2017
Duke Kërkuar Krishtin në Krishtlindje
dhjetor 2017


Mesazhi i Presidencës së Parë, Dhjetor 2017

Duke Kërkuar Krishtin në Krishtlindje

Të gjithëve atyre që dëshirojnë të kuptojnë se cilët jemi ne si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, do të dëshiroja t’u ofroja një pikë nisjeje të përkufizuar nga këto katër fjalë: Ne e kërkojmë Krishtin.

Ne kërkojmë të mësojmë nga Ai. Ta ndjekim Atë. Të bëhemi më shumë si Ai.

Për çdo ditë gjatë gjithë vitit, ne e kërkojmë Atë. Por veçanërisht në këtë kohë të vitit – në Krishtlindje, kur kremtojmë lindjen e Shpëtimtarit tonë të dashur – zemrat tona janë gjithmonë e më të prirura drejt Tij.

Si pjesë e përgatitjeve tona për ta kremtuar Krishtlindjen, le të marrim parasysh se në ç’mënyrë ata që jetuan dy mijëvjeçarë më parë, ishin gati ta mirëpritnin mbërritjen e Shpëtimtarit.

Barinjtë

Ne nuk dimë shumë për barinjtë, vetëm që ata “rrinin jashtë, në fusha, dhe natën ruanin kopenë e tyre”1. Me më shumë gjasë, barinjtë ishin njerëz krejt të zakonshëm, si shumë shpirtra të lëvdueshëm që i kalojnë ditët duke siguruar jetesën.

Ata mund të përfaqësonin njerëzit që, dikur, mund të mos kenë qenë duke e kërkuar Krishtin në mënyrë aktive, por zemrat e tyre ndryshuan kur qiejt u hapën dhe atyre iu bë shpallje për Krishtin.

Këta janë ata të cilët, pasi e dëgjuan zërin e lajmëtarëve qiellorë, menjëherë shkuan në Bethlehem duke dashur të shihnin.2

Dijetarët

Dijetarët ishin studiues që kishin qenë duke studiuar për mbërritjen e Mesias, Birit të Perëndisë. Me anë të të mësuarit të tyre, ata dalluan shenjat që tregonin për lindjen e Tij. Kur i dalluan ato, ata i lanë shtëpitë e tyre dhe udhëtuan për në Jerusalem duke pyetur: “Ku është mbreti i Judenjve, që ka lindur?”3

Njohuria e tyre për Krishtin nuk mbeti vetëm në teori. Sapo panë shenjat e lindjes së Tij, ata vepruan. Ata u nisën që të gjenin Krishtin.

Dijetarët mund të përfaqësonin ata që e kërkojnë Krishtin nëpërmjet të mësuarit dhe studimit akademik. Përkushtimi i tyre ndaj së vërtetës më së fundi i çon ata që ta gjejnë Krishtin dhe ta adhurojnë atë si Mbretin e mbretërve, Shpëtimtarin e njerëzimit.4

Simeoni dhe Ana

Simeoni dhe Ana mund të përfaqësonin ata që e kërkojnë Krishtin nëpërmjet Shpirtit. Këta shpirtra të mrekullueshëm ishin fetarë plot përkushtim dhe nëpërmjet agjërimit dhe lutjes si dhe duke jetuar jetë përkushtimi dhe bindjeje, pritnin me shumë dëshirë të shihnin ditën e ardhjes së Birit të Perëndisë.

Nëpërmjet besnikërisë, përulësisë dhe besimit, ata e pritnin me durim ardhjen e Shpëtimtarit.

Përfundimisht, besnikëria e tyre u shpërblye teksa Maria dhe Jozefi ua paraqitën foshnjën që një ditë do të merrte mbi Vete mëkatet e njerëzimit.5

Besimtarët mes nefitëve dhe lamanitëve

Historia prekëse e mënyrës se si besimtarët në Botën e Re pritnin për shenjat e lindjes së Shpëtimtarit, gjendet në Librin e Mormonit.

Ju e mbani mend se si i tallën dhe i përndoqën ata që kishin besim në Krisht. Të mençurit sipas botës të asaj kohe, i akuzuan besimtarët se po kapeshin pas paragjykimesh të marra. Në fakt, jo besimtarët ishin kaq të zhurmshëm në talljet e tyre saqë bënë “një potere të madhe” në tokë (3 Nefi 1:7). Këta i shpotitnin ata që besonin se Shpëtimtari do të lindte.

Zemërimi dhe tërbimi i tyre u bë kaq i madh saqë ata u fiksuan pas [idesë] që t’ua mbyllnin gojën një herë e përgjithmonë atyre që besonin te Shpëtimtari. Libri i Mormonit shënon zgjidhjen dramatike.6

Besimtarët që jetuan në atë kohë, mund të përfaqësonin ata që e kërkojnë Krishtin edhe kur të tjerët i qeshin, i tallin dhe i përqeshin. Ata e kërkojnë Krishtin edhe kur të tjerët përpiqen t’i karikaturizojnë si të pagdhendur, të pamësuar, ose syleshë.

Por përçmimi prej të tjerëve nuk i shkurajon besimtarët e vërtetë për të mos e kërkuar Krishtin.

Ne e Kërkojmë Krishtin

Gjatë gjithë vitit, dhe ndoshta posaçërisht në këtë kohë Krishtlindjeje, do të na sjellë dobi që ta bëjmë edhe një herë pyetjen: “Si po e kërkoj unë Krishtin?”

Gjatë një kohe të vështirë në jetën e tij, i madhi Mbreti David shkroi: “O Perëndi, ti je Perëndia im, unë të kërkoj në mëngjes; shpirti im është i etur për ty; ty të dëshiron mishi im”7.

Ndoshta ky qëndrim i kërkimit të Perëndisë ishte një nga arsyet përse Davidi përshkruhet si një njeri sipas zemrës së Perëndisë.8

Gjatë periudhës së kësaj Krishtlindjeje dhe gjatë të gjithë vitit, e kërkofshim me zemrat tona dhe me shpirtrat tanë Shpëtimtarin tonë të dashur, Princin e Paqes, të Shenjtin e Izraelit. Sepse kjo dëshirë, në masë të madhe, e përkufizon jo vetëm se cilët jemi si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme por, për më tepër, cilët jemi ne në të vërtetë si dishepuj të Krishtit.