2013
Botës i Duhen Pionierë Sot
korrik 2013


Mesazhi i Presidencës së Parë, Korrik 2013

Botës i Duhen Pionierë Sot

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

Për shumë njerëz, rrugëtimi i pionierëve në 1847-ën, nuk nisi në Navu, Kirtland, Far-Uest apo Nju-Jork por, përkundrazi në Anglinë, Skocinë, Skandinavinë apo Gjermaninë e largët. Fëmijët vocërrakë nuk e kuptonin plotësisht besimin e gjallë që i nxiste prindërit e tyre të linin prapa familjen, miqtë, rehatinë dhe sigurinë.

Një vogëlush mund të pyeste: “Mami, pse po largohemi nga shtëpia? Ku po shkojmë?”

“Eja me mua, bir i shtrenjtë; po shkojmë në Sion, në qytetin e Perëndisë tonë.”

Midis sigurisë së shtëpisë dhe premtimit për Sionin qëndronin ujërat e zemëruar e të pabesë të Atlantikut të gjerë. Kush mund ta rrëfejë frikën që e mbërtheu zemrën njerëzore gjatë atyre kalimeve të rrezikshme? Të nxitur nga pëshpëritjet e heshtura të Shpirtit, të mbështetur nga një besim i thjeshtë por i qëndrueshëm, ata pionierë shenjtorë patën mirëbesim te Perëndia dhe ngritën velat për udhëtimin e tyre.

Më në fund ata mbërritën në Navu vetëm për t’u gjendur sërish përpara përballjes me vështirësi në vazhdën e rrugës. Gurë varri me sherbelë dhe shkëmbinj shenjuan varre përgjatë gjithë itinerarit nga Navuja në Solt-Lejk-Siti. I tillë ishte çmimi që paguan disa pionierë. Trupat e tyre janë varrosur në paqe, por emrat e tyre jetojnë në përjetësi.

Qetë e lodhura çapiteshin çalë-çalë, rrotat e vagonave kërcisnin, burrat trima rraskapiteshin, daullet e luftës kumbonin dhe ujqit e prerive gulçonin. Por pionierët e frymëzuar nga besimi dhe të shtyrë nga stuhia, vazhduan përpara. Shpesh ata këndonin:

Shenjtor’ nga puna ju mos kini frik’

Ju ecni me gëzim.

Sa do t’ju duket kjo udh’ e vështir’,

Dita do ket’ shkëlqim. …

Gjithçka mir’ do të jet’!1

Këta pionierë i mbanin mend fjalët e Zotit: “Populli im duhet të provohet në gjithçka, që ata të mund të përgatiten për të marrë lavdinë që unë kam për ta, madje lavdinë e Sionit”2.

Kalimi i kohës i zbeh kujtimet tona dhe e ul vlerësimin tonë për ata që ecën në shtegun e dhembjes, duke lënë prapa një vazhdë të shenjuar me lotë nga varret paemër. Po përsa i përket sfidave të sotme? A nuk ka udhë me shkëmbinj për të bërë, male të thepisur për të ngjitur, humnera për të kaluar, shtigje për të zbuluar, lumenj për të kapërcyer? Ose a ka ndonjë nevojë në të tashmen që ai shpirt pionieri të na udhëheqë larg rreziqeve që na kërcënojnë se do të na gllabërojnë e të na udhëheqë për në Sionin e sigurt?

Gjatë dekadave, që nga fundi i Luftës II Botërore, standardet e moralshmërisë janë ulur pareshtur. Krimi vjen duke u shtuar; të qenit të njerëzishëm vjen duke u zbehur. Shumë njerëz janë në një slitë shkatërrimi që ulet e ngrihet, duke kërkuar emocionet e çastit teksa sakrifikojnë gëzimet e përjetësisë. Kështu ne e humbasim paqen.

Ne harrojmë si ngadhënjyen grekët dhe romakët në mënyrë të madhërishme në një botë barbare dhe mënyrën se si përfundoi ai ngadhënjim – se si plogështia dhe dobësia në fund i mposhtën derisa i shkatërruan. Në fund, ata donin më shumë sigurinë dhe një jetë të rehatshme sesa e donin lirinë; dhe ata i humbën të gjitha – rehatinë, sigurinë dhe lirinë.

Mos iu dorëzoni ngasjeve të Satanit; përkundrazi, qëndroni të paepur për të vërtetën. Dëshirat e pakënaqura të shpirtit nuk do të plotësohen nga një kërkim i pafund i gëzimit mes emocioneve të ndjesisë dhe vesit. Vesi kurrë nuk të çon te virtyti. Urrejtja kurrë nuk e përkrah dashurinë. Burracakëria kurrë nuk jep kurajë. Dyshimi kurrë nuk frymëzon besim.

Disave iu duket e vështirë t’u bëjnë ballë përqeshjeve dhe vërejtjeve të pahijshme të të marrëve që tallin dëlirësinë, ndershmërinë dhe bindjen ndaj urdhrave të Perëndisë. Por bota ia ka ulur përherë vlerat bindjes ndaj një parimi. Kur Noeu u udhëzua të ndërtonte një arkë, populli i marrë pa nga qielli pa re dhe më pas e përqeshën dhe e tallën – derisa erdhi shiu.

A duhet të mësojmë mësime të tilla kaq të kushtueshme pa pushim? Koha ndryshon, por e vërteta përsëritet. Kur nuk arrijmë të nxjerrim dobi nga përvojat e së kaluarës, jemi të dënuar t’i përsërisim ato me të gjithë dhembjen, vuajtjen dhe lëngimin që shkaktojnë. A nuk e kemi urtësinë që t’i bindemi Atij që e njeh fillimin nga mbarimi – Zotit tonë, që hartoi planin e shpëtimit – në vend që të dëgjojmë gjarprin, që e përbuzi bukurinë e tij?

Një fjalor e përkufizon një pionier si “dikush që shkon përpara për të përgatitur ose hapur udhën që ta ndjekin të tjerët”3. A mund të mbledhim disi guximin dhe patundshmërinë e qëllimit që i karakterizonte pionierët e një brezi më të hershëm? A mundemi ju dhe unë të jemi pionierë me fakte?

E di se mund të jemi. O, sa nevojë ka bota për pionierë sot!

Shënime

  1. “Eni Shenjtor’”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 2.

  2. Doktrina e Besëlidhje 136:31.

  3. Oxford English Dictionary, bot. i 2-të (1989), “pioneer” [“pionier”].

Mësimdhënia nga Ky Mesazh

Shkrimet e shenjta shpjegojnë se mësuesit e shtëpisë duhet të “paralajmërojnë, të sqarojnë, të këshillojnë e të japin mësim dhe t’i ftojnë të gjithë të vijnë te Krishti” (DeB 20:59). Merrni parasysh të vini në dukje paralajmërimet dhe ftesat që përmban mesazhi i Presidentit Monson ndaj atyre që vizitoni. Ju mund të dëshironi të diskutoni me ta rreth mënyrave për t’i dalluar e ndjekur shembujt e drejtë, për të shmangur mashtrimet dhe për të mësuar nga gabimet e të tjerëve. Pyetini ata që vizitoni se si mund të jenë pionierë sot.