2014
Të Korrat e Perëndisë
gusht 2014


Mesazhi i Presidencës së Parë, gusht 2014

Të Korrat e Perëndisë

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

Një grua e quajtur Krista punonte dikur për një kompani të vogël farash. Ajo e adhuronte punën e saj. Ishte një burim mrekullie të pamasë që çdo farë e vockël që ajo shiste, kishte aftësinë për ta shndërruar veten në diçka tërësisht të mrekullueshme – një karotë, një lakër, apo madje në një pemë të madhe lisi.

Kristës i pëlqente shumë të ulej te kompjuteri i saj duke marrë porosi e duke iu përgjigjur pyetjeve. Por një ditë, ajo mori një ankesë që e çuditi.

“Farat nuk funksionojnë”, tha klienti. “I bleva ato dy muaj më parë dhe ende asgjë.”

“A i mbolle ato në tokë të mirë dhe a u dhe ujë e dritë dielli të mjaftueshme?”, pyeti Krista.

“Jo, por unë e bëra pjesën time”, u përgjigj klienti. “I bleva farat. Në fund të fundit, ato janë të garantuara që rriten.”

“Por a i mbolle?”

“Jo, për qiell. Kjo do të thoshte që t’i bëj duart e mia pis.”

Krista mendoi për këtë dhe vendosi që duhej të shkruante orientime për mbjelljen. Ajo mori vendimin se cili do të ishte orientimi i parë: “Duhet të ndiqni udhëzimet për mbjelljen që farat të mbijnë. Nuk mund t’i lini në raft e të prisni që ato të rriten.”

Nuk kaloi shumë kohë përpara se të çuditej nga një ankesë tjetër.

“Farat nuk po prodhojnë gjë”, pretendoi një klient.

“A i mbolle ato në tokë të mirë?”, iu përgjigj Krista. “A u dhe sasinë e duhur të ujit e të dritës së diellit?”

“O, po”, këmbënguli klienti. “I bëra të gjitha – pikërisht siç thuhet në letrën e paketimit. Por ato nuk funksionojnë.”

“Nuk ndodhi gjë fare? A mbinë ato?”

“Asgjë nuk ndodhi”, tha klienti. “I mbolla ato pikërisht sipas udhëzimeve. Po shpresoja të kisha domate për darkë. Tani jam shumë i zhgënjyer.”

“Prisni”, u përgjigj Krista. “Po thoni që i mbollët farat sot?”

“Mos u bëni qesharake”, u përgjigj klienti. “I mbolla para një jave. Nuk po prisja që të shihja domate ditën e parë; isha i duruar. Më lini t’ju them se ka pasur shumë ujitje dhe pritje nga ajo kohë deri tani.”

Krista e dinte se do t’i duhej të shtonte një orientim tjetër: “Këto fara u binden ligjeve të biologjisë. Nëse i mbillni farat në mëngjes dhe prisni të hani domate më vonë gjatë asaj jave, do të zhgënjeheni. Duhet të jeni të duruar dhe të prisni që puna e natyrës të shpaloset para jush.”

Gjithçka shkoi mirë derisa Krista mori një ankesë tjetër.

“Jam shumë i zhgënjyer nga farat tuaja”, ia nisi klienti. “I mbolla ato pikërisht siç rekomandonte letra e paketimit. U dhashë ujë, u sigurova që të kishin rreze dielli dhe prita derisa ato më në fund të prodhonin korrjen e tyre.”

“Duket sikur i keni bërë të gjitha në rregull”, tha Krista.

“Deri këtu ishte gjithçka shkëlqyeshëm”, u përgjigj klienti. “Por ajo që mora unë ishin kungulleshka!”

“Dokumentet e mia tregojnë se ato ishin farat që porositët”, tha Krista.

“Por unë nuk dua kungulleshka; dua kunguj [të mëdhenj portokalli]!”

“Nuk po kuptoj.”

