve të Kishës.20 Siç vërejti dikur Plaku Stiven D. Nadall: “Vendimi i frymëzuar [i Almës] nuk ishte që të kalonte më shumë kohë duke u përpjekur të bënte dhe të impononte më shumë rregulla për ta korrigjuar sjelljen e popullit të tij, por t’u fliste atyre rreth fjalës së Perëndisë, t’u mësonte doktrinën dhe të bënte që të kuptuarit e tyre për planin e shëlbimit t’i udhëhiqte ata për të ndryshuar sjelljen e tyre”21.

Ka shumë gjëra që mund t’i bëjmë si fqinjë dhe bashkëqytetarë për të dhënë ndihmesë në qëndrueshmërinë dhe suksesin e shoqërive ku jetojmë dhe, sigurisht, shërbimi ynë më thelbësor dhe afatgjatë do të jetë të japim mësim dhe të jetojmë sipas të vërtetave të trashëguara në planin e madhërishëm të Perëndisë për shëlbimin. Sikurse shprehet në fjalët e himnit:

Me besimin e etërve tanë, do të duam

Mikun dhe armikun në çdo grindje,

Do ta predikojmë atë besim me dashuri,

Me fjalë të mira dhe jetë të virtytshme.22

Nëse ne, familjet tona dhe mjaft prej fqinjëve tanë, përpiqemi t’i marrim vendimet tona dhe ta udhërrëfejmë jetën tonë sipas së vërtetës së Perëndisë, virtytet morale që nevojiten në çdo shoqëri, do të jenë me bollëk.

Prej dashurisë së Tij, Ati ynë Qiellor dha Birin e Tij të Vetëmlindur; Jezu Krishtin, që ne të mund të kemi jetë të përjetshme.23

“[Jezu Krishti] nuk bën asgjë që nuk është për të mirën e botës; pasi ai e do botën, deri në pikën sa të japë jetën e tij, që ai të mund të tërheqë të gjithë njerëzit te vetja. Prandaj, ai nuk urdhëron asnjeri që të mos marrë pjesë në shpëtimin e tij.

Vini re, a mos i thërret ai ndokujt duke thënë: Largohu prej meje? Shikoni, unë po ju them: Jo; por ai thotë: Ejani tek unë, ju të gjitha fundet e tokës, blini qumësht dhe mjaltë, pa të holla dhe pa çmim.”24

Këtë e dëshmojmë “me seriozitetin e zemrës, në shpirtin e zemërbutësisë”25 dhe në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih “The 17 Goals”, United Nations Department of Economic and Social Affairs website, sdgs.un.org/goals.

  2. Moisiu 7:19.

  3. Moisiu 7:18.

  4. Moisiu 7:17.

  5. 4 Nefi 1:12, 16.

  6. Mateu 22:37, 39.

  7. Doktrina e Besëlidhje 82:19.

  8. 4 Nefi 1:26.

  9. 4 Nefi 1:45.

  10. Mosia 4:12.

  11. Gerard Baker, “A Man for All Seasons at 100”, Wall Street Journal, 21 shkurt 2020, wsj.com.

  12. Shih Ronald F. Inglehart, “Giving Up on God: The Global Decline of Religion”, Foreign Affairs, shtator/tetor 2020, foreignaffairs.com; shih edhe Christine Tamir, Aidan Connaughton dhe Ariana Monique Salazar, “The Global God Divide”, Pew Research Center, 20 korrik 2020, veçanërisht infografikun “Majorities in Emerging Economies Connect Belief in God and Morality”, pewresearch.org.

  13. Doktrina e Besëlidhje 93:2; shih edhe Moroni 7:16, 19.

  14. Shih Bojd K. Paker, “Drita e Krishtit”, Liahona, prill 2005, f. 10; shih edhe D. Todd Christofferson, “Truth Endures”, Religious Educator, vëll. 19, nr. 3 (2018), f. 6.

  15. Duke e dhënë këtë shembull, unë po flas për pasojat e mundshme, të dëmshme te fëmijët si “fryti i hidhur” dhe jo si vetë fëmijë. Çdo fëmijë i Perëndisë është i çmuar dhe çdo jetë ka vlerë të paçmuar pavarësisht nga rrethanat e lindjes.

  16. Shih, për shembull, Pew Research Center, “The Changing Profile of Unmarried Parents”, 25 prill 2018, pewsocialtrends.org; Mindy E. Scott dhe të tjerë, “5 Ways Fathers Matter”, 15 qershor 2016, childtrends.org; dhe Robert Crosnoe dhe Elizabeth Wildsmith, “Nonmarital Fertility, Family Structure, and the Early School Achievement of Young Children from Different Race/Ethnic and Immigration Groups”, Applied Developmental Science, vëll. 15, nr. 3 (korrik–shtator 2011), f. 156–170.

  17. 2 Nefi 28:26, 28.

  18. 1 Korintasve 12:31.

  19. Shih Alma 33:22.

  20. Shih Alma 4:6–19.

  21. Stephen D. Nadauld, Principles of Priesthood Leadership (1999), f. 13; shih edhe Alma 31:5.

  22. “Faith of Our Fathers”, Hymns, nr. 84.

  23. Shih Gjoni 3:16.

  24. 2 Nefi 26:24–25; shih edhe 2 Nefi 26:33.

  25. Doktrina e Besëlidhje 100:7.