2009
Rosak i Shëmtuar apo Mjellmë e Madhërishme? Kjo Varet nga Ju!
Tetor 2009


Rosak i Shëmtuar apo Mjellmë e Madhërishme? Kjo Varet nga Ju!

Kur isha fëmijë i vogël, mbaj mend nënën time që më lexonte përrallën “Rosaku i Shëmtuar”, nga Hans Kristian Andersen. Ndoshta vinte ngaqë isha i ndrojtur dhe ndihesha sikur nuk përshtatesha me shoqërinë, por kujtesa dhe morali i asaj përralle kanë mbetur për gjithmonë tek unë.

Në versionin që mbaj mend, një rosë pret me durim që vezët e saj të çelin biba të vogla. Pa kaluar shumë kohë, bibat e verdha plot push dolën për kënaqësinë e rosës mëmë. Sidoqoftë, ka vetëm një vezë pak më të madhe që akoma nuk ka çelur. Mëma dhe bibat e saj presin dhe shohin. Kur më në fund veza çahet dhe hapet, bibat e verdha vënë re se ky anëtar i ri i familjes duket ndryshe. Ato mblidhen rreth tij dhe i thonë nënës dhe babës së tyre: “Ai nuk është si ne. Ai është i shëmtuar.” Ato e lënë vetëm në fole dhe largohen duke notuar. Rosaku i shëmtuar endet larg folesë dhe përpiqet të fshihet. Çdo përballje që ka është negative dhe shkurajuese. Ai do të mendonte shpesh për veten: “Të gjithë më urrejnë ngaqë jam i shëmtuar.”

Pastaj një mrekulli ndodhi në jetën e tij. Ai sheh të tjerë që duken dhe veprojnë pikërisht si ai! Ai bëhet mik me ta dhe ata e çojnë tek mëma e tyre dhe e pyesin: “Mëmë, Mëmë, ne kemi gjetur një vëlla të vogël! A mund të qëndrojë ai me ne përgjithmonë?” Mëma e bukur mjellmë, gjithë hir hodhi krahun e saj të bardhë rreth rosakut të shëmtuar dhe i tha me një zë të butë: “Ti nuk je aspak një rosak! Ti je një mjellmë e vogël dhe një ditë ti do të jesh mbreti i liqenit.”

Unë kisha shumë qejf ta dëgjoja këtë histori kur isha fëmijë. Unë nuk e kuptoja se mësimet që merrja nga ajo do të më ndihmonin gjatë viteve të vështira të adoleshencës. Unë u pagëzova si anëtar i Kishës kur isha tetë vjeç, por gradualisht familja ime u bë më pak aktive.

Në qytetin e vogël në Ajdaho ku u rrita kishte një kinoteatër që jepte një shfaqje çdo të shtunë pasdite. Unë do të shkoja gjithnjë me dy-tre nga miqtë e mi. Teatri do të jepte një film të shkurtër mbi sportet dhe një mbi ngjarjet aktuale. Filmi kryesor ishte zakonisht një film me kauboj me shumë aksion.

Të shtunën gjatë një pushimi, personeli nxori një biçikletë me 10 shpejtësi. Ajo ishte e kuqe, ishte e mrekullueshme dhe ata do t’ia jepnin spektatorit që do të kishte kundrabiletën fituese! Oh, sa do ta doja atë biçikletë!

Folësi u zgjat nga kutia dhe nxori një biletë. Ndërsa ai lexoi numrin e biletës, unë pashë se kisha biletën fituese. Megjithatë unë nuk lëviza dhe as thashë gjë. Isha tepër i turpshëm dhe në siklet. Unë nuk kisha mjaft besim në vete për t’u ngritur dhe bërë të ditur të gjithëve se unë kisha biletën fituese. Ai e njoftoi numrin fitues edhe dy herë të tjera dhe në të dy herët unë e mbajta biletën poshtë që askush të mos mund ta shihte. Më në fund, njoftuesi lexoi një numër tjetër. Një nga miqtë me të cilët unë erdha në kinema ndodhi të kishte numrin e ri. Ai kërceu përpjetë, thirri dhe vrapoi te skena për të kërkuar biçikletën. Ajo biçikletë mund të kishte qenë imja!

Ndërsa shkoja vetëm për në shtëpi nga filmat atë të shtunë, mendova për historinë e rosakut të shëmtuar. Unë po ndihesha shumë si ajo mjellma e vogël. Unë ndjeva sikur po endesha rrotull nëpër pyje duke u përpjekur të fshihesha dhe se nuk pëlqehesha nga askush. Unë nuk e kuptoja kush isha ose çfarë mund të bëhesha. Kur arrita në shtëpi, e dija se diçka duhej të ndryshonte. Kujtoj që po mendoja: “Është koha që të rritem. Kjo nuk do të më ndodhë kurrë përsëri.”

Unë fillova të zbuloj se kishte të tjerë rreth meje që më donin dhe kujdeseshin për mua. Këshilli i peshkopit i lagjes sime u interesua për mua, ashtu si edhe presidenti i kunjit, që jetonte vetëm pak më poshtë nga unë në rrugë. Ata më mësuan ungjillin. Ata më treguan dëshmitë e tyre për të vërtetën e Shpëtimtarit dhe të Shlyerjes së tij të çmuar dhe atë që ai mund të bënte për mua. Ata më lexuan shpesh historinë e Jozef Smithit dhe të vegimit të tij në Korien e Shenjtë. Nga ajo përvojë unë kam krijuar shprehinë e mrekullueshme të leximit të pjesës Jozef Smith – Historia çdo javë. Duke bërë këtë, unë e di se mund të kem forcë të mposht çdo gjë që do të më dalë përpara atë javë.

