2016
Të Ulemi pa Rrezik Gjatë Turbullirave
shkurt 2016


Mesazhi i Presidencës së Parë, Shkurt 2016

Të Ulemi pa Rrezik Gjatë Turbullirave

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

Jo shumë kohë më parë, bashkëshortja ime, Herieta, dhe unë ishim në një aeroport duke parë aeroplanë të mahnitshëm tek uleshin. Ishte një ditë me erë dhe shkulmet e egra të erës e fshikullonin avionin që po afrohej, duke bërë që secili avion të mënjanohej e të dridhej gjatë afrimit.

Teksa e vëzhgonim këtë përleshje midis natyrës dhe makinerisë, mendja ime u kthye prapa te vetë stërvitja ime e fluturimit dhe parimet që mësova atje – e që më vonë ua mësova pilotëve të tjerë gjatë stërvitjeve.

“Mos luftoni për ta komanduar avionin gjatë turbullirave”, e kisha zakon t’u thoja. “Rrini të qetë; mos u bëni gjaknxehtë. Mbajini sytë të përqendruar te vija qendrore e pistës. Nëse shmangeni nga shtegu juaj i dëshiruar i afrimit, bëni manovrime të atypëratyshme por me masë. Mirëbesojini potencialit të aeroplanit tuaj. Vazhdojeni fluturimin derisa të dilni nga turbullirat.”

Pilotët me përvojë e kuptojnë se ata nuk mund t’i kontrollojnë gjithnjë gjërat që ndodhin përreth tyre. Ata nuk munden thjesht t’i bëjnë turbullirat të pushojnë. Ata nuk mund ta bëjnë shiun apo dëborën të zhduket. Ata nuk mund të shkaktojnë ndalimin e erës apo t’ia ndryshojnë drejtimin.

Por ata e kuptojnë gjithashtu se është një gabim që t’u druhesh turbullirave apo erërave të forta – dhe veçanërisht të mbetesh në vend prej tyre. Mënyra për t’u ulur në mënyrë të sigurt kur kushtet janë jo dhe aq ideale, është të qëndrosh në trajektoren e duhur dhe të kalosh nëpër udhë sa më përsosurisht të jetë e mundur.

Teksa e shikoja një aeroplan pas tjetrit të bënte afrimin e tij përfundimtar dhe kujtoja parimet që mësova nga vitet e mia si pilot, pyeta veten a kishte ndonjë mësim në këtë gjë për jetën tonë të përditshme.

Ne nuk mundemi gjithnjë t’i kontrollojmë stuhitë që jeta vë në shtegun tonë. Ndonjëherë gjërat thjesht nuk shkojnë sipas mënyrës që duam. Mund të ndihemi të tronditur e të tundur nga turbullirat e zhgënjimit, dyshimit, frikës, trishtimit apo stresit.

Gjatë atyre kohëve, është e lehtë të mbërthehemi nga çdo gjë që po shkon keq, dhe t’i bëjmë telashet tona qendrën e mendimeve tona. Tundimi është të përqendrohemi te sprovat me të cilat përballemi, në vend që të përqendrohemi te Shpëtimtari dhe te dëshmia jonë për të vërtetën.

Por ajo nuk është mënyra më e mirë për të lundruar përmes sfidave tona në jetë.

Ashtu si një pilot me përvojë e mban pikën e përqendrimit të tij jo te stuhia, por në qendër të pistës dhe te pika e saktë e takimit me tokën, kështu duhet ta mbajmë edhe ne pikën e përqendrimit tonë te qendra e besimit tonë – Shpëtimtari ynë, ungjilli i Tij dhe plani i Atit tonë Qiellor – dhe te synimi ynë përfundimtar – që të kthehemi të sigurt te vendmbërritja jonë qiellore. Ne duhet t’i mirëbesojmë Perëndisë dhe ta bëjmë qëndrimin në shtegun e duhur të dishepullimit pikën e përqendrimit të përpjekjeve tona. Ne duhet t’i mbajmë sytë, zemrën dhe mendjen tonë të përqendruar tek të jetuarit sipas mënyrës që e dimë se duhet të jetojmë.

Të treguarit e besimit dhe mirëbesimit tonë tek Ati Qiellor duke i mbajtur me gëzim urdhërimet e Tij do të na sjellë lumturi e lavdi. Dhe nëse qëndrojmë në shteg, ne do të dalim jashtë çdo turbullire – pavarësisht nga sa e fortë ajo mund të duket – e të kthehemi pa rrezik në shtëpinë tonë qiellore.

Qoftë nëse qiejt përreth nesh janë të kthjellët apo të mbushur me re kërcënuese, si dishepuj të Jezu Krishtit, ne kërkojmë së pari mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e Tij, duke e ditur se, nëse e bëjmë këtë, të gjitha gjërat e tjera që na nevojiten, do të na shtohen në fund (shih Mateu 6:33).

Çfarë mësimi i rëndësishëm për jetën!

Sa më shumë na pushtohet mendja nga vështirësitë tona, mundimet tona, dyshimet tona dhe druajtjet tona, aq më të vështira mund të bëhen gjërat. Por sa më shumë përqendrohemi te vendmbërritja jonë përfundimtare në qiell dhe te gëzimet që e ndjekin shtegun e dishepullit – duke e dashur Perëndinë, duke i shërbyer të afërmit tonë – aq më tepër gjasë ka që ne të lundrojmë me sukses përmes kohëve të telasheve dhe turbullirave.

Miq të dashur, pavarësisht sa ashpërsisht gulçojnë përreth nesh erërat e ekzistencës sonë në vdekshmëri, ungjilli i Jezu Krishtit do të ofrojë gjithnjë shtegun më të mirë drejt një uljeje të sigurt në mbretërinë e Atit tonë Qiellor.

Mësimdhënia nga ky Mesazh

Presidenti Uhtdorf na këshillon “t’i mirëbesojmë Perëndisë dhe ta bëjmë qëndrimin në shtegun e duhur të dishepullimit pikën e përqendrimit të përpjekjeve tona”. Merreni parasysh t’i pyetni ata të cilëve u jepni mësim, mbi mënyrën se si kanë mbetur të përqendruar “te vendmbërritja [e tyre] përfundimtare në qiell dhe te gëzimet që e ndjekin shtegun e dishepullit” në kohët kur janë përballur me sprova. Mund t’i ftoni ata të mendojnë për mënyrat në të cilat mund të përqendrohen te dëshmia e tyre dhe te Krishti në çaste të vështira e të vendosin me lutje se si ta vënë në zbatim një ose më shumë prej atyre ideve në jetën e tyre.