“I mbolla farat në ngastrën e kungujve – në po të njëjtën tokë që prodhoi kunguj vitin e kaluar. I lëvdova bimët çdo ditë, duke u treguar se çfarë kungujsh të bukur do të bëheshin ato. Por në vend të kungujve të mëdhenj, të rrumbullakët, portokalli, më dolën kungulleshka të gjata, të gjelbra. Me tonelata!”

Krista e kuptoi atëherë se orientimet mund të mos ishin të mjaftueshme dhe se ishte e nevojshme të pohoje një parim: “Fara që mbillni dhe koha e mbjelljes përcakton të korrën.”

Ligji i Të Korrës

Apostulli Pal dha mësim rreth të korrës së Perëndisë:

“Mos u gënjeni: Perëndia nuk vihet dot në lojë, sepse ç’të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.

Sepse ai që mbjell për mish të tij, do të korrë nga mishi i tij prishje, por ai që mbjell për Frymë, do të korrë nga Fryma jetë të përjetshme.

Le të mos lodhemi duke bërë të mirën; sepse, po të mos lodhemi, do të korrim në kohën e vet.” (Galatasve 6:7–9).

Në kohët e fundit, Zoti na ka dhënë urtësi e mprehtësi shtesë për këtë ligj të pandryshueshëm:

“Ka një ligj, të shpallur në mënyrë të pakthyeshme në qiell, përpara krijimit të kësaj bote, mbi të cilin të gjitha bekimet bazohen –

Dhe kur ne fitojmë ndonjë bekim nga Perëndia, është me anë të bindjes ndaj atij ligji mbi të cilin ai bazohet.” (DeB 130:20–21).

Atë që mbjellim, atë korrim.

Të korrat e Perëndisë janë të lavdishme në mënyrë të papërfytyrueshme. Atyre që e nderojnë Atë, bekimet e Tij të begata u vijnë në “një masë [të] mirë, [të] ngjeshur, [të] tundur, gufuese [që] do t’[i]u derdhet në gji. … Sepse me atë masë që do të matni, do t’ju matet edhe juve gjithashtu.” (Lluka 6:38).

Njësoj sikurse farat tokësore kërkojnë përpjekje dhe durim, ashtu bëjnë edhe shumë prej bekimeve të qiellit. Ne nuk mund ta vendosim fenë tonë në një raft dhe të presim të korrim bekime shpirtërore. Por nëse i mbjellim dhe i ushqejmë standardet e ungjillit në jetën e përditshme të familjes sonë, ka shumë gjasë që fëmijët tanë do të rriten për të prodhuar fruta shpirtërore me vlerë të madhe për ta dhe brezat e ardhshëm.

Përgjigjet e Perëndisë për lutjet tona nuk vijnë gjithnjë sakaq – ndonjëherë ato duket se nuk do të vijnë fare – por Perëndia e di se çfarë është më e mira për fëmijët e Tij. Me siguri, një ditë ne do të shohim më qartë; dhe në atë ditë ne do ta njohim mirësinë dhe bujarinë e qiellit.

Ndërkohë, synimi dhe gëzimi ynë i madh është të ecim në hapat e Mësuesit dhe Shpëtimtarit tonë dhe të jetojmë jetë të mirë e të përpunuar në mënyrë që të korrat e premtuara dhe të çmuara të bekimeve të paçmueshme të Perëndisë të mund të jenë tonat.

Atë që mbjellim, atë korrim.

Ai është ligji i qiellit.

Ai është ligji i të korrave të Perëndisë.

Mësimdhënia nga ky Mesazh

Diskutoni me ato të cilat i vizitoni, për mënyrën si zbatohet ligji i të korrave të Perëndisë për marrëdhëniet, kthimin në besim e dëshminë, ose karrierën dhe synimet arsimore. Mund të lexoni e të merrni parasysh shkrime të lidhura me këtë ligj, të tilla si Fjalët e Urta 11:18; 2 Korintasve 9:6; dhe Alma 32. Nxitini ato që t’i shqyrtojnë synimet e mëparshme dhe të vendosin synime të reja për të arritur rezultate të drejta. Ndihmojini ato që të zhvillojnë një plan për të vepruar në mënyrë të qëndrueshme në mënyrë që të arrijnë qëllimin e tyre afatgjatë.