Në atë kohë në jetën time, kur kisha aq shumë nevojë për dikë, Ati im Qiellor më bekoi. Ai e dinte kush isha unë dhe Ai dërgoi shërbëtorët e Tij të më ndihmonin ta zbuloja atë vetë. Ata më përqafuan dhe më treguan me veprimet e tyre se unë nuk isha aspak një rosak i shëmtuar dhe se nëse do të isha i denjë dhe do të mbaja urdhërimet e Perëndisë, unë mund të bëhesha “mbreti i liqenit”. Bekimi dhe kuptimi i Shlyerjes filluan të më japin forcë dhe besim tjetër.

Kur arrita moshën 16-vjeçare, këta njerëz të mirë më nxitën të merrja një bekim patriarkal. Pasi mora rekomandimin tim, unë mora biçikletën time të vjetër dhe shkova disa kilometra për tek shtëpia e patriarkut. Ai më shpjegoi edhe një herë se çfarë është një bekim patriarkal dhe si do ta bekonte jetën time. Ai vuri duart mbi kokën time. Pas asaj përvoje, jeta ime nuk qe më kurrë e njëjta.

Unë mora një thirrje për mision në Skoci dhe pata një përvojë të mrekullueshme. Disa javë pasi isha kthyer në shtëpi, takova bashkëshorten time të ardhshme në një mbledhje Kishe. Ne takoheshim dhe unë i propozova martesë. Ne u martuam në Tempullin e Solt Lejkut.

Një fjali në bekimin tim patriarkal tregon se unë do të lejohesha të jetoj në vdekshmëri me një engjëll. Në kohën që patriarku më dha atë bekim, unë nuk e dija çfarë ishte një engjëll, lere pastaj kuptimin e frazës. Ndërsa u largova nga tempulli ditën që u vulosëm me bashkëshorten sime, unë e dija domethënien. Ajo ka qenë drita e jetës sime. Në saje të asaj unë kam patur mundësi të jetoj në një mjedis drite. Ajo ka sjellë gëzim dhe lumturi për 8 fëmijët, 25 nipërit dhe 2 stërnipërit tanë. Fëmijët e mi kanë arritur të gjithë ta quajnë atë të bekuar. Unë falënderoj Perëndinë për bekimet e ungjillit dhe bekimet e përjetshme të besëlidhjeve e të ordinancave të tempullit të shenjtë.

Satani do të na bënte të besonim që jemi rosakë të shëmtuar pa shans për t’u bërë si Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij i shenjtë. Unë sjell dëshmi që Perëndia e do secilin prej nesh në mënyra të veçanta. Ashtu siç thoshte aq shpesh Plaku Nil A. Maksuell (1926–2004) i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Ndikimi i Perëndisë në formimin personal ndihet në detaje të jetës tonë.”1 Ne jemi fëmijët e Tij. Unë kam arritur të mësoj se ne mund të ngrihemi mbi mjedisin tonë aktual dhe të bëhemi “mbretër dhe mbretëresha të liqenit” duke ndjekur urdhërimet e ungjillit.

Unë di diçka tjetër. Unë di cilët jeni ju dhe prej nga vini. Zbulesat na kujtojnë ne për besnikërinë tonë në jetën paratokësore (shihZbulesa 12:7–11; DeB 138:56; Abrahami 3:22–23). Ndërsa i lidhim dëshmitë me atë të vërtetë të madhe, çdo ditë bëhet një bekim i mrekullueshëm për secilin prej nesh.

Qëndroni nga ana e Zotit. Nëse Ai mund të kujdeset për një djalë të ndrojtur, të turpshëm si unë, Ai do të kujdeset për ju tani dhe në të ardhmen. Ju jeni një bir apo bijë e zgjedhur e Perëndisë. Zgjidhni të jetoni sipas potencialit të shenjtë që është tek ju.

Shënim

  1. Neal A. Maxwell, “Becoming a Disciple,” Ensign, qershor 1996, f. 17.

Ju jeni një bir apo bijë e zgjedhur e Perëndisë. Zgjidhni të jetoni sipas potencialit të shenjtë që është tek ju.

Mendoni Keq për Veten?

Mendoni mbi këtë thënie: Ju jeni fëmijë i Perëndisë. Me ndihmën e Tij ju mund të arrini potencialin tuaj të madh. (Shih Romakëve 8:16—17.)

Personeli i teatrit nxori një biçikletë me 10 shpejtësi. Ajo ishte e kuqe, ishte e mrekullueshme dhe ata do ta dhuronin. Oh, sa do ta doja atë biçikletë!

Unë zbulova se kisha biletën fituese. Megjithatë unë nuk lëviza dhe as thashë gjë. Isha tepër i turpshëm dhe në siklet.

Bekimi dhe kuptimi i Shlyerjes filluan të më japin një forcë dhe besim tjetër.

Ilustrimet nga Jerry Harston, përveç siç është shënuar; fotografimi i krahëve © Getty Images; fotografimi i zogjve nga Graham Ford, © Getty Images

Detaje nga Krishti në Gjetseman, nga Heinrich Hofmann, me leje dashamirëse të C. Harrison Conroy Co.