2015
Familjet Mund të Jenë Bashkë Përgjithmonë
qershor 2015


Mesazhi i Presidencës së Parë, Qershor 2015

Familjet Mund të Jenë Bashkë Përgjithmonë

Pamja
Presidenti Henri B. Ajring

Fuqia e priftërisë për t’i lidhur familjet përjetësisht është një nga dhuratat më të mëdha të Perëndisë. Çdo njeri që e kupton planin e shpëtimit, e dëshiron shumë atë bekim të përhershëm. Vetëm në ceremonitë e vulosjes të kryera në tempujt e përkushtuar të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme Perëndia e ofron vërtet premtimin që familjet mund të lidhen së bashku përgjithmonë.

Çelësat e priftërisë që e bëjnë këtë të mundur, u rivendosën në tokë nëpërmjet Profetit Elija te Jozef Smithi në Tempullin e Kirtlandit. Ata çelësa të priftërisë janë kaluar në një vijë të pashkëputur nëpër profetët e gjallë në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme deri në ditët e sotshme.

Shpëtimtari në shërbesën e Tij në vdekshmëri foli rreth fuqisë për t’i vulosur familjet me fjalët e Pjetrit, Kryeapostullit të Tij, kur tha: “Në të vërtetë ju them se [të] gjitha gjërat që do të keni lidhur mbi tokë do të jenë lidhur edhe në qiell; dhe [të] gjitha gjërat që keni zgjidhur mbi tokë do të jenë zgjidhur edhe në qiell” (Mateu 18:18).

Është vetëm në mbretërinë çelestiale që ne mund të jetojmë në familje përgjithmonë. Atje mund të jemi në familje në praninë e Atit Qiellor dhe Shpëtimtarit tonë. Profeti Jozef Smith e përshkroi atë përvojë të mrekullueshme te Doktrina e Besëlidhje në këtë mënyrë:

“KUR Shpëtimtari do të shfaqet, ne do ta shohim atë siç është. Ne do të shohim se ai është një njeri si vetë ne.

Dhe po ai shoqërim që ekziston mes nesh këtu, do të ekzistojë mes nesh atje, veçse do të jetë me lavdi të përjetshme, lavdi të cilën nuk e gëzojmë tani” (DeB 130:1–2).

Ky shkrim i shenjtë sugjeron që ne mund të synojmë me siguri për një standard qiellor në marrëdhëniet brenda familjeve tona. Ne mund të jemi mjaftueshëm të interesuar për pjesëtarët e familjes sonë, të gjallë e të vdekur, për të bërë gjithçka mundemi për t’u ofruar atyre ordinancat e priftërisë që do të na lidhin në qiell.

Shumë prej jush, të rinj e të vjetër, po e bëjnë atë. Ju keni kërkuar emrat e paraardhësve që nuk i kanë marrë ende ordinancat të cilat mund t’ju vulosin së bashku.

Pothuajse të gjithë ju keni të afërm të gjallë që nuk janë vulosur me familjen me anë të fuqisë së priftërisë. Shumë kanë të afërm të gjallë që i kanë marrë ordinancat e priftërisë por nuk po i mbajnë besëlidhjet që bënë me Perëndinë. Perëndia do t’ju bekojë që të jeni në gjendje t’iu qaseni të gjithë atyre të afërmve në besim. Ju keni një premtim që Zoti ua bën dishepujve të Tij, të cilët shkojnë për t’i sjellë të tjerët tek Ai:

“Dhe kushdo që ju pranon ju, atje do të jem unë gjithashtu, sepse unë do të shkoj përpara fytyrës suaj. Unë do të jem në të djathtën e në të majtën tuaj dhe Shpirti im do të jetë në zemrat tuaja e engjëjt e mi përreth jush, për t’ju ngritur lart” (DeB 84:88).

Nga dritarja e zyrës sime shoh nuse dhe dhëndurë çdo ditë që bëjnë fotografi midis lulesh të bukura dhe shatërvanësh gurgullues. Dhëndri shpesh e mban nusen e tij në krahë, së paku për disa hapa të lëkundur, ndërkohë që fotografi bën fotot martesore. Çdo herë që e shoh atë, mendoj për çifte që i kam njohur, të cilët me kohën – ndonjëherë në një kohë shumë të shkurtër pas ditës së tyre të dasmës – iu desh ta mbanin në krahë njëri-tjetrin në mënyra të tjera kur jeta u bë e vështirë. Mund të humben vendet e punës. Mund të linden fëmijë me sfida të mëdha. Mund të vijë sëmundja. Dhe pastaj, zakonet e bërjes së të tjerëve ato gjëra që do të donim të na i bënin neve – kur ishte më e lehtë – do të na bëjnë heronj dhe heroina në ato kohë sprovuese kur duhet më shumë nga ç’mendonim se kishim brenda vetes.

Ne u detyrohemi familjeve tona atë lloj marrëdhënieje që mund ta marrim në praninë e Perëndisë. Ne nuk duhet të përpiqemi të fyejmë apo të fyhemi. Ne mund të vendosim të falim shpejt dhe plotësisht. Ne mund të përpiqemi të kërkojmë lumturinë e të tjerëve përpara tonës. Ne mund të jemi të sjellshëm në të folurën tonë. Teksa përpiqemi t’i bëjmë të gjitha këto gjëra, ne do ta ftojmë Frymën e Shenjtë në familjet tona dhe në jetën tonë.

Sigurimi im për ju është se, me ndihmën e Zotit dhe me zemra të penduara, ne mund të rrokim një kuptim në këtë jetë të llojit të jetës që duam të kemi përgjithnjë. Ati Qiellor na do. Ai do që ne të kthehemi tek Ai. Shpëtimtari, nëpërmjet fuqisë së Shlyerjes së Tij, e bën të mundur në zemrat tona ndryshimin që na nevojitet të bëjmë në mënyrë që të hyjmë në tempujt e shenjtë, të bëjmë besëlidhjet që më pas mund t’i mbajmë, dhe me kohën të jetojmë përgjithnjë në familje në lavdi çelestiale – në shtëpi përsëri.

Mësimdhënia nga Ky Mesazh

Ndërsa e tregoni doktrinën e familjeve të përjetshme, merrni parasysh atë që ka thënë Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Gjithmonë përpiquni fort t’i forconi familjet. Jepni mësim me një largpamësi për rëndësinë e vulosjes së familjeve në tempull. … Kur e keni largpamësinë për ordinancat vulosëse të tempullit, ju do të ndihmoni për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë në tokë” (“Ju Kam Dhënë Shembullin”, Liahona, maj 2014, f. 34). Si mund t’i ndihmoni ata të cilëve u jepni mësim, që të zhvillojnë largpamësi për rëndësinë e të qenit të vulosur në tempull? Ftojini ata që nuk janë vulosur ende, të diskutojnë për hapat që mund të hedhin drejt asaj ordinance. Ftojini ata që janë vulosur, të diskutojnë për mënyrën se si mund ta ruajnë largpamësinë e familjes së tyre të përjetshme dhe të punojnë për t’i përmirësuar marrëdhëniet e tyre me njëri-tjetrin.