2017
Të Marrim Nishan në Qendër
janar 2017


Mesazhi i Presidencës së Parë, Janar 2017

Të Marrim Nishan në Qendër

Kohët e fundit vëzhgova një grup njerëzish që po praktikonin artin e qitjes me hark. Thjesht duke i vëzhguar, m’u bë e qartë që, nëse vërtet dëshiron t’i zotërosh harkun dhe shigjetën, duhet kohë dhe stërvitje.

Nuk mendoj se mund të krijosh famën se je një harkëtar i zoti duke gjuajtur në një mur të zbrazët dhe duke vizatuar më pas shënjestra përreth shigjetave. Ti duhet ta mësosh artin e gjetjes së shënjestrës dhe të goditjes së pikës qendrore.

Ngjyrosja e Shënjestrës

Të gjuash së pari dhe të vizatosh shënjestrën më pas, mund të duket paksa e pakuptimtë por, nganjëherë, ne vetë e pasqyrojmë pikërisht atë sjellje në rrethana të tjera të jetës.

Si anëtarë të Kishës, ne kemi një prirje që të lidhemi me programe, çështje dhe madje doktrina të ungjillit që na duken interesante, të rëndësishme ose të këndshme. Ne tundohemi të vizatojmë shënjestra rreth tyre, që na bëjnë të besojmë se po marrim nishan në qendrën e ungjillit.

Kjo është e lehtë për t’u bërë.

Përgjatë epokave, ne kemi marrë këshilla dhe frymëzim të shkëlqyer nga profetët e Perëndisë. Gjithashtu, ne marrim drejtim dhe sqarim nga botimet, librat udhëzues dhe manualet e ndryshme të Kishës. Ne mund ta përzgjedhim lehtësisht temën tonë të parapëlqyer nga ungjilli, të vizatojmë një shënjestër rreth saj dhe të arsyetojmë se e kemi përcaktuar qendrën e ungjillit.

Shpëtimtari Sqaron

Ky nuk është një problem vetëm i kohës sonë. Në lashtësi, udhëheqësit fetarë shpenzuan një sasi të madhe kohe duke regjistruar, renditur dhe debatuar se cili prej qindra urdhërimeve ishte më i rëndësishmi.

Një ditë, një grup studiuesish fetarë u orvatën ta vinin në kontradiktë Shpëtimtarin. Ata i kërkuan Atij të jepte mendim mbi një çështje për të cilën pak veta mund të binin dakord.

“Mësues”, e pyetën Atë, “cili është urdhërimi i madh i ligjit?”

E dimë të gjithë se si u përgjigj Jezusi: “Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.

Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi.

Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten’.

Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët.”1

Ju lutem, vini re fjalinë e fundit: “Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët”.

Shpëtimtari jo vetëm që na e tregoi shënjestrën, por Ai përcaktoi gjithashtu pikën qendrore.

Goditja në Shënjestër

Si anëtarë të Kishës, ne besëlidhim ta marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit. E përfshirë në atë besëlidhje është kuptueshmëria se ne do të përpiqemi fort të mësojmë për Perëndinë, ta duam Atë, ta rritim besimin tonë tek Ai, ta nderojmë Atë, të ecim në udhën e Tij dhe të qëndrojmë të patundur si dëshmitarë të Tij.

Sa më shumë mësojmë për Perëndinë dhe e ndiejmë dashurinë e Tij për ne, aq më shumë e kuptojmë se flijimi i pafundmë i Jezu Krishtit është një dhuratë hyjnore nga Perëndia. Dhe dashuria e Perëndisë na frymëzon ta përdorim shtegun e pendimit të vërtetë, që do të na udhëheqë drejt mrekullisë së faljes. Ky proces na mundëson që të kemi dashuri e dhembshuri më të madhe për njerëzit rreth nesh. Ne do të mësojmë të shohim përtej etiketimeve. Ne do t’i bëjmë ballë tundimit për t’i akuzuar apo gjykuar të tjerët sipas mëkateve, të metave, ceneve, prirjeve politike, bindjeve fetare, kombësive, apo ngjyrës së tyre të lëkurës.

Ne do ta shohim këdo që takojmë, si një fëmijë të Atit tonë Qiellor – si vëllanë ose motrën tonë.

Ne do t’i ndihmojmë të tjerët me kuptueshmëri dhe dashuri – madje edhe ata të cilët mund të mos jetë veçanërisht e lehtë që t’i duam. Ne do të vajtojmë me ata që vajtojnë, dhe do të ngushëllojmë ata që kanë nevojë të ngushëllohen.2

Dhe do ta kuptojmë se nuk ka nevojë që ne të stresohemi për shënjestrën e saktë të ungjillit.

Dy urdhërimet e mëdha janë shënjestra. Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët.3 Teksa e pranojmë këtë, gjithë gjërat e tjera të mira do të shkojnë në vendin e duhur.

Nëse qendra e vëmendjes, mendimet dhe përpjekjet tona kryesore përqendrohen te rritja e dashurisë sonë për Perëndinë e Plotfuqishëm dhe hapja e zemrës sonë ndaj të tjerëve, ne mund ta dimë se e kemi gjetur shënjestrën e saktë dhe po marrim nishan në pikën qendrore – te bërja dishepuj të vërtetë të Jezu Krishtit.

Mësimdhënia nga Ky Mesazh

Përpara se ta shpërndani këtë mesazh, ju mund të këndoni “Dashuria e Shpëtimtarit Tonë” (Himne, nr. 59). Pastaj merreni parasysh t’i nxitni ata që vizitoni, që të reflektojnë mbi “shënjestrat” në vetë jetën e tyre. Ju mund të diskutoni për mënyra në të cilat ata të sigurohen që dy urdhërimet e mëdha – “duaje Zotin, Perëndinë tënde” dhe “duaje të afërmin tënd porsi vetveten” (shih Mateu 22:37, 39) – po ua udhërrëfejnë gjithmonë veprimet e tyre. Ju mund të tregoni edhe mënyra të veçanta në të cilat ju e keni përqendruar vetë jetën tuaj te Krishti dhe të jepni dëshmi për mënyrën si ju ka bekuar ajo.